e-zani

Dy artikuj të ditëve të fundit tek gazeta Shqip kanë adresuar rezultatet e munguara të Censusit të shumë debatuar të vitit të kaluar. Në një intervistë për Shqip, kreu i Partisë Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, pretendoi se po manipulohet me rezultatet dhe se përfshirja e vetëdeklarimit të fesë dhe etnisë në census ishte rjedhojë e një marëveshjeje të fshehtë të Berishës me shtetin grek, në shkëmbim të mbështetjes greke për anëtarsimin e Shqipërisë në NATO.

Regjistrimi i popullsisë i vitit 2011 është pjesë e marrëveshjes së Kryeministrit Berisha me qeverinë greke. Pjesë e kësaj marrëveshje ishte shtimi në procesin e regjistrimit, i formularit ku ndodheshin dy pyetjet për etninë dhe fenë. Kjo pjesë e marrëveshjes është element i “paketës” së paktit me 4 kushtet që do të siguronin mbështetjen e Athinës për anëtarësimin në NATO dhe përkrahjen për liberalizimin e vizave.

Ai ka shtuar se:

 Kemi mësuar se 71 për qind e shqiptarëve kanë refuzuar t’i përgjigjen pyetjes mbi përkatësinë fetare, ndërsa 62 për qind e shqiptarëve kanë refuzuar t’i përgjigjen pyetjes mbi përkatësinë etnike”

Kjo intervistë e Spahiut është pasuar me një artikull të Mustafa Nanos, i cili vendos theksin tek politizimi i INSTAT dhe varësia nga zyra e kryeministrit:

INSTAT-i i Ines Nurjes e ka fituar me kohë namin e një institucioni që i shkon sipas midesë Kryeministrit e që punon veç për të.

Më pas ai fillon të – me sa thotë vetë – të spekullojë rreth arsyeve të vonesës së rezultateve dhe shuarjes për “kërshërinë tonë, që tek-tuk është dhe interes i natyrës akademiko-kulturore.” Kësisoj, mes spekullimesh Nano propozon:

Në përgjigje të pyetjes së fundit, ka ca të tjerë që thonë se INSTAT-i është duke pritur që Berisha t’i japë ok-in, pasi e dhëna mbi përkatësinë etnike të shqiptarëve mund të zemërojë grekët (ka dalë një përqindje e vogël grekësh nga regjistrimi, gjë që s’përligj as paranojat e nacionalistëve shqiptarë, që s’lanë gjë pa bërë me synimin për ta demonizuar apriori përmasën etnike të censusit; ndërsa aposteriori janë duke kënduar këngën “rroftë censusi”). Ka ca të tjerë akoma që thonë, se e dhëna mbi identitetin fetar të shqiptarëve mund t’i krijojë Berishës të krisura në marrëdhëniet me komunitetin mysliman, që ka pritur të jetë më i madh në numër (fakti që 70% e popullsisë deklaron “distancë me fenë” nuk është shenjë e mirë për myslimanët; janë të gjitha gjasat që tek ky 70%-ësh të ketë shumë pak të krishterë).

Nano nuk sqaron se sipas cilës logjikë refuzimi për të deklaruar përkatësinë fetare kuptohet prej tij si shprehje e “distancimit prej fesë” e aq më pak të shpjegojë se si vonesa e rezultateve të Censusit është e lidhur me pritshmëritë e supozuara të myslimanëve apo me shqetësimin e Berishës për mos patur “krisje” me myslimanët.

Diskutimi i vonesës së rezultateve të një censusi të politizuar e të kundërshtuar nga të katër anët qysh prej fillimit është i rëndësishëm, por një gazetar me përvojë do duhej ta kishte të qartë se nuk është e përgjegjshme të debatosh arsyet e supozuara në bazë spekullimesh për të cilat nuk ofron asnjë indikacion apo provë.

Artikulli për një nga eventet më të rëndësishme dhe më të debatuara të vitit të kaluar, që solli në skenën politike edhe një forcë të re me qasje nacionaliste, kthehet në muhabet kafeneje: “ka prej atyre që thonë…” Sipas këtij konstrukti logjik mund të rrihet ujë në havan gjithë ditën. Të jetë e qartë që problemi nuk qëndron tek mbrojtja pa kushte e 70%-dëshit që nuk ka asnjë vlerë në këtë kontekst e për më tepër kur shterimin gjer në asgjesim të këtij 70%-dëshit z. Nano e ka promovuar në të shkuarën, por kur analistët që furnizojnë publikun me intrepretimin e politikës së ditës ulin pazarin e analizës së munguar, ka nevojë të vihet në dukje se bashkësia e myslimanëve nuk është karta rezervë kur mungon qoftë edhe gjurma më e vogël e analizës që meriton të quhet e tillë.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *