HESHTJA JUAJ NA VRET





Loela Xhafa

 

Që prej 11 shtatorit, perëndimorët i kërkojnë arabëve të adaptojnë demokracinë. Tani që këta të fundit po mundohen t’ia arrijnë me rrezik jete për ta, si në Siri, europianët nuk reagojnë dhe po tregohen të paaftë për të gjetur zgjidhje për problemet në këto vende – shprehet me keqardhje themeluesi i komunitetit të Sant’Egidio-s.

 Andrea Riccardi – Corriere della Sera

Prej më shumë se 11 vjetësh nga ngjarja tragjike e 11 shtatorit 2001, u kërkojmë muslimanëve të marrin seriozisht në konsideratë demokracinë dhe të heqin dorë nga dhuna. Lufta për demokraci dhe kundër terrorizmit ishte kryefjala e luftës në Irak. Dhe tani, prej disa muajsh, bota muslimane zien dhe po merr frymë në liri.

Entuziazmit të gjeneratave të reja u janë afruar kategori të tjera popullate. Fëmijët e globalizmit kanë mposhtur frikën që paralizonte gjithë shoqëritë e tyre. Despotët e Tunizisë dhe Egjiptit janë larguar prej kohësh nga pushteti.

Tashmë është e vështirë të parashikosh të ardhmen e “pranverës arabe” dhe ndikimin e saj në politikë. Megjithatë, shumë vëzhgues perëndimorë po mjaftohen vetëm me komentet nëse loja luhet në favor ose jo të islamistëve. Kjo cështje dëshmon vetëm mungesë besimi ndaj shtysës demokratike, por dhe probleme të tjera. Diktatorët arabë janë renditur gjithnjë kundër “islamistëve” për të legjitimuar pushtetin e tyre. Por prej kohësh  termi “islamizëm” është shumë i përgjithshëm. Duhet bërë dallimi midis aktorëve të ndryshëm muslimanë, sepse ky koncept nënkupton demokratë, konservatorë, por gjithashtu edhe ekstremistë e terroristë. Turqia, vend anëtar i NATO-s dhe ushtria e dymbëdhjetë e organizatës, qeveriset nga një parti islamiste.

Interesi i ulët i Europës për “pranverën arabe” dëshmon se shoqëritë tona civile nuk synojnë të kenë  peshë në lëvizjen demokratike arabe. Mesazhi drejtuar Perëndimit mund të lexohej qartë në një nga pankartat e manifestuesve sirianë: “Heshtja juaj na vret”.

Perëndimi midis indiferencës dhe realizmit

Në rastin e Sirisë, perëndimorët manifestojnë një apati të madhe. Kjo nuk është pasojë vetëm e luftës në Libi dhe krizës ekonomike. Me familjen Assad, Perëndimi ka treguar gjithmonë “realizëm”, të cilin e dëshmojnë ngjarjet në Hama. Në vitin 1982, Hafez El-Aassad masakroi rreth 20.000 sirianë (bashkëqytetarë të tij të udhëhequr nga Vëllezërit Muslimanë). Masakra kaloi në heshtje të plotë. Përballë një regjimi “progresist”, të aftë për një politikë të zgjuar nën mbrojtjen e ombrellës sovjetike, triumfoi realizmi

Në të njëjtin vit, milicët e krishterë libanezë (në bashkëpunim me ushtrinë izraelite) vranë një mijë palestinezë në kampet e Shabra-s dhe Shatila-s. Në këtë cështje u mobilizua i gjithë opinioni publik, përfshi të majtën. Më kujtohet vizita që kam bërë në kampe dhe kam konstatuar me sytë e mi tmerrin e shkatërrimeve.

Reagime krejt të ndryshme për dy ngjarje të njëjta

Pas vitit 1989, Siria, e kontrolluar gjithmonë nga minoriteti alevit, ka dhënë garanci kundër islamikëve. Regjimi nuk ka qenë krejtësisht i izoluar në brendësi të vendit, por ka pasur edhe një konsensus. “Alevitët komandojnë, por ata përbëjnë garanci për minoritete”- më siguroi një sirian i krishterë me influencë. Kështu mendojnë të krishterët, druzët dhe kurdët.

Konsensusi është vecanërisht evident në Halep, streha e sigurt e minoriteteve, ku jetojnë mijëra kurdë dhe 300 000 të krishterë. Qyteti është i qetë edhe pse vendi është në revoltë. Borgjezia sunite ka arritur një kompromis me alevitët. Por ç’do të bëhet tani që kundërshtimi ka nisur nga vetë shumica sunite?

Nuk është për t’u nënvlerësuar reagimi i botës shiite (Irani, Iraku dhe Libani), për të cilët Siria përbën një pikë kyce të rëndësishme interesash.

Teherani rrezikon të humbasë një aleat të afërt nga pikëpamja fetare dhe politike – (sic rezulton nga raporteve e Sirisë me milicët libanez të Hezbollahut).

Tashmë, pushteti alevit mendon se nuk ka zgjidhje tjetër përvecse terrorit, nëse nuk don të humbasë monopolin politik dhe të rrezikojë të japë llogari duke qenë se po qëllon mbi popullin e tij, shumicë sunite. Në Egjipt, Hosni Mubarak nuk qëlloi mbi popullin e tij dhe blloku që e mbështeste, kuptoi se koha e tij kishte mbaruar.

Afërsia krijon përgjegjësi

A e kuptojnë sirianët pavendosmërinë e Perëndimit?

Në shoqëritë civile europiane mbretëron një indiferencë e madhe, që tashmë shkon për inerci përballë problemeve të rënda jashtë kufijve kombëtarë. Sigurisht, Perëndimi nuk mund të luajë kudo rolin e xhandarit të të drejtave të njeriut. Por Siria është afër Europës dhe Izraelit dhe afërsia territoriale krijon përgjegjësi. Midis ndërhyrjes ushtarake (si në Libi) dhe indiferencës ka një sërë opsionesh për të ushtruar përgjegjësitë që na përkasin: presionet, kontaktet, kërkimi i zgjidhjeve, implikimi i aktorëve të mëdhenj ndërkombëtarë etj.

Për momentin, në Siri nuk shihet ndonjë mundësi daljeje nga polarizimi, ku lëvizja që ka mbledhur njerëz të gatshëm për t’u flijuar për lirinë përballen me një pushtet pa të ardhme dhe të ngrirë nga frika, i cili luan me kartën e represionit.

Nevojitet të konstruktohen skenare tranzicioni dhe duhet bërë të kuptojnë me disa vendime oportune, se logjika e terrorit është e papranueshme.

Pas një dekade ku politika ndërkombëtare është dominuar nga cështja ‘islamike’, kanë dalë probleme të reja, por edhe mundësi të reja.

Për të interpretuar realitetin duhen kritere të ndryshme dhe përgjegjësi më të mëdha politike dhe kjo nuk është më vetëm pjesa e qeverive, por edhe e shoqërive civile dhe forcave politike. Ajo që po ndodh në botën arabe dhe në pellgun e Mesdheut do të kushtëzojë skenaret gjeopolitike të shekullit të 21 shumë më tepër se trazirat lokale.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *