e-zani

Në ethen kombëtare të ditëve të fundit për ndarjen e autorizimeve për monumente me rastin e jubileut të pavarsisë së vendit, historiani ideologjik Pëllumb Xhufi dha një intervistë në Shqip ku ndër të tjera thotë:

 

 ”….Promovohen figura pashallarësh, bejlerësh, krerësh fisesh, të lidhur materialisht e shpirtërisht me sundimin osman dhe anashkalohen apo edhe sulmohen përfaqësuesit e klasës së re të idealistëve, intelektualëve e patriotëve rilindas, ata që sollën idetë, që dhanë rrugëzgjidhjet dhe që falën jetë e pasuri për të realizuar Shqipërinë e pavarur e sovrane. Pra, i bëhen hozanara asaj elite politike, të korruptuar e antikombëtare, që për 500 vjet u shkri me pushtetin dhe administratën osmane e që s’bëri asgjë për vendin e vet, duke nënshkruar dorëzime qytetesh, dhënie koncesionesh, falje territoresh, krijime federatash serbo-shqiptare apo greko-shqiptare. Shembulli i Esad Pashës duhet të tronditë gjithkënd, por ky s’është i vetmi. Fryhet tej çdo mase figura e Ahmet Zogut, mikut të Serbisë, shitësit të Shën Naumit, vrasësit të Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës e Bajram Currit dhe, në fund, ikësit të madh. Çohen në piedestal lloj-lloj klerikësh katolikë, ithtarë të Shqipërisë së “kantoneve”, deri edhe frati-kuisling Anton Harapi dhe lihen në heshtje e harresë Ndre Mjeda, Dom Nikollë Kaçorri dhe një armatë e tërë katolikësh, që vunë bazat e shtetit unitar e shekullar shqiptar, që nga Vaso Pasha, Hil Mosi, Nikollë e Mirash Ivanaj. Heshtet për Papa Kristo Negovanin, për At Stath Melanin, për Petro Nini Luarasin…”

 

Pavarësisht se Xhufin e zë inati me shumë figura të përmendura nga Berisha, përfshi “frati-kuisling Anton Harapi,” blogu i M. Nanos citonte këtë fragment dhe i kish vendosur këtë titull:

Figurat historike të “listës Berisha”, Xhufi flet për “përzgjedhje të mirëllogaritur” filo-osmane.

Historiani ideologjik Xhufi mund të jetë duke ricikluar ekon e luftës së klasave në një klimë mbarë-kombëtare paniku nga neo-osmanizmi me shtysën e mirënjohur të goditjes së Berishës si “filo-islamik.” Por këtu po sjellim një ushtrim të mundshëm teksti shkollor për t’u zgjidhur nga z. Xhufi: hiq të gjithë bejlerët e pashallarët nga lista e aktivistëve që bënë të mundur pavarësinë e Shqipërisë dhe shiko kush mbetet. Mund të fillohet nga Ismail BEJ Vlora. Të jemi të qartë: jo se nuk bëhet dot kjo gjë dhe anashkalimi i figurave të rëndësishme nga familjet e mëdha shqiptare e osmane në memorien historike është dokumentuar ndërkaq, por nuk e dimë se sa respekt për veten si historian do i mbetej z. Xhufi.

Një artikull i Alfred Lela me titull “Po Dom Nikoll Kaçorrin zotërinj,” na bën të qartë logjikën e filtrave të sipas të cilave përceptohen vlerat e kontributit historik:

Nëse cilësinë e përcaktojmë edhe me anë të krahasimeve, mund të thuhet pa ngërç se Nikollë Kaçorri i rri fare mirë rendit të parë të burrave të mëdhenj ku qeveria ka futur Mbretin Zog, Ismail Qemalin dhe Hasan Prishtinën. Ai, pa ndonjë zoritje, edhe simbolikisht, edhe kulturalisht, pozicionohet më afër Panteonit Shqiptar, nëse do të imagjinonim një të tillë, sesa tri propozimet e tjera, megjithë respektin për ta, përkatësisht: Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari dhe Bahri Omari. Ndoshta Kryeministri, ashtu si për monumentin e Kongresit të Lushnjës, i cili është propozuar të vendoset në qytetin ku u zhvillua takimi, ka ndërmend shtatore lokale për Kupin, Bajraktarin e Omarin. Imzot Kaçorri, m’anë tjetër, e meriton shtatoren e tij në kryeqytet, dhe kjo për disa arsye. Ai përfaqëson atë kulturë oksidentale prej së cilës në 45 nga 100 vite pavarësi ne u ndamë përdhunshëm nga regjimi komunist. Gjithashtu, përfaqëson komunitetin e martirizuar të klerit katolik. Në fund, por jo më pak të rëndësishme, kryeministri Berisha duhet të gjejë dy pika përkitjeje me Imzot Kaçorrin. Nëse prifti katolik është firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë, z. Berisha është firmëtar i themelimit të Partisë Demokratike, të parës forcë antikomuniste në vend dhe, padyshim, një nga ngjarjet kulmore që shenjojnë harkun e triumfeve përgjatë 100 vjetëve të Shqipërisë së mëvetëshme. Përveçse firmëtarë, ata janë edhe kolegë: njëri zv/kryeministër dhe tjetri kryeministër në kabinetet që kanë qeverisur këtë vend.

Për të mos thënë atë tjetrën, se, si potencë kulturore dhe idealiste, burra si Dom Nikollë Kaçorri i gjen vetëm te kisha (në kuptimin që janë ndër varre, për të shmangur çdo keqkuptim).

Pa keqkuptime fare, a janë figura myslimane, klerikësh, firmëtarësh të deklaratës së pavarësisë, më pak të merituara për nderim meqënëse, në fjalët e gjykimin e Lelës “përfaqëson atë kulturë oksidentale prej së cilës, në 45 nga 100 vite pavarësi, ne u ndamë përdhunshëm nga regjimi komunist.” Ky lloj pretendimi i monopolizimit të pretendimit “të potencës kulturore” apo dhe “të persekutimit nga komunizmi” nga vetëm një bashkësi fetare duhet ta adresojmë ndashëm, dhe mendoj se kërkon të adresohet gjerësisht e sa më parë. Por këtu na vlen të vëmë në dukje se atribuimi i vlerave jo vetëm sipas kontributit, por duke theksuar identitetin fetar, ku disa fe e bashkësi fetare konsiderohen më të merituara se sa disa të tjera, është në kundërshtim të plotë me frymën e kohezionit si bashkësi kombëtare që kërkon të mëtoj jubileu i pavarsisë. Sigurisht kjo nuk do të thotë që Dom Nikoll Kaçorri nuk meriton të përkujtohet nga populli të cilit i dedikoi përkushtimin e tij, por do të thotë se figurat historike nuk meritojnë më shumë apo më pak respekt në varësi të fesë të cilës i përkasin.