Për ngjarjet e fundit në Maqedoni biseduam me Ramadan Ramadanin, opinionist në gazetën Fokus në gjuhën maqedonase dhe doktorant në historinë e kulturës.

 

Pyetje: Ashtu si dhe më parë, qeveria maqedonase ka ngritur alarmin për ekstremizmin islamik tek shqiptarët dhe vrasjet e hetuara nga operacioni  Monstrum i janë atribuar “ekstremistëve islamikë.” Shumë shqiptarë në Maqedoni janë ngritur masivisht kundra këtyre akuzave. Pse Monstrum i ka irrituar kaq shumë shqiptarët e Maqednisë?

Etiketimi që u përdor këtë herë ishte “islami radikal” gjë që edhe ishte stigmatizim edhe u perceptua si ofendues për myslimanët në tërësi në Maqedoni, të cilët zyrtarisht përbëjnë një të tretën e popullatës, për çka edhe ka reaguar, ndonëse me vonesë, edhe Bashkësia Fetare Islame. Iritimi ka të bëjë me faktin se i gjithë operacioni juridikisht ishte në ajër, jashtë rregullave dhe procedurave, u bë klasifikim dhe artikulim i motivit nga ana e MPB-së dhe jo nga ana e gjykatave sikur në çdo vend juridik të botës. Kur e gjithë kjo u përcoll me raste të torturës psikike dhe keqtrajtimit ndaj disa të dyshuarve dhe ndaj bashkëshorteve të tyre ajo nga ana e myslimanëve u perceptua si provokim shtesë që aparatura shtetërore ua bën atyre. E gjithë kjo situatë u përcoll me një heshtje nga ana e institucionit fetar (heshtje shtatë ditëshe) dhe të politikanëve shqiptar, pozitë dhe opozitë (heshtje tre ditëshe) ashtu që epilogu, rezultati dhe mesazhi nga mllefi i artikuluar në protestat e të premtes së kaluar ishte se shqiptarët që u ndijtën si jetim, të braktisur nga gjithë elita shoqërore e tyre, për një ditë e bënë të ndihet jetim i gjithë shteti para tyre.

 

Pyetje: Ju keni bërë thirje që kauza kombtare e shqiptarëve në Maqedoni mos marrë ngjyrim fetar, por protestat e kohëve të fundit u shoqëruan me parrulla dhe me simbole fetare, të shoqëruara nga disa figura fetare nga Maqedonia dhe Kosova. A mendoni se kjo ishte në dëm të interesave të shqiptarëve në Maqedoni?

Sigurisht. Por edhe protestat e fundit ishin plotësisht politike dhe kishin të bëjnë me sundimin e të drejtës dhe shtetit ligjor, tejkalimin e kompetencave të policisë dhe shkeljen e drejtave të njeriut. Simbolet fetare ishin vetëm dukja e asaj se në këtë rast mes tjerash ishte stigmatizuar feja e shumicës së protestuesve. Ato protesta ishin me simbolikë të plotë për gjithë mospërfaqësimin politik që përjetojnë shqiptarët sidomos për disa tema esenciale që janë të rëndësishme për qytetarët shqiptar të Maqedonisë. Kjo pasi edhe artikulimi politik i drejtave fetare është politikë dhe edhe liria fetare është prej drejtave themelore të njeriut. Por ndonëse ato protesta përçuan mesazhet e forta dhe ishin të organizuara mirë edhe përkundër krejt masovitetit, ato duke qenë se janë pa organizator të dukshëm dhe artikulim të qartë, vazhdimi i tyre në kësi mënyrë mund të keqkuptohet në opinion. Sidomos në kompleksivitetin në të cilin ndodhen Maqedonia dhe shqiptarët. Unë mendoj se çdo hapje e ndonëj agjende fetare të shqiptarëve të Maqedonisë para se ata të plotësojnë të drejtat e tyre themelore njerëzore, kolektive dhe kombëtare mund të dëmtoj natyrshmërinë e proçesit politik shqiptar në Maqedoni. Por përsëris se edhe në këtë rast kjo nuk ishte ashtu.

Në Maqedoni nuk ka supstancë të mjaftueshme aktive fetare për të bërë politikë me fenë siç mund ose ndodhë dikund në Lindjen e Mesme.

 

Pyetje: Prej shumë kohësh politikat nacionaliste në  Maqedoni kanë marrë ngjyrim fetar dhe objektet fetare po përdoren për të shënuar edhe kufijtë etnikë. Kujtojmë këtu kryqin mbi qytet, kishën e kalasë etj. Qeveritë e Kosovës dhe të Tiranës nuk kanë ngritur zërin kundra këtyre politikave maqedonase por tashmë kanë protestuar kundra prezencës së simboleve islame në protestën e shqiptarëve.Si e vlerësoni ju qëndrimin e Tiranës dhe Prishtinës në këto ngjarje?

 

Po, por kjo aspak nuk ka qenë rasti me shqiptarët ose reprezentët politik të tyre. Ajo që ka ndodhë është se ka pasë shembuj të shumtë kur institucionet shtetërore kanë bërë politika gati teokratike kurse shqiptarët kanë praktikuar një sekularitet asimetrik. i cili kishte tendencë të vlejë vetëm për islamin dhe myslimanët. Tirana dhe Prishtina nga ana tjetër edhe në këtë rast e ndijtën ate se ka një mospërfaqësim politik të shqiptarëve të këtushëm dhe besoj se do bënin mirë sikur të edukonin çdo pretendent për politikan shqiptar këtu që edhe artikulimi i drejtave fetare, liritë fetare dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe historike bën pjesë në politikë dhe të njëjtave u nevojitet trajtim politik edhe sipas definicioneve më të ashpra demokratike për laicitetin dhe sekularizmin. Po ashtu në këtë vazhdë rol të madh mund të kenë edhe mediat në Prishtinë dhe Tiranë që të gjejnë trajtues real për shtjellim real të problemeve dhe rrethanave në të cilat ndodhen dhe veprojnë shqiptarët e Maqedonisë. Krejt kjo për të kuptuar se shqiptarët e Maqedonisë nuk janë aspak shqiptarë tjetërsoj dhe më vonë për të mund të parë se, sipas mendimit tim modest, janë maja e shqiptarisë. Mu ne jemi vëllau i vogël nga përralla e Urës së Fshejtë ose Kullës së Rozafës i cili ndonëse dyfish i vogël (vetëm 10% i numrit total të shqiptarëve dhe vetëm 30% nga numri total i Maqedonisë) i ka rënë në hise të bart barrën e dyfishtë: të japë xhevapin fetar për gjithë shqiptarët mysliman dhe njëkohësisht të artikulojë prezencën shqiptare në një Maqedoni të tërë.

 

 

Pyetje: Një nga protestat e shqiptarëve në Maqedoni ka qenë se partitë politike të Shqiptarëve nuk po plotësojnë rolin e tyre si përfaqsues të interesave të shqiptarëve. A po vuajnë shqiptarët nga një vakum në përfaqsimin politik?

Mospërfaësimi politik i shqiptarëve të Maqedonisë tani më është shumë herë argumentuar me shembuj dhe incidente por edhe me numra të përsëritura në çdo cikël zgjedhor ku vetëm deri në 30% e shqiptarëve votojnë. Por siç ceka më lartë ky mospërfaqësim është edhe tematik pasi shumë tema esenciale për artikulim politik kanë mbetur jashtë vizionit politik të pretendentëve të deri tanishëm për përfaqësim politik të shqiptarëve.

 

Pyetje: Duket sikur s’ka mbetur asgjë nga Marëveshja e Ohrit, që supozohej të qëndronte si bazë e regullimit të marëdhënieve midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Ku shkohet prej këtu?

Askund! Do ishte përgjigja e shkurtë kurse përgjigja e ashpër: se pasi nuk ka kush e vret Maqedoninë ajo do vetëvritet. Përkatësisht, pasi parë nga prizmi gjeostrategjik nuk ka vrasës të interesuar për të mos patë Maqedoni dhe kur ajo vet nuk ka kapacitet, as njerëzor, për të eksploduar rajonin; ajo do shkon kështu drejt një kalbjeje dhe implodimi të brendshëm që veç më është rasti në çarjet e mëdha dhe proceset dekohezive brenda kombit qytetar të tërësishëm (nation) të Maqedonisë pro edhe brenda përbrenda popujve shumicë: shqiptarëve dhe shumicës e cila vetdeklarohet si maqedonas. Maqedonia mund të pësojë nga një “zjarr miqësor” mes mospërfaqësimit politik të shqiptarëve dhe përpëlllitjeve identitare të maqedonasve. Ajo që mund dhe duhet ta shpëton është integrimi në strukturat veri-atlantike që do sigurojnë që Maqedonia përfundimisht të bëhet dhe të funkcionojë si një shtet juridik por edhe këndjellja politike shqiptare brenda Maqedonisë por edhe në tërësi në rajon. Bashkëpunimi shqiptaro-bullgar në kuadër të NATO-s mund shumë të kontribuojë për këtë shpëtim.

Comments

  • skemi qka ta mohojmè se ksihte protesta islame normal qè duhet tè kiste pèr atè se maqedonasit na akuzuan si islamistè radikal terorist dhe ati ishte pèrgjigjia e muslimaneve qè sjemi terorist por musliman dhe ska te keqe ati e keqja èshtè fundamentalisti dhe racizmi maqedonas qè nderton kisha dhe kryqe nè tokat shqipètare ku janè shqipètaret dhe bota pse spo reagon te maqedonasit ku janè shqipètaret pse spo reagon kur ata bèjnè fundamentalizem dhe terorizem fetar ku i vranè pa pik faji tè rinjte vetem qè tè na akuzojne neve shqipètarve kjo shifet hapatazi se èshtè e montuar kurse politkia shqipètare flen

  • O politikane shqiptare ne Maqedoni.A nuk e kuptoni se sa kot qe jini,kur vete shqiptaret aty nuk ju duan.Fakti qe 70% e popullates nuk dalin per te votuar,tregon se ata ndihen me te kenaqur nen kerbacin sllavo-maqedonas,se sa ti perfaqsoni ju,ne pushtet lokal apo qendror.Mendoj se kjo shifer eshte teper,teper shqetsuese dhe alarmante.Ju nuk jini shqiptare te vertete,ndaj dhe populli juaj nuk ju do.Turp ! Nje mije here turp e per faqe te zeze.Prandaj populli e ka varur shpresen tek ” Allahu ekber…”dhe jo tek juve qe duhet te jini truri e shpresa e atij kombi.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *