Fuqia e dhënies pa kushte





Imam Halid Latif*

Një histori që më kanë treguar kur isha më i ri ka të bëjë me një grua që përshkruhet më mirë si një udhëtare. Udhëtimet e saj e çonin në të gjithë botën dhe në një rast ajo e gjen veten duke kaluar përmes disa kodrave dhe një pylli. Ndërsa është duke ecur ajo mbërrin tek një përrua, ujin e të cilit e përdor për t’u pastruar. Duke u larë ajo dallon në fund të përroit një xhevahir që shkëlqente të cilin e merr, e inspekton, dhe e vendos në çantën e saj të shpinës para se të rinisë rrugën e saj.

Pas disa kohësh ajo takon një udhëtar tjetër të cilit nuk po i ecte aq mirë. Ai ka nevojë për ushqim e pije dhe i lutet kësaj gruaje që ta ndihmojë. Ajo hap çantën për të kërkuar diçka për t’i dhënë dhe ai sheh gurin e çmuar. Ai e pyet gruan nëse ajo mund t’ia falë atij dhe ajo pa asnjë hezitim ia jep. Burri është shumë i entuziasmuar dhe vrapon për tek qyteti më i afërt duke menduar sa i pasur do bëhet ai tashmë.

Disa ditë më pas ai kthehet tek të njëjtat kodra duke kërkuar për gruan. Kur e gjen, ia kthen xhevahirin dhe i thotë që nuk i duhet më. Gruaja është e hutuar dhe i thotë që ai ishte shumë i lumtur me këtë gur, dhe bëhet edhe më e hutuar kur ai i thotë se ajo ka diçka tjetër që ai do. “Unë jam një grua e thjeshtë dhe nuk kam shumë gjëra. Çfarë mund të kem unë që ti mund të dëshirosh?” Ai përgjigjet, “Merre mbrapsht xhevahirin tënd – nuk e dua më. Ajo që dua është ajo çka është brenda teje që të bëri ty të ma japësh këtë gur.”

Profeti Muhamed, paqja qoftë mbi të, ka thënë: “Pasuria nuk vjen nga të pasurit gjëra me shumicë mbi tokë, por pasuria vjen nga të pasurit një shpirt të pasur.”

Kënaqësia që buron nga shërbimi dhe dhënia ndaj të tjerëve është diçka e pakrahasueshme. Realiteti, fatkeqësisht, është që shumë nga ne nuk arrijnë të shohin se ne kemi diçka për të dhënë. Në një kohë kur egoizmi është bërë më normal se vetëmohimi, shumë nga ne nuk po japim nga koha jonë, pasuria jonë, apo çfarëdo gjëje që ne kemi potencial tu japim të tjerëve. Ne shohim atë që ne do humbasim në vend të asaj që të tjerët do fitojnë dhe kjo kthehet në motivacionin tonë kryesor. Një mungesë figurash rreth nesh që do demostronin cilësitë e vetëmohimit e bën edhe më të vështirë kuptimin nga ana jonë se dhënia është një cilësi që duhet përqafuar. Ata që humbasin më së shumti nga kjo gjë jemi vetë ne.

A ke shpenzuar ndonjë orë duke shërbyer ushqim në një kuzhinë për të varfërit? Apo një javë duke udhëtuar në një zonë të goditur nga fatkeqësitë natyrore për të rindërtuar shtëpitë, pastruar parqet, apo thjesht për t’u treguar atyre që kanë humbur kaq shumë se gjërat do rregullohen? Kryerja e këtyre veprave në shumicën e rasteve do ndezë një dëshirë për të bërë më tepër sepse shpërblimi nuk është një fitim i prekshëm, por i brendshëm. Ti jo vetëm e sheh, por edhe e ndjen ndryshimin që mund të bëjë një orë e vetme. Imagjino se ç’mund të bëjnë dy apo tre orë.

Maimonides, një dijetar dhe mjek Hebre i shekullit të 12-të, shkruante për Tetë Nivelet e Dhënies Bamirëse, ndërsa Imam Al-Gazali, një dijetar shumë i njohur mysliman i cili vdiq në fillim të viteve 1100, shkruante rreth Dimensionit të Brendshëm të Dhënies. Të dy konsiderohen si liderë të mendimit, intelektualë dhe ringjallës të traditave të tyre respektive, dhe të dy e njohën dhe e përqafuan rëndësinë e dhënies ndaj tjetrit. Kjo ide nuk është pronë e ndonjë tradite fetare të caktuar, ama shumë prej tyre, në mos të gjitha, e theksojnë atë duke qenë se është gati e pamundur të arrish potencialin tënd të plotë si një qenie njerëzore nëse ti mendon vetëm për vete.

Dhënia ime duhet të jetë pa kushte sipas mundësive të mia. Unë nuk duhet më parë të shikoj nëse dora që është zgjatur drejt dorës sime ka të njëjtën ngjyrë apo origjinë si unë, apo nëse personi në nevojë duket si unë, mendon si unë, apo beson si unë. Që të arrij deri atje unë duhet të filloj të bëj. Pyete veten me ndershmëri, “Çfarë i kam dhënë dikujt ditën e fundit, javën e fundit, apo muajin e fundit?” Fillo me hapa të vegjël dhe dhuro një orë nga java jote, ose një ditë nga muaji yt për t’u shërbyer të tjerëve. Kurse disa dollarë çdo ditë me qëllimin e vetëm për t’ia falur dikujt në nevojë, qoftë nëpërmjet një organizate, një kutie ndihmash, apo një personi që e sheh në rrugë. Dhënia jote, edhe nëse e vogël në sasi, mund të ketë një efekt të madh për të dy juve, njeriun të cilin ti do ndihmosh sot, dhe personin i cili ti do jesh nesër.

 

Imam Halid Latif është një imam universitar (chaplain) për Universitetin e Nju Jorkut dhe Drejtuesi Ekzekutiv i Qendrës Islame të Universitetit të Nju Jorkut.

Marrë nga Huffington Post

Përktheu A.T.

Comments

  • Faliminderit per kete artikull te shkelqyer.

    Kisha nje pyetje, qe mori sebeb nga disa koncepte ne artikull, e cila i drejtohet mundesisht nje hoxhe apo imami. Desha te di cili eshte qendrimi i akides dhe jurisprudences islame lidhur me lejueshmerine e perfshirjes se muslimanit ne bashkepunime me pjesetaret e feve te tjera ne projekte qe synojne te miren e perbashket te shoqerise, psh permiresimin e arsimit, mjedisit, nivelit te jeteses e te ngjashme. Me konkretisht, a nenkupton bashkepunimi me ta per keto nisma bashkesore nje miratim te akideve perkatese? Shpresoj ne pergjigje te bazuar ne tekste fetare e jo thjesht ne opinion te logjikes se shendoshe, sipas te ciles pergjigjet ndaj ketyre pyetjeve jane me se te qarta. Ju faleminderit paraprakisht.

    • Titus, shpresoj qe nje nga hoxhallaret qe shkruajne ne kete blog te mare persiper te pergjigjet. Gjithsesi, eshte e mirenjohur qe Profeti Muhamed ka folur rreth aleances qe eshte bere perpara shpalljes se Islamit nga idhujtare per te mbrojtur ata vizitore te Mekes qe nuk kishin mbrojtje dhe tha se nese do mblidhej nje aleance e tille ne kohen e tij ai do i bashkangjitej nje aleance te tille. Ulemate kane nxjere nga kjo se myslimanet jane te nxitur te marin pjese ne aleanca me njerez te feve te tjera ne promovimin e se mires.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *