Ndalimi i Imamit dhe njeriu i ri





Fitim Zekthi

Më shumë se 20 vjet nga rënia e regjimit komunist, njeriu i ri i sendërtuar  përgjatë gjysëm shekulli (në kudhrën e markësizëm-leninizmit siç ishte shablloni) vijon  ende, jo thjesht, të ketë zërin e tij, por në shumë raste të përkufizojë zhvillimet e sotme. Kjo vihet re gjithandej ku buis mospranimi i demokracisë, i lirisë dhe të drejtave njerëzore, mungesa e thellë për respektin e dinjitetit të njeriut e deri tek vetë jeta. Në shumë raste ka madje moskuptim të sistemit dhe sjelljet duken thjesht dhe vetëm zgjatime të kohës së shkuar. Rastet do të donin rreshta kilometrikë, por një nga tipiket është ai dy ditëve më parë në gjykatën e Tiranës. Një gjyqtar ka vendosur të mos lejojë të hyjë në një xhami imamin e saj Lulzim Plloçi. Gjyqtari thotë se “Lulzim Plloçi nuk lejohet të hyjë në xhaminë tek medreseja, por mund ti kryejë ritet fetare në një prej xhamive të tjera, nga të cilat Tirana ka plot”.

Ka disa kohë që në shtyp është raportuar se komuniteti mysliman ka larguar nga Xhamia e Medresesë imamin Plloçi dhe ka emëruar atje dikë tjetër. Besimtarët nuk pranojnë imamin e ri që u ka çuar komuniteti dhe gjatë kohës së faljeve i kërkojnë ish-imamit Plloçi ti drejtojë ai. Komuniteti mysliman ka kallëzuar në polici ish-imamin. Ky është thirrur në polici, madje disa herë, nga zyra e antiterrorit, e cila i ka kërkuar që të largohet në një kohë që ish-imami nuk ka penguar imamin e emëruar rishtaz. Besimtarët nuk pranojnë imamin e ri t’i drejtojë ai në ritet fetare. Policia pa vendim gjykate thërret dikë, një figurë të fesë, dhe i kërkon që të largohet nga drejtimi i besimtarëve, – sipas imamit, – edhe duke e fyer gjatë bisedave apo  treguar se çfarë të veshë dhe çafrë jo.

Pa u zgjatur. tashmë ka ardhur edhe vendimi i gjykatës. Ajo e ndalon imamin të shkojë në xhami. Gjyqtari ka marrë atributet e parlamentit dhe ka shkruar një ligj të ri, në fakt një paragraf të ri të kushtetuës së vendit: atë të lirisë së besimit dhe të shprehjes së tij. Gjithashtu gjyqtari, duke u shndërruar në parlament ka rrëzuar njohjen që Shqipëria i ka bërë kartës së të drejtave të njeriut. Veç kësaj gjyqtari ka vendosur se cili është roli i shtetit në rregullimin e çështjeve të besimit. Ai ka përkufizuar kështu edhe se çfarë është laiciteti ose ekziston ai  apo jo. Zgjedhja e imamit në një xhami ose zgjedhja e njeriut që do t’u prijë besimtarëve në kryerjen e riteve fetare është një çështje shumë e rëndësihme në besimin islam. Imami dhe besimtarët gjatë riteve funkionojnë si një trup.

Që prej vitit 1944 e deri në vitin në vitin 1967 shteti komunist i asaj kohe e pa fenë si armik dhe në kisha e xhami ajri i rëndë i frymës së tij largoi imamë, priftërinj, meshtarë, djakonë e çfarëdo lloj shërbyesi tjetër dhe emëroi të tjerë. Ishte shteti komunist kreu i doktrinës dhe kreu institucioneve fetare. Në atë kohë shteti komunist madje edhe kërkoi t’a ndante kishën katolike nga Vatikani, të themelonte një kishë katolike shqiptare.

Kjo frymë vijon dhe u shfaq në vendimin e gjyqtarit që urdhëroi moslejimin e imamit të hyjë në xhami. Mbi imamin nuk ka asnjë akuzë për dhunë, nuk ka akuzë penale për asgjë, madje komuniteti mysliman e ka në dispozion si “kuadër”, siç i quan ai me gjuhën e vet. Gjykatat shqiptare në tërësi ende nuk kuptojnë se çfarë janë liritë fetare edhe vuajnë të menduarit me partishmërinë proletare të  njeriut të ri. Liritë fetare janë të liri dhe të drejta themelore dhe janë të shenjta për çdo vend laik. Demokracia liberale i mbron ato me shumë forcë dhe ato prevalojnë mbi shumëçka.

Rreth dy vite më parë, një gjykatë në Nju Xhersi thirri për dëshmitar një një myfti gjatë një çështjeje ku diskutohej grindja mes dy bashkëshortëve myslimanëve. Gjykata duke iu referuar amandamentit të parë të kushtetutës amerikane për lirinë e shprehjes dhe atë të besimit, mori vendimin duke marrë parasysh se çfarë thoshte besimi islam mbi atë çështje. Gjyqtari Mark Martin i Gjykatës Supreme të Karolinës së Veriut refuzoi të dënojë  Talaag Elbayomy një i ri mysliman që kishte rrahur një ateist, Ernie Perce, teksa ky po ecte në rrugë i veshur si një zombi e profetit Muhamed. Gjyqtari tha se Talaag Elbayomy ishte i detyruar ta bëntë këtë për shkak të besimit të tij dhe se Ernie Perce nuk duhet të provokojë dhe fyejë  fenë e askujt pavarësisht se është ateist. Ky nuk është një shembull për të thënë i padituri bëri mirë që qëlloi, por për të thënë se gjykatat e quajnë aq të shenjtë lirinë fetare sa ajo prevalon mbi shumëçka, përndryshe gjyqtari do e dënonte.  Raste të tilla ka shumë por rasti më i fuqishëm është ai i gjykuar nga Gjykata Supreme e SHBA më shumë se një vit më parë.

Ishte çështja Snyder vs Phelps  në të cilën babai i një marinsi të vrarë në luftë Mathew Phelps kishte paditur kishën lokale në Westboro të Maryland-it. Pastori i kishës kishte mbledhur grigjën e krishterë dhe familjarë të tij dhe ditën e varrimit të marinsit protestoi me pankarta kundër homoseksualitetit. Pastori dhe grigja mbanin parulla ku thuhej “ Amerika po bëhet gay”, “Zoti po jep dënimin etij për ushtarët tanë” “Falemnderit Zot për mësimin që po na jep” etj etj.  Thirrjet e pastorit dhe grigjës bëheshin gjatë funeralit dhe ngjitur me kortezhin duke i terrorizuar familjarët e marinsit të ndjerë.  Pastori e ndërmori këtë hap ndaj qëndrimeve të presidentit Obama që i lejoi homoseksualët të shërbenin në ushtri. Të gjitha gjykatat vendosën pro kishës dhe çështja mbërriti në Gjykatën Supreme. Gjykata Supreme vendosi 8 me 1 në favor të kishës duke u shprehur se liritë fetare janë mbi gjithçka. Kisha, tha gjykata, ka të drejtë të ketë zërin e saj dhe kjo do të respektohet. Besimtarët po veprojnë në përputhje me atë që iu thotë besimi i tyre. Votuan pro në gjykatë katër anëtarë liberalë dhe katër anëtarë konservatorë. Pra ishte një qëndrim parimor për liritë fetare.

Kushtetuta jonë parashikon po atë që parashikon kushtetuta e SHBA-së për liritë fetare, siç në fakt bëjnë edhe karta e të drejtave të njeriut, por edhe kushtetutat e të gjitha vendeve demokratike.  Në Gjykatën e Tiranës veprohet sikur jemi në republikën e 11 janarit të vitit 1945. Gjyqtari nuk do t’ia dijë se çfarë është një besimtar, çfarë  është liria fetare dhe çfarë është një imam, prift apo shërbestar tjetër. Ai e mendon fenë si një gjë që e di shteti.   Veç kësaj gjykata në Shqipëri vendos nëse mund të hysh ose jo në xhami apo kishë. Kjo është e tmerrshme. Tani gjykata mund të vendosë edhe nëse mund të mbash agjërim apo të ngjyrosësh vezët për pashkë.  Fakti që komuniteti mysliman bën marrëzira dhe heq e vë imamë sipas “tablosë sinoptike” që i shfaqet apo sipas mënyrës që ai e sheh këtë nuk është argument për gjykatën. Për gjykatën argument është kushtetuta, konventat e të drejatve të njeriut dhe ligji.

Kisha ortodokse autoqefale e Shqipërisë ka rreth njëzet vjet që nuk e heq drejtuesin e një kishe në Elbasan, At Nikolla Markun. At Nikolla Marku mendon se kisha që ai drejton është kisha e vërtetë autoqefale dhe besimtarët e kësaj kishe ndjekin atë.  Ai dhe besimtarët nuk ndjekin atë që i thotë kisha ortodokse autoqefale shqiptare që drejtohet nga hirësia e tij Janullatos, përkundrazi i kritikon ata për të shitur, për devijim, të pafe etj. etj.  Mos duhet gjykata e Tiranës të nxjerrë një urdhër që At Nikolla Marku, një shërbestar i dashur dhe shumë i respektuar në Elbasan të largohet dhe të mos futet në kishë  si imami Lulzim Plloçi?!  Do ishte marrëzi, do ishte diktim i shtetit se kë duhet të kenë besmtarët për drejtues të grigjës së tyre.

Në vitin 1800 pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA u zhvillua një debat shumë i ashpër mbi presidentin pasi rezultati ishtë shumë i ngushtë. Presidenti në detyrë John Adams kishte kritikuar kandidatin rival Thomas Jefferson (dy prej themeluesve të kushtetës amerikane dhe dy prej etërve të atij kombi) se ai ishte shumë sekularist dhe do të ndërhynte në çështjet fetare. Thomas Jefferson i shkruan një letër një grupi besimtarësh të trembur nga fjalët e presidentit Adams. Ajo letër (Danbury Letter) është që prej asaj kohe simboli i laicitetit dhe si e tillë studiohet ende, është simboli i kufirit mes shtetit dhe fesë. Në atë letër Jefferson thotë: “do të ngre një mur të padepërtueshëm ndarës mes shtetit dhe fesë, shteti nuk do përzihet aspak në çështjet e fesë”.  Kjo më pas u mishërua në amandamentin e parë.  Këtë gjë e kanë të mishëruar të gjitha kushtetuat në perëndim. Nuk ka gjytqtar në botë sot të ndalojë hyrjen e një njeriu, e jo më një kleriku, një kishë apo xhami e sinagogë, nuk ka gjykatë sot ti tregojë besimtarit apo kujdto se ku  mund të zhvillojë ritet fetare.

Në Shqipëri debatet mbi liritë fetare janë të paqena edhe për faktin që njeriu i ri përkufizon termat e debatit, por ndoshta edhe termat e lirive fetare. Shoqatat e të drejtave të njeriut si komiteti shqiptar i Helsinkit apo grupe të tjera nuk duhet të kujdesen vetëm për tagjinë që marrin dhe çështjet që të çojnë tek tagjia.

Comments

  • Vendimi i gjykatës është i pa pranueshëm! Zëri i të gjithë muslimanve duhet të ndëgjohet lidhur me kete çeshte. Duhet një indinjatë dhe protestë masive nga ana jonë për papranueshmërintë e vendimeve të tilla! Duhet të kërkojmë që gjyqtari në fjalë jo vetëm të argumentojë vendimin e tij por edhe t’i nënshtrohet një kontrolli të brëndshëm për arbitraritet në vendimmarrje! Të kërkohet nga ana jonë pezullimi i tij dhe denigrimi publik për padrejtësi dhe abuzim me detyrën! Ky ësht një precedent i rëndë për historinë tonë demokratike. Jo vetëm muslimanët por besimtarët e të gjitha feve duhet të reagojnë dhe solidarizohen me imamin Plloçi!

  • Jo vetem zeri i muslimaneve, por i gjithe shoqerise. Kjo nuk eshte thejsht nje ceshte e muslimaneve, por eshte nje ceshtje qe ka te beje me standardin e lirive dhe respektitimit te dinjitetit njerezor ne kete vend. Gjykata nuk i ka shkelur lirine Imam Pllocit. Gjykata ka shkelur felliqshem kushtetuten duke peshtyre mbi dinjitetin njerezor te kesaj shoqerie.

  • Shume shkrim i mire z. Zekthi. Do kisha dy sugjerime, kur jepni shembuj konkrete, si psh nga drejtesia Amerikane, per te ilustruar argumentin tuaj, do ishte mire te jepnit dhe linkun e burimit qe kush do ta verifikoje vete lajmin.
    Dhe kur kerkoni mbeshtetjen apo reagimin e shoqatave te tjera, si Komiteti Shqiptar i Helsinkit, do ishte mire ta benit kete pa u permendur tagjine…

  • KMSH-ja ka genjyer prokurorine, sepse ka thene qe imam Luli ka penguar te kryhen ritet fetare. Ne te vertete ritet fetare jane kryer per bukuri. Besimtaret jane krejtesisht ne rregull me ritet qe kane kryer. Perkundrazi, nese do te ishin detyruar te falen mbas imamit qe nuk e duan, nuk do te ishin ne rregull, sepse edhe me fe eshte e ndaluar te hysh imam kur nuk te do xhemati. ka nje hadith qe thote se imamit qe u prin njerezve kur ata nuk e duan, nuk i ngrihet namazi as deri tek veshet.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *