Bajramin tjetër në Namazgja?





e.zani.

 

Oferta e përfaqësuesve të këshillit bashkiak, për t’i “dhuruar” tokë për xhami pronarit më të madh dhe më të grabitur të tokave në Tiranë, Komunitetit Musliman, ishte një ofertë e mjerë dhe qesharake. Toka për dhurim, mësohet të ketë qenë pikërisht parku Rinia dhe çdokush që minimalisht njeh gjithë këto dy dekada rezistencën e organizuar shtetërore, bashkiake dhe të së ashtuquajturës “shoqëri civile” kundër ndërtimit të xhamisë së madhe, e kupton se dhurata e këshillit bashkiak ka qenë, në mos e dashakeqe, së paku e papërgjegjshme. I madh e i vogël e kupton zhurmën dhe protestën që do të nxiste lajmi për ndërtimin e xhamisë aty. Në fund, Bashkia do të gjente, ashtu si edhe në dy dekadat që kaluan, një arsye për mosdhënien leje ndërtimit të xhamisë, me justifikimin “jua jepnim, po nuk deshi populli me në krye shoqërinë civile”. Refuzimi i dhuratës dyfish të panevojshme nga Komuniteti Musliman ka qenë pra, sigurisht, veprimi i duhur.

Ndërkaq nuk kuptohet mirë nëse ka qenë i nevojshëm refuzimi nga Komuniteti I projektit të mëparshëm për xhaminë, fitues i një konkursi ndërkombëtar, realizuar nga një studio e mirënjohur. Projekti i vjetër, konceptuar në formën e një vendtakimi i njerëzve me të tjerët, me fenë dhe me natyrën, i ngjante në fakt më tepër një namazgjaje, dhe i jepte një frymëmarrje dinamizmi jo vetë Tiranës, por edhe vetë jetës fetare islamike në vend, e cila vuan sa nga keqkuptimet dhe agresiviteti i kritikëve, po aq edhe nga ngurtësia dhe pasiviteti i lëvruesve të saj. Le të shpresojmë se studioja e re projektuese që ka zgjedhur pa konkurs Komuniteti, do të kënaqë pritshmëritë e besimtarëve, por edhe të gjithë dashamirësve kryeqytetas të kulturës e arkitekturës.

Entuziazmi i shumë besimtarëve për afrimin e ditës së ndërtimit të xhamisë së shumëpritur, që do të na heqë nga asfalti ditën e festave fetare, për të na strehuar në një mjedis dinjitoz, duket se bazohet në lojërat elektorale të zgjedhjeve të fundit vendore, ku përfaqësues të dy partive garuese u përpoqën kush më shumë të duken si finalizues të projektit të xhamisë, apo, çka ishte edhe më pa shije, të përpiqen të përdorin deri edhe terminologji fetare nëpër dalje publike, për një votë më shumë. Megjithatë nuk duhet harruar se politikanët dhe administratorët publikë shqiptarë, kanë një histori jo të vogël hipokrizie e paturpsie në lidhje me ndërtimin e xhamisë së madhe të kryeqytetit. Guri i themelit të xhamisë, vendosur me ceremoni përballë derës së parlamentit, po bëhet gati 20 vjet shenjë e kësaj hipokrizie e paturpsie, po ky ishte vetëm i pari në rradhë. Në vitet që pasuan, gurët në trastë  u shtuan, sidomos sa herë që u deshën marrë vendime për ndërtime të katedraleve, ku një logjikë fyese kompensimi, bënte që shteti të premtonte me zhurmë njëkohësisht xhaminë dhe kishën, kur në fakt në plan ishte vetëm kjo e fundit. Kush na siguron se premtimi i kësaj here qenka ky i vërteti, sa kohë dëgjojmë për dhurata me kunj si kjo e parkut Rinia?

Alternativa që mbetet ndër vendet e propozuara për xhami, tashmë duket se është pvrfundimisht lulishtja e Namazgjasë. Në fakt, edhe pse jo aq problematike sa parku Rinia, edhe kjo lulishte, si një nga të paktat oaze gjelbërimi në kryeqytet, përherë ka pasur në shtyp mbrojtësit e vet, të cilët nuk duan ta shohin të kthehet në xhami. Këta mbrojtës, sigurisht që nuk patën guxim të debatojnë kundër ngritjes mbi lulishte të katedrales ortodokse, por dihet sesa kollaj është të bëhesh në Tiranë ambientalist apo sekularist kur objekti i bisedës është Islami apo muslimanët. Parashikojmë që sa më shumë të bëhen publike ecuritë e planet e ndërtimit të xhamisë tek Namazgjaja, aq më shumë do të shtohen ambientalistët në shtyp, të cilët do të provojnë ta  bindin Bashkinë dhe opinionin se selvitë e Namazgjasë janë më të shenjta sesa pishat pas Ministrisë së Mbrojtjes, ku u ndërtua katedralja.

Në ndihmë të ambientalistëve të specializuar pas Namazgjasë, do të vijnë edhe mbrojtësit e specializuar të monumenteve. Sipas gazetës elektronike shqiptarja.com

Arkitekti Artan Shkreli dhe anëtarët e forumit për mbrojtjen e monumenteve kulturore kanë nisur një debat, ku kërkohet një reagim i madh qytetar kundër këtij vendimi. “Parku i Namazgjasë është monument kulture si park historik i qytetit, i cili u kthye në identitet në vitin 1999. Parku Historik i Namazgjasë nuk duhet të tjetërsohet. Ai është hapsira më e vjetër publike që ka mbijetuar në Tiranë dhe nuk u ruajt për t’u bërë xhami, por u ruajt sepse është monument kulturor e historik“.

Në fakt identiteti i vërtetë i Namzgjasë, siç e dinë të gjithë, është ai i një faltoreje festive të hapur, jo thjesht i një parku publik si të tjerët.  Komuniteti Musliman do të qe mirë që të fillonte ta respektonte sa mv parë këtë identitet, ashtu si këmbëngulin dhe kundërshtuesit e tjetërsimit më sipër, duke filluar t’i  kremtojë aty festat fetare,  ashtu si ka qenë tradita në Tiranë. Nga ana tjetër, nëse nuk do të gjendet vend më i përshtatshëm dhe dinjitoz në Tiranë, dhe xhamia do ishte e detyruar të ngrihej patjetër në lulishte, Komuniteti do të duhet të angazhohet publikisht për transplantimin e pemëve të Namazgjasë në sipërfaqjet e gjebra, të mbetura pa u shkatërruar, të kryeqytetit.

Në fund një pyetje: a do të arrijnë ta pengojnë edhe këtë herë xhaminë pushtetarët shqiptarë, duke u fshehur kësaj here pas ambientalistëve dhe sekularistëve selektivë, apo pas mbrojtësve po aq selektivë e monumenteve dhe identiteve? Kjo nuk dihet, po ndërkohë Komuniteti do të bënte mirë që, deri sa të ndërtohet xhamia, ta rikthente në identitet lulishten duke e ripërdorur atë si faltore të hapur festive, siç edhe ka qenë, duke rikthyer urgjentisht, pra, namazin në Namazgja.

Comments

  • Ky eshte nje realitet, Namazgjaja e tille eshte; nje vendi hapur per publikun 24-ore… une mendoj se duhet ruajtur destinacioni fillestar i saj, si dhe perdorimi per publikun e gjere….

  • I love that, “occupy namazgja”. Edhe pse “occupy bulevardin” me duket po aq interesante, sic ka qene dikur “occupy sheshin Skenderbej”

  • Ke te drejte Roald. Namazgjaja eshte nje vend me teper se i hapur per publikun, perveç se eshte bere edhe nje bordello falas. Kush ka kaluar keto kohe permes Namazgjase mund te deshmoje dysheke te shtruar rreze pemeve ku porstituojne femra e meshkuj. Aty mund te gjesh “gay parade 24 ore ne dite. Tashme po kryen funksionin qe kryente dikur gropa e “Hajdin Sejdise”. Inshaallah fillon xhamia dhe shpeton nga ky pisllek.

  • Kjo puna e vendit te xhamise, eshte bere si puna e atij babait, djalin dhe gomarin. Sa nuk i kishin hipur, njerezit i shanin pse nuk i hipen njeri te pakten por e lene veshgjatin rehat ne punen e tij. Kur i hipi babai, i thonin “Si nuk i vjen turp, le djalin e tij te ri ne kembe, e vete kapardiset mbi gomar”. i zbriti i shkreti dhe hipi djelin. Por i thane “Sa djale pa edukate, vete qendron ne gomar, e i ati ne kembe. Atehere, i ati i tha: Hajde o bir ta mbajme gomarin ne krahe se vetem kjo alternative na ka mbet.”

    • ky babai qe permend ti e ka emrin Nastradin, por nuk e kuptoj fort mire analogjine me xhamine ketu. KMSH ka qene gjithmone konsistente ne kerkesen e saj per truallin e xhamise se madhe tek Namazgjaja, pra Nastradini yne ka qene gjithmone maje gomarit pa pyetur c’thone njerezit per te 🙂

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *