Tirana gastronomike





E. Mërtiri

Një shkrim në blogun Peisazhe të Fjalës, i titulluar “Tirana kulturore dhe historike”, me shumë të drejtë dhe keqardhje vuri në pah shkretëtirën kulturore të kryeqytetit shqiptar, në të cilin nuk gjen thuajse asgjë që të ofrojë vlera. Me jopak dhembje, autori e përshkruan në një paragraf shijen e këtij realiteti:

“Një Tiranë e çuditshme e vdekur kulturalisht, me një teatër në gjumë dimëror (në mes të verës), me një galeri të mbyllur, me godinat më të rëndësishme historike në gjëndje të mjeruar (dhe më pas bashkia flet për turizëm në objektet e sistemit totalitar, ndërsa Piramida është shëmtuar dhe lënë pasdore në mënyrë brutale), me një pedonale që mban era qofte, me një jetë kulturore të mbyllur në katër muret e një lagjeje që deri më dje ishte djepi i udhëheqësve sypetrita të vendit.”

Duke ndarë të njëjtën keqardhje me autorin, na duhet të shtojmë se ky realitet nuk duhet varur vetëm në përgjegjësinë e pashpresë të institucioneve shtetërore, të cilët, as munden të prodhojnë kulturë, por dhe as që është në supet e tyre detyrimi për këtë. Patjetër që institucionet shtetërore duhet të stimulojnë prodhimin e kulturës dhe aksesueshmërinë e saj tek qytetarët, por çfarëdo që të bëjë shteti, nuk ka mrekulli që mund ta ndryshojë këtë peisazh.

Ajo që përbën problemin e vërtetë prej nga rrjedh ky realitet ka të bëjë me mungesën e qytetarisë së qenieve njerëzore që popullojnë të ashtuquajturin metropol shqiptar. Njerëzit nuk duan dhe nuk u intereson kultura dhe këtë nuk ka shtet apo zyrtar që mund ta ndryshojë. Fakti që teatri dhe galeria flenë rehatë, në dy anët Rrugës së Qofteve që gëlon nga gjallëria dhe hareja e njerëzve që u gëzohen birrës e qebapit teksa nuk iu plas aspak për artin përbri, tregon atë çfarë ushqen në brendësi qytetari shqiptar. Ekonomia e tregut shfaq atë çfarë është në realitet duke përmbushur atë çfarë njerëzit duan. E përderisa qebapi tërheq më shumë turmat, atëherë ai ka më shumë vlerë se arti. Problemi qendron tek ata që ngrenë zërin për jetë kulturore, që kërkojnë të na prishin lezetin e qoftes.

Nevojat e njerëzve nuk përmbushin asgjë shpirtërore apo intelektuale, pasi këto nuk kanë vlerë në kohët e sotme. Ajo çfarë njerëzit duan mbaron në stomakun dhe gjenitalet e tyre pa ndjerë nevojë të ngrihet më lart. Shqiptari i sotëm është i nënshtruar prej pushtetit të impulseve më të drejtpërdrejta të qenies së tij njëdimensionale mishtore, ndaj nuk ka vend për vlera të tjera. Arti shijon më pak se qoftja në këtë vend, e këtu Zarathustra i Niçes mund të thotë sa të dojë se “ushqimet e mira nuk mund t’i shijojnë amatorët”. Verdikti i vulgut, i përjashton profesionistët duke legjitimuar banalitetin dhe të drejtën e turmave për të dëfryer, si një ritual i përditshëm ku shenjtërohet dhe formësohet demosi shqiptar.

Ky vend është një model i përkryer i globalizmit barbar provincial, ku individi është kthyer në shembëlltyrën më të përpiktë të qenies konsumatore që udhëhiqet ekskluzivisht nga tregu dhe nga asnjë traditë apo racionalitet. Nuk ka kohë për të ndjerë apo menduar, por vetëm për të shijuar e dëfryer apo edhe për të shfryrë. Nuk ka vend për vlerë apo nivel, por vetëm për sasi. Jo më kot, ekranet televizive, kronikat e lajmeve, kur flasin për “jetën kulturore në kryeqytet”, i drejtohen thuajse gjithmonë bllokut. Aq është jeta në këtë vend, aq edhe kultura.

Nevojat shpirtërore e intelektuale janë e tepërta në një mjedis që lakmon vetëm pasuri dhe pushtet. Për rrjedhojë arti dhe kultura nuk kanë ç’duhen në një vend si ky, ku pushteti i stomakut është kaq i fortë. Për këtë arsye nuk do shumë mund të konstatosh se arti përmbushet tek komerci: piktura shihet si dekor, biblioteka e shtëpisë gjithashtu, muzika si aheng, ndërsa agjërimi si recetë dietologjike me vlera kurative. Kjo ndoshta është edhe arsyeja përse është kaq e vështirë të predikosh agjërimin në një vend me kaq oreks sa ky. Agjërimi më i përkryer që mbajnë shqiptarët sot, është agjërimi nga ushqimi shpirtëror e intelektual. Predikuesit këtij të fundit kanë qenë vërtetë të suksesshëm dhe vështirë se ndokush mund të matet me ta.

Ky vend është model i përkryer i një bote të sunduar nga malli dhe epshi dhe shqiptarët sot janë të destinuar të jetojnë në varfërinë e pashmangshme të tyre. Për këtë arsye, ndoshta është e tepërt të kërkosh më shumë.

Comments

  • pervec Tiranes gastronomike, eshte edhe ajo astronomike, e klubeve te nates, me pije te shtrenjta e me njerez te veshur shtrenjte, qe vijne me makina te shtrenjta, e qe provojne momente astronomike nen influencen e droges, alkoolit, femrave kercimtare, dhe muzikes me volum te larte.
    me duket se kultura tiranase, apo ajo qe kerkojne te rinjte po behet pak nga pak ekskluzivisht gastro/astronomike…

  • Mbas nje viti larg qytetit me te dashur per mua ne kete jete, me keqardhje them se eshte edhe me zi se kaq. Zoti na ndimofte!

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *