E. Mërtiri

Prononcimi i Kryeministrit të Shqipërisë për rishikimin e historisë ka sjellë reagime të shumta në rrethet e intelektuale dhe akademike. Shumë prej tyre i janë kundërvënë Kryeministrit duke ofruar argument kundër pohimeve të tij, ndërsa shumë të tjerë u përpoqën t’i tregojnë kufirin, duke u shprehur se ai nuk ka të drejtë të “japë mend” sesi duhet shkruar historia, ndërkohë që pati prej tyre që edhe u orëvatën t’i dilnin krah në debat.

Në një shkrim në ResPublica Mustafa Nano shprehte të gjithë irritimin e tij për faktin që Kryeministri merret me këto punë, e sidooms për faktin që intelektualë e akademikë të ndryshëm i dolën në mbrojtje, duke mos reaguar për ato që a i quan shkelje kompetencash kryeministrore. Ai madje reagon edhe ndaj atyre historianëve, si psh. Paskal Milo, të cilët denjuan t’i kundërvihen me argumente Kryeministrit, duke gjykuar se përgjigjet e tyre legjitimojnë tejkalimin e kompetencave prej tij. Z. Nano e quan këtë “karagjozllëk stalinist”, duke rikthyer në vëmendje periudhën kur udhëheqësit politikë diktonin shkencën, mendimin, artin dhe kulturën e vendit.

Në fakt, nuk duam të gjykojmë pikëpamjet e z. Berisha mbi shkrimin e rishkrimin e historisë, për faktin që, ashtu siç vëren z. Nano, mendimi i tij nuk përbën ndonjë kërshëri akademike apo intelektuale, por jemi të vetëdijshëm se, sado e madhe të jetë jokompetenca e tij në këtë fushë, nuk bën asnjë dallim nga ajo që shfaqin vetë kompetentët e saj. Ajo çfarë lexojmë e dëgjojmë vazhdimisht në media e botime të shumta, përfshirë këtu edhe historianë mjaft të njohur, nuk ndryshon shumë nga ajo çfarë mund të thotë kushdo, përfshirë këtu edhe z. Berisha. Në këtë kuptim, nuk mendojmë se zëri kryeministror, i shton ndonjë problem mjegullës intelektuale që ekziston në Shqipëri në këtë fushë. Gjithashtu, megjithë neverinë e përbashkët me z. Nano për diktimet staliniste mbi shknecën, mendimin dhe kulturën, nuk mendojmë as se kryeministri i një vendi duhet të bëjë të kundërtën, të jetë krejtësisht indiferent ndaj edukimit të shoqërisë në raport me të kaluarën e saj. Nëse ka ndonjë gjë për të cilën duhet kritikuar qeveria është e kundërta, fakti që ajo nuk ka bërë sa duhet për të zbardhur dhe kultivuar në shoqëri qendrimet e duhura ndaj periudhave të caktuara të së kaluarës. Zbardhja e historisë së komunizmit shqiptar psh. dhe ndërgjegjësimi i shoqërisë mbi efektet e tij, është një detyrë që qeveria do të duhej ta kish bërë me shumë zell.

Megjithatë problem më i madh në këtë debat qendron tek zërat kundër sesa tek qeveria. Të kërkosh që historianë si Paskal Milo & co t’i tregojnë vendin kujtdo që hyn pa kompetencë në këtë fushë, qoftë ky edhe Kryeministri i Vendit (e sidomos ai), do të thotë të mbetesh aty ku ke qenë. Në qoftë se sot të gjithë bien dakort në këtë vend se historia ka nevojë të rishihet (se si e qysh, mbetet një sherrnajë pa fund në debatin publik), kjo vejn pikërisht për shkak të paçavures që kanë shkruar e vijojnë të shkruajnë deri tani historianët e regjimit dhe nxënësit e tyre. Historia duhet shkruar pikërisht për të zhbërë atë që ka shkruar Paskal Milo me shokë, dhe t’i kërkosh sot atij të vendosë autoritet për të bërë zap zërat që dalin nga vatha do të thotë të kërkosh rikthimin tek stalinizmi ideologjik për t’iu kundërvënë “stalinizmit butaforik” të Berishës. Nëse presim që Milo dhe Kolegët e tij të kontrollojnë rishkrimin e historisë, kjo do të thotë të presim që Milo dhe të tjerët të zhbëjnë vetveten.

Në fakt, shkrimi i z. Nano interesohet më shumë për politikën sesa për historinë. Ai e vë theksin tek “papërgjegjshmëria” e Berishës, dhe duket se nuk shqetësohet shumë tek vetë shkrimi i historisë, të cilin ai duket se ua le në dorë “autoriteteve” (dmth. Milos). Nëse fokusi do të kthehet tek historia, atëherë do të duhet të pohojmë se problem më i madh janë historianët. Janë ata që kanë gatuar këtë çorbë që e pështyjnë të gjithë në çdo debat publik. Kjo ka bërë që sot historia (më saktë, historicizmi), të bëhet një sport popullor që e luajnë të gjithë pa fare mund. Vetë z. Nano, ka hartuar një rubrikë me intervista standarde, ku pjesa më e madhe e pyetjeve të drejtuara ndaj të intervistuarve (në shumicën e rasteve, gazetarë, publicistë, ekonomistë, politikanë, artistë, shkrimtarë), janë pikërisht nga historia. Cikli i intervistave të tilla, nuk është gjë tjetër në fakt, vetëm se pjesë e këtij procesi rishkrimi të historisë, i cili praktikisht nuk sjell gjë tjetër vetëm se fortifikimin e koniukturave të reja ideologjike që sundojnë tashmë jetën kulturore shqiptare. Pikërisht dukuri të tilla nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se rrënojnë procesin e një rishkrimi të së kaluarës në funksion të lirisë së mendimit dhe çlirimit të botkuptimeve shoqërore nga ndrydhjet e klisheve të reja ideologjike e politike. Nëse ky vend do të kishte hapësirë për zërat e historianëve të vërtetë, ata do të duhej të kundërviheshin ashpër ndaj iniciativave të tilla apo të paktën ndaj, produktit që ato kanë sjellë.

Në këtë kuptim, jemi të mendimit se ndryshe nga ç’shprehet z. Nano, sipas të cilit “po pakësohen frikshëm zërat që mund të denoncojnë korupsionin” në vend, ajo që duhet të jetë po kaq shqetësuese është mungesa e zërave që shprehin pikëpamje të tjera nga ato të koniukturës së pushtetit ideologjik që po instalohet egërsisht në Shqipëri. Gjithmonë e më të shumtë e agresivë bëhen zërat që i shërbejnë këtij pushteti kulturor, që e zbraz pa mëshirë karikatorin e akuzave ndaj kujtdo që del kundër-rrymë. Gjithnjë e më i zgjeruar bëhet repertori i akuzave të tilla, që kërcënojnë këdo që merr kurajën ta shprehë pa drojë mendimin e vet. Gjithnjë e më e madhe bëhet barra e kostos së të vërtetës, në mjediset tona akademike e publicistike, për të cilën pak-kush është i gatshëm të paguajë. Nëse ka ndonjë diktaturë sot në Shqipëri, ajo nuk duhet dhe nuk ka përse të kërkohet tek një njeri i vetëm, por duhet parë pikërisht në këtë prizëm.

Historiografia duhet jo vetëm të rishihet, por të ribëhet me themel, pasi ajo nuk ka qenë kurrë deri më tani një fushë e papolitizuar, e aq më pak, e paideologjizuar. Përderisa ajo është e tillë, kriteret e njerëzve që duhet të kontribuojnë në këtë fushë fillimisht duhet të synojnë pikrisht depolitizimin dhe deideologjizimin. E përderisa të tillë gjen shumë pak në Shqipëri, por edhe nëse janë, nuk gjen dot njerëzit e duhur (të imunizuar ndaj interesave politike e ideologjike) që t’i evidentojnë, sytë duhet t’i kthejmë, ashtu si në politikë, nga jashtë. Janë historianët e huaj ata që na thonë shumë më tepër të vërteta, shumë më tepër gjykime të kthjellëta mbi historinë tonë, sesa ata vendas. Pikërisht për këtë arsye, i shohim shpesh këta të fundit të mllefosur me kolegët e tyre europianë. Ndryshe nga sa ndodh në politikë, ku ata që na kollandrisin hallet gëzojnë mbështetjen e raporteve – as mish e as peshk – të ndërkombëtarëve, në shkencë historianët shqiptarë ndjejnë vetëm shijen e fshikullimit. Për këtë arsye, historiografinë tonë na e bëjnë më mirë të huajt dhe ata mbeten shpresa kryesore për sadopak frymë lirie mendimi në këtë vend.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *