Cherchez la femme





 

E. Mërtiri

Atmosfera e 8 marsit ka zënë, gjatë këtyre ditëve, një pjesë të madhe të ekraneve, për të thyer sadopak peisazhin monoton me rërë shkretinore të mediave shqiptare. Thuajse të gjitha emisionet me të futar në studio, të cilat zenë pjesën më të madhe të produksioneve vendase, iu kushtuan kësaj dite, në një maratonë muhabetesh, që ripërtypën në mënyrë të përsëritur të njëjtën ekspozitë konstatimesh problemore pa zgjidhje, të shtruar prej vitesh nga aktivistet femra (nuk di sa mund t’i quash feministe). Paralel me problemet pa zgjidhje, u stërfol gjithashtu për një mijë e një vogëlsira që lidhen me të festuarit, duke nisur që nga llojet e dhuratave e deri tek mesazhet standarde pa shije e kuptim, të lëshuara formalisht, funksion të kremtimit të një feste, që serviret herë si festë për nënën dhe mëmësinë, e herë si një datë përkujtimore e lëvizjes feministe, në funksion të ideologjisë përkatëse, e cila ha debatet e veta. Në pavarësi nga kjo gruaja ka qenë gjatë këtyre ditëve, çamçakizi i vetëm i mllaçitur përpara kamerave, nën vellon e një përpjekjeje mbarëkombëtare për emancipim. Nga ky aspekt, mund të themi se kjo festë është një dështim, për sa kohë është e vetmja ditë e grave në Shqiptare, nga plot 365 të tilla që ka viti. Mbretëresha e kësaj dite, nuk është gjë tjetër vetëm se robëresha e të gjithë ditëve të tjera të Perëndisë.

Shqetësimet mbi rolin e gruas në Shqipëri duhen parë me të gjithë seriozitetin e mundshëm, por gjithashtu, duhet të vendosen në shinat e duhura sociologjike, në përputhje me kontekstin social shqiptar. Mbi të gjitha, këto problem nuk janë probleme të gave, por të të gjithë shoqërisë. Më tepër sesa emancipimi i grave, duhet të mendojmë se po flasim në rradhë të parë për emancipimin e të gjithë shoqërisë, e cila nuk mund të jetë e tillë pa iu referuar disa nocioneve më të kthjellëta mbi marrëdhëniet gjinore. Pa një konceptim të drejtë të këtyre marrëdhënieve, shoqëria shqiptare nuk mund të ngrihet në nivelin e duhur. Por çështja duhet trajtuar me kujdes e jo me partizanllëk, e as me artikulime revolucionare që prodhojnë hakmarrje gjinore ndaj seksit në pushtet.

Nuk mund të mos ndajmë këtu shqetësimin  mbi mënyrën sesi trajtohen tema të tilla në opinionin publik shqiptar. Ky diskurs ngrihet në terma të gabuar, që nuk i përgjigjen siç duhet problematikës. Ajo që ka prevaluar në këtë diskurs ka të bëjë, ose me probleme të angazhimeve në fushën e shërbimeve sociale, (siç janë ato që ofrojnë përkrahje dhe sensibilizim ndaj dhunës në familje, në trajtimin e divorceve, trafikimit etj), ose me aspirata misionariste të grupeve të ndryshme feministe, të cilët kauzat dhe idetë e tyre të elaboruara përciptas, ia imponojnë një publiku, krejtësisht të painformuar mbi debate të tilla, të papërgatitur për t’a kuptuar dhe brendësuar siç duhet mesazhin e tyre. Në orë të tëra bisedash televizive, nuk ndeshje gjëkundi një trajtim profesional, që të ofrojë analiza të menduara hollë në raport me tërësinë strukturore të shoqërisë shqiptare. Për këtë arsye, si çdo angazhim shoqëror që prodhon zgjidhje të pjesshme, të targetuara kryesisht mbi plan-projekte OJQ-shë, edhe ai i gruas do të vijojë të mbetet në amulli. Efekti i bisedave të tilla më shumë do të ushtrojë ndikim në rimodelimin e institucioneve bazë të shoqërisë, siç mund të jenë familja apo martesa (duke sjellë konfuzion në perceptimin e tyre) sesa do të sjellë ndonjë dobi në raport me vlerësimin e grave në jetën e përditshme.

Nga ana tjetër, ajo që të bie në sy është dominimi absolut i mendimit liberal në diskusin publik. Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në botë, ku shoqëria civile është e gjitha në unison për debate të tilla, duke mbrojtur konceptime radikalisht liberale, pa asnjë oponencë publike. E gjithë kjo ndodh megjithëse në tërësi pretendohet që kjo shoqëri të jetë një shoqëri në nivele të larta patriarkaliteti. Kudo në botë, diskutime të tilla ndahen midis studiuesish e aktivistësh të ndryshëm liberalë, konservatorë, modernistë e antimodernistë apo postmodernistë. Në Shqipëri, shoqëria civile është e tëra në një mendje mbi modelet e reja shoqërore dhe është e tëra në një mendje se pjesa tjetër e shoqërisë është në prapambetje të thellë. Në fakt, mungesa totale e zërave konservatorë, si dhe të teorive të tjera mbi marrëdhëniet sociale, tregon thellësisht për prapambetjen, paditurinë dhe anormalitetin e kësaj klase intelektuale. Kjo tregon që shoqëria civile, nuk ka rrjedhur natyrshëm prej formimit individual e të pavarur të inteligjencës shqiptare, por është formatuar në bazë të projekteve dhe ndikimeve që kanë investuar në orientimin dhe kufizimin e mendimit shqiptar. Në këto kushte, problemet sociale do të vijojnë të mbeten peng i organizmave të tillë vegjetues, i fondeve, projekteve, aktiviteteve të tilla pa bereqet, si dhe i aktivizmave të përciptë që nuk kanë kuptuar ende principet më thelbësore të debateve bashkëkohore mbi këto probleme.

Si rrjedhim gratë shqiptare kanë vijuar edhe sot ritualet e tyre, që nga ato që derdhin lot për mjerimin ekonomik ku jetojnë, tek ato që rrëfejnë dhunën sistematike të pësuar nga gjinia tjetër, – ajo që u ka rezervuar këtë ditë si simbol glorifikimi, – e deri tek dyndjet masive orëve të vona të natës, në Pub-et e Tiranës, të mbushura ding, me qenie femërore që festojnë harbueshëm përkatësinë e tyre gjinore, që, në fakt, nuk dihet se çfarë privilegji të ofron në këtë vend. Si për ironi të gjithë kësaj, gazetat ishin të mbushura këto ditë me lajme që informonin për një vërshim të striptizmit mashkullor që tashmë është bërë traditë e festave të tilla, ku ekzaltimi i solidaritetit gjinor gjen si valvolë shkarkimi për tensionet kompleksive vjetore, disa trupa muskulozë meshkujsh afrikanë, që i ofrohen si dhuratë syritë të pafajshëm femëror për barrën e madhe që gratë shqiptare vijojnë të mbajnë në brengat e kësaj shoqërie. Mesa duket, ligjërimi mediatik në Shqipëri, vetëm këtë të fundit mund të regjistrojë si të vetmin trofe të luftës së tij për emancipimin e gruas.

 

Comments

  • …po t’i referohem gjeniut te letrave ruse,Dostojevskit:’Injoranca dhe varferia jane burrimi i mekatit(te keqijave)’,natyrshem do te meditonja: Në të vërtetë, dituria është dhuratë hyjnore që Zoti ia ka falur njeriut ta përdorë atë si një mjet për të ndërtuar qytetërimet dhe për t’i zhvilluar ato sa më tej. Dituria duhet shfrytëzuar në dobi të njerëzimit dhe duhet të jetë e lidhur ngushtë me dritën e besimit. Duke u nisur pikërisht nga ky fakt, ka ardhur edhe urdhëri hyjnor në vargun e parë kuranor që ka zbritur nga qielli: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi çdo gjë!” (Kuran: 96 – 1).
    Është pikërisht Islami me logjikën e tij të drejtë dhe të shëndoshë që i jep kuptimin më domethënës ecurisë së mbarë njerëzimit dhe e përdor shkencën në dobi të vlerave njerëzore. Është pikërisht Islami ai që nxit për të punuar dhe për ta ndërtuar sa më bukur jetën në këtë tokë dhe për të mos qenë shkatërrimtarë. Përkitazi me këtë, Allahu i madhëruar thotë: “Ai fillimisht ju krijoi nga toka dhe ju bëri banorë të saj, prandaj kërkoni falje prej Tij dhe pendohuni tek Ai!” (Kuran: 11- 61).
    Zoti i ka urdhëruar njerëzit të punojnë në tokë dhe të ndërtojnë në të sipas ligjeve hyjnore që Ai ka vendosur në këtë gjithësi. Që të gjithë ne jemi dëshmitarë se në shekullim e ri dhe në atë që sapo ka kaluar populli yne ka qene populli më i dobët dhe më i pafuqishëm nga gjithë të tjerët në politikë, arsim, kulturë etj. Këtu duhet të ndalen në mënyrë të veçantë dijetarët, politikanët, ata që pretendojnë se kanë diçka në dorë dhe ata që kanë në të vërtetë. Le ta pyesin veten sinqerisht: “Çfarë kemi bërë ne për popullin tonë? Përse e kemi lënë veten të arrijmë deri këtu?” Dhe le t’i pyesim ne ata: “Çfarë po bëni me ne? Çfarë po bëni për ne? Çfarë po bëni për të ardhmen tonë? Cili është pozicioni juaj për çka po ndodh…?”
    Duhet patjetër të ndalemi në mënyrë të sinqertë pa pasur asnjë qëllim përfitimi vetjak dhe të bëjmë diçka në dobinë tonë të përgjithshme.Ne pyetjet e mesiperme, ne zbulojmë anët e neglizhencës dhe dobësisë sonë. S’ka dyshim se shkaku kryesor i kësaj dobësie dhe i këtij dështimi është pesha e mëkatit që bie mbi ne-PABESIMTARET.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *