e-zani
Prezenca e policisë fetare lidhet në imagjinatën perëndimore me konservatorët fetarë në vende si Irani apo Arabia Saudite, që imponojnë norma morale mbi shoqëritë e tyre. Por kohët e fundit është njoftuar se e djathta belge ka ofruar një shpërblim prej 250 Eurosh kujtdo që raporton në polici një grua të mbuluar me burka – një mbulesë e njohur në disa shoqëri myslimane ku gratë mbulojnë tërësisht trupin, përfshi fytyrën.

Partia Vlaams Belang dhe një nga figurat kryesore të saj, Filip Dewinter, deklaruan se protestat kundra ligjit të burkas, i cili ka hyrë në fuqi një vit më parë, kanë bërë që policia të hezitojë arrestimet dhe gjobitjet dhe prandaj ata kanë ofruar këtë shpërblim prej 250 Eurosh. Ai pretendoi se pagesa e premtuar do i bëjë presion autoriteteve që të vënë ligjin në praktikë.

Kjo pagesë ofrohet pas protestave që pasuan arrestimin e një gruaje myslimane, që rrefuzoi të hiqte nikabin. Një grua myslimane që mban nikabin në Belgjikë rrezikon të paguajë një gjobë prej 150 Eurosh.

Belgjika është i pari vend në Evropë që vendosi një ligj të tillë kundra veshjes së nikabit. Denis Ducarme, anëtar i parlamentit për Partinë Liberale tha në atë kohë se: “Ne jemi i pari vend që po thyejmë zinxhirët që kanë mbajtur kaq e kaq gra të skllavëruara.” Në atë kohë, politikanët belgë nga etni të ndryshme, të cilët nuk arrijnë të bien dakord në asgjë, ranë dakord në ligjin kundra nikabit.

Ky ligj u komentua menjëherë nga organizata të të drejtave të njeriut si ligj që bie në kundërshtim me liritë fetare. Amnesty International e dënoi këtë ligj si “sulm ndaj të drejtave fetare.” Philippe Hensmans i Amnesty Belgium tha se ligji ka kaluar pa debatin e duhur dhe se “ nuk është totalisht e qartë nëse është në përputhje me kushteturën belge dhe konventën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.”

Ka patur edhe raste të mos-bindjes civile. Rachid Nekkaz, një afarist francez, ka marë përsipër të paguajë të gjithë gjobat që do u vendosen grave myslimane në Belgjikë që mbajnë nikab.

Nekkaz ka deklaruar se është pro një ligji që dënon një bashkshort që detyron të shoqen të mbajë nikab. Vetë Nekkaz është kundra mbajtjes së nikabit dhe ka thënë se nikabi është pengesë për integrimin dhe punësimin e femrave myslimane, por ai është kundra ligjeve të tilla imponuese që kufizojnë lirinë e zgjedhjes.

Nikabi është i tejet debatuar edhe në shoqëri konservatore myslimane dhe mendojmë se është krejtësisht i papërshtatshëm si praktikë fetare në Shqipëri, për më tepër që nuk përbën një obligim fetar si është rasti i shamisë. Por ajo që duket shqetësuese është kahja e këtij zelli militant që po bëhet gjithnjë e më prezent në Evropë. Të tilla politika po gjejnë mbështetje edhe në shoqëri tradicionalisht të njohura për tolerancë fetare, si Hollanda.

Myslimanët shqiptarë kanë parë Evropën edhe si premtim i një politike më tolerante fetare se sa ajo që ushqehet nga komplekset identitare të elitave shqiptare. Myslimanët shqiptarë i janë referuar modeleve evropiane që krijojnë hapësira për diversitetin fetar dhe kanë ligjislacione që luftojnë diskriminimin mbi baza fetare. Islamofobia me gjithë ngjashmëritë me anti-semitizmin tradicional evropian e në forma alarmuese ka qenë provincë e të djathtës ekstreme, por me rritjen e së djathtës, në kushte të rënduara ekonomike dhe konfliktesh identitare, kanë bërë që të përhapet me tej edhe tek e majta e të bëhet gjithnjë e më prezente në segmente të popullsisë evropiane. Kjo do ketë remenishencat e veta jo vetëm në politikat ndaj myslimanëve me origjinë emigrante në Evropën perëndimore, por si kemi adresuar disa herë këtu tek e-zani, rritja e Islamofobisë do reflektohet edhe kundra bashkësive historike të Ballkanit.