E-zani

Shoqata ALSAR ka botuar të gjitha tekstet mësimore të fesë që zhvillohen në arsimin publik të Bosnj Hercegovinës. Këto tekste janë botuar për t’i paraprirë futjes së kësaj lënde në arsimin shqiptar, për të cilën ka kohë që diskutohet në Ministrinë e Arsimit si dhe në media. Botimi i tyre prej shoqatës është bërë për të ofruar një model sesi mund të hartohen tekste të tilla, duke synuar t’u ndihmojë autoriteteve, në konceptimin e programeve të tilla.

Kryetari i Shoqatës Mehdi Gurra, u shpreh për E-zanin se kjo shoqatë ka dashur t’i paraprijë këtij diskutimi, duke ofruar materiale konkrete. Ai u shpreh se futja e lëndëve fetare në arsimin publik është një domosdoshmëri për shkak se brezi i ri ka nevojë aktualisht për një frymë tjetër edukimi, në kushtet e zhvillimeve të sotme të shoqërisë shqiptare. Këto tekste do të bëjnë të mundur që të rinjtë të edukohen në frymën fetare, e cila është mënyra më e mirë për të pasur formimin e duhur etik dhe kulturor. Ai ftoi autoritetet shqiptare si dhe Komunitetin Musliman, të angazhohen seriozisht në një proces të tillë tepër të nevojshëm për shoqërinë.

Gurra: Tekstet të jenë gjithpërfshirëse

Gjithashtu Gurra parshtroi një sërë çështjesh të cilat duhet të shihen me kujdes në realizimin e këtij procesi. Një pikë e rëndësishme në këtë, sipas tij, është ajo që ka të bëjë me gjithpërfshirjen që duhet të ketë si në temat e trajtuara në tekste ashtu edhe në lidhje me kuadrin mësimor që do të përfshihet në këtë proces. Ai u shpreh se Komuniteti Musliman duhet të hartojë listat e duhura të mësuesve që mund të përfshihen në mësimdhënien e kësaj lënde, ku të angazhohen të gjithë studentët e diplomuar në dijet fetare në universitete të ndryshme në botë, shumica e të cilëve janë të papërfshirë në strukturat e Komunitetit Musliman, si dhe një pjesë të mirë të atyre që kanë mbaruar medresetë e shumta të vendit, të cilët mund të angazhohen në pjesën që i përket arsimit 9 vjeçar. Ai tha se deri tani figurojnë të konfirmuar 243 teologë të tillë, të cilët janë të paangazhuar në KMSH, të cilët përbëjnë një kuadër të mirë për të realizuar një projekt të tillë. Nga ana tjetër, në këtë proces duhen përfshirë një masë sa më të madhe njerëzish, organizmash që veprojnë në Shqipëri, në mënyrë që këto tekste të përfaqësojnë një konsensus të gjerë në vend.

Tekstet, në përputje me Kartën e Bolonjas

Arsyeja se përse u përzgjodhën tekstet e arsimit publik të Bosnje Hercegovinës, sipas shoqatës, janë disa. Së pari, sipas tyre, serioziteti me të cilin ky vend e ka marrë një proces të tillë është në nivele të larta, dhe i tillë është edhe produkti i dalë prej këtej. Komuniteti Musliman dhe Myftiu i Bosnjes Mustafa Ceriq i kanë kushtuar një rëndësi tepër të madhe këtij procesi dhe angazhimi i këtij komuniteti ka qenë në nivele të larta. Nga ana tjetër, këto tekste janë produkt i një konsulence të fortë ekipore nga ana metodike, psikologjike, duke bërë që informacioni i përmbledhur aty, t’i përgjigjet kushteve psiko-sociale të grup-moshave që u kushtohet. Gjithashtu, një tjetër arsye është edhe fakti që Bosnje Hercegovina, është një vend ballkanik, me kushte shoqërore të ngjashme me Shqipërinë, gjë që i përgjigjet më së miri nevojave tona. Ndërkohë, një pikë tjetër e rëndësishme është edhe fakti që sistemi arsimor i këtij vendi, funksionon në përputje me Kartën e Bolonjas, ku është përfshirë edhe arsimi shqiptar. Gurra u shpreh për EZN se në Shqipëri mungojnë kapacitetet e duhura teknike për hartimin e teksteve të tilla, dhe për këtë arsye u mendua të përktheheshin këto tekste, si model bazë, mbi të cilën të mund të hartohen edhe tekstet shqiptare. “Përderisa ne nuk kemi teologë që të kenë shfaqur deri tani aftësinë të hartojnë tekste e të shkruajnë libra, ne jemi të detyruar që këto modele ti marrim nga jashtë”, – u shpreh ai për EZN.

Tekstet e përkthyera përmbajnë një material të bollshëm për të njohur bazat, parimet dhe botëkuptimet mbi të cilat ndërtohet feja Islame. Në katër librat e ciklit 9 vjeçar, ofrohet material mbi parime të përgjithshme të edukatës dhe moralit fetar, ofrohet informacion mbi themelet doktrionre të Islamit që kanë të bëjnë me themelet e besimit, duke përfshirë këtu kushtet  dhe shtyllat e Islamit, si dhe informacione mbi qëllimet e kësaj feje si dhe mënyrën sesi ajo ndërton jetën e përditshme, duke u nisur që nga etika, e deri tek rregulla të përgjithshme të jurisprudencës islame. Në dy librat që i përkasin ciklit të arsimit të mesëm, materiali shtrihet në një pasqyrë më të gjerë të raporteve shoqërore të muslimanit, duke përfshirë edhe qëndrime të tilla si raportet e religjionit me shoqërinë, shekullarizmin, fe të tjera etj.

Comments

  • Bravo ALSAR, urime per iniciativen.
    Kjo teme eshte vertet shume e rendesishme dhe meriton angazhimin maksimal te KMSHse dhe organizatave te tjera civile muslimane ne Shqiperi.

  • Aferim. Djathë i mirë duhet të jetë. Gjynah që ballina është aq e papunuar në ngjyrë, me atë xhami pa dritë e të fshehur e me ato pemë të ngordhura perreth. Librat që u drejtohen grupmoshave të vogla sot duhet të bëjnë kujdes pasi ftesa e librave për këtë moshë është e veçanërisht e rëndësishme në pamje. Urime e përmirësime Alsarit.

  • Per mua, rendesi ka magazina, jo vitrina. Si cdo gje ne Shqiperi, deri tani jemi mesuar me ambalazh vezullues qe perbrenda eshte bosh. Nuk i kam lexuar tekstet ne fjale dhe nuk di nese jane apo jo te mire, por di te them se nuk besoj aspak ne aftesine dhe vullnetin e njerezve qe presim te angazhohen ne kete proces, per te patur shprese se ai do te behet sic duhet.
    Shteti fillimisht nuk le asnje shprese dhe nuk ia vlen as te sqarojme se pse. Nuk do mend per te kuptuar se ky shtet deri me tani nuk ka marre asgje seriozisht qe te na beje te besojme se kete do ta beje kesaj rradhe.
    Por edhe Komuniteti Musliman, qe eshte edhe me keq se shteti, nuk ka asnje te dhene qe te na ngrohe. Mjaft t’i hedhesh nje sy librarise qe ai ka hapur ne katin e pare te godines, ku pjesa me e madhe e librave jane ose nga nje autor i vetem ose per kete autor. Sic duket qartazi “miqte e librit”, e kane shume te selektuar biblioteken dhe jane shume xheloze per t’ia ofruar miqesine nje literature te gjere. Prej ketej kushdo kupton se funksionaret e ketij institucioni nuk kane ndonje veneracion te madh per dijen dhe arsimin e vertete e te paanshem. Pa shkuar me tej ne veprat qe ka deshmuar e po deshmon ky institucion dhe njerezit qe e drejtojne ate. Nuk do asnje zgjuarsi te vecante per te kuptuar se ky institucion nuk eshte aspak i interesuar per te qene gjithperfshires, e per te hequr dore nga te perdorurit e institucionit gjithperfshires te muslimaneve per interesa te ngushta sektare a klanore.
    Gjithashtu, deshmite ne vazhdimsi te ketij institucioni na e bejne te pakontestueshme bindjen se nuk ka asnje kapacitet intelektual per t’ia dale mbane kesaj aventure. Me CV-te qesharake qe dhe ligjerimet anekdotike qe shfaqin ne publik zyrtaret e larte te tij, nuk ka asnje shanc qe kjo pune te shkoje per mbare.
    Ne keto kushte, me e mira do te ishte qe ky projekt, me mire te mos behet fare.

  • Leave a Reply to Sadik Cancel reply

    Your email address will not be published. Required fields are marked *