Loela Xhafa.

Që në fillim të emërimit të tij në detyrë Avokati i Popullit Igli Totozani u prononcua në mënyrë të zëshme për shumë probleme që shqetësojnë shoqërinë tonë, siç janë: shkeljet e të drejtave të njeriut dhe keqtrajtimi në burgje, konflikti me pjesëtarë të Komunitetit Rom, mbështetja dhe rritja e përfitimeve për invalidët dhe të verbërit, krijimin e një ndihme juridike për personat që nuk mund te vetëmbrohen etj .

 

Ndër të tjera, pamë, lexuam dhe ndjemë nga afër përkujdesin e tij të posacëm për komunitetin LGBT, për të cilin u shpreh në mënyrë të shkruar plot tre herë brenda një jave, në disa gazeta njëherësh (përkatësisht 12, 13 dhe 19 qershor në gazetën Panorama, por edhe në media të tjera).

 

Prononcimi i tij në këtë çështje shkon brenda suazës së detyrës që ushtron dhe le ta bëjë, por  ajo që tërhoqi vëmendjen nuk është leksioni i tij i datës 19 qershor 2012 në “Panorama”, se si duhet trajtuar e kuptuar LGBT-ja, por kërkesa e tij dhe rekomandimi i bërë ndaj Ministrit të Arsimit Tafaj për të futur në kurrikula e programe shkollore njohuri të posacme dhe informacion për LGBT-n. Ndërkohë që diskutimi mbi ligjin për arsimin dhe futja e lëndëve fetare ka muaj që vazhdon dhe komunitetet fetare shprehin njëzëri mospajtimin e tyre me refuzimin e kërkesës së tyre,  Avokati sheh të domosdoshëm vetëm futjen e kësaj lënde LGBT-iste në kurrikula dhe nuk e sheh fare të udhës të thotë një fjalë për kërkesën e hershme të shumicës fetare të popullit, ndonëse për harmoninë fetare në vend nuk ngurrojnë të krekosen nëpër Europë gjithë spektri politik e social, për të cilën nuk kanë as kontributin më minimal, përvecse për të kundërtën.

 

Avokati ka vazhduar me këmbëngulje misionin e tij edhe pse më 15 qershor 2012, pra 4 ditë përpara leksionit LGBT-ist, u vra mizorisht teksa punonte arën 17-vjecarja Marie Cuku dhe gjyshi i saj me pretendimin e gjakmarrjes dhe zbatimit famëkeq të Kanunit. Mbase atij mund t’i jetë dukur kjo një vrasje e rëndomtë, jo e denjë për funksionin e tij, por nuk ishte e tillë për opinionin publik dhe analistët e gazetave shqiptare, të cilat përtej keqardhjes së pafund ndaj viktimës/ave shohin lehtësinë tragjike të marrjes së jetës, e një zëvendësim të frikshëm të ligjeve të shtetit me mbeturinat e Kanunit. Them me mbeturinat e kanunit, sepse kanuni si i tillë është tashmë një relike historike, çdo sqarim rreth të cilit ka vetëm vlera historike, sociologjike e kulturore për një periudhë të caktuar dhe asgjë tjetër. Rikthimi i tij gjysmak sipas së drejtës që gjithsecili i jep vetes në emër të tij, në një vend me shtet e ligje, do të duhej të alarmonte shtetin tonë aspirant për në BE bashkë me Avokatin e të gjithë popullit, sikurse ka shqetësuar dhjetra herë jo vetëm shoqërinë civile, por edhe disa shtete europiane, të cilët përballen akoma me kërkesat për azil të qytetarëve shqiptarë nga frika e gjakmarrjes/hakmarrjes.

 

Besoj se kjo do të duhej të përbënte një problem përtej rekomandimeve europianiste që dëgjojmë çdo ditë me hir dhe pahir, a thua se plotësimi i tyre do të ishte mrekullia vetë, zgjidhja përfundimtare e problemeve tona. Ashtu siç Avokati ynë ka kërkuar nisma ligjore për çështje të cekura në fillim, do të duhej të kërkonte nisma ligjore edhe për problemin e gjakmarrjes/hakmarrjes, e cila ka shkatërruar dhe po vazhdon të shkatërrojë jetët e mijëra qytetarëve të këtij vendi.

 

Për t’u futur kjo lëndë nëpër shkollat shqiptare i bie që e gjithë kurrikula shkollore e, ta zëmë, arsimit parauniversitar të jetë në rregull dhe kjo lëndë LGBT-iste do të zgjidhte problemin e diskriminimit të këtij komuniteti.

 

Mirëpo, për fat të keq nuk është kështu. Në shkollat shqiptare, si gjatë regjimit komunist, ashtu edhe tani në vitet e demokracisë, ka ekzistuar gjithnjë një lëndë mësimore e quajtur dikur „edukatë shoqërore“, ndërsa tani quhet „edukatë civile“, që e shoqëronte nxënësin gjatë gjithë arsimit 8-vjecar, moshë thelbësore kjo për formim, shto këtu edhe lëndë të tjera me karakter shoqëror si: historia, gjeografia, sociologjia, letërsia, gjuha etj. Por këto nuk kanë kontribuar aspak për një formim cilësor të nxënësit, sepse ato kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë tejet të fryra e të ënjtura me racizma, urrejtje fetare, ksenofobizma e legjitimim gënjeshtrash dhe kur këto fenomene të rrezikshme janë kaq të dukshme nëpër të gjitha shtresat e shoqërisë sonë,  pretendimi i uljes së homofobisë me lëndë shkollore është në rastin më të mirë, tepër naiv.

 

 

Së fundmi është evidentuar nga organizatat jo-fitimprurëse që operojnë në Shqipëri diskriminimi social në rritje në shkollat shqiptare, veçanërisht në arsimin parauniversitar. Preja aktuale e diskriminimit social janë banorët e ardhur kryesisht nga Veriu i Shqipërisë dhe lëvizjet demografike të pas viteve `90, të cilët diskriminohen për shkak të vendlindjes, dialektit etj (i quajnë malok, çeçen, bathorist e gjithfarllojësh që u vjen në mend).

 

Madje një shembull negativ dha edhe Presidenti në ikje z. Bamir Topi në vijim të një konflikti partiak me Kryeministrin e vendit z. Sali Berisha në një nga mediat e njohura televizive, kur tha: „…….e marr për dore t’i tregoj Tiranën…….“. Pavarësisht kamuflimit me problem pronësie dhe elokuencës së përdorur prej tij më pas, ndërmjet rreshtash ishte i qartë konteksti.

 

Pra, kur Avokati ynë të konstatojë se të gjitha problemet e shtruara dhe të pashtruara, të dukshme apo të padukshme, i ka vënë në vijë apo i ka vendosur në një plan të drejtë dhe të paanshëm për zgjidhje, mund të vërë në zbatim edhe diskriminimin pozitiv.

Comments

  • Imagjino cfare shkolle do bejne femijet tane te shkrete ku nga njera ane glorifikohet Nene Tereza, futen lende fetare ne shkolle, nga ana tjeter mesohet se pederastia eshte OK.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *