Besnik Sinani*

 

Pas protestave të disa grupeve myslimane në Kosovë në 2010 kundra ligjit, që ndalon shkollimin e vajzave myslimane që mbajnë shami dhe protestave një vit më vonë, që kërkonin leje për ndërtimin e një xhamie në zonën qëndrore të Prishtinës, mediat kosovare i kanë kushtuar vëmendje ndryshimeve në format e religjiozitetit në bashkësinë myslimane dhe prezencës së fesë në hapsirën publike. Kohët e fundit feja në Kosovë ishte edhe çështja e zgjedhur për trajtim nga një prej botimeve më interesante kosovare, Kosova 2.0 dhe disa muaj më parë, në Nëndor, Qendra për Studime Humaniste “Gani Bobi,” kreu sondazhin “Interesi Publik dhe Religjioni.”

 

Artikulli kryesor i Kosova 2.0 është artikulli i gazetarit Enver Robelli, i cili vendos zhvillimet në Kosovë në kontekstin e zhvillimeve në gjithë Ballkanin. Nuk ka informacion të ri në këtë trajtesë, por mbi të gjitha, kategori të cilat studiuesit e shkencave sociale që studiojnë shoqëritë myslimane në kontekste të ndryshme globale i kanë konsideruar reduktuese e të mbi-thjeshtuara, përsëriten duke ricikluar të njëjtat etiketime e dikotomi: “i moderuar,” e “radikal,” të cilat, në fakt, nuk na thonë asgjë për fenomenet dhe aktorët që supozojnë të analizojnë.

 

Një nga arsyet për këtë është se në klimën politike ndërkombëtare këto terma janë ideologjikisht të mbingarkuar dhe përdoren shpesh politikisht për të demonizuar grupe apo individë. Ato përdoren e shpërdorohen në konflikte të brendshme të myslimanëve, nga shteti maqedonas që kërkon të demonizojë shqiptarët e nga kushdo tjetër që kërkon t’i vendosë armikut politik ‘njollë në biografi’ e ta hedhë në kampin e gabuar në “Luftën kundra Terrorit.” Sondazhi i përmendur në krye të këtij artikulli na shërben si ilustrim i paradokseve të këtyre etiketimeve.

Një nga pyetjet në sondazh është: “A jeni për kursin properëndimor të Kosovës?” ku përgjigjet e mundshme janë: “Po, mendoj se Kosova definitivisht është perëndimore” apo “Jo, feja dhe kultura islame janë e vërteta e vetme”! Kjo lloj pyetje është produkt i teorive ndërkaq të diskretituara të luftës së qytetërimeve: Islami kundër Perëndimit, por konfigurimet bardh e zi që kërkojnë të vendosin njerëzit në kuti ideologjike nuk lejojnë hapsirë për nuancat e realitetit shoqëror. Një tjetër pjesë e sondazhit na e tregon më qartë këtë gjë. Sipas një prej autorëve të sondazhit, Shkëlzen Maliqi, sondazhi nuk i ka vërtetuar pretendimet e atyre që Maliqi cilëson si grupe radikale se myslimanët në Kosovë janë të diskriminuar, pasi vetëm 8% të të anketuarve kanë pohuar një gjë të tillë. Por, në anën tjetër, çështjet që janë ngritur në protesta si shamia në shkolla, ndërtimi i xhamisë apo futja e lëndëve fetare në shkollat publike mbështeten nga shumica e të anketuarve.

Në një analizë të këtij sondazhi nga një blog mysliman, e-zani.com, vërehej se “në distancën e madhe që ka midis preferencave të shumicës së opinionit në një krah, dhe në krahun tjetër, vendimeve të elitës politike, sondazhi na zbulon haptas se cilat janë vërtet “grupet radikale” të Kosovës.” Sondazhi pra del me perfundimin paradoksal se shumica dërmuese e myslimanëve të Kosovës mbështesin një Islam të moderuar dhe në anën tjetër se po kjo shumicë dërmuese mbështet çështjet që ky sondazh i përdor si shënues të radikalizmit fetar.

Numri i tretë i Kosova 2.0 premtonte një kahje të re në qasjen ndaj kutpimit të fesë duke ju referuar veprave të rëndësishme të antropologjisë bashkohore, të cilat më shumë se fusha të tjera studimore kanë ndihmuar në kuptimin e manifestimeve publike të fesë në kohën e sotme. Por edhe këto dy përpjekje të reja kanë ricikluar etiketimet që nuk na thonë pothuaj asgjë për kompleksitetin dhe natyrën e këtyre zhvillimeve sociale në Kosovën e pas-luftës.

Ajo që nevojitet është çmontimi i këtyre etiketimeve ideologjike dhe ngritja e një debati të mirëfilltë mbi raportin midis identiteve kolektive që kërkojnë të manifakturojnë elitat dhe lirive fetare të individëve dhe bashkësive në një shoqëri post-koloniale dhe post-diktatoriale si ajo e Kosovës.

 Botuar tek Revista Shenja 1 korrik, 2012.

 

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *