Vehap Kola.

Të ndodhur përpara një ngjitjeje të shpejtë të lëvizjeve socio-politike, që si raison d’etré të tyre kanë qendërzimin e një atdhedashurie agresive, duke dashur të mos biem në gabimin e mundshëm të etiketimit të tyre si nacionaliste, çka do të na rreshtonte në një prej palëve ndërluftuese, shqiptarët e zakonshëm, banorë të disa shteteve në Ballkan, e gjejnë të vështirë të mbajnë një qëndrim plotësisht të përputhshëm me një nga rrymat e mendim-veprimit, që pikëndeshen në argumentin e bashkimit kombëtar. Në ndërgjegjen e tyre, dëshira për bashkim të menjëhershëm mbizotëron. Një studim i kohëve të afërta e dëshmon qartë se dëshira për bashkim është në raport të zhdrejtë me shkallën e pavarësisë dhe lirive që gëzojnë komunitetet shqiptare në të gjithë këto shtete. Megjithatë, në secilin syresh, ajo i kalon të pesëdhjetë përqindët, çka në çdo rast normal favorizon bashkimin.

Unë dyshoj se ky mbizotërim mbretëron vetëm në shpërthimin e nxehtë të emocionit, në shkëndijëzimin e prekjeve të befta të pllakave emocionale. Nga ana tjetër, njësoj dyshoj se ne shqiptarët, nuk jemi mësuar aspak të mendojmë rreth nesh si një tërësi e njëkohshme. E thënë më qartë, në rrjedhën e natyrshme të mendimit dhe ndërgjegjes sonë, ne vazhdojmë të jemi të mësuar të mendojmë në tre kohë e gjysëm rreth shqiptarëve. Në këtë drejtim, lajmet se mes shqiptarëve po gëlon një valë e nxehtë dashurie për bashkim duket se i përkasin, pikërisht, rendit emocional, rend i cili ka një lidhje jo të fortë me vetëdijen.

Në fakt, a nuk është e vërtetë se, përkundër këtij emocioni, shqiptarët e shqipërisë, në rastin më të favorshëm, janë të mësuar me një renditje trekohëshe e gjysëm të vetëdijes rreth zhvillimeve të gjithfarllojta mes komuniteteve të shqiptarëve në Ballkan? Edicionet e lajmeve, duke pasqyruar dhe pa e cënuar këtë mbishtresim, arrijnë t’i rendisin me shumë natyrshmëri lajmet rreth zhvillimeve në Shqipëri përpara atyre rreth zhvillimeve në Kosovë, Maqedoni apo Preshevë (shumë i rrallë është fokusi në Malin e Zi dhe çështja çame shihet si çështje e të drejtës ekonomike më shumë se si e të drejtës së ngulitjes në territore). Është kështu sepse ne, në Shqipëri, jemi mësuar të rendisim kësisoj: Shqipëria, Kosova, komuniteti shqiptar i Maqedonisë dhe Lugina e Preshevës.

Sakaq, ndoshta arbitrarisht, mundohem të përfytyroj interesimin e shqiptarit të zakonshëm të Maqedonisë. Me më shumë mundësi, vëmendja e tij do të kthehej kah lajmi mbi zhvillimet lokale atje, sesa mbi zhvillimet lokale në Shqipëri, Kosovë dhe Luginën e Preshëvës. Nëse, njësoj si më lart, do të rendisja përparësitë, sigurisht do kishim: Maqedoni, Shqipëri, Kosovë dhe Lugina e Preshëvës. Nuk besoj se është e nevojshme të trajtojmë një rast të tretë dhe të katërt për Kosovën dhe Luginën e Preshevës, por logjika e gjykimit është e qartë.

E vërteta është se ne jemi mësuar të jetojmë dhe të mendojmë, si rezultat, si të ndarë dhe kjo është hiç më pak se mënyra jonë e të jetuarit dhe e të menduarit. Kështu, ne kemi zhvilluar çdo gjë të ndarë. Jo vetëm shtetet apo komunitetet i kemi krijuar të ndara, pasi kjo ka qenë në njëfarë shkalle e pakapërcyeshme, por edhe bizneset dhe mediat, shkollat dhe shqetësimet. Prandaj, në secilin nga komunitetet shqiptarë në Ballkan kemi nga një politikan me më shumë influencë, nga një biznes më të madh, nga një universitet udhëheqës, nga një media më të mirë (nënkuptoj më të ndjekur), nga një

shkrimtar apo artist më të njohur, nga një shkencëtar apo student të shkëlqyer dhe, për pasojë, edhe nga një mënyrë të jetuari dhe të menduari të ndarë.

Në gjykimin tim, bashkimi i shqiptarëve, pa mbajtur një qëndrim mbi nevojshmërinë dhe natyrën e tij, nuk mund të vijë përmes platformave politike. Platformat politike mund të shërbejnë vetëm për të lehtësuar një vullnet të natyrshëm dhe një mendim të njëkohshëm (lexo: në një kohë) dhe jo në tre kohë e gjysëm të shqiptarit të zakonshëm kur ai mendon rreth shqiptarëve si tërësi. Sadoqë nuk janë të paktë argumentat se zëri politik mund të krijojë vetëdije në mesin e njerëzve, janë të paktën poaq të shumtë (sasia nuk shërben si argument) argumentat se një vetëdije e imponuar nga lart, siç është rasti i ndikimit të platformave politike, krijon një dilemë etike brenda vetëdijes së çdo shqiptari midis asaj çfarë duhet dhe asaj çfarë është.

Shkrirja e shkallë-shkallshme në njëra-tjetrën e asaj çfarë duhet me atë çfarë është është një synim i mundur përmes projektesh gjithëpërfshirëse, ku mendohet, flitet dhe veprohet në një kohë rreth shqiptarëve. Një projekt i tillë është edhe Revista “Shenja”, e përmuajshme sociale, politike dhe ekonomike, e cila botohet në Shkup dhe mbledh në vete kontribute intelektuale dhe profesionale të të gjithë shqiptarëve, duke u fokusuar në zhvillimet ekonomike, politike dhe sociale të të gjithë degëve të trungut shqipfolës. Stafi dhe rrjeti i saj i bashkëpunëtorëve dhe korrespondentëve është njëtrajtshmërisht përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës dhe njëheri përfaqëson një trupë të përzgjedhur analistësh dhe mendimtarësh shqiptarë dhe të huaj.

Pa asnjë synim apo perspektivë politike dhe pa asnjë dëshirë për të tendosur fijet e emocionit komb-dashës, me qëllim shfrytëzimin e tyre për të fituar momentum në veprimin politik të ditës, ajo trajton çështje që vërtet i shqetësojnë shqiptarët, si zhvillimi i ekonomisë, klima e biznesit, administrimi publik, politikat fiskale, pozitën e shqiptarëve në rajon, çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zhvillimeve ballkanike me ndikim në interesat e shqiptarëve, tema të estetikës dhe filozofisë, zhvillimin e arsimit dhe teknologjisë, kahjet e dukurive të ndryshme shoqërore etj.

Në njëqind faqet e dizenjuara profesionalisht dhe të printuara me mjaft cilësi, lexuesi i saj kalon, pa vënë re asnjë dallim apo kërcim, nga debati mbi buxhetin në njërin prej shteteve tona, në diskutimet për çështjen e censusit në një tjetër, sakaq në një analizë mbi gjeopolitikën në gadishullin e Ballkanit, deri tek një ese mbi një temë qëndrore të artit dhe letërsisë. Dhe trajtimi është kaq i njëtrajtshëm dhe kaq i unifikuar në fokus dhe në rrjedhë, sa gjatë gjithë leximit i ruan lexuesit një ndjesi të pandërprerë bashkësie, bashkëekzistence dhe mendimi të njëkohshëm. Pa qenë nevoja të mendohet njëkohshëm kundër të tjerëve, Revista “Shenja” e çon lexuesin në një rrafsh interesimi krejt të natyrshëm rreth problemeve dhe perspektivave të shqiptarëve si një komunitet i pandarë njerëzish me të ardhme të përbashkët.

Sot revista mbush një vit me 12 numra të botuar dhe të shpërndarë në të gjithë libraritë e qyteteve tona në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Luginën e Preshëvës dhe ballinat, ashtu si tematika e saj, i kanë përkitur të gjithëve ne njëkohësisht. Emri i saj i zgjedhur “Shenja” duket se do të shërbejë si një shenjë e njëmendtë, një gur kilomentrik në udhën e bashkimit të natyrshëm dhe joluftënxitëse të shqiptarëve

përmes tjetërsimit të shkallë-shkallshëm të mënyrës si e shohim vetëm ne, shqiptarët e zakonshëm, dhe të mënyrës tonë të të menduarit rreth nesh, shqiptarëve të zakonshëm.

 

 

*Revistën SHENJA mund ta gjeni në të gjitha libraritë dhe pikat e shitjes në çdo qytet të Shqipërisë

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *