e-zani

Është njoftuar në media këto ditë se Kosova ka aplikuar zyrtarisht për antarsim në Organizatën e Vendeve Islamike e njohur sipas akronimit në anglisht, OIC, edhe pse një informacion i tillë nuk është konfirmuar nga qeveria kosovare:

Kosova ka aplikuar zyrtarisht për t’u bërë pjesë e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, e njohur me emrin OIC, raporton KTV. Sipas agjencisë së lajmeve “MENA-FN” nga Lindja e Mesme, sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Ekmeleddin Ihsanoglu, e ka mirëpritur vendimin e Kosovës për të aplikuar dhe për t’u bërë anëtare e përhershme e kësaj organizate… Në komunikatat zyrtare të Qeverisë së Kosovës për takimin me Ihsanoglun nuk është përmendur askund mundësia e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, që përfshin vendet myslimane.

Ashtu si pritej, ky njoftim është pasuar me bataren e fyerjeve raciste e islamofobe ku etiketimi më pak agresivë për myslimanët shqiptarë duket të jerë: majmunë. Ky antarsim është parë si tregues i ngjyresave islamike të udhëheqsve politikë në Tiranë apo Prishtinë. Por megjithë këtë panik masiv mbi islamizimin e supozuar të liderve politikë shqiptarë, ka mjaftueshëm evidencë se prania e Shqipërisë në OIC është bërë me aprovimin, nxitjen dhe në interes të vendeve perëndimore si ShBA dhe Franca. Këtu tek EZN kemi postuar më parë një artikull që citon kabllogramet e ambasadës amerikane në lidhje me komunikimet e krerëve të diplomacisë shqiptare dhe Ambasadës Amerikane si dhe një artikull të ish-ministrit të jashtëm, Besnik Mustafaj, i cili tregon për bisedën me ish-Presidentin francez në lidhje me praninë e Shqipërisë në OIC si evidencë e faktit se Shqipëria gjendet në OIC me aprovimin dhe në avancim të interesave të vendeve perëndimore:

Kabllogramet e Ambasadës amerikane na tregojnë se jo vetëm krerë të diplomacisë shqiptare si z. Besnik Mustafaj dhe z. Lulzim Basha kanë diskutuar statusin e anëtarësisë së Shqipërisë në këtë konferencë me ambasadën amerikane, por kanë kërkuar edhe në mënyrë të drejtëpërdrejtë mendimin e kësaj ambasade në lidhje me vazhdimësine e anëtarësisë së Shqipërisë në OKI.

Z. Besnik Mustafaj ka kërkuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë mendimin e ambasadores amerikane nëse Shqipëria duhej të largohej nga kjo organizatë, gjë për të cilën ambasadorja u përgjigj se, ndonëse anëtarësimi në një organizatë ndërkombëtare është një vendim kombëtar, SHBA-ja e vlerëson si pozitiv faktin që OKI ka një anëtar të moderuar dhe të përgjegjshëm (Kabllogram 06TIRANA602).

Në kabllogramin e cituar më sipër, ambasadorja amerikane shton se: “Ne kemi dëgjuar nga USUN se në të shkuarën, ambasadori i Shqipërisë ka dhënë informacione të vlefshme mbi aktivitetet e OKI. Ne duhet të shpresojmë që një lloj bashkëpunimi i tillë të vijojë”.

 

një artikull të paradokohshëm (Panorama 26.9.2010) z. Mustafaj ka treguar se prezenca e Shqipërisë është parë si e vlefshme për perëndimin edhe nga ish-Presidenti francez, Miteran:

 

“Unë vetë asokohe, në një takim me Presidentin Miteran, gjeta mundësinë t’ia drejtoja atë pyetje që shtrohej gjerësisht në Tiranë e ndaj të cilës edhe unë vetë kisha sigurisht ndjeshmërinë time. A do të përbënte anëtarësimi në Konferencën Islamike, pengesë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian? Presidenti Miteran kërkoi të dinte vetëm se me çfarë kushtesh kishim hyrë ne në këtë organizatë. Dhe kur unë i shpjegova se kushti i pakapërcyeshëm ishte respektimi i Kushtetutës tonë, ku sanksionohet se shteti shqiptar është laik dhe nuk ka asnjë fe zyrtare, ai mu përgjigj fare thjesht. Më tha se ishte mirëfilli në interesin e Europës, që sa më shumë vende si yni të kishin zë në gjirin e kësaj organizate, si një mundësi për t’u shprehur aty nga brenda jo vetëm filozofia europiane, por edhe vullneti i Europës për të bashkëpunuar me vendet myslimane, në emër të paqes e të prosperitetit të përbashkët. “Kjo do të jetë një vlerë e shtuar për ju kur të vini në Bashkimin Europian, e të bëheni pjesë e politikës së jashtme të përbashkët europiane”, më tha Presidenti Miteran.”

Prezenca e Shqipërisë në OKI, pra, nuk është tregues i ndonjë orientimi islamofil të elitave politike shqiptare. Në të kundërt, kjo prezencë ka patur dhe vazhdon të ketë nxitjen e vendeve perëndimore si ShBA dhe Franca dhe se, së paku sipas një kabllogrami, prezenca e Shqipërisë në OKI ka siguruar informacione të vlefshme për ambasadën e ShBA në Tiranë. Duke cituar ish-Presidentin Miteran, z. Mustafaj na tregon se, kjo prezencë e Shqipërisë në OKI, është “vlerë e shtuar për ju kur të vini në Bashkimin Evropian…”

Besojmë se të njëjtat konsiderata vlejnë edhe për Kosovën. Është e mirënjohur ndër diplomatët shqiptarë nxitja e selive diplomatike perëndimore që të ketë më shumë lobim e afrim të Kosovës me vendet me shumicë myslimane në përpjekje për të fituar njohje më të gjerë ndërkombëtare. Por teksa përpjekje të tilla kanë qenë rezultat i politikave pragmatiste dhe nën nxitjen perëndimore, ato janë interpretuar përherë si filoislamizëm i elitave politike që vazhdojnë mohojnë të drejtat e myslimanëve praktikantë për shkollim e punësim, vazhdojnë promovojnë politika diskriminuese dhe dhunojnë ekuilibrat e laicitetit në promovimin e simboleve e figurave të krishtera në përpjekjet për tu treguar pro-perëndimorë.

Kësisoj, myslimanët shqiptarë në Shqipëri e Kosovë nuk i kanë parë e as nuk do shohin ndonje avantazh nga antarsia e Shqipërisë në OIC apo nga një antrasim i mundshëm i Kosovës në të ardhmen, por ja kemi parë dëmin se na tundet para syve ky islamizimi i supozuar që akuzohet se po shpie shqiptarët nga Lindja e na mban larg Perëndimit. Qeveria e Kosovës në bazë të interesave të veta pragmatike mund të konsiderojë një antarsim të tillë, por për sa na përket ne myslimanëve për të cilët Islami nuk është gjeo-politikë, por përpjekje aktive për afrimin me Zotin nëpërmjet lutjeve, agjerimit, ndihmës për të tjerët e një jete të devotshme, antarsimi në OIC jo që nuk na hyn në punë por ka qenë në dëm tonin e ashtu si kemi bërë thirje më parë që Shqipëria të dalë nga OIC, ashtu do preferonim që qeveria e Kosovës mos e merte një hap të tillë, e nëse e bën një gjë të tillë, le ta bëjë të qartë që nuk e bën e motivuar as nga solidariteti fetar, e as për hir të myslimanëve shqiptarë.