Islami: një traditë progresiste





Hamza Jusuf

Kur një luftëtar i rezistencës uellsiane, i zënë rob, u soll përpara perandorit në Romë tha: “Dëshira jote për të pushtuar botën nuk do të thotë medoemos se bota dëshiron të pushtohet nga ty.” Sot, po këto fjalë, mund t’ua ofrojmë liberalëve perëndimorë: Dëshira juaj që vlerat tuaja të sundojnë kudo në botë, nuk do të thotë medoemos se bota dëshiron t’i përvetësojë ato.” Zëri kolonizator bazohet në injorancën lidhur me traditat e pasura të qytetërimeve të tjera dhe në një optimizëm krejt të pavend mbi atë që perëndimi është duke bërë me botën politikisht, ekonomikisht dhe ambjentalisht.
Besimet e rrënjosura që shumë perëndimorë i shfaqin haptazi lidhur me Islamin, shpesh nxjerrin në pah më shumë lidhur me perëndimin sesa lidhur me Islamin dhe muslimanët. Otomanët ishin dinastia që ka zgjatur më shumë në histori; kohëzgjatja e tyre diç duhet të ketë pasur të bëjë me aftësinë e tyre për të sunduar një perëndori shumë-fetarëshe, në të njëjtën kohë, teksa Evropa ndante, përcaktonte e përkufizonte llojet e besimtarëve të krishterë.
Sot thuhet se Islami është më pak, jo më shumë tolerant se perëndimi, dhe neve na duhet të pyesim se cilat më saktësisht janë vlerat “perëndimore” me të cilat Islami është kaq i papajtueshëm? Disa besojnë se qëndrimi i Islamit ndaj gruas është burimi i problemit të muslimanëve. Perëndimorët duhet t’i kthejnë sytë nga vetë qëndrimet e tyre lidhur me këtë e të pranojnë që në perëndim, vetëm tani vonë, strukturat patriarkale kanë filluar të shpërbëhen. Tradita islame vërtet që shfaq disa zona ku ka një papajtueshmëri të dukshme lidhur me përcaktimin e qëllimit të gruas ashtu si në perëndim, dhe muslimanët kanë përpara tyre një rrugë të gjatë për të bërë lidhur me qëndrimet e tyre ndaj gruas. Por padija e fesë – edhe një herë – është të shfaqësh injorancën tënde, si lidhur me fenë, ashtu edhe me përpjekjet historike për barazi të grave në shoqërinë muslimane.

Një lexim i kujdesshëm i teologëve muslimane do të bënte që gruaja perëndimore të mbetej e mahnitur nga rregullimet ligjore të nënshkruara përpara mëse 1000 vjetësh, për shembull, që u jepnin grave të drejtë ligjore për të qenë të ndihmuara në punët e shtëpisë nga burrat. Tre nga katër shkollat juridike, punët e shtëpisë i konsiderojnë jashtë përfshirjes së përgjegjësive ligjore të gruas kundrejt burrit të saj. Krahasojeni këtë me sondazhet amerikane që tregojnë se gratë që kanë një punë edhe jashtë shtëpisë ende vazhdojnë të kryejnë 80% të punëve shtëpiake. Perëndimorët, në apelin e tyre për konformizëm global, shpesh flasin për “progres” dhe për refuzimin e së kaluarës feudale jo shumë të largët, ndërsa janë më pak të prirur për të nxjerrë në shesh sikletin e tyre mbi hegjemoninë e korporatave dhe implikimet e vërteta njerëzore lidhur me globalizmin.
Ndërsa misionarët e vlerave perëndimore që përpiqen të gjykojnë pse Evropa, zemra e perëndimit, ka gjeneruar dy luftëra botërore, në të cilat janë vrarë më shumë civilë se në të gjitha luftërat e mëparshme përgjatë tërë 20 shekujve, ashtu siç e theksojnë muslimanët, ne na kërkohet që t’i quajmë “luftra botërore”, edhe pse ato realisht janë luftëra perëndimore, që shënjestronin civilë me armë të shkatërrimit në masë, në një kohë kur vendet muslimane kanë kaluar tërësisht në paqë mes tyre. Ne muslimanëve nuk na bëjnë përshtypje pretendimet triumfaliste në llogari të perëndimit, por jemi të kënaqur me vlerat në themel të atij qytetërimi. Si një perëndimor, fëmijë i një aktivisti kundër luftës dhe propagandues i të drejtave qytetare, përqafimin e Islamit nuk e përjetova si një braktisje të vlerave të mia, të përftuara pothuajse tërësisht nga tradita progresiste, por si një afirmim të tyre. Që atëherë, kam studiuar ligjin islam për 10 vjet me rradhë me dijetarë tradicionalistë, dhe ndërkohë që disa veçanti në disa tekste mesjetare më kanë shqetësuar, asnjëherë të përgjithshmet nuk kanë rënë në kundërshti me asgjë prej atyre që nëna ime progresiste nga Kalifornia më ka mësuar. Përkundrazi, jam mrekulluar se si pjesa më e madhe e shoqërisë perëndimore, ato që i pretendon si idealet më të larta të saj, janë të rrënjosura thellë në traditën islame.

Shovinizmi i shfaqur mes ca perëndimorëve në mënyrë tipike shkaktohet nga ekstremizmi islamik. Të paktë janë ata që përpiqen të dallojnë se Islami i rrymës kryesore, po aq sa edhe perëndimi, nuk e aprovon aspak ekstremizmin. Ajo që unë kam frikë, është se mund të jetë gjetur ndonjë justifikim, duke i pajisur këta perëndimorë me një zëvendësues për shprehinë e tyre më të hershme të antisemitizmit. Transformimi nuk ka pse të jetë kaq i vështirë. Arabët, në fund të fundit, janë semitë, dhe mësimet e Profetit arab janë më afër Judaizmit në teologji dhe në legjislaturë sesa Krishterimit. Ne muslimanët në perëndim, ashtu si hebrenjtë para nesh, ndeshemi me të njëjtat probleme që kanë ndeshur hebrenjtë në të kaluarën: integrim apo izolim, traditë apo reformë duke kontribuar në shoqëri, apo duke u skematizuar nëpër geto dhe duke qenë mizorisht mospërfillës ndaj higjenës personale.
Filmat vizatimorë me arabë nuk kanë shumë ndryshim nga karikaturat me çifutë në gazetat gjermane të periudhës naziste. Në vitet 1930, imazhe të tilla siguronin se vetëm pak njerëz do të kishin kurajon për të folur mbi pasojat e mundshme të demonizimeve të tilla, tamam si sot, kur vetëm pak njerëz shqetësohen realisht përballë retorikës anti-muslimane të partive të së djathtës ekstreme në mbarë Evropën. Muslimanët në përgjithësi dhe arabët në veçanti janë bërë “tjetra” e re.

Vitin e shkuar, kur takova presidentin Bush, i dhashë dy libra. Njëri ishte Kurani, përkthyer nga Tomas Kleari. I dyti ishte një tjetër përkthim po nga Kleari, “Rrufe në qiell: sekrete të marrjes dhe të përdorimit të pushtetit”. Ky libër, shkruar nga një i urtë kinez, pasqyron vlera universale popujsh të tjerë.
E bëra këtë sepse, si një amerikan, i rritur në më të mirën e traditave perëndimore, dhe si një i kthyer në musliman që gjen shumë kuptim e thellësi në filozofinë kineze, unë besoj që teza e Hantingtonit se këto tre qytetërime të mëdha, medoemos duhet të përplasen mes tyre, është një gënjeshtër. Çdo qytetërim flet nëpërmjet shumë zërave; më të mirët në secilin prej tyre kanë shumë të përbashkëta. Jo vetëm që qytetërimet tona mund të bashkëjetojnë në pjesët përkatëse të globit, por mund të bashkëjetojnë edhe në zemrën e një njeriu, si kjo e imja.
Ne mund ta pasurojmë njëri-tjetrin nëse zgjedhim të përqafojmë thelbin e njerëzores brenda nesh; mund ta shkatërrojmë të tërë botën nëse zgjedhim të jepemi pas ndryshimeve.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *