E-zani

Sociologu Fatos Tarifa shpjegonte sot në gazetën MAPO, në një replikë ndaj Profesor Ferit Dukës, disa probleme në lidhje me identitetin shqiptar në raport me idenë e neo-otomanizmit, të diskutuar shumë në shtypin shqiptar kohëve të fundit. Më konkretisht Tarifa shpreht:

Një Shqipëri “otomane”, ashtu si edhe një Siri apo një Egjipt “otoman”, s’mund të jenë sot veçse fantazi të marrësh. Pokështu, një Shqipëri monarkiste ose komuniste janë krejtësisht të pamundura.

Eshtë e pafalshme për një profesor sociologjie të bëjë pohime të tilla që ngatërrojnë ideologjitë me kulturat apo sistemet politike. Ndikimet otomane gjatë 500 vjetëve histori janë ndikime kulturore jo ideologjike. Kulturat kanë të bëjnë me tërësinë e mënyrave të kuptimit që kodifikojnë jetesën e një komuniteti shoqëror, ndërsa ideologjitë janë  tërësi idesh dhe interpretimesh intelektuale, që shpesh janë shtrembërime për të ofruar legjitimitet për struktura të caktuara pushteti.

Edhe në variantin më të mirë, ideologjitë janë thjesht struktura të të besuarit intelektual ndërsa kulturat janë mënyra jetese. Natyrisht, një ideologji është e përkohshme, pasi ajo ndërtohet mbi interpretime të ngurta, të fiksuara mbi një realitet nga ato burojnë, dhe ato janë shpesh të paafta t’i përgjigjen ndryshimeve shoqërore. Kjo e bën të vështirë që ato t’i rezistojnë kohës dhe realiteteve shoqërore. Gjithashtu, një sistem qeverisjeje, një rend politik, është produkt i një rrethane shoqërore, gjë që i jep patjetër një afat skadence. Ndërsa kulturat janë gjë tjetër. Ato prodhohen në mënyrë të natyrshme prej konteksteve sociale dhe janë gjithmonë në modifikim, në bazë të ruajtjes së marrëdhënieve me mjedisin social ku veprojnë. Nëse kulturat do të ishin njësoj si ideologjitë  atëherë do të vinte një moment ku të thonim se, kultura shqiptare nuk është më e vlefshme, se asaj i ka ikur koha, njësoj si komunizmit. Por kjo nuk ndodh, pasi kultura është shumë më jetëgjatë se çdo ideologji apo rend politik.

Për rrjedhojë – nuk di të them me siguri nëse është apo jo i pamundur një rend politik monarkik – komunizmi  si ideologji nuk mund të jetë më funksional. Kjo vjen pasi një ideologji e tillë, është në kundërshtim me realitetin e sotëm shoqëror si dhe me natyrën njerëzore në tërësi, apo të paktën, është në stanjacion, ndërkohë që shoqëritë janë në transformim. Por, sidoqoftë kjo nuk ndodh me kulturat, të cilave nuk mund t’u ikë koha. Po kështu, nuk mund t’u ikë koha ndikimeve kulturore të trashëguara nga popuj të tjerë, për sa kohë kulturat ndërtohen dhe funksionojnë pikërisht mbi bazë të ndikimeve të tilla. Ato janë përfshirë në identitetin shqiptar dhe ndonëse shumë gjëra mund t’i kemi humbur, kjo ka të bëjë me transformime më të thella, që kanë të bëjnë me modernitetin, të cilat janë përhapur gjithashtu edhe në vetë shoqërinë turke.

Në një kontradiksion të thellë, vetë z. Tarifa, duke dashur të mohojë lidhjet e kulturës së sotme shqiptare me të kaluarën osmane, na thotë se identiteti shqiptar nuk ka mbetur po i njëjti, i dhënë në mënyrë përfundimtare njëherë e përgjithmonë.  Sipas tij, identitetet janë konstruksione sociale që formohen dhe ndryshojnë në bazë të rrethanave historike. Por nga ana tjetër, z. Tarifa nuk ka të njëjtën qasje kur bëhet fjalë për ruajtjen e identitetit shqiptar paraosman:

“Gjatë gjysmëmileniumit të sundimit osman në trojet e tyre, shqiptarët, në masë dhe në kushte shumë të vështira, mundën ta ruajnë identitetin e tyre etnik, gjuhësor dhe kulturor si popull, në një kohë që ata ende nuk ishin formuar si një komb i veçantë.”

Pra shqiptarët paskan mundur të ruajnë identitetin e tyre të para 600 vjetëve, megjithëse “ende  nuk ishin formuar si një komb i veçantë”, ndërkohë që janë kaq fluidë dhe kaq të ndryshueshëm kur bëhet fjalë për një trashëgimi të afërt, të shtresëzuar për 500 vjet me rradhë.

Konkretisht, kultura Osmane ka gjurmët e veta në Shqipëri dhe kjo lidhet doemos me historinë tonë. Duam apo nuk duam, ndikimet osmane kanë tashmë pjesë në trashëgiminë tonë: në vlera, zakone, tradita, besime, në kulturën materiale, në folklor, art, muzikë, veshje, arkitekturë dhe mënyra jetese. Ndikimi osman në Shqipëri është më i madh se çfarëdo lloj ndikimi tjetër, për vetë faktin se Shqipëria ka qenë për 500 vjet, pjesë e një mozaiku kulturor osman. Të mohosh këtë ndikim do të thotë të mohosh trashëgiminë shqiptare, do të thotë të kultivosh një ideologji ahistorike, gjë që është krejtësisht e gabuar. Në këtë mënyrë, identiteti që promovon z. Tarifa është më tepër i dëshiruar sesa i evidentuar në realitet.

Më e keqja është se identiteti që z. Tarifa promovon është përjashtues dhe paragjykues. Ai mëton të shfaqet puritan, duke mospranuar ndikimet e huaja, por në fakt ai ia mohon këtë mundësi vetëm kulturës osmane dhe orientit, ndërkohë që tregohet shumë i hapur dhe zemergjerë për të gjetur përkatësi perëndimore, ndonëse në realitet situate duket krejt e kundërt. Pra identiteti shqiptar është hermetik ndaj lindjes dhe krejtësisht fluid ndaj perëndimit, gjë që duket se nuk ka gjasa të jetë e vërtetë që në premisë. Vetëm nëse besojmë se klishetë e aspiratave integruese të Shqipërisë në Europë kanë qenë të pranishme në trojet shqiptare që prej mesjetës, atëherë kur nuk kish lindur ende as Europa e as Shqipëria si nocion kulturor e identitar, mund të marrë kuptim një konceptim i tillë i historisë.

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *