Ilir Dorani

Në një deklaratë për shtyp të Bashkisë së Tiranës shprehet shqetësimi për varrezat dhe pamundësinë për të blerë tokë, ku zgjidhja e vetme shihet tek varrimi mural. Për të  përforcuar këtë deklaratë Nënkryetari i Bashkisë Edmond Panariti shkroi dhe një artikull në gazetën Mapo, ku jo vetëm përforconte deklaratën e disa ditëve më  parë, por edhe i mëshonte një reagimi të pjesëtarëve të komunitetit mysliman në vendin tonë.

Duke qenë se Islami nuk pranon rit tjetër varrimi përveçse në  tokë, besimtarët myslimanë janë shprehur kaherë kundër varrimeve murale. Të nisur nga ky reagim, Panariti, bëri një reagim publik, në të cilin, me të drejtë, përmendeshin një sërë arsyesh dhe argumentesh se përse administrata e bashkisë ka marrë  këtë vendim. E gjithë kjo është  në  përputhje me pozicionin e tij, deri në çastin kur artikulli fillon të kalojë në argumente fetare:

Nga presioni i papërballueshëm për hapësira, varre po hapen në vende të papërshtatshme, si vende me shkallë të lartë erozioni buzë përroit të Tufinës, në vende grumbullimi mbeturinash, si dhe në territore të cilat në planin urbanistik të qytetit nuk janë të parashikuara si vende për varrim. Përveç se cenojnë rëndë moralin qytetar dhe ligjin, këto praktika janë në shkelje të drejtpërdrejtë edhe të normave fetare. Ja seç thuhet për shembull në ligjin islam, për kriteret e varrimit:

Neni 628: Nuk lejohet varrimi i një të vdekuri mysliman në një vend të papërshtatshëm, të padenjë, siç mund të jetë vend-grumbullimi i mbeturinave.

Neni 629: Nuk lejohet që të kryhet varrimi në toka të uzurpuara dhe as në toka të cilat nuk janë të parashikuara për varreza.

Autori në fjalë edhe pse nuk ka asnjë formim në këtë fushë, merr përsipër që të shqyrtojë argumente fetarë për të bindur myslimanët se vendimi i tij jo vetëm që është konform logjikës, por është edhe në përputhje të plotë me ligjin sheriatik. Në citimin e mësipërm nuk thuhet askund burimi i neneve të paraqitura. Deri më sot nuk kemi asnjë burim që ku ligji sheriatik të paraqitet i kodifikuar në mënyrë të tillë me nene dhe pika, siç citohet më sipër. Mund të ketë shtete të ndryshme muslimane, të cilët formulojnë ligje, kodin civil apo penal, duke u bazuar në parimet sheriatike, por këto janë ligje të nxjerra prej sheriatit dhe nuk mund të paraqiten si vetë sheriati. Si të tilla ato janë rezultate interpretative, mbi të cilat komunitete besimtarësh apo shoqëri të caktuara kodifikojnë marrëdhëniet publike, por ato nuk mund të përdoren si burim autoritativ imponues jashtë hapësirës ku janë sanksionuar. Aq më tepër, nuk mund të përdoren si të tilla, kur nuk citohet burimi.

Duke u siguruar se tashmë  lexuesi e ka marrë leksionin se feja islame dhe vendimi i bashkisë janë të  konvergueshme, autori fillon të shtjellojë mendimin e tij për ndërtimin e varreve murale, ku nuk harron të përmendë faktin se këto varre janë “një realitet tashmë i konsoliduar prej vitesh në kryeqytetet e Bashkimit Europian”. Mbas këtij pohimi, autori shtjellon akoma më tej idenë e bashkisë për të zhvarrosur eshtrat e varreve të vjetër, për të hapur varre te reja. Pasi shpjegon mënyrën se si do të kryhet zhvarrimi, sërish kthehet vëmendja tek përputhshmëria e këtij veprimi me ligjin islamik.

“ Në fenë islame gjithashtu nuk arrij të shoh pengesa, madje në ligjin islam kjo është e artikuluar mjaft qartë në nenin 630, mbi varrimet e në këtë ligj thuhet: “Nuk lejohet të kryhet zhvarrosja, për ta ripërdorur një varr për një varrim tjetër, nëse nuk garantohet se varri është shumë i vjetër dhe që trupi i mëparshëm është plotësisht i tretur”.

Pa dashur të hyjmë në një debat teknik mbi përcaktimet fetare të përmendura më sipër mund të mjaftohemi me citimin e mësipërm. Në nenin 630 të legjislacionit anonim që citohet këtu nuk  nënkuptohet se trupi i zhvarrosur mundet të varroset në një varr mural. Përkundrazi citimi i përdorur këtu thekson se duhet gjetur një varr tjetër dhe ky varr duhet të përmbushë kushtet fetare për prehjen e të ndjerit.

Do të ishte mirë që z. Panariti të merrej me atë që i përket dhe të  mos ndërhyjë në argumentime fetare, jashtë kompetencave të tij, për të justifikuar vendimet veta. Fetë, ashtu si çdo fushë tjetër e veprimtarisë njerëzore, interpretohen mbi dije të standardizuara që jo çdokush i disponon. Nuk është e udhës që diskutime të tilla të komplikuara fetare, për më tepër kur kemi të bëjmë me aspakte që lidhen me sferën transhendentale, të cilat kërkojnë një përgatitje të thelluar teorike mbi metodologjinë kuptimore të teksteve të shenjta, të bëhen objekt gjykimesh amatore.

Problemi i vërtetë në këtë mes është fakti që as Komuniteti Musliman nuk i zotëron kompetencat për të marrë vendime të tilla të specializuara, për shkak se, deri më tani, ky institucion ka qenë i painteresuar për të ofruar thellime të nevojshme të mendimit fetar në funksion të realitetit shoqëror ku jetojmë. E derisa ky institucion, të kuptojë dhe ndërmarrë rolin e vet, qendrimet fetare do të vijojnë të bëhen objekt hamendjesh amatoreske midis politikanësh, administratorësh, gazetarësh e pse jo, edhe qytetarësh të thjeshtë, për të zgjidhur përfundimisht në mënyrë demokratike çdo debat skolastik të teologjisë, duke ushtruar autoritetin e sovranit si VOX POPULI.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *