Roald A. Hysa

Në këtë trajtesë të shkurtër do të mundohem të sjell në vëmendjen tuaj skemat e komunikimit të disa aktorëve me këtë shoqëri. Por përpara se të shohim atë çka po ndodh sot me shoqërinë shqiptare, le të hedhim një sy mbi traditën e krijuar më parë nga Komuniteti Musliman i Shqipërisë, si një nga aktorët përgjegjës të jetës fetare në vend, por edhe nga aktorë të tjerë. Për këtë do të sillja në vëmendjen tuaj disa fakte nga e shkuara, ku megjithëse në fillesat e veta, stafi i KMSH-së – qoftë në periudhën e Shtetit Indipendent, qoftë edhe gjatë periudhës së Luftës II Botërore – i shfrytëzoi në maksimum ato pak mundësi teknologjike që kishte për të mbajtur gjallë sadopak frymën e dashurisë ndaj fesë dhe atdheut.

Fillimisht si shembuj praktikë mund të sjell dy gazeta të drejtuara nga patrioti i shquar H. Ibrahim Dalliu: Gazetat XHOKA dhe DAJTI. Nga shfletimi i tyre kuptohet qartë interesi i publikut të asaj kohe, të cilin këto gazeta e kanë plotësuar më si. Gjithashtu nga pikëpamja profesionale ato qendrojnë në nivelin e gazetave më në zë të kohës, duke paraqitur me mjaft nivel lajmin e ditës, interesat kombëtare, si dhe gjendjen fetare në vend, duke përfshirë edhe zhvillimet në KMSH.

Në faqet e gazetës DAJTI shquhen edhe emrat e dr. Behxhet Shapatit dhe H. Ali Krajës me polemikat e tyre, që reflektojnë përgatitjen e tyre të lartë dhe interesin për t’u bërë apologjetët e xhematit dhe të popullit shqiptar ndaj rrymave të reja ideologjike në qarkullim dhe, e parë në këtë prizëm mund të hiqen paralele të ngjashme midis asaj kohe dhe sot, kur rryma të reja po shfaqen përsëri.

Ajo që të bën përshtypje është transparenca e treguar ndaj veprimtarisësë KMSH-së. Psh, në këtë gazetë, por edhe në disa numra të revistës “Zani i Naltë” në vitin 1924 jepen të dhënat mbi të ardhurat e vakëfeve rreth xhamive të ndryshme, të cilat më pas shërbenin për rrogat e imamëve dhe të personelit të xhamisë, apo edhe për mirëmbajtjen e xhamisë vetë. Po ashtu edhe në shumë numra të revistës KULTURA ISLAME jepen sqarime të ndryshme mbi të ardhurat e vakfeve dhe investimeve të reja për të rritur të ardhurat e vakfeve etj.

Dalja e gazetës Dajti ka qenë një ngjarje e rëndësishme për kohën. Kjo gazetë  ka luajtur një rol të ndjeshëm asokohe, duke u përpjekur të sjellë një zë të ri të fuqishëm në ato momente vështirësish politike për shtetin e sapokrijuar shqiptar. Hafiz Dalliu është një ndër ato figura patriotësh tiranas të pastudiuara ende dhe të panjohura siç duhet nga pikëpamja e veprimtarisë së tij politiko-atdhetare. Ai ishte i hapur, jo vetëm duke u përfshiurë në debatet e kohës, por edhe duke ofruar mundësinë e zhvillimit të këtij debati në këtë gazetë. Ai i ka hapur faqet e saj për debate pro e kundra duke u treguar i paanshëm në këto debate. Ndër të tjera dallohet qartë opozitarizmi ndaj qeverisë në fuqi, gjë që do ta shoqëronte gjatë të gjithë jetës. Ai nuk është pajtuar ndonjë herë me këdo regjim, duke ruajtur objektivitetin dhe drejtësinë në qendrimet e tij, të cilat gjithmonë kanë përkrahur grupet e sulmuara e margjinalizuara. Ai u kthye në zëdhënës dhe mbrojtësin e tyre.

Një vend të rëndësishëm në faqet e gazetës së tij ka zënë Çështja Kombëtare. Vuajtjet dhe përndjekjet e Çamërisë trajtohen gjerësisht në këtë gazetë, po ashtu edhe shkatërrimet e regjimit serbo-malazez në Kosovë. Në faqet e gazetës gjenden shpesh lajme rreth problemeve të Çamëve. Kjo tregon ndjeshmërinë, jo vetëm të botuesit të saj për këtë çështje, por edhe ndjeshmërinë e publikut.

Një figurë tjetër e shquar në opinionin publik është ajo e H. Ali Korçës, i cili me botimet e veta u bë një nga zëdhënësit kryesorë të Komunitetit Musliman, por edhe të xhematit. Jeta e tij karakterizohet nga një veprimtari e pasur në favor të Fesë Islame dhe atdheut. Ai është një nga themeluesit e Medresesë së Tiranës në vitin 1923, ku në dokumentin kryesor të themelimit dallon edhe firma e tij krahas asaj të H. Vehbi Dibrës. Veprimtaria e tij botuese është shumë e pasur me libra fetarë, në lëmin politik dhe atdhetar. Një nga librat e tij shumë interesantë është “Bolshevizma a çkatërim i njerëzimit” në vitin 1925. Ajo është kulmi i veprimtarisë së tij patriotike në periudhën 1920-’25 kundra përhapjes së ideologjisë mashtruese bolshevike në Shqipëri.

Hafiz Ali Korça si askush tjetër në lëvizjen tonë politike ndërtoi një vizion të qartë dhe largpamës për të ardhmen jo vetëm kombëtare, por edhe në njëplan universal. Ky konceptim kozmopolit e kombëtar njëkohësisht shfaqet qartë në veprën “Bolshevizma a çkatërim i njerëzimit”. Pikërisht për shkak të kësaj vepre, e cila duhet vendosur më shumë në vëmendjen e studiuesve, Hafizi pati pasoja të dhembshme në jetën e tij private. Ai u persekutua egërsisht nga regjimi komunist, duke vuajtur burgjet e diktaturës në fund të jetës së tij. Që herët, Hafiz Aliu e ka hetuar rrezikun e bolshevizmit dhe ideve të importuara nga Rusia, të cilat mbollën në Shqipëri, regjimin më të egër të instaluar ndonjëherë.

Vepra “Bolshevizma çkatërimi i njerëzimit” (1925) shënon fazën e pjekurisë politike të Hafiz Aliut. Përmes shënimeve statistikore, ai thekson shkatërrimet e mëdha që kishin bërë bolshevikët në Rusi e kudo. Me intuitën e intelektualit largpamës, ai mundi të ndjente rreziun e komunizmit në Shqipëri dhe për këtë arsye, me anë të kësaj vepre ai kërkon shpëtimin e atdheut nga kjo sëmundje duke konstatuar: çdo atdhetar dëshiron që shtetit dhe kombit të vet t’i shërbejë sipas fuqisë që të ketë.

Gjithashtu nuk mund të lemë pa përmendur këtu dy revistat e Komunitetit Musliman “Zani i Naltë” dhe “Kultura Islame”, të cilat sipas periudhave të regjimeve politike pasqyruan një nivel të lartë profesional në përgjigje të debatit bashkëkohor, me drejtues si H. Ismet Dibra, H. Isa Domni dhe më pas Sadik Bega e Sherif Putra. Tre janë fillet kryesore që i përshkojnë këto dy revista: ai fetar, ai kombëtar dhe debati bashkëkohor. Në Kultura Islame janë botuar shkrime për rubrika nga më të ndryshmet, një dramë e plotë me nuanca të thella kombëtare, deri edhe shkrime mbi rrymat moderne të kohës në art si kubizmi, dadaizmi, ekspresionizmi etj.

Porse përpjekjet e stafit të KMSH-së do të ishin jetëshkurtra dhe me mbarimin e Luftës II Botërore do të vazhdonin për pak kohë. Menjëherë pas marrjes së pushtetit nga PKSH më 1945, megjithëse arrin të riorganizohet në bazë të rrethanave të reja, Komuniteti Mysliman tashmë fillon të vihet nën një presion gjithnjë e më të madh. Bajramet e mevludet nuk transmetohen më nga Radio Tirana, i cili kthehet në mjetin kryesor dhe propagandistik të PKSH-së. Kjo propagandë, duke përfshirë edhe mjetet e terrorit shtetëror, e spostoi gradualisht KMSH-në nga jeta aktive shoqërore, deri në ndalimin përfundimtar të së drejtës së besimit në vitin 1967.

 

________________________________

*Ky shkrim është përmbledhje e një kumtese të mbajtur nga autori në seminarin e zhvilluar nga LHSH me temë “Gjetja e rrugëve të komunikimit me shoqërinë e sotme”

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *