Loela Xhafa

Para dy javësh, gjatë diskutimit të draftit per arsimin parauniversitar, në komisionin e arsimit u thirrën përfaqësuesit fetarë të katër komuniteteve kryesore në vend për të diskutuar rreth mundësisë së futjes së lëndëve fetare në arsimin parauniversitar. Për aq lajm sa raportuan mediat kuptuam se përfaqësuesit e katër komuniteteve njëzëri përcuan idenë e futjes së lëndës fetare dhe lejimin e simboleve fetare në shkolla, ndërsa ndeshën në kundërshtimin e menjëhershëm të kryetares së këtij komisioni, zonjës Leskaj. Nuk u kuptua se cfarë priste zonja Leskaj të dëgjonte nga përfaqësuesit e komuniteteve fetare, kur kundërshtoi me forcë propozimin e tyre.

Zonja Leskaj dhe mbështetësit e laicizmit të kësaj forme duhet ta kishin kuptuar me kohë se ky është një argument ku ata nuk mund të mbështeten për një kohë të gjatë. Nuk e dimë kush është premisa, por nëse nisen nga premisa ateiste, atëherë detyra e mbajtur stonon edhe me laicizmin e shumëmbrojtur deri në keqfunksionim të saj. Nëse nisen nga premisa tashmë trend e islamofobisë, apo nga fobia e shumicës muslimane të Shqipërisë, të cilën e mohojnë, por vazhdojnë ta besojnë se ekziston, atëherë politikbërësit dhe qeveritarët tanë nga rangu më i lartë në atë më të ulët duhet të kuptojnë, se është më mirë të gjejnë alternativa bashkëpunuese e  mirëkuptuese, në vend të së kundërtës. Nuk mund të vazhdojnë të dëmtojnë më gjatë një pjesë të gjerë të popullatës, së cilës kanë detyrë t’i krijojnë kushtet për jetesë normale dhe arsim pa frustrim. Po natyrisht, mësimi i lëndëve fetare në shkolla duket i rrezikshëm për kallëpin jopërkrahës të kësaj ideje, se do të shembte zhurmshëm ngrehinën e kalbur të gënjeshtrave, që vazhdojnë të përcudnojnë mendjet e nxënësve dhe të rinjve në tekstet aktuale të shumë lëndëve shoqërore në shkollat tona. Por me sa duket kjo nuk shqetëson më askënd.

Argumenti me të cilën zonja Leskaj u paraqit ne median vizive ishte se:

Shkolla shqiptare, arsimi, është laik dhe duhet të mbetet laik. Duhet te kemi parasysh që flasim për një kategori parauniversitare që ka të bëjë me një grupmoshë, e cila nuk është në zotësi për të marrë vetë vendimet e pavaruar.

Kur komunitetet fetare parashtruan kërkesën e tyre, sigurisht që e kishin parasysh shumë mirë se për c’kategori moshe bëhej fjalë. Shkurtimisht, bëhet fjalë për një kategori moshe shumë të predispozuar për të marrë ndikime negative në shkolla të tejmbushura me mangësira nga arsimi fillor deri në atë të lartë. S’po prekim skandalet në arsim, sic i zbulojnë pareshtur gazetat shqiptare e vecanërisht ato të opozitës ku bën pjesë zonja Leskaj. Ndërsa zotësia për të vepruar është vetëm aspekti juridik i trajtimit të cështjes, por jo edhe aspekti social-psikologjik i nxënësit dhe feja synon t’i vijë në ndihmë kësaj të fundit.

 

Por të gjithë e dijmë shumë mirë se ligji parashikon që vendimet për këtë grupmoshë i merr prindi ose kujdestari ligjor dhe do të ishte absurditet që shkolla t’i kundërvihej nxënësve të vet apo prindërve të tyre pa argument bindës dhe në kundërshtim me misionin e vet si institucion edukimi, aq më tepër që synimet e ligjit supozohet të jenë me perspektiva afatgjata dhe në dobi të formimit të njeriut. Në fakt, ai ka dështuar që në embrion, kur privon nxënësit nga e drejta e informimit në këtë fushë të rëndësishme shpirtërore.

 

Nuk ka prind që i do të keqen fëmijës së vet apo nuk do të dëshironte të ndihmohej në edukimin e fëmijës dhe kjo gjë nuk mund të bëhet duke cunguar një komponent të rëndësishëm të jetës shoqërore, sic është feja.

Politikanët tanë të mos transmetojnë deficencat dhe boshllëqet e formimit të tyre shpirtëror nën diktaturë, që as masterat apo doktoraturat brenda dhe jashtë vendit, nuk po arrijnë t’i mbushin dot.

Emigrimi masiv i shqiptarëve dhe hapja me botën solli padyshim edhe risi e burime pafund informacioni. E meqenëse jemi në sferën e diskutimit të arsimit fetar, të gjithë e dijmë shumë mirë se në shtetin fqinj Itali, zhvillohet rregullisht mësimi i fesë katolike në shkollat fillore, ndjekja e orëve të të cilit nuk është me detyrim dhe njëherë që vendos ta ndjekësh, pajisesh me vlerësimin përkatës. I njëjti shembull vlen edhe për Gjermaninë, ku përvec mësimit katolik, ka disa vite që në disa lande të saj është futur edhe mësimi i besimit islam për fëmijët e këtij besimi. Sociologët, psikologët dhe punonjësit social në Gjermani e panë këtë të domosdoshme për mbarëvajtjen shpirtërore, shoqërore e integruese të fëmijëve me besime të ndryshme, si dhe të mbarë shoqërisë në përgjithësi. Do të ishte e kotë të vazhdonim me shembuj të tjerë.

Po ashtu ky komision duhet të kuptojë se përfaqësuesit e komuniteteve fetare përcojnë zërin e besimtarëve të tyre, që nuk kanë zbritur nga hëna dhe nuk duhen parë vetëm si subjekt potencial votash, por si njerëz të cilët ata kanë për detyrë t’i shërbejnë në mënyrën më të mirë.

Është për t’u përshëndetur mbështetja që përfaqësuesi ortodoks i dha përshfaqjes së simboleve fetare, si një e drejtë që nuk prek laicitetin.

Me shumë gjasa, sot në Shqipëri  me simbole fetare kuptohet ekskluzivisht shamia muslimane dhe një zë i tillë na jep krahë për një mirëkuptim të feve të tjera zyrtare në Shqipëri rreth këtij problemi, sepse shamia, ndonëse jo në përmasa obliguese si në fenë islame, është pjesë e rëndësishme e devocionit të tyre fetar.

Besoj se një dialog për cështje të ndryshme fetare që i përkasin komunitetit besimtar të të gjitha feve mund të fillojë pikërisht tek pikat e përbashkëta dhe një unifikim qëndrimesh në cështje me interes të përbashkët do të bënte që zëri i tyre të dëgjohej më fort.

Comments

  • Paqe e urtësi mbi ata që besojnë. Nuancat e besimeve janë kundërpërdorur me kohë nga babëzia e tundimi material i Parive të kalbura Politike. Qendrimet janë rrjedhshëm të njësuara. Zbritjet përmes të Dërguarve janë barrë e rëndë edhe për më të prishurit e Parive Fetare. Sot dështimi e bjerrja e Fesë Materiale po qartësohet. Në kënetën politike vendore ka Kalorës të Mbramë e të Ricikluar të Ateizmit. Shqiptarët nuk duhet të paguajnë ende krimin dhe kalbjen shoqërore me kamatvonesën brezit të 1967. Ka bereqet në këtë bashkëpunim. Ndjesë për postimin me gabime.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *