Ermir Hoxha

“Xhamia” e fort dëshiruar prej muslimanëve ndër vite, e thënë ndryshe “Xhamia e madhe”, e plazmuar si një sendërgji fuqie, prezence, autoriteti, por dhe si një kundërmësymje ndaj lartimit të dy objekteve të kultit të krishterë, sot shumë pak ka në rrënjë të kësaj sendërgjie elementë racionaliteti me bazë të kulluar fetare. Mjafton të theksohet se të ndërtosh xhami të Namazgjaja, do të thotë të ndërtosh një xhami te xhamia (!); ose ndryshe, të prishësh një xhami (namazgjaja është në thelbin e vet funksional një xhami), për të ndërtuar aty një xhami. Po të ishte për xhami klasike, me funksion utilitar të faljes 5 herë në ditë, atë fort mirë do ta kishin bërë të parët tanë, me shumë pushtet at`botë, por ata e lanë Namazgja, e cila, sot është shumë më e domosdoshme se një xhami e madhe në qendër të Tiranës. Namazgjaja zgjidh se ku do falen dy Bajramet, ndërsa xhamia nuk zgjidh jo se jo se ku do falen Bajramet, por as hallin e ndonjë xhemati në Tiranë, nëse ndërtohet te Namazgjaja. Pyes: Nëse te Namazgjaja do ndërtohet një xhami, por Namazgjaja cila do jetë më pas? Dhe fjala është si për Namazgjanë historike e si për atë aktuale e praktike. Në traditën islame, dihet qartazi e nuk ka ngrënë ndonjëherë diskutim se namazet e dy Bajrameve, nuk kanë të bëjnë me xhami klasike, të vogla a të mëdha qofshin, por me sheshe të hapura, të quajtura…Namazgja; e kjo që nga koha e Profetit (s.a). Kështu që simbioza mes një xhamie të re e të madhe për falje Bajramesh, është një gabim trashanik, që për fatalitet është shndërruar në një fiksasion kolektiv në rradhët e besimtarëve. Kush ka qenë prezent në takimin ku ish-kryebashkiaku Rama prezantoi për herë të parë idenë për xhaminë e re në ambientet e Sheraton-it, duhet ta mbaj mend një diskutim mes tij dhe një ish-mikut të tij profesor muzike njëherësh besimtar musliman, që unë po përpiqem ta riprodhoj besnikërisht, jo si fjalosje, por si shpalosje qëndrimesh:
Profesori: “Edi, po si do ja bëjmë për bajrame, se ti e ke pa, 50 mijë veta u falën në bulevard….”
Edi: “Profesor, ato mund të kenë qenë më pak ose më shumë se 50 mijë e këtë nuk e di më saktësi, por di se në vitet që vijnë mund të jenë akoma më shumë. Xhamia e re nuk ka lidhje me bajramet, sepse sado e madhe, kurrë nuk mund t`i nxë aq njerëz. Bajramet do vijojnë të falen te sheshi “Skënderbej” drejtuar nga Et`hem Beu, që pas rikosntruksionit të sheshit, do jenë më komode”.
Tani, nëse ne kemi arritur deri në këtë pikë, sa Ed Rama të na e sqarojë, jo me sunet, por më laps, që Bajramet nuk duhen ngatërruar me xhaminë e re, kjo është një derexhe e jona për të vënë kujën. Ndaj dhe njëherë pyesim se çfarë zgjidh xhamia e re të Namazgjaja, përveç karshillëkut ndaj dy objekteve të tjera të kultit, ngritur vitet e fundit, njëra në krah të Namazgjasë e tjetra prapa Ministrisë së Mbrojtjes. E që në traditen islamë, nuk gjen argument për shfaqje karshillëku, kjo është lehtësisht e verifikueshme dhe e provueshme, por për ilustrim real se ç`ndodh kur një objekt ngrihet me tendencë karshillëku, do ju referoja të shihnit xhaminë e Xarës në Sarandë, e cila, e ndërtuar majë një kodre për “inat” të grekut e një kryqi tre-katër kilometra në vijë ajrore, prej vitesh po rrënohet e kalbet në vetminë e vet e krenarinë boshe (ngaqë është bosh, kuptohet)!
Sa për shkrimin e Artan Shkrelit të Shqiptarja.com ditë më parë, autori nuk ka shenjtëruar selvitë e Namazgjasë, por vetë Namazgjanë, e cila, zyrtarisht është monument kulture. Ndaj, nuk duhet ngatërruar konteksti i shqetësimit të Shkrelit. Nuk është ndonjë habi që, sentimentet tona si muslimanë të puqen me sentimente jomsulimanësh. Për mua personalisht, – mund ta kem dhe gabim -, këto sentimente puqen; dhe nuk e fsheh kundërshtinë time të hapur për eliminimin e një hapësire historike e fetare, për të ndërtuar aty një xhami krejtësisht të panevojshme, që, gjykuar dhe nga parametra urbanistikë, përbën një gafë të rëndë brenda këtij tagri.

Sa për kundërshtinë ndaj projektit të xhamisë prapa Pallatit të Kulturës, u nxorr pretendimi nga KMSH se aty ka pronarë të tjerë. Në funksion të një informacioni më të plotë rreth kësaj çështjeje, po ju sjell një paragraf nga “Kurban-i” Ramës, posaçërisht mbi këtë çështje: “Titujt e pronësisë mbi atë truall ku parashihet xhamia vërtet s`janë të Komunitetit Musliman, po komuniteti ka pronat e veta në hapësirën e tokës pas Pallatit të Kulturës dhe dokumenti i zhvillimit të planit jo vetëm e lejon, por e sugjeron këmbimin e pronësisë për harmonizimin e interest publik-privat, gjë që aty i jep mundësinë komunitetit të ndërtojë xhaminë sipas parashikimit dhe pronarëve të zhvillojnë pronën pak më andej ku plani parashikon ndërtime tregtare. Situatë ideale me përfitim reciprok, mjaft që qeveria të japë kontributin e saj, mirëpo kujt t`i flasësh, qeveria u turr të prishte jo vetëm proçesin e ngritur me shumë mund tanimë pranë zgjidhjes, falë dhe ndihmës së qeverisë kuvajtjane që dha paratë e konkursit, po dhe krejt planin, duke bërë më ngut ca vendime të paligjshme që I hapin rrugë ndërtimit të xhamisë te Nahmazgjaja duke nxitur kësisoj mosdakortësinë mes Bashkisë së Tiranës dhe Komunitetit Mysliman, i cili, i trysur fort nga presioni i qeverisë dhe i frikur e fikur më shumë se njëherë prej premtimeve të rrejshme qeveritare për xhaminë, mbeti peng i sherrit të shpikur nga Saliu.…….”
Nuk e di sa qëndron ky argument, por nga një bisedë konfidenciale që pata ditë më parë me një drejtues të lartë të KMSH-së, pikërisht për xhaminë, mu tha se vërtet, çështja e zgjidhjes së pronësisë në truallin prapa Pallatit të Kulturës, ishte shkaku i anullimit të atij projekti, si dhe disa mosdakortësi mbi stilin arkitektonik, por duhet thënë se aspekti ekstra-profesional i zgjidhjeve arkitekturore nuk është çështje shijesh e gustosh të kujtdo. Sipas ish-administratorit të Bashkisë, Dritan Agollit, i cili po ma zbërthente një ditë këtë meselenë e formës arktekturore, ajo çfarë është paraqitur në maket, nuk është përfundimtari, por thjesht një ide-start, e cila më pas, pasurohej e rregullohej rrugës, duke mbledhur sugjerime e kritika.
Por t`i kthehemi çështjes së truallit. Zyrtari i KMSH-së më tha se do ishte fort e sikletshme që të merreshin me 81 pronarë në truallin e Pallatit të Kulturës, ndërkohë që te Namazgjaja ishin marrë vesh me të vetmin pronar, që për koiçidencë ishte dhe besimtar i rregullt në adete fetare. Por, halli ishte se ky pronar, i kishte i kërkuar KMSH-së një çmim për pronën, në një shifër që i kishte trullosur keqaz, e që unë nuk preferoj ta bëj të ditur, duke thënë thjesht se më ka trullosur dhe mua. Sa për argumentat që i ofrova zyrtarit, që, gjykuar ftohtë në çdo aspekt, një xhami te Namazgjaja është tërësisht nonsens, ai mu përgjigj se kisha plotësisht të drejtë, por që sipas tij, niveli i përgjithshëm i muslimanëve nuk i përgjigjej një të tillë gjykimi të akullt, e ndaj, siç më la të kuptuar, me sens e pa sens, me logjikë e pa logjikë, ajo xhami duhej ndërtuar, e ajo ç`ka unë kuptova, ishte se lidershipi i ri i KMSH-së, e do me çdo çmim atë xhami, jo aq për nevojat e besimtarëve, sesa për një medaljon prestigji ndër besimtarë, përballë sfidave e përplasjeve të pritshme në promovimin e një frymë që pritet ta hap vatra të nxehta debatesh e mospajtimesh.
Meqë i qëndroj parimit që kur kundërshtoj diçka, ta shoqëroj (o)pozicionin tim dhe me një propozim, jam i idesë që zgjidhja më efikase, jashtë çdo ndikimi emotiv e mbi të gjitha pa bazë fetare, duke rrekur ta ndërtojmë xhamine e re me tulla e gurrë hatërmbetjesh, karshillëqesh e kompleksesh inferioriteti, do ishte ajo e planifikimit të saj në zgjatimin e bulevardit të ri të Tiranës, poshtë stacionit të trenit, ku nesër do jetë qendra e re centrifugale e kryeqytetit. Ndërkohë që, “xhamia e re dhe e madhe” në qendër, të konvertohet mbi dy apo tre te vogla në disa lagje të Tiranës, si në Tiranën e re e në Laprakë. Gjithashtu, duhet bërë me dije se, Ministria e Kulturës e Saudisë, prej afro 10 vitesh, ka ndarë një fond gjigand për ndërtimin e një kompleksi islam madhështor në Tiranë, duke kërkuar një hapësirë nga 15 deri në 20 mijë metra katrorë, e që askush nuk i përgjigjet. Ndërsa hapësira te Namazgjaja, – gjithnjë, pa llogaritur zhdukjen e një vlerë monumentale të trashëgimisë fetare -, është disafish më e vogël. Më tej akoma, për Namazgjanë mund të ish menduar për një projekt që ia shtonte dhe më tepër identitetin e saj fetar, duke ndërtuar aty një mbimber e njëherësh, duke e pasuruar hapësirën me një “arkitektoni flore” me elementë islamë.
E doja të shtoja se, çështjen e “xhamisë” nuk duhet ta shohim në një qasje xhelozie apo komplotiste, aq e përhapur si mendësi ndër muslimanë. Ndërtimi i një xhamie të Namazgjaja është një “gabim pa kushte e rrethana” të jashtme, siç mund të jetë ajo e ndërtimit të një kishe gjetkë mbi një hapësirë publike, e cila dhe ajo, ka patur kundërshtarët e vet në media, ku Lubonja ka qenë një prej tyre, ndërkohë që jo në media, ka provokuar përplasje të forta në skakierat e politikës se majtë.
P.S: Në fund të këtij shkrimi, doja të sqaroja dhe diçka: afshet për xhaminë e debatet mbi të, po na marrin energji, që fort mirë mund t`i kishim shpenzuar me nikoqirllëk fetar për çështje më ulëritëse, siç është “ndërtimi xhamive në zemra”. Sepse, edhe referuar traditës profetike, në gjithë epokën medinasë të skalitjes së shpirtit ngadhnjyes islam, “xhamia” zë vetëm një fjali; dhe ajo në formë mjaft telegrafike: ”….Profeti, ndërtoi një xhami……”, ndërsa çdo gjë tjetër flet për atë se si u ndërtua njeriu brenda asaj xhamie!

Comments

  • Une mendoj se ermiri ka nje konflikt interesi ne kete ceshtje.Ai ishte i perzgjedhuri i Rames ne komisionin i pare duke “perfaqesuar” shoqerine civile.Meqe eshte nga zona e jugut do e keshilloja ti linte menjane bindjet politike ne sendertimin e ideve te tij islame.Mos na e permendi Ramen dhe projektin e tij te pare se eshte turp i botes per kedo musliman qe e mban Ramen si Medalion.Rama eshte nje cifut Mason dhe kjo sdo as mend as kalem sepse e ka shprehur qarte Fatos Nano ne Opinion tek Blendi Fevziu.A nuk te mjafton kjo Ermir dhe te gjithe ato qe mendojne si Ermiri?Mos na permend librin “Kurban” kur vllahu mason rama ironizon nje veper falenderimi ndaj Zotit qe u krye ne dyert e bashkise se Tiranes per emerimin e Kryetarit te ri te saj, dhe qe rama e sinkronizon dhe me nje vetesakrifikim qe i bene atij Saliu-Meta-Fattosi duke bashkepunuar per rrezimin e tij nga Bashkia.I cmenduri Rama qe xhamine e pare nuk e beri xhami per muzeum kishtaro-musliman dhe me nje arkitekture skandaloze per te qene ajo xhami e tipit fashist me nje Obilesk pa lidhje fare me xhaamine qe ne skuadrim formonte nje kryq nga lart.Pse ti Ermir djali nuk u ngrite dhe te flasesh ne projektin e pare per ta zevendesuar ate me disa xhami te tjera.Pse Tan Agolli nuk i ndihmoi muslimanet per ti gjetur vende publike te bejne xhami ne qendra te tjera si Tirane te re, Laprake etj.Une e falenderoj sinqerisht ramen per sinqeritetin e tij ne nismen e ndertimit te xhamise per te fituar vota dhe si shenje falenderimi te perfitimit te milionave dollare nga qeveria kuvajtjane.Idete me artan Shkrela apo me artan Lame me duke si ato borite e koreve te armates se rames qe akoma vazhdojne te qendrojne mbas kuintave .Zoti eshte i madh dhe le te behet xhamia e re madheshtore .

    • O Labi se pari ndaj mendjen nese Rama Eshte cifut apo vlleh. Administratoreve do u kujtoja qe kane shprehur me pare se nuk do lejojne te tilla komente qe mbartin fobira me nota anti-semite apo qe paragjykojne etni te tjera. Ermiri eshte verior dhe nuk eshte jugor po kjo nuk ka pike lidhjeje. Ajo qe ka lidhje eshte fakti qe eshte mjaftueshem i njohur ne bashkesi sa qe ti meren fjalet si kontribut i mendimit te tij pa i vene kaq kollaj ne dyshim nietin e konfliktin e interesit. Tek e fundit ai ishte nje pozicion pa rroge por qe e mori pasi qendrimi i tij ka qene konseguent kundra prishjes se parqeve publike te Tiranes. Mund te jesh dakort apo kundra por ky ka qene qendrimi i tij i njohur qysh prej fillimi. Edhe nje koment i fundit: E di i madh e i vogel se para se te sillte ne tryezen publike Rama muhabetin per xhamine, qeveria nuk kishte nder mend te jepte leje per xhami. Une kam pakenaqsite e mia me projektin e tij te xhamise por kishte dhe shumcka qe me pelqente dhe obelisku nuk me ngrohte por konceptimi i pergjithshem dhe modern i xhamise me pelqente. Se paku Rama beri punet sic behen: shpalli konkurs nderkombetar dhe u zgjodh nje prej projekteve te prezantuara ndersa KMSH-ja tani nuk ka bere as konkurs, as nuk eshte bere i qarte se c’kane nder mend te ndertojne – nese ndertojne – aty. Ermiri me humbi aty kur nisi te shkruante per Artan Shkrelin…

    • ne fakt keshillen per lenien menjane te bindjeve politike duhet ta konsiderosh vete ne radhe te pare vella pasi asnje gje nuk justifikon mbeshtetjen e myslimaneve per Bashen ne zgjedhje. Ai ishte minister i brendshem kur u vrane 4 protestues te paarmatosur, nderkohe qe krimi vret perdite shqiptaret e thjeshte dhe nuk i hyn gjemb ne kembe. Ai ishte minister i transporteve kur fatura e rrugeve ne Shqiperi arriti shifra te frikshme. ne fakt sot Shqiperise, pagesa e interesave per borxhet i ze vendin e dyte ne buxhetin shteteror. E ne kete borxh, rruget e ndertuara nga Basha, per te cilin disa myslimane theren dhe kurban, kane peshen kryesore. Per pasoje sot ne vazhojme te vuajme degjenerimin e sherbimeve baze publike (shendet, arsim, strehim e uje te pijshem). Keto nuk jane teori konspirative me masone e cifute, por fakte qe i di edhe njeriu me i thjeshte ne Shqiperi. Te shkosh e te theresh kurban ne dere te Bashkise per nje njeri te tille, eshte ofendim qe ne radhe te pare disa myslimane i ben gjithe myslimaneve te tjere. Me e mira qe mund te kishin bere myslimanet, duke pare cilet ishin kandidatet per zgjedhje, ishte te mos perfshiheshin fare ne haramin e kandidateve. Kjo do te thote te lesh preferencat partiake menjane e te jesh me shume i preokupuar me rrugen e drejte.

  • Duke u nisur nga PS-ja ne fund, une s’e kuptova se ne c’drejtim kontribuon shkrimi… mund te ishin kursyer gjithe ato rreshta me siper, dhe bashke me to gjithe ato komente qe mund te vijne.

  • Ndaj te njejti mendim me Ermirin. Nje xhami si kjo ne qener nuk i sherben nevojave madhore besimtareve muslimane. Megjithse projeti i Rames ishe qesharak kjo nuk do te thote qe nevojat tona duhet te mbeten peng i politikes, kur ishte problemi per rreth-rrotullimin tek Zog i Zi, politika e pati te thjeshte per ti dhene zgjidhje me preteksin e interesit qytetar dhe publik.
    Dhe sikur te ndertohet kjo xhami hallet dhe problemet e muslimaneve do te ngelen po ato. Besimtaret muslimane ne kete vend nuk kane vetem nevoja fetare (edhe pse mbeshtetja per to eshte ne disporcion me komunitetet e tjera), prandaj cdo veprim i politikaneve duhet konsideruar si politike.

    • Fotografite e KMSH-se ngjajne sikur jane bere fshehtas, po gjithsesi dallohet se projekti i tyre qenka imitimi i nje xhamie osmane te shekullit XVI.
      Ne kemi origjinalin e kesaj ne Shkoder, Xhamine e Plumbit te Bushatllinjve, keta duan te na bejne nje si ajo ne shekullin XXI. Sipas ketij mentaliteti, asgje e re nuk ka ndodhur qe ne shekullin e Sulejmanit te Telenoveles, asnje vecori shqiptare, asnje shenje moderniteti, risie nuk duhet te kete ne kete mes. As qytetaret e interesuar, as ekspertet nuk pyeten 🙁

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *