E. Mërtiri

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Shqipëri nxorri të dhëna me rëndësi në lidhje me transformimet që po pëson familja në shoqërinë shqiptare. Ato tregojnë se familja po tkurret dhe zvogëlohet, duke shfaqur prirje drejt shpërbërjes. Në krahasim me të dhënat e regjistrimit të kaluar, 10 vjet më parë, kemi një rënie të mesatares së numrit të personave për familje nga 4.2 në në 3.8. Kjo do të thotë se numri i anëtarëve për familje është zvogëluar në vlerën e 1/8-ave gjatë këtij dhjetëvjeçari, gjë që përbën një ritëm shumë të lartë tkurrjeje. Kjo do të thotë se shoqëria shqiptare duhet të përgatitet për të përballur situata të vështira, gjë që duhet të alarmojë të gjithë aktorët që merren me shoqërinë. Kjo situatë kërkon tashmë qasje të reja, nëpërmjet të cilave analizat sociologjike të mund të krijojnë konsideratat e duhura për të adresuar shqetësimet mbi transformimet shoqërore.

Shoqëria shqiptare po merr gjithnjë e më shumë tiparet e një shoqërie moderne dhe urbane. Të dhënat e cencusit tregojnë se tashmë shumica e popullsisë jeton në qytet. Ky fakt është i rëndësishëm për të zëvendësuar kornizat sociologjike të analizave shoqërore. Deri tani sociologët dhe intelektualët që kanë trajtuar problemet e shoqërisë shqiptare, i kanë kërkuar këto probleme në mentalitetin patriarkal që buron nga mbeturinat zakonore tradicionale. Përgjatë njëzetë vjetëve të fundit, intelektualët shqiptarë kanë akuzuar sistematikisht traditën si burimin kryesor të problemeve që janë shfaqur gjatë tranzicionit. Duke denoncuar opinionin, paragjykimet, zakonet, e trashëguara ata kanë prodhuar një diskurs po kaq paragjykues dhe keqkuptues ndaj mënyrës tradicionale të jetesës dhe formave të vjetra të strukturimit e funksionimit shoqëror, gjë që ka vështirësuar, jo vetëm njohjen e dallimeve ndërmjet kulturës moderne nga ajo tradicionale, por edhe impaktet, konfigurimet dhe korelacionet që ato kanë krijuar në mjedisin e sotëm shoqëror. Për pasojë, në shumicën dërrmuese të intelektualëve të interesuar mbi zhvillimet sociale vërehen keqkuptime të shumta, si ndaj trashëgimisë ashtu edhe ndaj prurjeve të reja që vijnë nga jashtë.

Kërkimi i problemeve tek e kaluara ka bërë që e tashmja të mos gjykohet në mënyrë objektive dhe shumica e problemve që ajo ka sjellë të mbeten të pandriçuara. E njëjta gjë mund të thuhet se ndodh edhe tek shqiptarët në Kosovë e Maqedoni. Ata gjenden kudo, në të njëjtën rrjedhë transformimesh, pavarësisht se diku ndryshimet kanë ardhur më shpejt e diku më vonë.

Zhvendosje e fokusit

Tashmë kemi më shumë arsye për ta zhvendosur fokusin e shqetësimeve nga tradita tek moderniteti. Duhet të kuptojmë se problemet më të mëdha që kërcënojnë të ardhmen tonë lidhen më shumë me jetën moderne, e cila ushtron aktualisht peshën kryesore në formësimin e sjelljeve, marrëdhënieve dhe zhvillimeve shoqërore. E kaluara po humbet gjithnjë e më shumë terren dhe ajo tashmë nuk mund të jetë problemi. Përkundrazi, problem është fakti që ajo po zhduket gradualisht, e sidomos shpërfytyrimi i saj gjatë ndërthurjeve me modernitetin. Kjo ka bërë që vlerat e trashëguara të defunksionalizohen duke i dhënë mjedisit shoqëror një strukturë të ndërmjetme dyfish jofunksionale, si nga aspektet moderne ashtu edhe nga ato tradicionale.

Për këtë arsye, shumë intelektualë, përfshi madje edhe sociologë, ngatërrojnë traditën e vërtetë me mbetjet refleksive kulturore të së kaluarës të mpleksura me deformimet e realitetit të sotëm postdiktatorial. Kjo bën që përfytyrimet e sotme për traditën të jenë konstrukte ideologjike që shërbejnë për të shkarkuar fajet për gjithçka që shkon keq në realitetet e sotme. Rrjedhimisht ajo devijon adresën e fajsimit duke zhvendosur vëmendjen nga burimi kryesor i problemeve, që në fakt është moderniteti.

Duhet kuptuar tanimë se burimet e problemeve shoqërore, do të duhet të kërkohen, ashtu si kudo në botën e zhvilluar, tek zhvillimet moderne. Modernizimi i shoqërisë shqiptare po sjell me vete të gjithë problematikën, për të cilën shumë sociologë e intelektualë në perëndim ngrenë alarme të forta. Kjo do të thotë se shoqëria shqiptare tashmë do të duhet të përballet me krizën e familjes, duke dëshmuar çdo ditë e më shumë thërmimin dhe mosfunskionimin e saj. Kjo do të thotë se gjithnjë e më shumë familja shqiptare do të njihet me divorce, vetmi, ankth e shqetësime psiko-sociale etj. Ajo do të duhet tashmë të përballet gjithmonë e më shumë me probleme të shoqërizimit, komunikimit, edukimit, konfliktualitetit, paaftësisë për të ofruar modele për fëmijët dhe të rinjtë, paaftësisë për të vënë në funksionim marrëdhëniet, prind-fëmijë, burrë-grua, etj. Të gjitha këto, ashtu si kudo në botën e industrializuar, i shtojnë në mënyrë alarmante dramat shoqërore, gjë që premton për një jetë më të palumtur. Shpërfillja e ndaj kësaj problematike në Shqipëri, por edhe orientimi krejtësisht i gabuar i shqetësimeve të trajtuara nga shumë intelektualë, bëjnë që kjo shoqëri të mos mbërrijë ende të ndërgjegjësohet për këtë realitet.

Akademizëm kompleksiv

Ajo që na mban peng për të hapur sytë ndaj këtij realiteti ka të bëjë kryesisht me mitet moderniste, të kultivuara tek pjesa më e madhe e inteligjencës shqiptare, përfshirë këtu edhe shumë prej studiuesve të shkencave shoqërore. Shumë prej tyre, duke i përkitur një brezi të frustruar, të rritur në kushtet e një regjimi izolues, e kanë të vështirë të çlirohen nga adhurimi për modernen, të vaditur mirë prej privimit që ushtroi për vite me rradhë shkretëtira komuniste. Për këtë arsye sheh shpesh autorë të brezit të vjetër, të cilët glorifikojnë çdo sëmundje të botës moderne, duke dashur të duken të kohës. Në shumë raste ata himnizojnë vlerat moderne duke i sugjeruar ato masivisht, në shkujdesje të plotë ndaj aspekteve negative si dhe rreziqeve që i shoqërojnë, sidomos kur bëhet fjalë për shoqëri si kjo e jona, e paaftë të diferencojë vlerat nga problemet që vijnë prej vendeve të zhvilluara.

Paradokohe, një profesor sociologjie shkruante një artikull për Frojdin, duke theksuar se mosnjoha që shqiptarët kanë për të i bën të mbesin të ndrydhur dhe të paçliruar në raport me sjelljen seksuale. Autori e shihte diçka të tillë si mungesë zhvillimi, e cila na bën të prapambetur dhe të paaftë të ndjekim ritmet e botës së zhvilluar e të emancipuar. Në fakt, më shumë se piedestalin e vonuar të Frojdit, autori ishte duke skicuar profilin e tij publik, si një bard i emancipimit dhe përparimit.

Në fakt, më shumë se mosnjohja e Frojdit, ky lloj mitizimi ndaj tij është dëshmi për një prapambetje të thellë. Të ftosh njerëzit t’i kthehen Frojdit në shek. XXI do të thotë të kthehesh të paktën një qind vjet prapa. Mund të themi pa frikë që, megjithë nivelin e ulët të leximeve dhe kulturës së kultivuar që ekziston në Shqipëri, Frojdi mbetet një prej autorëve më të njohur e të përkthyer, ndërkohë që nga ana tjetër, seksualiteti është padyshim objekti të cilit shoqëria e sotme i kushton vëmendjen më të madhe, për shkak të mbiprodhimit që kultura e konsumit ofron në këtë fushë. Ndrydhjet seksuale që konstaton autori, mund të ekzistojnë vetëm në mendjen e tij. Në realitet, e kundërta është e vërtetë. Shoqëria e sotme, sidomos brezi i ri, janë aq të bombarduar me informacion si dhe me objekte konsumi që lidhen me sjelljen seksuale, sa çdo adoleshent do të mund t’i ofronte leksione të pasura edhe vetë profesorit në fjalë.

Ajo që përbën shqetësim në të vërtetë është krejt e kundërta, vështirësia për të ruajtur ekuilibrat e nevojshëm në raport me seksualitetin, sidomos tek minorenët. Shqetësim i vërtetë në realitetin shqiptar, është fakti se mjedisi ku jetojmë është krejtësisht i pashëndetshëm për të edukuar fëmijët në mënyrë që të jenë të mbrojtur prej problemeve që lidhen me seksualitetin. Shqetësim i vërtetë është fakti se mediat po ushqejnë fëmijët, që në moshë të hershme, me modele krejtësisht të dëmshëm për moshën e tyre, duke filluar që prej filmave të animuar, të importuar pa doganë nga Kina e Japonia, por edhe nga disa prej vendeve perëndimore, e deri tek produktet vendase, emisione televizive që shpesh shoqërohen me biseda, këngë e koreografi që nuk janë aspak për fëmijë e që ndikojnë negativisht në edukimin e tyre, pa folur këtu për prezencën e pashmangshme të produkteve për të rritur, të cilat janë fare lehtë të aksesueshëm prej fëmijëve. Shqetësim real tek të rinjtë shqiptarë nuk është privimi, por paaftësia për të kufizuar ushtrimin e tepërt e të parakohshëm të seksualitetit. Shqetësim përbën zgjerimi i skajshëm i sjelljeve perversive që shfaqen në mënyrë shqetësuese tek një masë e konsiderueshme individësh, kryesisht të rinj. Shqetësim serioz përbën gjithashtu shtatzania e padëshiruar, e cila ka bërë që në Shqipëri të ketë një numër të frikshëm abortesh, sidomos tek minorenët.

Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, shumë të rinj e fillojnë aktivitetin e tyre seksual në moshën 13-14 vjeç, ndërkohë që evidentohen raste që shkojnë deri në 11-12 vjeç. Një studim i këtij instituti në vitin 2005 paraqet një nivel prej 3.5 për qind të rasteve të shtatzanisë së padëshiruar tek vajzat nën 18 vjeç. ISHP-ja u shpreh e kënaqur kur 5 vjet më vonë, si pasojë e rritjes së ndjeshme të përdorimit të mjeteve kontraceptive,  u arrit që kjo shifër të ulej tashmë në 3 përqind. Në fakt ISHP-ja mbetet tek interesi për pasojat e shëndetit fizik, në një kohë që në të vërtetë problemet e shëndetit social, moral e psikologjik nuk zgjidhen dot me përdorimimin e prezervativit.

Kriza e familjes

Shoqëria shqiptare ka shfaqur tashmë një gamë të gjerë problemesh jopak tragjike, gjatë këtij procesi modernizues. Shtimi marramendës i divorceve, të shkaktuara nga një problematikë që jorrallë stimulon edhe konfliktualitet e krim në familje, janë shenjat më të dukshme të tronditjes së thellë të marrëdhënieve në çift, të cilat përbëjnë themelin e familjes. Zëra të shumtë nga organizatat joqeveritare shprehen se familja sot është streha më e pasigurtë për shumicën e grave, pasi është vendi ku ndaj tyre ushtrohet dhunë më shumë se kudo. Të njëtën krisje kanë pësuar edhe marrëdhëniet ndërmjet brezave, duke përfshirë ato prind-fëmijë dhe ato që kanë të bëjnë me brezin e vjetër.

Transformimet që po pëson shoqëria shqiptare lidhen kryesisht me atë që shumë sociologë e kanë quajtur defunksionalizim i familjes. Tadicionalisht, familja ka qenë institucioni që jo vetëm ka garantuar intimitetin, dashurinë dhe dhembsurinë ndaj individit, por ajo ka qenë gjithashtu njësia bazë e jetës ekonomike, politike, njësia bazë e strukturave shoqërore, institucioni më i rëndësishëm edukativ, arsimor, kulturor etj. Të gjitha këto, modernieti synon t’i plotësojë nëpërmjet institucioneve të tjera më masive të krijuara artificialisht prej shtetit apo organizmave të tjerë që veprojnë në suazat e hapësirës së krjiuar e kontrolluar prej tij. Bota moderne nuk shqetësohet më për strukturat sociale (siç është realisht edhe familja), por për individin. Kjo ka bërë që shumë njerëz të shkojnë deri aty sa të mos ngurrojnë ta shohin familjen si një barrë ekonomike, si pengesë për zhvillimin e individualitetit, qetësisë dhe lirisë personale, si një pengesë për karierën, si dhe si një përkushtim që na merr kohën tonë. Për pasojë, në shoqëritë industriale ndeshemi dendur me dukuri të tilla si ato të familjeve me një anëtar. Të dhënat flasin se në fund të shekullit që lamë pas, në shoqëri të zhvilluara si ajo britanike, thuajse një në çdo dy fëmijë të jeton me një prind.

Defunksionalizimi i familjes sjell shkatërrimin e elementëve shumë qenësorë të jetës sociale të njeriut. Zëvendësimi që organizmat e formalizuara, qofshin shtetërore, private apo të shoqërisë civile, i kanë bërë funskioneve të strukturave tradicionale kanë krijuar një handikap të madh në plotësimin e nevojave njerëzore. Asnjë organizëm i tillë nuk mund ta zëvendësojë rolin e institucioneve të tillë si familja, për vetë natyrën e saj dhe mënyrën sesi ajo ndërton shoqërizimin e anëtarëve. Defunksionalizimi i i saj ka dëmtuar rrënjësisht qenien sociale duke prodhuar vetminë dhe ankthin që karakterizon individin modern. Shumë sociologë gjykojnë që prej këtej buron edhe gama e madhe, jo vetëm e problemeve sociale që ka sot në botën moderne, por edhe ajo e çrregullimeve psikike, të cilat kanë tashmë një përhapje marramendëse.

Të gjitha këto, kanë kohë që kanë filluar të trokasin fort në dyert e shoqërisë shqiptare, duke kërcënuar të ardhmen e saj , e cila mund të jetë shumë herë më e vështirë se ajo që evidentohet në perëndim, po të kemi parasysh nivelin shqiptar të standadeve ekonomike, kulturore e shoqërore. E keqja është se shumica e intelektualë nuk po i dëgjojnë siç duhet këto trokitje, duke i konceptuar si ritme muzikore. Ajo që mund të vërejmë tek një pjesë e mirë e sociologëve, psikologëve dhe punonjësve soc ialë, është mungesa e rigorozitetit shkencor në shpjegimin e dukurive. Shumica e tyre nuk ka të qartë pikëpamjet bazë në fusha të tilla, gjë që i bën analizat e tyre të zveshura nga çfarëdo premise teorike koherente. Në këto kushte, është e domosdoshme që përvoja e huaj të merret në analizë, në mënyrë që të mos përsërisim të njëjtat gabime. Gjithashtu, është e nevojshme që bota akademike të orientojë analizat e saj në termat e duhur për të shkuar drejt orientimeve të efektshme. Kjo kërkon fillimisht zhvillimin e dijeve mbi këtë fushe, të cilat kërkojnë që analizat të mgrihen mbi kryqëzime të kujdesshme të paradigmave kryesore sociologjike, në mënyrë që të qartësohet më mirë sfondi teorik mbi të cilin do të mund të ngrihet shpjegimi i realiteteve. Shoqëria shqiptare është ende në kohë të reflektojë mbi problemet e saj, pa i lënë ato të agravohen dhe të bëhen të pashërueshme.

Comments

  • Asnje koment, e? Kush merakoset, mer? Keto jane gjera pa rendesi, teorira intelektualesh, epifenomene pa peshe, merak qe kalon, se kujdeset dovleti, ojq-te, “ata”… Me mire t’i sulemi ne gryke vellait e motres per akide te dyshimte. Ncncnc.

  • kjo eshte teme qe shume e rendesishme qe ka nevoje per me shume dhe me shpesh vemendje nga muslimanet, sepse edhe ata shpesh vuajne nga shume prej problemeve qe vuan shoqeria e sotme moderne nderkohe qe ata duhet te krijone nje model tjeter model te familj te shendosh te bazuar mbi modelin islam.

  • Qe besa,modeli i familjes te bazuar mbi modelin islam asht me t vertet ma i shendoshti-nji burr me kater gra dhe nji dyzin femijsh.

    • Shaja, besoj se askush qe komenton ketu nuk ka kater gra dhe nje dyzine femijesh, ndaj mos fol per realitete hipotetike. Gjithmone kur flitet per Islamin, ne opinionin publik, nuk flitet per ate cfare eshte, por perate cfare mund te jete. Ne qoftese Islami e lejon poligamine, kjo nuk do te thote se modeli i familjes muslimane eshte ai i familjes poligame. Perkundrazi, modeli me i perhapur i familjes ne te gjitha shoqeriet muslimane, edhe ne ato vene qe jane kulturalisht poligame, eshte ai i familjes monogame. Lejueshmeria nuk perben standardin e dickaje.
      Perpiqu te clirohesh nga stereotipet se te pengojne shume ne jete.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *