Zhbërja morale e shqiptarit






E. Mërtiri

Ajo që karakterizon shoqërinë shqiptare të këtyre 20 vjetëve, është mungesa e themeleve, mbi të cilat mund të përcaktohet identiteti i saj. Elitat shqiptare deri më tani nuk kanë mundur të ofrojnë një ide të qartë se cilat janë mjetet dalluese që përbëjnë fizionominë tonë socio-kulturore, gjë që le të paqartë të ardhmen në fund të këtij korridori të gjatë tranzicioni. Kjo bën që shoqëria shqiptare të mbetet e padefinuar, duke mos arritur të krijojë dot vetveten në kushtet e reja, gjë që ka prodhuar dhe agravuar një klimë konfliktuale përplasjesh të thella kulturore e sociale. Mungesa e një vijimsie etno-kulturore dhe thyerja e madhe e traditës përgjatë një periudhe 50 vjeçare izolimi e atomizimi totalitarist, ka bërë që realiteti i sotëm socio-kulturor të karakterizohet nga paqartësi të mëdha që vetëm polarizojnë skenën e ndërveprimit shoqëror.
Një prej aspekteve më të rëndësishëm ku ka ndodhur kjo thyerje, e cila ka sjellë ndoshta vakumin më të madh në ngrehinën sociale në vend, është ajo që ka të bëjë me themelet morale të shoqërisë. Shoqëria shqiptare ka humbur truallin moral, pa të cilin nuk mund të funksionojë asnjë ndërveprim shoqëror. Kjo e bën të paqendrueshëm terrenin mbi të cilin synojnë të ngrihen vlerat e reja, që në Rozafatin shqiptar modern, mbeten të destinuara të shemben, tashmë ditën për diell.

Morali dhe moderniteti

Morali është një nga sferat më të rëndësishme të strukturimit shoqëror, pa të cilin nuk bëhet i mundur kurrfarë konvencioni e solidariteti në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Ai është burimi që gjeneron çdo marrëdhënie, ligjësi e institucion. Asnjë kontratë sociale nuk mund të funksionojë pa një minimum konsensusi në raport me disa vlera themelore. Në shoqëritë tradicionale, morali është i përcaktuar në saj të një trashëgimie që rikonfirmon vetveten në çdo vlerë, normë, zakon, ritual shoqëror a fetar, të ripërsëriur e konservuar prej vitesh e shekujsh. Zhvillimi shoqëror, në kushte të tilla, ndodh brenda një ligjësie natyrore, duke ruajtur strukturën dhe fizionominë e parimeve themelore që ndërton shtyllën kurrizore të kulturës së një shoqërie.
Moderniteti e ka përmbysur këtë tablo. Që prej Rusoit dhe traditës iluministe, atë që historikisht e ka bërë tradita dhe trashëgimia, mori përsipër ta bëjë arsyeja njerëzore nëpërmjet e përqenduar tek inteligjenca. Krijimi i qytetarit, opinionit publik, institucioneve shtetërore që shtrijnë duart në çdo qelizë të jetës shoqërore, janë produkt i transferimit të autoritetit nga trashëgimia tek intelektualët, produkt i ndryshimit të funksioneve shoqërore nga stabiliteti tek përparimi i shoqërisë, gjë që ka sjellë zhvillime të shumta, por edhe probleme, pasiguri, ankthe e kriza. Tashmë themelet shoqërore, si dhe çdo hapësirë e ndërtimit të jetës njerëzore, synon të bëhet nëpërmjet racionalitetit të institucionalizuar në mekanizmat e pushtetit dhe shoqërisë civile. Morali është relativizuar në këtë mes, duke u bërë jo thjesht objekt debati, por edhe zgjedhjeje individuale. Megjithatë, disa vlera mbeten çështje trashëgimie, të sanksionuara në frymën e ligjeve dhe konstitucionalizmit.

Elitat pa mend

Ajo që ndodh në Shqipëri, është se ky proces zhvillohet në mungesë të autoriteteve të mendimit, në kushtet kur tradita është sulmuar egërsisht dhe për pasojë, është çaktivizuar në një masë të madhe nga roli i saj shoqëror. Inteligjenca shqiptare e ka rivalizuar trashëgiminë, duke agjësuar referencat themelore të legjitimitetit të vlerave shoqërore, por nga ana tjetër nuk ka arritur të ofrojë asgjë si zëvendësues. Ajo nuk ka prodhuar asgjë në fushën e mendimit etik, në mënyrë që të mbushë racionalisht vakumin e mbetur nga eleminimi i trashëgimisë. Tradita e mendimtarëve që nis me rilindjen e vijon me intelektualët e viteve 20, u ndërpre me ardhjen e komunizmit dhe ende nuk ka mundur të shtrojë problematikën e duhur për të prodhuar mendim. Kudo në trojet shqiptare tanimë mungojnë autoritetet e mendimit, të domosdoshëm për të hapur udhët e duhura drejt një themeli moral e kulturor, mbi të cilin mund të ndërtohen themelet e identitetit shoqëror si dhe të një kontrate të mundshme sociale. Jo vetëm kaq, por edhe ato pak mundësi që ekzistojnë në këtë drejtim, një kastë intelektualësh, trashëgues të pushtetit kulturor nga e kaluara diktatoriale, i bëhet barrierë e pakalueshme, duke i ndërprerë mundësitë e komunikimit me shtresa të tjera të shoqërisë.
Kjo situatë ka bërë që opinion publik në Shqipëri e kudo në trojet shqiptare të jetë i turbulluar, i paaftë të trajtojë siç duhet çdo disktutim që shtrohet, që nga principet bazë që kanë të bëjnë me parime fondamentale të drejtësisë shoqërore, si psh. çështjet e të drejtave klasore, të pronësisë, mbrojtjes së grupeve të margjinalizuara, dënimit të krimeve të komunizmit, e deri tek diskutime të reja që lidhen me transformimet kulturore të realiteteve të sotme, shpesheherë të tepërta dhe jashtë konteksti, siç janë ato që kanë të bëjnë me raportet gjinore apo edhe debatet mbi legjitimitetin e homoseksualitetit. Thuajse në çdo rast, opinioni publik në Shqipëri gëlltit receta, skema e slogane, të servirura nga amatorë që, më e mira që mund të bëjnë është përkthimi i dekontekstualizuar i tematikave të diskutuara në perëndim, të cilat, edhe ato, vijnë të cunguara dhe seleksionuara duke filtruar në Shqipëri vetëm mendimin liberal. Edhe nëse dikush mund të rrokë përgjigjet e drejta ndaj këtyre problemeve, ato mbeten të izoluara, pa patur e pa ofruar dot asnjë paradigmë të përgjithshme, mbi të cilën të mund të kontekstualizojmë çdo diskutim shoqëror. Kjo do të thotë se inteligjenca shqiptare po e orienton anijen pa busull duke na lënë të shpresojmë që bregu i kërkuar të na dalë vetë përpara, pasi ne nuk shkojmë dot me vullnet drejt tij.

Arratisje nga tradita

Ndoshta do të ishte e nevojshme që, në këtë kontekst, të njiheshim fillimisht me problemet e vetë botës perëndimore që kemi marrë si model, në mënyrë që, të paktën të eleminojmë përsëritjen e atyre problemeve që tashmë perëndimi e ka të vështirë t’i kapërcejë. Ka një mori mendimtarësh, filozofë, sociologë, të cilët kanë krijuar një literaturë të tërë kritike ndaj modernitetit, e përfaqësuar nga një sërë rrymash e shkollash. E gjithë kjo përvojë, do të duhet të ishte vënë në qendër të vëmendjes së inteligjencës shqiptare, për të avancuar në zhvillimet e kërkuara. Përkundrazi, intelektualët shqiptarë duken ekstremisht modernistë, duke predikuar pikërisht atë që më së shumti kritikohet në perëndim, e duke denoncuar përveç kësaj, pikërisht atë që më së shumti nevojitet: traditën. Shqiptarët kanë fatin, që, ndryshe nga perëndimi, e kanë ende të afërt lidhjen me traditën dhe kanë ende mundësi të gjejnë rrugë për të shfrytëzuar atë çfarë mundet prej saj. Por, të verbuar nga kompleksi i të qenit modern, e për më tepër, të frustruar nga një e kaluar totalitare, ata nuk kanë kurrfarë vëmendjeje ndaj vlerave të trashëguara, të cilat për më tepër, bartin thelbin e një identiteti të mundshëm kombëtar.
Në këtë mënyrë, shoqëria shqiptare po shkon drejt individualizimit dhe atomizimit të panevojshëm, duke shkatëruar lidhjet shoqërore dhe strukturat komunitare. Kjo bën që kjo shoqëri të lërë të pashfrytëzuara potencialet e saj, pikërisht ato potenciale që e kanë mbajtur gjallë deri më tani, sidomos në rastin e shqiptarëve të ish-Jugosllavisë. Ata kanë arritur të mbijetojnë pikërisht në saj të strukturave të tilla të trashëguara, të cilat bëjnë të mundur ekzistencën e shoqërisë edhe në kushtet kur shteti nuk është, apo është armiqësor. Lidhjet e forta sociale, familja e shëndetshme dhe e qendrueshme, bashkëveprimi mes njerëzve dhe fryma komunitare, kanë bërë që shqiptarët në Kosovë, Maqedoni e Mal të zi, t’i mbijetojnë makinerisë policore, ushtarake, administrative e propagandistike sllave, megjithë mungesën e një organizimi të mirëfilltë shtetëror të tyre, duke përfshirë edhe mungesën e një sistemi të mirfilltë ekonomik, institucional, arsimor e mediatik. Lidhjet midis njerëzve dhe struktura tradicionale, kanë qenë e vetmja barrierë që ka rivalizuar një shtet destruktiv për shqiptarët si ai jugosllav, e më pas serb, malazez e maqedonas. Zhdukja e plotë e kësaj trashëgimie, përbën dëmin më të rëndë që mund t’i bëhet strukturës shoqërore shqiptare, duke e çveshur atë nga të gjitha mekanizmat mbrojtës të një shoqërie që nuk e ka ende aq të pjekur klasën politike sa të punojë në dobi të organizimit shoqëror drejt interesave më të qenësishme kombëtare.
Morali relativ, individualist e liberal, janë ato që tashmë po sjellin polarizime të tepërta brenda vetë shoqërisë shqiptare, duke vështirësuar mundësitë për konsensus shoqëror. Nga ana tjetër ai po deformon vetëdijen shoqërore mbi një të ardhme të përbashkët, duke kultivuar modele të kulturës globale, të cilat e zhbëjnë fizionominë tonë etno-kulturore e shoqërore. Jo vetëm kaq, por ky moral ka sjellë një mori problemesh sociale, të cilat po shndërrohen në plagë të thella, siç janë ato të edukimit, krizës së familjes, atomizmit shoqëror, paaftësisë për vetëaktualizim të individit etj. Sidomos rinia duket e papërgatitur për të përballuar një jetë që, në të vërtetë nuk është ashtu siç ajo e mendon, e modeluar prej formateve televizive rinore që nuk janë gjë tjetër vetë se plagjaturë e produksioneve të huaja që promovojnë të gjithë kotësinë e shterpësinë e botës së Show Biz-it. Në këto kushte, ajo që mund të quhet “çështja shqiptare” është e destinuar të mbetet thjesht një fjalë pa objekt, pasi shqiptarët e së nesërmes, që i përkasin brezit rë ri të sotëm, nuk do të kenë më asgjë që i lidh kulturalisht me trashëgiminë e tyre, por do të jenë thjesht surrogato kulturore të konsumizmit global.

_________________________________________________
Botuar në Revistën Shenja

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *