Rezart Beka

Konteksti i fetvasë

Mardin është një rajon i Turqisë në të cilin ka lindur Ibn Tejmija. Qyteti i tij i lindjes, Harrani, gjendet në rajonin e Mardinit. Mongolët e pushtuan Mardinin kur Ibn Tejmija ishte shtatë vjeç, gjë qe e detyroi atë dhe familjen e tij që të arratiseshin nga qyteti.

Njerëzit e Mardinit ishin myslimanë. Ibn Tejmija i konsideronte mongolët si pushtues jobesimtarë si edhe si zhvatës dhe vrasës, duke qenë se ata kishin kryer shumë krime kundër banorëve të rajonit. Situata në rajon ishte e tillë: banorët ishin myslimanë, por jetonin në sundimin e udhëheqësve jomyslimanë.

Teksti i fetvasë dhe ndryshimi i tij në kohët e mëvonshme

Ibn Tejmija u pyet rreth rajonit të Mardinit. A është ai një tokë e luftës apo e paqes (dar el-harb apo dar el-islam)? A janë të detyruar myslimanët që jetojnë atje që të emigrojnë në vende të tjera myslimane? Nëse ata janë të detyruar që të emigrojnë, por nuk e bëjnë këtë, dhe nëse ata i ndihmojnë armiqtë e Islamit me jetën dhe pasurinë e tyre, a janë ato mëkatarë? A janë mëkatarë ata që i akuzojnë këta myslimanë, që jetojnë në Mardin, si hipokrit dhe i akuzojnë ata si gjynahqarë?

Ibn Tejmija u përgjigj:

Lavdërimi i qoftë Allahut. Jetët dhe pasuria e myslimanëve janë të paprekshme, qoftë kur jetojnë në Mardin apo gjetkë. Të ndihmosh ata që veprojnë në kundërshtim me Islamin është e paligjshme, qoftë kur kjo ndihmë jepet nga njerëzit e Mardinit apo të tjerë përveç tyre. Njerëzit e Mardinit, nëse e kanë të pamundur të praktikojnë fenë, atëherë janë të obliguar të emigrojnë. Përndryshe, për ta emigrimi është i preferueshëm, por jo një obligim. Për ata është e paligjshme që me jetët dhe pasurinë e tyre të ndihmojnë armiqtë e myslimanëve. Ata duhet ta refuzojnë një gjë të tillë me çdo mjet në dispozicion, si p.sh. duke u shmangur, duke qenë evazivë, apo duke i mikluar (mongolët). Nëse e vetmja rrugë që i mbetet është emigrimi, atëherë ata duhet ta bëjnë këtë. Është e ndaluar që të etiketosh negativisht banorët e Mardinit në mënyrë të përgjithshme apo të akuzohen për hipokrizi. Denigrimi dhe akuzimi për hipokrizi duhet të jetë në përputhje me cilësitë e hipokrizisë që përmenden në Kuran dhe Sunet dhe ato janë njësoj të aplikueshme si ndaj banorëve të Mardinit ashtu edhe ndaj njerëzve të tjerë që gjenden gjetiu.

Sa i përket çështjes nëse është, apo jo, rajoni i Mardinit tokë e luftës apo e paqes (dar el-harb apo dar el-islam), kjo është një çështje e përbërë. Mardini nuk është as i njëjtë me tokën e paqes (dar el-selam), ku zbatohen normat ligjore islame dhe ku ushtria përbëhet nga myslimanë, dhe as nuk është e njëjtë me tokën e luftës (dar el-harb), banorët e të cilës janë jobesimtarë. Mardini hyn në një kategori të tretë. Myslimanët që jetojnë atje duhen trajtuar në përputhje me të drejtat e tyre si myslimanë, ndërsa jomyslimanët që jetojnë atje, jashtë autoritetit të ligjit islam, duhen trajtuar në përputhje me të drejtat e tyre”.
Në disa botime të kësaj fetvaje ka ndodhur një ndryshim, pikërisht në pjesën e fundit të saj ku Ibn Tejmija thotë: “Myslimanët që jetojnë atje duhen trajtuar në përputhje me të drejtat e tyre si myslimanë, ndërsa jomyslimanët që jetojnë atje jashtë autoritetit të ligjit islam duhen trajtuar në përputhje me të drejtat e tyre”

Në disa botime, teksti është falsifikuar dhe është sjellë në këtë formë: “ndërsa jomyslimanët që jetojnë atje, jashtë autoritetit të ligjit islam, duhen luftuar ashtu siç i takon”

Ky ndryshim në kuptim ka ardhur si pasojë e zëvendësimit të dy germave të një fjale të vetme. Fjala e saktë juamel (duhen trajtuar) është ndryshuar në jukatel (duhen luftuar). Ky gabim tipografik e ka ndryshuar në mënyrë drastike kuptimin e shprehjes.

Shprehja e sakte e fetvasë shfaqet në burimet e mëposhtme:

1. Dorëshkrimi i vetëm i njohur i fetvasë është “Dorëshkrimi i librarisë dhahirite (2757)”, që gjendet në Librarinë Asad në Damask.

2. Fetvaja citohet në mënyrën e saj të saktë nga studenti dhe bashkëkohësi i Ibn Tejmijes Ibn Muflih, në veprën e tij “Adab El-Sher’ijeh” (vëll. 1, f. 212).

3. Ajo është cituar, në formën e saj të saktë, edhe në El-Durur el-Sanijeh” (vol. 12, f. 248).

4. Sheh Rashid Rida-ja e ka cituar atë në mënyrë të saktë në revistën e tij “El-Menar”.

Teksti i korruptuar u shfaq pothuajse një shekull më parë, në vitin 1909, në botimin e fetvave të Ibn Tejmijes nga Feraxhullah el-Kirdi. Pas tij, Sheh Abdurrahman el-Kasimi publikoi një tjetër botim të fetvave duke u bazuar mbi botimin e el-Kirdi-t dhe duke përsëritur gabimin në tekst (28/248). Falë përhapjes së këtij botimi të fetvasë, fjalët e pasakta u bënë shumë të njohura për publikun dhe nxënësit e dijes. I njëjti gabim u përsërit edhe nga botimet në gjuhën angleze, franceze etj.

Teksti i korruptuar i fetvasë së Mardinit u shndërrua në një bazë legjitimiteti të shumë grupeve të dhunshme dhe militante, brenda shoqërisë myslimane. Midis atyre që përdorën këtë fetva në këtë mënyrë ishte Abduselam Ferexh, në librin e tij “Feridah el-Ghaibeh” (f. 6), i cili u bë një manifest për grupet militante.

Arsyeja përse grupet militante u mbështetën mbi këtë version të gabuar të fetvasë së Mardinit ishte sepse fraza e korruptuar “ndërsa jomyslimanët që jetojnë atje, jashtë autoritetit të ligjit islam, duhen luftuar ashtu siç i takon” duket se nënkupton dy gjëra:

1. Direktiva për të luftuar është dhënë në një formë pavetore, pa treguar se kush duhet ta kryej luftën. Grupet militante e kanë përdorur këtë fetva si një leje për ta, që të marrin përsipër rolin e rrokjes së armëve kundër njerëzve nga përbrenda vendeve dhe bashkësive myslimane.
2. Fraza “jashtë autoritetit të ligjit islam” është ambivalente në kontekstin e tekstit të korruptuar. Sepse shprehja “jashtë autoritetit të ligjit islam” është e gjerë në kuptim, kjo sepse dalja nga sheriati fillon që nga mëkatet e vogla e deri tek mëkatet e mëdha të kufrit (mosbesimit), për rrjedhojë të gjithë këto grupe, që nga besimtarët që bëjnë mëkate të vogla e deri tek ata që bëjnë mëkate të mëdha, hyjnë në kategorinë e njerëzve që duhen luftuar.

Por, në momentin kur njohim tekstin e saktë të fetvasë, atëherë na bëhet e qartë pasaktësia e interpretimit militant që i bëhet tekstit.

Fetvaja e Mardinit nuk eshte e rëndësishme vetëm për mosmbështetjen ndaj grupeve militante, por edhe për temën aq aktuale të konceptit të dar el-harbit dhe dar el-islamit, si edhe për jetesën e myslimanëve në botën bashkëkohore. Prandaj ajo ka qenë në qendër të një konference të mbajtur në Mardinin e ditëve tona, ku morën pjesë dijetarë nga shumë vende të botës islame.

Deklarata e re e Mardinit

Një konferencë paqeje (Mardin: Toka e Paqes) u mbajt në qytetin Mardin të Turqisë, në kampusin e Universitetit Artuklu, në dt. 27-28 Mars 2010). Kjo konferencë u mbajt nën kujdesin e “Global Center for Renewal and Gudiance” (GCRG – me bazë në Londër), në bashkëpunim me “Canopus Consulting” (me qendër në Bristol) dhe sponsorizuar nga Universiteti Artuklu.

Në këtë konference merrnin pjesë një grup dijetarësh të spikatur myslimanë nga e gjithë bota islame, të specialiteteve nga më të ndryshmet. Ata u mblodhën për të studiuar së bashku një prej themeleve më të rëndësishme të jurisprudencës klasike të marrëdhënieve midis myslimanëve dhe të tjerëve, d.m.th. klasifikimin klasik të botës në tokën e luftës dhe tokën e paqes (dar el-harb dhe dar el-islam) si edhe konceptet e tjera të lidhura me të si p.sh. xhihadi, besnikëria dhe armiqësia, qytetaria dhe emigrimi në tokat jomyslimane.

Ata zgjodhën këtë dallim konceptual juridik për shkak të rëndësisë që ai ka në garantimin e bashkëjetesës së paqshme dhe harmonike si edhe në bashkëpunimin për mirë dhe drejtësi midis myslimanëve dhe jomyslimanëve, me kusht që ky dallim juridik të kuptohet në përputhje me tekstet dhe maksimat normative fetare dhe nën dritën e objektivave më të larta të Sheriatit.

Organizatorët zgjodhën si temë kryesore kërkimore për konferencën fetvanë e Ibn Tejmijes në lidhje me klasifikimin e qytetit të Mardinit të kohës së tij. Kjo fetva u zgjodh për shkak të kuptimit domethënës intelektual, civilizues dhe simbolik që ajo përmban.

Pika kryesore e saj është se Ibn Tejmija, në klasifikimin që i ka bërë qytetit të Mardinit – falë kuptimit të thellë të Sheriatit, mprehtësisë dhe vetëdijes që kishte për kontekstin në të cilin jetonte – ka shkruar përtej klasifikimit të zakonshëm për kohën e tij: që i ndante territoret në tokën e Islamit (gjendja primare e të cilës është paqja), toka e kufrit (gjendja primare e të cilës është lufta) dhe toka e besëlidhjes (Ahd) (në të cilën gjendja primare ishte armëpushimi).

Në vend të klasifikimit të zakonshëm të kohës së tij, Ibn Tejmija ofronte një klasifikim të përbërë, përmes së cilit mund të shmangeshin luftërat civile midis myslimanëve, të ruheshin jetët, pasuria dhe nderi, si edhe të vendosej drejtësia midis myslimanëve me njëri-tjetrin si edhe midis tyre të tjerëve.

Fetvaja e tij është unike në formulim dhe deri në një farë mase i adresohet një konteksti të ngjashëm me atë të kohës sonë. Ajo i referohet një gjendjeje politike të botës që ishte e ndryshme nga ajo e hasur nga juristët e së kaluarës, e cila kishte qenë në bazë të mënyrës së tyre të veçantë me të cilën ato i klasifikonin territoret.

Është pikërisht kjo situatë e ndryshuar që Ibn Tejmija e ka marrë në konsideratë kur ka dhënë fetvanë e tij, dhe është situata ajo që e bën tani të domosdoshme që juristët bashkëkohor të rishikojnë klasifikimin klasik, për shkak të situatës së ndryshuar bashkëkohore. Në ditët tona myslimanët janë të lidhur nga traktate ndërkombëtare përmes së cilave është arritur siguria dhe paqja për tërë njerëzimin dhe në të cilat ata gëzojnë siguri në lidhje me pasurinë, integritetin dhe atdheun e tyre. Si pasojë e kësaj, në ditët tona myslimanët janë duke ndërvepruar me të tjerët në një mënyrë të paprecedent, qoftë politikisht, shoqërisht apo ekonomikisht.

Juristët bashkëkohorë duhet gjithashtu të rishikojnë klasifikimin klasik të dar el-harbit dhe dar el-islamit, sepse ka vërtet nevojë për një vizion të shëndosh ligjor dhe islam që nuk dhunon tekstet fetare islame, që është në harmoni me objektivat më të larta të Sheriatit dhe përballet me kontekstin bashkohor. Nën dritën e asaj që sapo thamë, pjesëmarrësit në konferencë paraqitën dhe diskutuan ese kërkimore dhe arritën në përfundimet dhe rekomandimet e mëposhtme:

Perfundimet

[1] Fetvaja e Ibn Tejmijes në lidhje me Mardinin nuk duhet, në asnjë rrethanë, përvetësuar dhe përdorur si argument për akuzimin për kufër (mosbesim) të myslimanëve të tjerë, për t’u rebeluar kundër udhëheqësve, për t’i konsideruar lojë jetët dhe pasuritë e tyre, për terrorizimin e atyre që gëzojnë mbrojtjen dhe sigurinë apo për të vepruar në mënyrë tradhtare kundër atyre që jetojnë në harmoni me myslimanët apo kundër atyre me të cilët myslimanët jetojnë në harmoni duke bashkëndarë qytetarinë dhe paqen. Përkundrazi, fetvja e Ibn Tejmijes e konsideron të gjithë këtë si të paligjshme, pavarësisht nga qëllim fillestar i saj i mbështetjes së një shteti mysliman kundër një shteti jomysliman. Ibn Tejmija pajtohet me të gjithë këtë dhe në këtë aspekt ndjek precedentin e të gjithë dijetarëve myslimanë dhe nuk devijon nga qëndrimet e tyre. Kushdo që kërkon mbështetje në këtë fetva për të vrarë myslimanët, apo jomyslimanët, kanë gabuar në interpretimin e saj dhe kanë keqzbatuar tekstet e shpallura.

[2] Në jurisprudencën islame klasifikimi i territoreve ishte një klasifikim i bazuar në ixhtihad (arsyetim juridik) që bëhej i domosdoshëm nga rrethanat në të cilën ndodhej bota islame dhe nga natyra e marrëdhënieve ndërkombëtare që mbizotëronin në atë kohë. Megjithatë, në ditët tona rrethanat kanë ndryshuar: Ekzistenca e traktateve ndërkombëtare të pranuara, të cilat i konsiderojnë krim luftërat që nuk bëhen për të zmbrapsur një agresion apo për t’i rezistuar një pushtimi; dalja në dritë e shteteve civile që garantojnë, në tërësi, të drejta fetare, etnike dhe kombëtare, e kanë bërë, përkundrazi, të domosdoshme deklarimin e tërë botës si vendi i tolerancës dhe bashkëjetesës së paqshme midis feve, grupe dhe fraksioneve. Kjo në kontekstin e vendosjes së të mirës së përgjithshme dhe drejtësisë midis njerëzve dhe ku ato gëzojnë siguri në lidhje me pasurinë, vendbanimet dhe integritetin e tyre.
Kjo është ajo që ka pranuar dhe pohuar Sheriati dhe drejt së cilës ai ka thirrur njerëzimin, që nga koha kur Profeti (a.s.) emigroi në Medine dhe përmbylli traktatin e parë/marrëveshjen e paqes që garantonte bashkëjetesën harmonike dhe të ndërsjellë midis fraksioneve dhe grupeve të ndryshme etnike dhe racore, brenda një strukture drejtësie dhe interesash të përbashkëta. Mangësitë dhe thyerjet që janë kryer nga disa shtete, të cilat kanë dëmtuar këtë proces, nuk mund dhe nuk duhen përdorur si mjete për të mohuar vlefshmërinë e tij dhe për të krijuar konflikt ndërmjet tij dhe Sheriatit islam.

[3] Ndërmjet prioriteteve të dijetarëve myslimanë dhe instituteve akademike islame duhet të jetë analiza dhe vlerësimi i ideve që e shtojnë ekstremizmin, tekfirin (etiketimi i myslimanëve si mosbesimtarë) dhe dhunën në emër të Islamit. Masat e sigurisë, pavarësisht se sa të drejta dhe të ndershme të jenë nuk mund ta zëvendësojnë sqarimin elokuent skolastik të mbështetur nga argumentet dhe evidencat. Kësisoj, është përgjegjësi e dijetarëve fetarë të umetit që të dënojnë të gjitha përpjekjet e dhunshme për ndryshim apo protestat e dhunshme, brenda ose jashtë shoqërive myslimane. Një dënim i tillë duhet të jetë i qartë, eksplicit dhe një manifestim i guximit real për të folur të vërtetën, në mënyrë që të eliminohet çdo pështjellim ose dykuptimësi.

[4] Përgjatë shekujve, dijetarët myslimanë kanë theksuar gjithnjë se xhihadi, që konsiderohet kulmi i fesë islame, është i shumëllojtë dhe të luftuarit në rrugë të Zotit është vetëm një lloj xhihadi. Leja, autorizimi dhe ekzekutimi i këtij lloji të veçantë xhihadi i është akorduar nga Sheriati vetëm atyre që udhëheqin bashkësinë (në ditët tona kryetarëve të shteteve). Kjo sepse një vendimi i tillë për luftë është një vendim politik që ka nënkuptime dhe pasojë të mëdha. Kështu që, nuk i takon asnjë myslimani apo grupi mysliman që të shpallë dhe deklarojë luftë, apo të përfshihet në xhihad luftarak, në mënyrë kapriçoze dhe në kokë të tyre. Ky kufizim është jetësor për të parandaluar që të ndodhin shumë prej të ligave dhe për t’i qëndruar mirëfilli besnik në lidhje me këtë çështje.

[5] Baza e legjitimitetit për xhihadin është zmbrapsja/rezistenca ndaj agresionit (Dhe luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se Allahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën)), ndihma ndaj atyre që janë të dobët dhe të shtypur (Ç’keni që nuk luftoni për Zotin dhe për (t’i shpëtuar) të paaftit: nga burrat, nga gratë e nga fëmijët…” (Kuran Nisa 75), ose mbrojtja e lirisë së adhurimit (“Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejtësi, e Allahu ka fuqi për t’u ndihmuar atyre (muslimanëve). Kuran El-Hajj, 39). Nuk është e lejuar të deklarohet luftë mbi bazën e ndryshimeve në fe, apo në kërkim të plaçkës së luftës.

[6] Në Islam fetvaja është një çështje serioze. Prandaj, dijetarët kanë vendosur kushte të ashpra për myftiun (autoriteti që lëshon fetva). Një prej këtyre kushteve është që myftiu duhet të jetë tërësisht i kualifikuar në dijen dhe kualifikimin islam. Një prej kushteve që janë specifike për fetvanë në vetvete është që ajo ta ketë përcaktuar objektin e duhur të aplikimit (menat) në përputhje me vendin, kohën personin, rrethanën, pasojën dhe rezultatin e ardhshëm.

[7] Nocioni i besnikërisë dhe armiqësisë (el-uela ue el-berra) nuk duhet përdorur asnjëherë për ta deklaruar cilindo si jashtë radhëve të islamit, veç nëse mbahet si i vërtetë një nen mosbesimi. Në të gjitha rastet e tjera, ai përfshin disa lloje gjykimi që renditen sipas pesë shkallëve juridike: (e lejuara, e rekomanduara, e parekomanduara, e palejuara dhe e kërkuara). Kësisoj, nuk është e lejuar ta ngushtosh aplikimin e këtij nocioni dhe ta përdorësh atë për ta deklaruar një mysliman si të dalë prej Islamit.

Rekomandimet

Pjesëmarrësit në konferencë sugjeruan rekomandimet e mëposhtme

– Të mblidhet një konferencë e përvitshme në Evropë që të bëj hetime dhe të eksplorojë konceptin islam të paqes dhe të bashkëjetesës së paqshme ndërmjet bashkësive, kombeve dhe feve.

– Themelimin e “Qendrës Mardin” për kërkime në teorinë politike islame.

– Krijimin e njësive dhe departamenteve kërkimore në universitetet islame dhe në institucionet pasuniversitare që të interesohen për kërkimin, trajnimin dhe kualifikimin e kandidatëve potencial në sferën e formulimit dhe lëshimit të fetvave, në lidhje me çështjet publike që i përkasin tërë umetit mysliman.

– Të inkurajohen studimet teorike dhe praktike në lidhje me kushtet historike dhe rrethanat që prekin çështjen e dhënies së verdikteve dhe opinioneve ligjore.

– Të inkurajohen studimet akademike dhe shkencore që të përqendrohen mbi rrethanat dhe kushtet historike në cilat janë dhënë fetvatë e dijetarëve të mëdhenj të së kaluarës.

– Të bëhen përpjekje më të mëdha në redaktimin, rishikimin dhe eksplorimin e trashëgimisë së Shehut Islam Ibn Tejmija – Zoti pastë mëshirë për të – dhe të trashëgimisë së dijetarëve shembullor, për sa i përket impaktit të tyre mbi botën myslimane dhe për sa i përket asaj që mund të shpresohet nga një kuptim i shëndoshë dhe korrekt i trashëgimisë përkatëse të tyre në lidhje me udhëzimin dhe drejtimin si të specialistëve ashtu edhe të njerëzve të përgjithshëm.

– Dërgimin e kësaj deklarate në akademitë e ndryshme juridike të botës islame, me qëllim që ajo të pasurohet, të thellohen diskutimet rreth saj dhe të shtrihen dobitë e saj edhe për një audiencë më të gjerë.

Përfundim: organizatorët dhe pjesëmarrësit dëshirojnë të falenderojnë përzemërsisht dhe të shprehin vlerësimin për të gjithë ata që kontribuan në suksesin e konferencës dhe në rradhë të parë guvernatorin e Mardinit, Presidentit të Universitetit Artuklu dhe myftiun e Mardinit.

[*] Ky tekst është një përpilim i marrë nga dy teskte në lidhje me këtë temë, të cilat janë: (1) The New Mardin Declaration dhe (2) Understanding Ibn Taymiyyah’s Fatwa.

Comments

  • Fetvaja shpallet nga myftiu pas nje studimi nga nje grup dijetaresh te cilet punojne prane myftiut, ndersa tani dhe ne vecanti ketu ke ne japin fetva per qefin e tyre cdo hoxhe, mjafton te di te falet dhe di ca fjale arabisht te tjerat nuk kane rendesi.

  • Ibn Tejmija eshte dijetar shume i keqkuptuar sot. Jusuf Kardaui e ka shpreh shume mire ne librat e tij qe Ibn Tejmije duhet te rivendoset ne vendin e vet midis atyre qe e ngrene mbi te gjithe te tjeret dhe atyre qe e sulmojne. Kardaui thote se shume njerez sot e keqperdorin Ibn Tejmijen, duke i mare qorrazi fetvate e tij e duke lene menj’ane usulin e tij. Nese Ibn Tejmije ka nxjerre nje fetva qe i pershtatet kohes se tij, duke perdorur nje usul te caktuar, eshte gabim i rende te ndjekesh fetvane, ndersa me usulin e tij, ne kohen e sotme do te ishte nxjerre nje fetva tjeter fare.

  • esselamu alejkum!

    Kam nje artikull te perkthyer nga arabishtja ne lidhje me konferencen e Mardinit gjithashtu, por qe e sheh çeshtjen ne nje kendveshtrim krejt tjeter. Gjithashtu kam vene re duke ndjekur faqen tuaj se ka raste ku publikoni artikuj me pikepamje te ndryshme dhe mendova te informoja ne lidhje me kete. Para disa ditesh ju kam derguar edhe nje e-mail tjeter nepermjet rubrikes kontakt, me konkretisht ne adresen e-zaninalte@e-zani.com, por me sa duket e-maili nuk ju ka arritur.
    Nese e shihni te arsyeshme publikimin e artikullit mund te me kontaktoni ne privat.
    Faleminderit!

  • Leave a Reply to t.... sh.... Cancel reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *