Promovuesit e Urrejtjes





e-zani

 

Pak ditë më parë tërhoqëm vëmendjen tek një shkrim i K. Blushit tek Gazeta Shqiptare i cili i shtonte zërin racistëve anti-turq që njoftojnë për rrezikun neo-otoman për Shqipërinë. Në atë shkrim vumë në dukje se K. Blushi huazonte titullin dhe i referohej ideve të një mbështetësi të njohur të terroristit norvegjez Breivik, një mbështetësi të masakrës së Sebrenicës kundra boshnjakëve dhe dikujt që bën thirje për dhunë të ngjashme ndaj myslimanëve shqiptarë, “studiuesit” Kastriot Myftaraj.

 

Vëmë re që po këto ditë, P. Zogaj sjell një recension në të përditshmen Mapo në vlerësim të një libri të ri të “publicistit,” “analistit,” “shkrimtarit” Kastriot Myftaraj. Në këdo vend të botës, njerëz me dy para mënd do rinin larg asocimit me një figurë që mbështet dhe bën thirje haptaz për terror e dhunë, për racizëm e ksenofobi, e këto ditë të gjyqit të terroristit Breivik njihet si shpallës së Breivikut si hero. Por në këtë Shqipërinë tonë ksenofobia, gjuha e urrejtjes e racizmi sigurisht drejtuar ndaj një easy target si myslimanët, nuk krijon asnjë lloj njollosje.

 

P. Zogaj dhe K. Blushi bëhen kësisoj promovues dhe mbështetës të eksponentit më të njohur – e kursesi të vetëm – të gjuhës së urrejtjes dhe dhunës. Kur ne ngritëm alarmin për përdorimin e kësaj lloj retorike urrejtjeje, kur kërkuam që të mbahet qëndrim ndaj mediave që promovojnë këtë lloj gjuhe urrejtjeje, si gazeta Sot,  shumë njerëz pretenduan se po e tepronim, se tek e fundit Kastriot Myftaraj është një i lajthitur që askush nuk e mer seriozisht. E megjithatë, nga njerëz që nuk konsiderohen të lajthitur e madje kanë prezencë të rregullt në jetën mediatike dhe politike në vend, në faqet e shtypit që konsiderohet mainstream në Shqipëri, shohim përpjekje për të promovuar një nga promovuesit më të zellshëm të dhunës, urrejtjes, racizmit dhe ksenofobisë. Në Shqipërinë tonë kjo nuk ngjall asnjë lloj reagimi, nuk shqetëson kënd dhe kjo është tregues edhe njëherë se edhe ata që mbartin statusin e intelektualëve publikë dhe ruajtësve të standarteve të ligjërimit publik, janë selektivë në meraqet që adresojnë.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *