Bismilahi Rrahmani Rrahim
Deklaratë
Në lidhje me frymën përjashtuese të drejtuesve të KMSH
Nisur nga ngjarjet e fundit të ndodhura në xhaminë e Medresesë, por edhe veprime të tjera të gabuara dhe jostatutore të shkaktuara më parë nga kryesia e KMSH, ne si organizatë fetare që shqetësohet për problemet e komunitetit të besimtarëve muslimanë, jemi të detyruar të reagojmë kësaj here publikisht.
Si besimtarë jemi treguar të duruar duke mos reaguar në disa raste dhe duke pritur që njerëzit, të cilët drejtojnë aktualisht KMSH-në, të reflektojnë nga gabimet e tyre dhe t’i përmbahen premtimeve publike dhe private që ata kanë bërë për gjithëpërfshirje dhe për një frymë të re e të ndryshme në këtë institucion. Por, zgjedhjet e parregullta të Këshillit  të Përgjithshëm, praktika selektive në përzgjedhjen e imamëve dhe myftive të rinj dhe tani së fundi, vendimi për shkarkimin e imamit dhe hatibit të xhamisë së Medresesë tregojnë qartë se jemi përballë një agjende e cila në emër të së vërtetës klanore absolute, që supozon se mbart, kërkon të ndryshojë me çdo mjet, qoftë edhe jomoral, realitetin shumëngjyrësh të xhematit të besimtarëve shqiptarë, duke e nisur së pari këtë agjendë nga hoxhallarët dhe predikuesit islamë që kanë vite që kontribuojnë për fenë në këtë vend.
Hoxhallarët janë udhërrëfyes dhe edukatorë të popullit, janë bartësit e fjalës së Zotit, ata nuk mund të trajtohen si administratorë xhamish, të cilët mund të qarkullohen, të hiqen apo emërohen sikur të ishin punonjës të një ndërmarrjeje private, ata janë fytyra e parë e Islamit në këtë vend dhe duhet të trajtohen në mënyrën më dinjitoze, me projekte që rrisin nivelin e tyre intelektual e moral dhe plotësojnë nevojat jetësore. Depersonalizimi i hoxhës dhe përulja e dinjitetit të tij me çfarëdo lloj forme do të thotë përçudnim i fytyrës së Islamit në këtë vend.
Fryma përjashtuese, që po përçohet nga drejtuesit e KMSH-së, do të provokojë vetëm konflikte dhe fitne në mes besimtarëve dhe do të cenojë paqen sociale që ekziston sot në mes tyre, do të ndjellë urrejtje të panevojshme, të cilat do të degradojnë pashmangshëm deri në trajtime doktrinale sektare ndarëse, gjë kjo që do të sjellë zhvillime negative të dëmshme për të gjithë.
Ne si hoxhallarë, që mbartim dijen islame të marrë si amanet nga Allahu, i bëjmë thirrje besimit, moralit, ndërgjegjes dhe fjalës së dhënë nga këta njerëz, që të mos përfshihen nga ethet e euforisë triumfaliste dhe të mos kërkojnë të instalojnë për besimtarët muslimanë shqiptarë një diktaturë fetare të palegjitimuar nga xhematet, por të ndërtojnë një institucion që respekton rregullat e lojës dhe nuk praktikon frymën përjashtuese dhe klanore mes nesh.
Feja islame, përgjegjësi kjo me të cilën na ka ngarkuar Allahu, është shumë e madhe dhe e gjerë, e si e tillë nuk mund të mbartet nga një grup i vetëm muslimanësh, kushdo qofshin ata. Zoti i gjithësisë nuk ka pakt të veçantë me asnjë prej krijesave të Tij, lidhja me Të mbahet vetëm nëpërmjet respektimit të parimeve të Tij.
Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë
29/02/2012