I huaj dhe njëkohësisht autokton





e-zani.

Pesha e rëndë e ndikimeve ideologjike vazhdon të mbajë peng tematikën mjaft të shtrirë në kohë të fetarizimit monoteist të shqiptarëve deri tek ilirët, ndërsa periudha politeiste duket më konsensuale, ndoshta sepse duke qenë tashmë identifikim i fosilizuar nuk përballet me konkurencën e bindjeve aktuale. Shpjegimeve abuzive të islamizimit, i analizuar thuajse përherë në sinonimi me sundimin osman e rrjedhimisht i gjykuar si mall importi i imponuar, i shtresëzohen edhe ato të krishtërizimit, veçanërisht kur objektivi është gara e autoktonisë, e këtu sintetizohet metoda dominuese studimore: në vend që fakti të prodhojë intepretimin, ndodh e kundërta, është intepretimi që ndërton faktin, për të mos thënë e krijon. Rrjedhimisht, fakte të tilla lindin atë që Jan Assmann quan «mitodinamika e kujtesës», e shprehur nga funksioni themelues i mitit.

Mitet janë disa, por tek intepretimi i krishtërizimit një pozitë e veçantë i është kushtuar ‘lidhjes së shën Palit me ilirët’, ndërsa funksionin e pohon dom Shan Zefi në fjalinë hapëse të librit Islamizimi i shqiptarëve gjatë shekujve, që ka pretendimin e sqarimit të lexuesit mbi procesin e islamizimit: «Krishterimi te shqiptarët […] nuk e ka një prejardhje të huaj, por të themi kështu se ai është pikërisht autokton, sepse që nga koha apostolike Ungjilli qe predikuar […] nga vetë Apostujt dhe nxënësit e tij». Libri në fjalë shërben si pellg përmbledhës i tezave të dekadave të fundit rreth monoteizimit të iliro-shqiptarëve, vazhdimisht të pranishme sidomos tek gazetarët dhe mediat e Kosovës, si dhe, mbi të gjitha, reflekton një metodë studimore ku procesi i fetarizimit është mjeti dhe jo qëllimi i studimit, nëpërmjet të cilit mundësohet përjashtimi i tjetrit.

Mulliri lëviz erën

Përtej mitit dhe funksionit, ajo çka ngacmon vëmendjen është nënshtrimi i fakteve ndaj interpretimit dhe një ngjërim e marrim në fund të fjalisë të sipërcituar, kur njëjësi i përemrit ‘e tij’ konflikton me shumësin e emrit ‘apostujt’ në dëshirën e nxituar të bymimit abstrakt të personazheve. Dy nga tre faktet e vetme – jashtë hipotezave – të vizitës së shën Palit, që pas katër faqesh autori e shndërron në ungjillizues të sigurtë të gjithë zonës bregdetare adriatike, citojnë qytetet e Apollonisë dhe Nikopojës.

Çuditërisht Dhimitër Beduli në Kishë dhe kulturë, megjithëse nuk jep shpjegime, duke iu referuar apostullit, mendon se ai «ka kaluar nga Apollonia dhe se ka shkuar një dimër në Nikopojë», ndërsa Zefi, pa harruar shumësin abstrakt, na dhuron një “gjurmë” kur pohon se «Shën Pali Apostull dhe shokët e tij zbresin në Apoloni për t’u rrekë në Maqedoni, në Ilirik dhe në Epir». Mësojmë kështu se apostulli me disa shoqërues paska zbritur në këtë qytet-port, natyrisht me anije, për të vazhduar në thellësinë balkanike.

Kështu thotë apostulli? Së bashku dhe vetëm me Silën nga Filipia – në Maqedoninë e sotme greke – i drejtohen Selanikut duke kaluar përmes Anfipolit dhe Apollonisë (Aktet 16:12-40, 17:1): varianti i shqipëruar përdor fjalën «nëpër», ndërsa ai i CEI-it nënvizon udhëtimin tokësor, edhe Jürgen Becker nuk ka dyshime për itinerarin tokësor përgjatë Egnatias, nga Anfipoli përmes Apollonisë greke për në Selanik, Berea, Athine, Korint (Becker, 1992). E në fakt nuk mund të jetë ndryshe, pasi nga Filipia në Apolloninë “ilire”, me tezën e «zbritjes», apostullit i duhej të bënte një udhëtim mbi 1000 km pergjatë gjithë Egjeut dhe Jonit, për të arritur në Selanik, kur ky qytet është rreth 40-50 km nga Apollonia e Greqisë dhe rreth 100 km nga Anfipoli, pra në një linjë tokësore racionalisht të pranueshme dhe të përballueshme. Nëse Beduli nuk është ndalur tek mundësia e homonimeve, Zefi e ka devijuar tërësisht udhëtimin dhe rrëfimin e apostullit, duke ia ndryshuar edhe drejtimin, jo nga më Azia e Vogël për në Maqedoni e Akajë, por nga Apollonia drejt tyre.

Përballë Apollonisë, afër Selanikut, është preferuar spostimi në Iliri, ndërsa për rastin e Nikopojës, që poashtu është emri i disa qyteteve në pellgun mesdhetar, tek intepretuesit “tanë” nuk ka funksionuar e njëjta logjikë e tretjes në terriore të largëta dhe është përzgjedhur koinçidenca me Nikopojën e Epirit, përkundër Nikopojës së Danubit, të Kilikisë, të Palestinës (Emmaus), të Egjptit, të Pontit (afër Stambollit), etj. Nuk duhet anashkaluar gjithashtu se Letra e Titit, ku citohet Nikopoja, së bashku me dy Letrat e Timit nuk pajtojnë studiuesit rreth autenticitetit të tyre: organizimi hierarkik i shfaqur aty «pasqyron një stad të ri dhe sigurisht më të vonë se gjithë prodhimtaria epistolare»; disa devijime ngjasojnë me herezitë e shek. II pas K.; terminologjia ndryshon nga epistolat paraardhëse; stili dhe gjuha «gjykohen nga disa [studiues] më pranë shek. II pas K.» (Aurelio, 1981).

Sforcimi i parë i faktit toponimik të Nikopojës vjen nga vendodhja gjeografike. Qyteti, i pozicionuar në pjesën më jugore të helenizuar të Epirit, është themeluar nga Augusti në vitin 31 para K. Pretendimi i sigurtë se apostulli ungjillizoi Ilirinë dhe ilirët, duke u bazuar në praninë e tij të dyshimtë në qytetin romak të skajit jugor të Epirit, për më teper pasi ai kishte ftuar një grek – jo rastësisht – si Titi që maksimumi njihte edhe latinisht, tejkalon gjykimin analitiko-kritik të studiuesit. Sforcimi i dytë vjen nga bindja e Zefit se «ç’është e vërteta, në Nikopol, në Epir, Shën Pali e kaloi një dimër të tërë» dhe, për ta vërtetuar, vahzdon me Letrën e Titit (3:12), ku apostulli i thotë dishepullit «eja te unë në Nikopol, sepse atje vendosa ta kaloj dimrin». Këtu autori kundërshton vetveten, sepse shën Pali flet për një planifikim të ardhshëm për të dimëruar: nëse do të ndodhej në ate qytet do të perdorte të paktën ndajfoljen ‘këtu’.

Udhëtimi i shën Palit apo turizëm fjalësh?

Argumenti i kudoshprehur rreth vizitës apostullore i përket Letrës së Romakëve, sipas gjasave e shkruar në Korint aty nga fundi i viteve Pesëdhjetë, në të cilën citohet Iliria. Zefi shkruan se një fakt i tillë mund të ketë ndodhur «me gjasë gjatë udhëtimit të tij të tretë», pasi ka «ardhur nga Maqedonia përmes Via Egatia që shpie në Durrës». Fakti që Egnatia fillon ose mbaron në Durrës nuk vërteton asgjë: apostulli e shpjegon mjaft mirë itinerarin e këtij udhëtimi të tretë, të konsumuar sipas Gerd Theissen në gjysmën e dytë të viteve Pesëdhjetë, pa cituar asnjë qytet ilir të asaj pjese të provincës maqedonase që perkonte me Ilirinë jugore.

Situata komplikohet nga referimi i Palit, në të gjitha përshkrimet, ndaj ndarjes administrative romake të kohës: Siria (rreth 6 herë), Galatia (5), Kilikia (8), Azia (16), Kapadokia (1), Bitinia (1), Maqedonia (22), Akaja (10) – Greqia citohet një herë –, Iliria (1), Dalmazia (1); ndër popullsitë ballkanike të cituara gjejmë vetëm grekët (16 herë) dhe, natyrisht, banorët e qyteteve speifike. Siç vërehet mungon Epiri, sepse, si pjesë e integruar e Akajës, nuk është akoma provincë, ndërsa citohet Iliria e cila në këtë periudhë është ndarë – në vitet e fundit të udhëheqjes së Augustit – ne dy provincat e Panonisë dhe Dalmacisë (Mommsen, 1887; Wilkes, 1969). Se çfarë kuptonte apostulli me Iliri ngelet enigmatike dhe burim hipotezash. Nëse ishte provinca e vjetër, atëherë nuk ka arsye t’i mbivendoset provinca e Dalmacisë (Letra e II e Timit, 4:9-10); nëse ishte territori historik i ilirëve, hipotezë me të cilën duket se pajtohet edhe Zefi në citimin e mësipërm ashtu si shumica e atyre që perdorin fragmentin e shën Palit, atëherë duhet t’i rikthehemi Letrës së Romakëve (15:19), në përpjekjen e ndriçimit të rolit të Ilirisë. Sipas Zefit, apostulli pohon se «qysh prej Jeruzalemit e për qark në Ilirik e kam përhapur Ungjillin e Krishtit».

E prezantuar në këtë mënyrë, megjithëse mungon qoftë edhe një qytet ose zone ilirike në rrëfimet e Palit, kjo fjali duket bindese. Mirëpo, versionet zyrtare të CEI – Conferenza Episcopale Italiana – të viteve 1974, 2008, por edhe mjaft të tjera në gjuhë të ndryshme, ndryshojnë nga “varianti” i Zefit, dhe akoma me ironike është se vetë autori në notat e fundfaqes (26), duke iu referuar një versoni latinisht, shkruan: «ita ut Hierusalem per circuitum usque ad Illyricum repleverim evangelium Christi». Ndajfolja ‘usque’, që shqipërohet ‘deri’, ka humbur diku gjatë udhëtimit nga njëra gjuhë në tjetrën. Duke u vendosur përpara emrit () Ilirik’, përveçse përcakton një kufi (deri në), ajo lidh semantikisht ndajfoljen ‘përqark me Jeruzalemin dhe jo me Ilirinë. Në një farë mënyre Iliria historike merr kuptimin e kufirit, megjithëse kjo nuk duhet të konsiderohet zgjidhje e misterit, pasi mund të zbulohen dokumente të tjera, e deri atëherë jemi të lirë të ndërtojmë hipoteza të ndryshme, me parakusht pikënisjen nga faktet dhe jo anasjelltas.

 

Shqiptar me çdo kusht

Le të vijmë sërisht tek Assmann, pasi tani bëhet më i qartë dhe i domosdoshëm. Funksioni i dytë i mitit, pas themelimit, lidhet me atë që Assmann quan «kundërpërfaqësim»: është një lloj reminishence e të kaluarës së zhytur në thellësinë kohës, që aktualizohet në formën e periudhës së artë, heroike ose, në rastin tonë, të rrënjëve. Pikërisht kërkimi i rrënjëve dhe adresimi drejt tyre reflektohet qartë tek publiciteti i raportit të shën Palit me Ilirinë gjatë librit të Zefit, për t’u vulosur në kopertinën e pasme. Tendenca e piedestalizimit të disa karakteristikave munguese tek të tjerët, që konsiderohen si të mëvonshëm, të importuar, të imponuar, sipërfaqësor dhe me origjinë sektariste, gati heretike, spikat grupin bartës të tyre, atë që Max Weber quan «populli i përzgjedhur». Ky grup duket sikur ka të drejtën ekskluzive të rrënjëve dhe autoktonisë. Siç u vërejt më lart, për të arritur në këtë përfundim, tre argumentet kryesore dhe direkte, që nuk duhet harruar origjinae tyre biblike – të veshura me shenjtërim –, i janë nënshtruar intepretimit duke u deformuar në konkluzione të paracaktuara dhe jo të zbuluara: u vizitua apo jo Iliria është një çështje relative, përballë metodologjisë së përzgjedhur që nuk përjashton çdolloj akrobacie transformuese në shtjellimin e fakteve.

Paradoksi më i madh është se nga njëra anë ekranet televizive përcjellin buzëqeshjet e shoqëruara me zëra që ftojnë për dashuri e respekt ndaj tjetrit, ndërsa ky i fundit, nga ana tjetër, përshkruhet si trup i huaj, gati në nivelin e armikut, ose të paktën inferior në të gjitha aspektet, e për këtë nuk hezitohet të shtrembërohet Fjala e Shenjtë, nga njerëz që për më tepër duhet të edukojnë popullin të udhëhiqet nga kjo Fjalë. I huaji nuk është vetëm shqiptari i shekujve të fundit, por edhe paraardhësi i pretenduar ilir me politeizmin e tij, pasi rrënjet për Zefin fillojnë në shek. I, ndërsa ajo çka i paraprin është e padukshme. Kështu zhvlerësohet edhe formula shqiptariste e Vaso Pashës. Po atëherë, për çfarë kombi, respekti dhe edukimi mund të flitet? Fillimisht apostullit, përpara shqetësimit ndaj vizitës apostulluore, i duhen rrënjosur mesazhet e tija, pasi për ato udhëtoi: «vërtet, predikimi ynë nuk vjen nga gabimi [gënjeshtra: CEI, 2008], as nuk ka qëllime të papastra, as nuk mbështetet në dinakëri» (I, Selanikasve 2:3).

Comments

  • E uroj autorin e shkrimit për këtë ese dhe qasje qe na ka paraqitur. Nuk kam asgjë për t’i shtuar tekstit, vetëm se dëshiroja te sillja disa referenca shtese ne mbështetje te asaj qe autori tashme e ka vërtetuar shume mire.

    1. Apollonia greke apo ajo ilire.

    A është Apollonia e përmendur tek Aktet 16:12-40 ajo ilire apo është Apollonia greke? Apollonia e përmendur këtu është pjesë e udhëtimit të dytë të Palit, nga tre të tilla që ai ka bere në jetën e tij. Në një nga komentarët më të famshëm katolikë “New Jerome Biblical Commentary” në tabelën që ilustron udhëtimin e Palit, Apollonia identifikohet me atë Greke (shih tabelën ilustruese në fund të komentarit). E njëjta gjë thuhet në “The IVP Bible Bacground Commentyary: New Testament”, nga Craig S. Keener. Edhe këtu, në tabelën ilustruese të udhëtimit të dytë të Palit gjejmë: Neapolis→Philipi→Apolloni (greke) →Thessalonica→Berea→Athinë→Corinth. (Shih tabelën ilustruese në fund të komentarit).
    Tek Aktet 16:12-40, ku përmendet iliria, në këtë komentar lexojmë: “Anfipoli në Strymon, Apollonia (një ditë udhëtimi përtej matanë tij dhe Selaniku 35 milje në perëndim të Apollonisë…” Pra shihet qartë se në këtë komentar Apollonia identifikohet me ate Greke dhe jo atë Ilire.
    Edhe në “The International Bible Commentary”, një nga komentarët më të rëndësishëm katolikë, Apollonia identifikohet me Apollonine Greke, shih tabelen illustrative në fund të komentarit. Të njëjtin mendim duket se ka ekzegjeti i famshëm katolik Raymond Brown në veprën e tij “An Introduction to the New Testament”, f. 428.

  • 2. A kaloi Pali një dimër të tërë në Nikopol?

    Tek Letra e Titusitt (3:12), Pali i thotë dishepullit «eja te unë në Nikopol, sepse atje vendosa ta kaloj dimrin». Nga këtu, autorët e krishterë shqiptar pohojnë se gjatë këtij dimri Pali ka ungjillizuar Ilirinë. Ndër të tjera, autori i shkrimit pohon se teksti i Titusit nuk pohon qe Pali ka qenë në Nikopol, por që kishte plan të shkonte atje. A është i saktë ky pohim?
    Në Word Biblical Commentary, vol. 46, William D. Mounce ndër të tjera shkruan: “Duke pohuar se ai kishte vendosur të kalonte dimrin “atje” (έκει) dhe jo “këtu” (ώδε), Pali nënkupton se ai nuk ishte ende në Nikopol. Nëse Pali ishte duke bërë plane për dimër, kjo mund të nënkuptoj se ai ishte duke shkruar në mes të verës, duke i dhënë në këtë mënyrë Titusit kohë të mjaftueshme për të udhëtuar nga Kreta në Nikopol. Gjithashtu, kjo mund të nënkuptoj se aktualisht ai (Pali) ishte diku në Akaia ose Maqedoni. Por, gjithçka tjetër përveç kësaj do të ishte tepër spekulative. Nënshkrimi që gjendet në disa dorëshkrime të 1 Timoteut dhe Titusit e identifikon në mënyrë të pasaktë Nikopolisin si vendi nga ku shkruante Pali” (f. 458)

  • 3. Përqark Ilirisë apo deri në Iliri

    Tek Letrës së Romakëve (15:19), Pali thote «qysh prej Jeruzalemit e për qark në Ilirik e kam përhapur Ungjillin e Krishtit». Autori i shkrimit pohon se ky nuk eshte nje perkthim i sakte dhe se perkthimi i sakte eshte “deri ne Iliri” që mund te kuptohet edhe si nje kufi. Kjo mbështetet nga shumë perkthime biblike, të cilat ai i ka përmendur në shkrim. Ndërsa tek “New Jerome Biblical Commentary” lexojmë: “Nga Jeruzalemi ne Iliri: Dy limitet e aktivitetit apostolik në Lindje. Ai fillon me Jeruzalemin…dhe shtrihet gjer në (as far as) Iliri. (f. 867 Të njëjtën përkthim jep edhe “La Sacra Bibbia, Edizion Paoline, 1968 f. 1261 “fino al Ilirico”- deri ne Iliri).
    Autori i shkrimit pohon se permendja e Ilirise eshte shume ambige dhe nuk te lejon te ndertosh teza te sakta historike ne lidhje me nje ungjillizim të mundshem te Ilirise nga Pali. Ndoshte ketu ia vlen te citojme gjeresisht se cfare ka thene nje prej ekzegjeteve me te medhenjt katolik, Jezuiti dhe prifti Joseph A. Fitzmyer, në komentin qe i ka bere pasazhit ne fjale.
    “Iliria. Kjo zone i korrespondon Shqiperise se sotshme dhe Jugosllavise jugore…në vitin 9 (e.r.s.) Iliria u nda në dy provinca perandorake, të njohura si Illyricum Superius dhe Illyricum Inferius, me vonë këto u njohën si Pannonia dhe Dalmacia. Nuk është e lehtë të thuhet se në çfarë kuptimi e ka përdorur Pali emrin Illyricum. Për të, pothuajse me siguri ky term nënkuptonte zonën në veri të Maqedonisë (shih Strabo, “Geography” 7.7.4; Appian, “Roman History” 10.1.6.).
    Në të vërtetë, prej letrave të Palit ne nuk njoftohemi asnjëherë për predikimin e Palit qoftë në Jeruzalem ose në Iliri. Ndonëse Luka e përshkruan ministrinë ungjillizuese të Palit në tre blloqe tekstesh (Aktet 13:3-14:28; 15:37-18:22 dhe 18:23-21:17), ai nuk e përshkruan predikimin e Palit atje, por e bën Palin të thotë se ai predikoi pendimin “në fillim atyre në Damask, pastaj në Jeruzalem”. (Aktet 26:20). Pali ishte në Maqedoni gjatë gjatë udhëtimit të tij të tretë misionar (54:58) dhe prej atje mund të ketë shkuar në Illyricum (ku madje mund të ketë shkruar edhe pjesë të letrës 2 Korintasve; shih PAHT, P43). Pjesë e problemit është kuptimi i shprehjes kai kyklō. Kyklō është përdorur shpesh si ndajfolje në Greqishten klasike në kuptimin e “në një rreth, përqark” (BAGD 456-57; krahaso LXX Zan. 23:17; Eksodi 19:12). Nga mënyra se si është përdorur këtu kjo fjalë zor se i referohet rrethinave të Jeruzalemit, siç e kanë kuptuar njëherë e një kohë komentatorët e vjetër. Përkundrazi, ajo përdoret në mënyrë retorike për të sugjeruar përfshirjen e ungjillizimin e Palit. Nuk ka asnjë arsye për të besuar, siç ka bërë Hahn (Mission, 96n. 8), se Pali e ka konsideruar Ilirinë si “kufiri i lashtë që ndan gjysmën lindore dhe perëndimore të Perandorisë”. Në asnjë nga letrat e Palit nuk gjenden evidenca në favor të këtij interpretimi. Përkundrazi, me një demonstrim retorik ai sheh prapa në evangjelizimin që i ka bërë Sirisë, Cicilias, Azisë së Vogël (sidomos Efesit dhe Troas), Maqedonisë dhe Akaias, duke shtuar Ilirinë sepse për të ajo përcaktonte vendin në Detin Adriatik across from Itali, tek e cila ai dëshironte të udhëtonte dhe për të cilën po shkruante.
    Në shumë komentarë ose tekste biblike jepen tabela ilustrative të udhëtimeve të Palit dhe në asnjë prej tyre nuk figuron që Pali të ketë qenë në Shqipëri e nga Durrësi të ketë ikur në itali. Për këtë le të shihen tabelat illustrative të “La Sacra Bibbia, Edizione Paoline 1968, “Life Application Study Bible” 1996, “Holy Bible: Easy-to-Read Version”, 1989, “The International Bible Commentary”, 1998, “The IVP Bible Bacground Commentyary: New Testament” 1993, “New Jerome Biblical Commentary”, 1968.

  • Bibliografi.

    [1] William D. Mounce, “Word Biblical Commentary”, Pastoral Epistles, vol. 46 (Thomas Nelson Publishers, Nashville 2000)

    [2] Craig S. Keener , “The IVP Bible Background Commentary”, New Testament, (IVP Academic, 1993).

    [3] Raymond E. Brown, “An Introduction to the New Testament”, (Doubleday 1997)

    [4] “The New Jerome Biblical Commentary”, edited by Raymond E. Brown SS, Joseph A. Fitzmyer, S.J., Roland E. Murphy, O. Carm, (Prentice Hall, 1990).

    [5] Joseph A. Fitzmyer, “Romans”, (The Anchor Yale Bible, 1993).

    [6] “The International Bible Commentary: A Catholic and Ecumenical Commentary for the Twenty-First Century”, Editor William R. Farmer, (The Liturgical Press, 1998).

  • Faleminderit Rezi per pasurimin me referenca te tjera.
    Objektivi i shkrimit eshte perqendrimi tek nje fenomen manipulues qe shtremberon edhe Fjalen e Shenjte. Edhe sikur vertet te kishte kaluar neper Iliri, edhe sikur te ishin krishterizuar iliret keshtu thjesht me ajrin qe levizte apostulli duke rrugetuar, nje klerik nuk e ka te drejten etike te shtremberimeve te tilla, flagrante dhe arrogante.

    Kjo metode mbizoteron ne hapesirat mediatike kosovare. Nje i erret ne njohuri si Shaqir Foniqi, gazetari i videos se mesiperme, e shpall shen Palin “figure te madhe te kombit tone” dhe profesori qe ka ne studio nuk guxon ta korigjoje, ndonese kur ky ky profesor, Jahja Dançolli, i quan Laurin dhe Flori shenjtor ilir (nje tjeter manipulim), por pa i vendosur titullin “shen”, korigjohet vetetimshem nga miku dom Lush Gjergji qe ka ne krah. Kaq i pagdhendur eshte Foniqi sa i thote Dançollit ta konsideroje si studim themelor librin e Gjergjit, sepse edhe ky eshte historian i shen Palit – dhe e mbron me akrobacite me absurde qe kam degjuar ndonjehere rreth temes – pa asnje kompetence ne kete fushe.

    Kaq anomalik eshte libri i dom Shan Zefit sa ne titull ai prezantohet me “Dr. Dom”, pra sikur Papa te shkruaje nje liber ose te dale ne media me titullin Profesor Papa.
    Por nuk mbaron ketu komedia, Petrika Thengjilli e citon Zefin neper nota me “Dr dhe Dom” perpara emrit, thuajse po flet perendia, kur ky Zefi e shtremberon Biblen sipas rastit, ndersa koleget e vet, qe jane te gjithe profesore, i citon thjesht me emer. E keto rreshkitje te Thengjillit i boton Akademia e jone me tre redaktor gjuhesor me titull Prof.

    Te ishte Zefi ndonje gjeni, edhe mund ta kuptoja perjashtimin e Thengjillit. Por ky ka punuar mbi kete liber, me pretendimin e islamizimit, pa ditur asnje fjale ne osmanisht. Pjeter Bogdani dhe pjesa rreth krishterizimit zene gjysmen e nje libri te botuar ne nje format me germa per lexues me syze, ku pjesa te ciles i kushtohet titulli nuk duhet te kete me shume se 70 faqe A4. Doktor ne histori me 70 faqe? Eshte e mundur, por jo serioze.
    Pa hyre ne brendesi, formati i librit deshmon se qellimi justifikon mjetin, qofte ky manipulues amatorial e nganjehere komik.

    Une e kuptoj dalldisjen shkencore te Thanas Gjikes, qe eshte edhe me i rendomte se Zefi ne disa raste, pasi ai, fundja, nuk eshte klerik dhe mund t’i konsiderohet studimi si paaftesi, ndersa tek Zefi paaftesia kombinohet me diçka tjeter dhe shpaloset nga sherbetori i Zotit.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *