Nga Beqir Sina

 

NEW YORK, NY: Shtëpia botuese Logos-A në Maqedoni ka shtypur para disa kohësh një përmbledhje shumëvëllimëshe me shkrimet dhe përkthimet e Imam Vehbi Ismailit, i cili ka qenë udhëheqës i njohur i komunitetit mysliman shqiptar në Shtetet e Bashkuara.

Ditën e premte, datë 4 maj, Komuniteti Musliman Shqiptar organizoi në mjediset e Qendrës Kulturore Turke, në New York, promovimin e veprës së plotë 1- 8 volume, të kolosit të letrave shqipe, Imam Vehbi Ismailit, në bashkëpunim me Shtëpinë Botuese ‘Logos-A’ (me qendër në Shkup).

Aktivitetin e hapi me një lutje fetare dhe e bekoi sipas ritit fetar musliman Imam Edin Gjoni (nga Qendra Islame Shqiptaro-Amerikane në Queens), i cili më pas vlerësoi punën e bëre nga Imam Vehbi Ismaili. Ai duke sjellë pjesë nga leximi i veprave të tij tha se qysh kur ishte fëmijë, ishte frymëzuar nga këto vepra për t’u bërë hoxhë dhe i kishte mbaruar studimet fetare në të njëjtin universitet si Imam Vehbi Ismaili, në Ezher të Egjiptit.

Këtë promovim mbresëlënës e drejtoi zoti Armir Taraj, ndihmës-sekretar i Qendrës Islame Shqiptare të Nju Jorkut e Nju Xhersit dhe kontribues i Examiner.com, i cili tha se “në vazhdën e promovimit të veprave të Imam Vehbi Ismaili-t, në Chicago, Philadelphia dhe New Jersey jemi mbledhur tani në New York, që të bëjmë promovimin e këtyre veprave. Kështu e kemi konceptuar që edhe në këtë qendër të njohur shqiptarësh në SHBA, të bëjmë të njëjtën gjë”.

Për organizimin e tubimit, ai falenderoi Qendrën Kulturore Turke në New York, që “na mirëpriti me këtë promovim duke na hapur dyert e saj” si dhe imamët e qendrave islame shqiptare në New York dhe shtetet përreth tij, që ishin të pranishëm dhe që kontribuan në promovimin e veprës së Imam Vehbi Ismailit në qendrat e tyre gjatë aktiviteteve paraprake.

Ndërsa studiuesi dhe teologu i njohur nga Kosova, Prof. Elez Osmani, ish gazetari i Televizionit të Prishtinës, duke falenderuar për këtë organizim, mes të tjerash u ndal në punën dhe veprën e Imam Ismailit në vite, duke cituar: “… se Imam Ismaili është personaliteti i rrallë, i cili u dallua jo vetëm si udhëheqës fetar por edhe si patriot e atdhetar e flaktë”… për këtë tha zoti Osmani mjafton të lexosh veprat e tij – dhe kudo ke për të mësuar më shumë së çfarë bëri Imam Vehbi Ismaili për fe, komb e atdhe.

Aktori i Xhevat Limani në mënyrë mbresëlënëse interpretoi disa pjesë nga poezitë e Imam Vehbi Ismaili dhe lexoi disa pasazhe nga veprat e tij.

Mbas fjalës së tij foli Prof. Dr. Zekria Ibrahimi, një nga drejtuesit e projektit të botimit të kësaj vepre pranë shtëpisë botuese Logos-A. Aktivitetin e përshëndeti edhe përfaqësuesi i Shtëpisë Botuese ‘Logos-A’, z. Afrim Gashi, gjithashtu kryeradaktor i Revistës Shenja, i cili pasi  falënderoi për mikpritjen, theksoi rëndësinë e veprave të Imam Ismailit dhe mesazhin e lartë që përçojnë ato. Duke lexuar një kumtesë rreth jetës dhe veprës së Imam Ismailit, ai tha se: “Vehbi Ismaili lindi në Shkodër më 25 nëntor të vitit 1919, në një familje të njohur fetare islame. Babai i tij Haxhi Ismail Hakiu, ishte njëri prej dijetarëve të njohur të Shkodrës dhe i respektuar në tërë qytetin. Biblioteka e tij kishte mijëra libra në gjuhën arabe, turke dhe persiane” .

“Imam Vehbi Ismaili është personaliteti i shkencës Islame e autori i mbi 30 veprave. Kryetar i komunitetit Musliman në Michigan, në SHBA”, tha zoti Gashi. “Jeta e tij është e mbushur me vepra për fenë e vendlindjen, atdheun e tij të cilin gati prej 6-të dekadash e ka dëshiruar dhe që, vazhdimisht nga larg ndjente mallin e tij. Imam Ismaili u lind në Shkodër, më 28 nëntor 1919, në një familje intelektuale, qytetare shkodrane. Ai ndërroi jetë në nëntor të 2008-s, pasi arriti më në fund ta shihte atdheun përsëri pas rënies së komunizmit”.

Dr. Gjon Buçaj kryetari i Federatës PanShqiptare VATRA, duke falenderuar organizatorin për këtë promovim dhe ftesën për pjesëmarrjen e vatranëve, u ndal në vlerësimin e figurës së Imam Vehbi Ismailit, veçanërisht në atë të bashkëpunimit ndërfetar në komunitet. Ndër të tjera, ai përmendi raste interesante, ashtu si e kishte njohur ai Imam Vehbi Ismailin në mërgim.

Më pas, fjalën e morën me nga një përshëndetje rasti kryeredaktori i “Diellit”, Dalip Greca, Prof. David Avdul, një shqiptaro-amerikan I gjeneratës së dytë i cili e njihte personalisht familjen e imam Vebhi Ismailit, dhe shkrimtari i njohur Naum Prifti.

Imami i Qendrës Islamike Shqiptaro-Amerikane, në Garfield, Rifat Halili tha pas kësaj veprimtarie se: “E veçanta e botimit të veprave të Imam Vehbi Ismailit për diasporën është se ato i rikthehen, i rilidhin dhe i rikujtojnë atë të mirë esenciale që diaspora shqiptare ka bërë për popullin në kohën më të vështirë, kur feja ka qenë hermetikisht e ndaluar në Shqipëri, gjatë sundimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës”.

“Veprat e Vehbi Ismailit janë një nder që po i bëjmë me botimin e tyre në diasporën shqiptare, një vlerësim për mundin dhe sakrificën që ka bërë për popullin shqiptar dhe për fenë që i përkiste në konceptin e fesë Islame në përgjithësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Me këtë rast botuesi i këtyre veprave u dhuroi shkrimtarit Naum Prifti dhe artistit Xhevat Limani nga një komplet me tetë veprat e Imam Vehbi Ismailit. Aktiviteti u mbyll me shumë mirënjohje e entuziazëm nga të pranishmit, për të cilët u shtrua edhe një kokteil, po në mjediset e Qendrës Kulturore Turke, në New York.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *