Katherine Stewart

Evangjelizmi në shkolla i Good News Club ka kohë që po shkel ndarjen e kishës nga shteti. Tani ata po justifikojnë vrasjen e pabesimtarëve.

Bibla ka mijëra pasazhe që mund të shërbejnë si frymëzim apo mësim-marrje. Jo të gjitha këto pasazhe janë të përshtatshme në të gjitha situatat.

Historia e Saulit dhe e Amalekitëve është një shembull për këtë rast. Nuk është një histori e bukur, dhe shpesh përdoret nga njerëz që nuk kanë në mendje të bëjnë gjëra të bukura. Në librin 1 Samuel (15:3), Zoti i tha Saulit:

“Tani shko, sulmo Amalekitët, dhe shkatërro gjithçka që u përket atyre. Mos i kurse ata; vriti burrat dhe gratë, fëmijët dhe foshnjat, dhentë e dhitë, gamilet dhe gomerët.”

Saul me përpikmëri i shfarosi gratë, fëmijët, foshnjat dhe të gjithë burrat – por ai ia kurseu jetën mbretit. Ai gjithashtu kurseu disa nga viçat dhe qingjat më të shëndetshëm. Zoti ishte tepër i zemëruar me të për shkak të mos-mbarimit të punës.

Historia e Amalekitëve është përdorur për të justifikuar gjenocidin përgjatë gjithë kohërave. Sipas profesorit të Universitetit Shtetëror të Pensilvanisë Filip Jenkins, një kontribues i publikimit American Conservative, Puritanët e përdorën këtë pasazh kur ata donin të shfarosnin fiset indiane të Amerikës. Katolikët e përdorën kundra Protestantëve, Protestantët kundra Katolikëve. “Në Ruanda në 1994, predikuesit Hutu kujtuan memorjen e mbretit Saul për të justifikuar shfarosjen totale të fqinjëve të tyre Tutsi”, shkruan Jenkins në librin e tij të 2011, Të Ulësh Shpatën: Pse Ne Nuk Mund t’i Injorojmë Versetet e Dhunshme të Biblës (publikuar nga HarperCollins).

Këtë vjeshtë, më shumë se 100,000 fëmijë amerikanë të shkollave publike, në moshat nga 4 në 12 vjeç, kanë në orar të marrin instruksione rreth Saulit dhe Amalekitëve në rehatinë e shkollave të tyre publike. Ky mësim, i cili kryhet gjatë javës së dytë të kursit javor për studimin e Biblës, do jepet nga Good News Club, një program pas-shkollor i sponsorizuar nga një grup i quajtur Child Evangelism Fellowship (CEF – Shoqëria e Ungjillizimit të Fëmijëve). Qëllimi i CEF është të konvertojë fëmijë të vegjël në një formë fondamentaliste të Krishtërimit dhe të rekrutojë shokët e tyre në këtë klub.

Tani ka mbi 3200 klube në shkollat publike fillore, shtatëfish që nga vendimi i Gjykatës Supreme në 2001, Good News Club vs Milford Central School, i cili praktikisht i detyron shkollat publike që të përfshijnë klube të tilla në programet e tyre pas-shkollore.

CEF ka që më 1973 që e mëson historinë e Amalekitëve. Në materialet e mëhershme, CEF ishte eufemiste rreth gjakderdhjes, duke thënë thjesht “Amalekitët u shkatërruan totalisht”. Në versionin më të fundit të kurrikulumit ama, grupi është goxha i gatshëm për ta përcjellë mesazhin e tij tek studentët e shkollave fillore. Gjëja e parë që kurrikulumi qartëson është se nëse Zoti jep urdhër që të vritet një grup njerëzish, ti duhet t’i vrasësh ata deri tek i fundit:

“Ti duhet të shkosh e ti shkatërrosh krejtësisht Amalekitët – njerëzit, kafshët, çdo gjë e gjallë. Asgjë nuk duhet lënë gjallë.”

“Kjo ishte goxha e qartë apo jo?” manuali u thotë mësuesve t’u thonë fëmijëve.

Akoma më e rëndësishme, Good News Club do që fëmijët ta dinë se Amalekitët u shënjestruan për shkatërrim për shkak të fesë së tyre, apo mugesës së saj. Manuali i instruksionit lexon:

“Amalekitët kishin dëgjuar rreth Zotit të vërtetë e të gjallë të Izraelit shumë vite më parë, por ata refuzuan të besojnë tek ai. Amalekitët refuzuan të besojnë në Zot dhe Zoti pati premtuar dënim,”

Manuali i instruksionit vazhdon të promovojë bindje për çdo gjë. Faktikisht, gati çdo mësim i Good News Club ka të bëjë më të kujtuarit e fëmijëve se ata duhet të binden më çdo kusht. Nëse Zoti të thotë ty të vrasësh pabesimtarët, ai me të vërtetë do që ti t’i vrasësh ata të tërë. Pa bërë pyetje, pa përjashtime.

Duke pyetur nëse Sauli do e “kalonte testin” e bindjes, teksti tregon dështimin e Saulit për të asgjësuar çdo Amalekit, duke bërë më pas pyetjen retorike:

“Nëse ty të kërkohet të bësh diçka, sa përqind të kësaj pune do duhej të bëje ti para se të thoje “E kreva!”?”

“Vetëm sikur Sauli të kishte qenë i gatshëm të kërkonte nga Zoti forcën për tu bindur!” përfundon mësimi.

Një pyetje përsëritjeje në libër kërkon ta çojë deri në fund mësimin:

“Si iu bind Zotit vetëm pjesërisht mbreti Saul kur ai sulmoi Amalekitët? (Ai nuk i shkatërroi ata tërësisht siç kishte urdhëruar Zoti, ai mbajti gjallë mbretin dhe disa nga kafshët.)”

CEF dhe grupet që e mbështesin në suksesin e tyre këta dhjetë vjet janë të vendosur “të prishin të gjitha barrierat për tek të gjithë 65,000 shkollat publike në Amerikë dhe ta çojnë ungjillin në këtë fushë të hapur misjoni tani! Jo më vonë, tani!” me fjalët e një prej ligjëruesve kryesorë në kongresin kombëtar të CEF në 2010. CEF do të operojë në shkolla publike e jo në kisha sepse ata e dinë që fëmijët e rinj e lidhin shkollën publike me autoritetin dhe nuk janë të aftë të bëjnë dallimin midis aktiviteteve që ndodhin në shkollë dhe atyre që sponsorizohen nga shkolla.

Në opinionin ligjor të mazhorancës që i hapi derën Good News Club, anëtari i gjykatës supreme Clarence Thomas arsyetoi se aktivitetet e CEF nuk ishin fetare, sidoqoftë. Ai tha që ato, për nga ana ligjore, mund të karakterizoheshin si “mësim-dhënia e moralit dhe e zhvillimit të karakterit nga një pikëpamje e caktuar.”

Gjykatësit Souter dhe Stevens, të cilët votuan kundër, thanë që ky pretendim ishte qesharak: CEF qartësisht kërkon të mësojë doktrina fetare dhe të zhvillojë shërbime fetare. Pretendimi i Thomas është veçanërisht ironik kur shikon faktin se CEF e bën shumë të qartë qëllimin e saj për të mësuar se asnjë sasi sjelljeje morale apo etike nuk mund ta shpëtojë një pabesimtar nga ferri.

Goof News Club nuk duhet të ishte në shkollat fillore publike amerikane. Ashtu siç e shpjegoj në librin tim, The Good News Club: The Christian Right’s Stealth Assault on America’s Children, klubi ekziston kryesisht për tu dhënë fëmijëve të vegjël ndjesinë e rreme se shkolla e tyre publike mbështet një besim të caktuar. Prezenca e klubit ka krijuar një koklavitje paradoksale të kishës e shtetit dhe ka përçarë komunitete, degraduar edukimin publik, dhe minuar lirinë fetare.

Theksi i ri i CEF mbi gjenocidin ndaj pabesimtarëve e bën një situatë të keqe edhe më katastrofë. Retorika ekstremiste ka qenë në rritje në disa qarqje të së djathtës ekstreme, përfshi edhe grupe fetare. Kur duhet të fillojmë ta marrim seriozisht diskursin e gjenocidit? Si do ndiheshim ndaj një grupi jofetar i cili do i mësonte fëmijët që nëse marrin ndonjëherë instruksione për të kryer gjenocid, ata duhet ta përmbushin urdhërin deri në fund?

Dhe më së fundmi, kur vjen dita që një grup fetar të kualifikohet si “grup urrejtjeje”?

 

Marrë nga The Guardian

Përktheu A.T.