Tre zonjat e kuvendi të V të UAMI-t





Vajada Keçi Manjani

Për të pestin vit rradhazi u mbajt eventi më i rëndësishëm i vitit për shqiptarët musliman me banim në Itali, kuvendi vjetor i UAMI-t.  I mbajtur në ambientet komode të fshatit turistik ‘Getur’ pranë bregdetit në Lignano Sabbiadoro (Udine) ku tashmë  është bërë një pikë takimi i ideal për besimtaret musliman që banojnë në krahina të ndryshme të Italisë dhe jo vetëm; strukturat komode dhe të përshtatshme favorizuan këtë vit akomodimin e më se treqind pjesmarrësve.

 

Islami si mënyrë jetese nuk e shkëput besimtarin nga realiteti që e rrethon, por tenton t’i jap atij një vizion më të qartë dhe forcë të brëndshme për të përballur sfidat e përditshme, e gjitha nën dritën e besimit. Kështu dhe tema kryesore e kuvendit është parë në këtë prizëm: ” Vlerat e Islamit në ekuilibrin socialo-ekonomik” . Duke u përpjekur që mesazhi i mësipërm të arrinte sa më i plotë, organizuesit u munduan të gërshetojnë momente ligjëratash fetare me momente të organizuara ose të lira aktivitetesh argëtuese në ambientet e fshatit turistik. Natyrisht, synimi kryesor mbetet ai i arritjes së rinovimit të besimit e devotshmërisë duke përfituar nga qetësimi që të ofrojnë ditët e pushimit nga frenezia e punës apo edhe nga streset e përditshme.
Prania në kuvend e besimtarëve me prejardhje të ndryshme krahinore, ka ndikuar edhe në zgjedhjen e të ftuarëve, të cilët janë figura të njohura dhe të dashura nga besimtarët. Këtë vit, ndër të tjerë mund të përmëndim hoxhën e njohur nga Tirana Ahmed Kalaja, hoxhën e nderuar nga Maqedonia Zekeria Bajrami dhe drejtuesi i shoqatës Ardhmëria në Tiranë z. Ferid Piku.

Ajo që bie në sy në këtë aktivitet të madh është pjesëmarrja mjaft aktive e femrave muslimane si në organizimin e programit të përgjithshëm ashtu edhe në drejtimin e programit të tyre të menduar enkas për to. Këtë vit, pjesmarrëse ekselente ishin zonja Anjeza Xhaferraj pedagoge pranë Universitetit Evropian të Tiranës dhe zonja Patrizia Khadija dal Monte nën kryetare e UCOII-t organizatës më të madhe të komuniteteve fetare islame në Itali. Dy zonja të shkëlqyera të cilat me thjeshtësinë më të madhe arritën t’i përcillnin publikut femëror koncepte teologjike dhe sociale të niveleve më të larta.

 

Zonja dal Monte autore dhe përkthyese e shume librave teologjik në gjuhën italiane, shprehu një ndjeshmëri të madhe në trajtimin e temës së saj gjatë programit të femrave. Ajo na përkujtoi mbi figurën e lartë dhe të nderuar të Profetit tonë (a.s), mbi sjelljen e tij të karakterizuar nga morali më i bukur dhe edukata më e përkryer. Na solli shëmbullin e tij në trajtimin me rrespektin më të madh të figurës së femrës dhe me një përkujdesje të veçantë jo vetëm për të drejtat e saj por edhe per kultivimin e një figure femërore të dobishme, aktive dhe frytdhënëse për komunitetin Islam kudo që ndodhet dhe në të gjitha kohërat.
Në vazhdën e kësaj fryme përkujtimi, zonja Xhaferraj na projektoi në realitetin e sotshëm në të cilin shfaqen sfida të mëdha për gratë muslimane. Në mënyrë analitike dhe konçize, pedagogia e ftuar ilustroi përpjekjet që duhet të bëjnë sot muslimanet për të arritur sukses në kuadër të një shkollimi gjithmon e më cilësor të tyre por që në shumicën e rasteve nuk merr qasje pozitive nga tregu i punës apo dhe institucionet publike. Shqetësime këto mjaft reale të cilat prekin një pjesë të konsiderueshme të femrave muslimane. Analiza dhe sygjerimet praktike të zonjës Xhaferraj u mirëpritën me mjaft interes nga të pranishmet.
Me një karrierë të shkëlqyer universitare, zonja Englantina Xheka, vjen për të dytën herë rradhazi në podiumin e UAMI-t, këtë rradhë për të trajtuar temën kryesore dhe mbizotëruese të këtij kuvendi. Specialistja në ekonomi, u përqëndrua në ilustrimin e studimeve të saj mbi sistemin ekonimik dhe financën islame të cilat sot paraqiten të jenë një zgjidhje cilësore dhe alternative për t’u vlerësuar nën optikën e krizës ekonomike globale. Etika e ekonomisë islame së bashku me moralin dhe ndjeshmërinë ndaj problematikave sociale ofron vënd reflektim për drejtimin dhe kanalizimin e zgjidhjeve ndaj sfidave të kohëve moderne të cilat jo rrallë herë ndikojnë në ekuilibrin e individit.
Këto zonja, me urtësinë dhe inteligjencën e tyre, përcjellin një vizion krejt ndryshe nga stereotipet që jemi mësuar të ndëgjojmë në lidhje me gruan muslimane dhe ndrydhjet e supozuara të saj. Këto zonja, dëshmojnë për një pozitë të rifituar të gruas muslimane e cila gjithnjë e më tepër po vetëdijësohet për rolin kryesor që zoteron në mesin e besimtarëve. Jo vetëm teori e largët të një Islami ideal, por përpjekje serjoze për të vënë në jetë mësimet e Profetit (a.s) në të cilat do të gjejmë dëshmi serioze për rëndësinë e gruas në Islam, pozitë e cila sot duhet të rifitohet nga vetë gratë me forcën e tyre të brëndshme pa pritur që askush ti dhuroje asgjë.

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *