Unioni i shqiptarëve musliman në Itali dhe Union der Islamisch-Albanischen Zentren in Deutschland

Përshkallëzimi i ngjarjeve lidhur me situatën e krijuar nga ndërhyrja e pashpjegueshme e organeve drejtuese të KMSH-së në shërbesat fetare të xhamisë së Medresesë është përjetuar me keqardhje nga mjaft muslimanë të bashkësive që jetojnë në Evropë. Rutina e metodës së shkarkimit dhe emërimit të prijësve fetarë nëpër xhamia sigurisht nuk i shërben aspak frekuentuesve të atyre ambienteve, aq më tepër kur raportet e besimtarëve me imamët janë konsoliduar prej vitesh dhe këmbëngulja e vepra e këtyre të fundit është pasqyruar në domosdoshmërinë e zgjerimeve të vazhdueshme të hapësirave të kultit. Shtimi i besimtarëve të një xhamie është meritë e aktivitetit të imamit, më tepër se sa influenca e poltronave.

Qarkullimet horizontale nëpër mimberët e xhamive dhe ato vertikale në administratën drejtuese krijojnë përshtypjen e një realiteti ku mbizotëron konkurrenca dhe fraktura e lidhjeve me besimtarët, që janë edhe i vetmi motiv për të cilin ekziston KMSH-ja. Për më tepër, kur imamët shkarkohen pa motivacione të qarta, etike apo profesionale, sikur pozita e tyre nuk është publike, por çështje e brëndshme e një ndërmarrje private, këto ndërrime marrin karakter abuziv.Si përherë, janë besimtarët ato që paguajnë vendimet uniformizuese, ndonëse diversiteti është dhuratë e Krijuesit. Këto veprime nuk i paraqesin vendimarrësit e KMSH-së si shërbyes kalimtarë të Islamit dhe zë i besimtarëve, por, në të kundërt, si zotërues zyrash, pronash e aktualisht edhe njerëzish.

Diçka e këtillë vërtetohet më së miri, fatkeqësisht, nga kërkesa për ndëryrje të policisë, e më saktë të antiterrorit, siç mësuam nga disa organe të shtypit shqiptar. Është vërtetë hidhëruese që përfaqësuesit e besimtarëve u imponojnë këtyre të fundit imamët me mercenarë, çka nënkupton se janë moralisht të zhvlerësuar, por anormaliteti qëndron pikërisht tek ndërhyrja e organeve shtetërore në përcaktimin e drejtuesve të xhamive. Kjo është akoma më shqetësuese për një shtet laik dhe demokratik, pasi roli i tij, në këtë kontekst, duhet të kufizohet tek krijimi i hapësirave përkatëse ku shqiptarët muslimanë mund të ushtrojnë liritë e tyre kushtetuese, që prej njëzet vitesh, të paktën në kryeqytet, jo pa fajin e administratave bashkiake, i ushtrojnë në sheshe e xhami të papërshtatshme.

Drejtimin e kiblës apo preferencat e besimtarëve ndaj imamëve nuk i takojnë shtetit shqiptar t’i përcaktojë, ndërsa, për shembull, qartësimi i ligjeve e normativave që tolerojnë shaminë e muslimanes në ambientet publike shkollore është detyrë dhe kompetencë shtetërore. Meqenëse etiketa e radikalizmit është bërë e modës dhe kushton lirë, e meqenëse nuk përbën as vepër penale, paratë publike të shpenzuara nga policia në një periudhë krize globale mund të shërbejnë në sektorë të tjerë publik ose në rritjen e efikasitetit, pasi hetimet e antiterrorit që botohen të nesërmen në gazetë, duke kontribuar në denigrimin e personave, janë të pakonceptueshme në një shtet funksional.

Ne i konsiderojmë këto ndërhyrje tërësisht arbitrare dhe në funksion të strumentalizimit të etiketave absurde, me qëllim shndërrimin e tyre në justifikime për vendimet e paracaktuara dhe të pamotivuara. Gjithashtu, ato kanë trajtën e mjetit me të cilin drejtuesit e KMSH-së e përdorin në funksion të imponimit, në dëm të besimtarëve. Këto ndjehen dyfsish të nëpërkëmbur, si musliman, nga papërgjegjshmëria e përfaqësisë së tyre, dhe si qytetarë shqiptarë, nga mosrespektimi i lirive të tyre fetare. KMSH-ja nuk është organ politik dhe politikës nuk i mjaftojnë votat e antarëve të këtij organi.

Mbështetja jonë është tërësisht për besimtarët e xhamisë së Medresesë, si dhe për imamin e hatibin e saj, të cilët me punën e tyre kanë kontribuar në lulëzimin dhe harmoninë e xhematit.

UAMI

Unioni i shqiptarëve musliman në Itali

Via Beretta, 11, 25123, Brescia, Italia.

UZIAD

Union der Islamisch-Albanischen Zentren in Deutschland

Oberdorfstr, 33, 45143 Essen, Deutschland.