Armir Taraj
Këto ditë gazetat shqiptare raportuan se Ministri i Jashtëm i Izraelit Avigdor Liberman ndodhej për një vizitë në Shqipëri me rastin e hapjes së Ambasadës së Izraelit në Tiranë. Mediat raportojnë se z. Liberman “e konsideroi hapjen e Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Shqipëri një ngjarje historike dhe një moment kulmor në marrëdhëniet dypalëshe ndërmjet dy vendeve.” Gjithashtu mësojmë se “duke iu referuar spektrit ekonomik të bashkëpunimit, ministri Liberman vuri në dukje interesimin e madh të investitorëve izraelitë në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare si: energjetika, bujqësia, turizmi dhe teknologjia e informacionit.”
Deri këtu shumë mirë. Ngritja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin në nivel përfaqësimi ambasadorial është një hap i mirë për Shqipërinë duke qenë se një shtet nuk ka veç përfitime nga marrëdhënie diplomatike të zgjeruara me vende sa më diverse në botë. Rritja e bashkëpunimit ekonomik është gjithashtu e mirëpritur duke qenë se vendi ynë ka gjithmonë nevojë për investime të huaja direkte, e bujqësia jonë e mjeruar ndoshta mund të mësojë diçka nga teknikat e avancuara të bujqësisë shumë të suksesshme izraelite (sigurisht pa elementin e zaptimit të tokave palestineze dhe uzurpimin e burimeve të ujit).
Më pas vjen pyetja e pritshme për njohjen e Kosovës. Kësaj pyetje z. Liberman i përgjigjet duke thënë se “së pari, nga eksperienca jonë si Lindje e Mesme ne shpresojmë se kjo pjesë e botës do t’i zgjidhë problemet e saj në mënyrë paqësore. Shpresoj që të gjeni zgjidhje paqësore, qoftë nëpërmjet bisedimeve dypalëshe, ashtu edhe nëpërmjet negocimeve të drejtpërdrejta. Rajoni ynë është pjesa më e komplikuar e botës, ne kemi mjaft situata të kompikuara jo vetëm në rajon, por edhe çështjet brendshme. Qëndrimi ynë ka të bëjë me gjithë rajonin e Ballkanit, ku përfshihet edhe çështja e Kosovës dhe shpresoj që të gjithë popujt e këtij rajoni t’i zgjidhin problemet e tyre paqësisht.”
Me pak fjalë Ministri i Jashtëm Izraelit thotë se Izraeli nuk ka ndërmend ta njohë Kosovën derisa të ketë zgjidhje dypalëshe, pra derisa atë ta njohë Serbia. Kjo përgjigje tregon se pozicioni i Liberman nuk ka ndryshuar që nga vizita e tij e fundit në Shqipëri kur ai pati thënë se Izraeli nuk do ta njohë Kosovën derisa atë ta njohë Qiproja, Greqia, Rumania e Sllovakia. Kuptohet që Izraeli ka të dretjën e tij të ketë pozicione të politikës së jashtme që mund të mos bien dakort me dëshirat e shqiptarëve. Mirëpo përgjigja e Liberman-it tregon një mungesë serioze respekti dhe konsiderate ndaj situatës së tanishme të Kosovës.
Ndoshta pas kësaj deklarate të tij, Ministri ynë i Jashtëm Edmond Panariti do i ishte përgjigjur homologut të tij izraelit se Kosova tashmë nuk është më në fazë bisedimesh me Serbinë përsa i përket statusit të saj. Këto bisedime mbaruan në 2008 dhe rezultati ishte pavarësia e njëanëshme e Kosovës, e detyruar të ndërmarrë këtë hap pas dështimit të pikërisht atyre bisedimeve të gjata dypalëshe që Liberman pretendon se na këshillon të vazhdojmë. Ndoshta Ministri ynë Panariti do i kujtonte Liberman-it se tashmë Kosovën e kanë njohur 91 vende anëtare të OKB-së, përfshi Amerikën, aleaten numër një të Izraelit, dhe shumicën dërrmuese të vendeve anëtare të Bashkimit Evropjan. Gjithashtu atë e kanë njohur të gjitha vendet ballkanike fqinje të saj, që gjithashtu kanë dalë nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë, me përjashtimin e Bosnjës për arsye të vetëkuptueshme. Me këtë rast z. Panariti mund ti kishte përsëritur z. Liberman qëndrimin tashmë standart dhe të provuar të Shqipërisë, Kosovës, ShBA-së, dhe BE-së, se pavarësia e Kosovës është e vetmja zgjidhje paqësore dhe e qëndrueshme e konfliktit.
Por jo, Ministri ynë i nderuar nuk bën asnjë nga këto. Përkundrazi, ai thotë se ndan “të njëtin vlerësim si zoti Liberman, për forcimin e dialogut të niveleve të bashkëpunimit rajonal midis Shqipërisë dhe Kosovës, midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit dhe kjo padyshim është rruga më e mirë për integrimin e gjithë rajonit në Bashkimin Europian.” Mu desh ta lexoj dy herë këtë deklaratë për tu besuar më mirë syve. Ministri ynë, të cilit sapo i është thënë shumë vulgarisht se Izraeli nuk ka ndërmend ta njohë Kosovën, thotë se ndan “të njëtin vlerësim si zoti Liberman, për forcimin e dialogut të niveleve të bashkëpunimit rajonal midis Shqipërisë dhe Kosovës”. A ka fjali më mundësisht boshe dhe vetë-përulëse se kjo? A mundet Ministria jonë e Jashtme të tregojë karagjozllëk më banal se ky?
Kjo më bën të pyes veten nëse Ministria jonë e Jashtme ka ndonjë politikë aktive në mbështetje të njohjeve të Kosovës apo mjaftohet me fjalinë super të lodhur që “rruga më e mirë është integrimi i gjithë rajonit në Bashkimin Europian”? A ka Ministria jonë e Jashtme dhe qeveria jonë një doktrinë të politikës së jashtme? Nëse po, cila është kjo doktrinë dhe cili është pozicioni i Kosovës në të? E kuptoj që pyetje të tilla mund të jenë thjesht për interes akademik në një kohë që në vendin tonë shumë pak gjëra tregojnë shenja mirë-qeverisjeje, ku ministrat e jashtëm ndërrohën sipas interesave partiakë të LSI-së, siç u ndërrua Ilir Meta me Edmond Haxhinaston në prag të mbledhjes vjetore të OKB-së në shtatorin e 2010-ës, një takim fort i rëndësishëm ky për lobimin e Shqipërisë në favor to Kosovës, duke lënë Haxhinaston e pamësuar dhe të panjohur në atë kohë të manovrojë ujërat tepër të vështira të lobingut për Kosovën.
Pyetja tjetër që më vjen në mendje nga leximi i këtij lajmi është: a do forcohen marrëdhëniet e Shqipërisë me Izraelin në dëm të atyre me Palestinën? Qeveria e Berishës ka dhënë shenja të një tendence të tillë me votën e deklaruar kundër anëtarësimit të Palestinës në OKB shtatorin e kaluar. Ishte pikërisht koha kur Berisha kreu një vizitë në Izrael me qëllim forcimin e marrëdhënieve me këtë shtet dhe thithjen e investimeve izraelite, nga ku ngjalli jo pak debate me një deklaratë të tij të raportuar në mediat izraelite se “palestinezët ishin përgjegjës për sabotimin e proçesit të paqes” dhe se anëtarësimi i Palestinës në OKB nuk i shërbente zgjidhjes përfundimtare të konfliktit atje (Më pas Berisha i mohoi këto fjalë në takimin që pati me ambasadorin palestinez në Tiranë).
Berisha ka treguar se palestinezët, sipas tij, nuk e meritojnë atë që ai kërkon për Kosovën, pra njohjen ndërkombëtare të shtetit të tyre. Ndërsa Liberman tregon se, ndërsa për palestinezët punon ditë e natë t’ua bëjë më të vështirë pavarësinë e shtetësinë e tyre, Kosovën s’e ka në radar fare. Panariti nga ana tjetër tregon se po mëson shumë shpejt gjuhën boshe dhe pa shtyllë kurrizore të diplomatëve tanë. Për këtë i duhet dhënë kredit.

Comments

  • Vepra me e rendesishme qe ka bere Panariti deri tani ne politiken shqiptare eshte, angazhimi per t’i ngrejte te vdekurit nga varret, per t’i mbyll ne qeli te vogla betoni me kate. Erudicionin e vet intelektual, me kete rast e tregoi duke nxjerre fetva se kjo nuk eshte ne kundershtim me fene, ixhtihad personal i veti ky, qe bazohej ne burime krejtesisht origjinale dhe ekskluzive vetem per Panaritin ne dijet sheriatike.
    Te gjitha te tjerat i ka bonus.

  • Cfare ka ndonje gje per t’u cuditur ne menyren se si i fuksionon truri ministrit te jashtem? Mjafton ta lere ate jashte zyres, kur futet ne te.
    Kur kane bere ndonjehere ndryshe nga servilizmi politikanet tane?

  • Me e forta eshte se zevendesministri u shpreh ne konference se Shqiperia dhe Izraeli kane marredhenie te mira qe prej Luftes se Dyte Boterore, kur ne fakt shteti i Izraelit nuk ekzistonte ende.

  • Arnaut, pse duhet te lexojme shkrime bajate dhe lepirese? Boll na hapet barku sa ne Tv e sa ne gazeta me kesi shpifesirash, sikur me qene koloni e para 300 viteve.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *