E-zani

Gazeta Panorma bëri të ditur këto ditë se Komuniteti Musliman i ka paditur imamet Plloçi dhe Piku në strukturat e antiterrorit, për shkak se i konsideron ata “radikalë ekstremistë”. Sipas gazetës, ky shpjegim u dha nga vetë drejtuesit e antiterrorit, si një nevojë për të sqaruar çudinë e të gjithëve se, ç’lidhje ka antiterrori me një konflikt administrativ, për një vendim shkarkimi. Burimi i gazetës është zyrtar dhe, përderisa KMSH-ja nuk e ka përgënjeshtruar, kjo do të thotë se është i vërtetë.

Ajo që është paradoksale dhe gjithashtu qesharake, nuk është thjesht marrëzia dhe papërgjegjshmëria e Komunitetit Musliman, i cili i padit imamët e xhamive për akuzat më të rënda që ekzistojnë në legjislacionin penal të këtij vendi. Banaliteti i kësaj kalbësie administrative qendron në faktin se pasi e ka denoncuar për radikal ekstremist, imamin Plloçin, duke kërkuar për të ndjekje penale si terrorist, vazhdon dhe e mban në punë atë, duke e lënë në dispozicion. Në mbledhjen e 15 Marsit të Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të KMSH-së, ndër të tjera u miratua vendimi i Kryesisë për heqjen e imam Plloçit nga posti imamit të Xhamisë së Medresesë, për të kaluar në dispozicion të Myftinisë. Kjo do të thotë se, nëse KMSH-ja i merr seriozisht fjalët e veta, aq më shumë kur bëhet fjalë për vendime që i deponon në Polici, praktikisht është duke mbajtur në dispozicion terroristët. Atëherë mbetet që terrorizmi të jetë aktualisht brenda strukturave të Komunitetit Musliman Shqiptar. Ndërkohë që të gjithë akorët dhe monitoruesit e aktiviteteve fetare në Shqipëri shprehen se në këtë vend nuk ka terrorizëm, vetë Komuniteti Musliman pohon rregullisht të kundërtën, duke i kërkuar terroristët në rradhët e punonjësve të vet që nuk pajtohen me zullumet e kryetarit dhe mbështetësve të tij gylenistë.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me shoqatën Ardhmëria. Rreth katër muaj më parë, në aktivitetin e 10 vjetorit të themelimit të kësaj shoqate, Selim Muça u shpreh me superlativa, duke thënë se kjo shoqatë, të cilën e cilëson si të rëndësishme,

ka bërë një punë të shkëlqyeshme… me një aktivitet shumë të dendur në shërbim të vendit tonë dhe në shërbim të shqiptarëve“.

Jo vetëm kaq, por Muça, përpara qindra besimtarëve si dhe Ministrit të Kulturës Aldo Bumçi e Kryetarit të Bashkisë Lulëzim Basha, i ftoi të gjitha shoqatat që:

nën shembullin e Shoqatës Ardhmëria të punojnë krahas, dhe nën ndihmë, të Komunitetit Musliman”.

Dy muaj më pas, Muça e denoncon për ekstremist radikal në zyrat e antiterrorit Kryetarin e kësaj shoqate.

Eshtë pak të thuhet banalitet në këtë rast. Nuk mund të ketë akt më të papërgjegjshëm për një zyrtar, të kujtdo dikasteri – aq më tepër për kryetrarin e një komuniteti fetar – sesa të shpifë një akuzë të tillë për punonjësit e vet, aq më tepër kur ata janë të veshur me rrobën e klerikut.  Ky akt tregon jo vetëm papërgjegjshmërinë e Kryetarit dhe aparatçikëve që fshihen pas çallmës së tij komike, por ai tregon gjithashtu edhe inkoshiencën e tyre për statusin e imamëve dhe fisnikërinë e autoritetin që ata përcjellin, si figura fetare. Ata veprojnë me imamët e tyre, sikur kanë të bëjnë me tifozë huliganë në shkallët e stadiumeve. Kjo tregon se ata jo vetëm që nuk janë në dinjitetin e detyrës që kanë marrë përsipër të bëjnë, por nuk janë as të vetëdijshëm për statusin e tyre duke e përdhosur atë në çdo veprim.