E. Mërtiri

Dita e sotme, është shumë e dashur për fëmijët, të cilët mezi presin festimet e përcaktuara enkas për ta. Dhuratat, këngët, lodrat e argëtimet janë ato që do t’i shoqërojnë pjesën më të madhe prej tyre gjatë kësaj dite. Institucionet e arsimit parashkollor e tetëvjeçar janë zbukuruar sot, për t’ua bërë atyre sa më të gëzueshme festën dhe vëmendja e shoqërisë sot do të jetë më shumë se kurrë mbi ta.

Natyrisht, ndoshta asgjë më shumë se fëmijët nuk e meriton vëmendjen tonë, ndaj çdo aktivitet i zhvilluar për ta është i nevojshëm. Megjithatë, ashtu si çdo ditë përkujtimi, asnjë reflektim nuk pritet të ketë as sot. Përveç ndonjë organizate për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, e cila duket se më shumë prodhon ideologji mbi shoqërinë dhe rolin e individit në të, sesa sensibilitet mbi përmirësimin e saj, asnjë angazhim për reflektim e sensibilitet shoqëror nuk pritet të ndodhë. Askush nuk duket se ka vullnetin të ndalet dhe të tregojë se shoqëria jonë është një mjedis krejt i pashëndetshëm për rritjen e fëmijëve.

Sot, familjet shqiptare po shthuren dhe rrënohen në mënyrë progresive. Prindër të ndarë, të dhunuar, të alkolizuar, të paangazhuar siç duhet në familje, janë tashmë pjesë e përditshmërisë ku jetojmë. Familja shqiptare po bëhet gjithnjë e më shumë e paaftë të rrisë dhe edukojë siç duhet fëmijët. Gjithnjë e më pak ajo tërheq satisfaksionin, përkushtimin dhe solidaritetin prindëror duke u bërë gjithnjë e më shumë një vatër e parehatshme, një mjedis konfliktesh, tensionesh, pakënaqësish e mosmarrëveshjesh, në të cilat fëmijët rriten të traumatizuar dhe të deformuar. Gjithashtu, gjithnjë e më pak peshë kjo familje ka mbi edukimin e tyre, peshë që po e zëvendëson në mënyrë të pakonkurueshme televizioni dhe bota e konsumit, të cilët në fakt, janë në një nivel të frikshëm, prodhues epidemish masive shoqërore. Kjo vjen edhe për shkak se prindërit janë gjithmonë të gatshëm ta zgjidhin qesen për fëmijët e tyre, por nuk janë të tillë për të sakrifikuar nga vetja për edukimin e tyre, për të edukuar pikë së pari veten duke u çliruar nga egot, në mënyrë që të krijojnë mjedisin e nevojshëm për kultivimin e vlerave tek ata. Fëmijët janë të privuar më shumë se kurrë nga e drejta për të patur prindër të edukuar e të përkushtuar, si dhe një mjedis që i ushqen me modelet e duhura.

Fëmijët sot gëzojnë jopak të mira materiale, por gëzojnë shumë pak mundësi për t’u rritur në një shoqëri të shëndetshme. Ata sot nuk gëzojnë të drejtat për të pasur edukim të mirë, arsim të mirë dhe marrëdhënie të drejta shoqërore. Ata janë të llastuar e të dhunuar, të privuar e të velur, të rritur para kohe e të vonuar njëkohësisht, për shkak se modelet që shohin tek të rriturit nuk ofrojnë shembujt e duhur si dhe për shkak se shpesh bëhen zgjatime të ëndërrave, ambicieve, problemeve, tekave prindërore, ashtu si dhe produkte të çbanalncuara të mjeteve të komunikimit masiv.

Paradokset ku ata jetojnë janë të shumtë. Shohim psh. filma me kartona për fëmijë të moshave 5-10 vjeç, ku subjektet janë të mpleksura keqas me intriga e dashuriçka që nuk do të ishin të shëndetshme as për të rritur. Shohim gjithashtu figura të gazetarisë shqiptare që bëjnë emisione televizive për fëmijë, ku pyetja më e shpeshtë ndaj tyre është: “A ke zënë ndonjë të dashur?” Në një aktivitet në Pallatin e Kongreseve, të organizuar për fëmijët jetimë nga një shoqatë që kujdeset për ta, nuk mungoi edhe një program i ashtuquajtur “artistik” ku performoi për fëmijët – mbani frymën – Noizi, ikona e skandaleve të shoubizit të varfër shqiptar, simboli i vulgaritetit artistik dhe i promovimit të sjelljeve devijante që bluajnë subjektet e tyre nga jeta rrugaçërore e periferive të kryeqytetit.

Nuk mungojnë gjithashtu as shfaqje, pothuaj pedofilike, spektaklesh kërcimi ku fëmijët ekspozohen me veshje striptize aerobike apo belly dance, të cilat, në çdo vend të botës do t’u hapnin procese të rënda gjyqësore atyre që i organizojnë. Spektaklet e “gjenive të vegjël” mbushen me këngë nga Rihanna, Shakira, Lady Gaga, të cilat do të duhet ta kishin të ndaluar edhe vetëm ti dëgjojnë, e jo t’i këndojnë e interpretojnë. Në të vëtetë ata fëmijë do të duhet të jenë vërtetë gjeni, përderisa arrijnë të interpretojnë e përcjellin mesazhe sentimentesh kaq të huaja për botën fëminore.

Të gjitha këto nuk pritet ti kujtojë kush sot. Duke qenë një popull që lodhet ta vërë trurin në punë, ne i perceptojmë gjithmonë ditë të tilla si festë e aheng. Kështu bëjmë edhe në ditën e gruas, edhe me atë të rinisë, fëmijëve, e çdo gjë. Ne jemi një popull festëdashës. Si të tillë, mendimi dhe reflektimi na bezdis. Kjo e bën gjithmonë të pamundur të eleminojmë problemet, gjë që i bën groteske edhe festimet tona. Megjithatë, fëmijët kanë të drejtë të festojnë, sepse nuk është detyra e tyre të mendojnë për të gjitha këto. Eshtë detyra e prindërve që sot të mendojnë pak më shumë sesa për festimin dhe argëtimin e fëmijëve. Është detyra e prindërve, të rriturve, të mendojnë pak më shumë për veten e tyre dhe të përpiqen të kuptojnë se çfarë modeli u japin fëmijëve të tyre.