Refleksione Ramazani





Armir Taraj

Të premten e kaluar vajta për të falur akshamin e për të bërë iftar tek Qendra Islame e Nju Jork University (NYU). Gjatë vitit shkollor kjo qendër islame është e mbushur plot e përplot me studentë të universitetit të famshëm njujorkez, ndërsa tani gjatë verës xhemati është kryesisht i përbërë nga ish-studentë e banorë që jetojnë apo punojnë në Manhatanin e poshtëm. Atmosfera është gjithmonë tepër e ngrohtë, mjediset e reja dhe komode në katin e katërt të Qendrës Katolike të NYU me dritare që shohin nga sheshi Washington Square me shatërvanin dhe harkun e famshëm të NYU në mes, nën kujdesjen e imamit të ri Khalid Latif i cili ka vite që kontribuon në zhvillimin energjik të kësaj qendre studentore islame.

Këtë të premte kishte një program interesant para iftarit, një rreth bisede mes të konvertuarve në islam (convertsations), me praninë dhe të myslimanëve të lindur të ftuar për të përfituar prej eksperiencave dhe perspektivave të vëllezërve e motrave të tyre më të rinj në fe. Pasi u prezantova, u ula dhe unë në grupin e bisedës më tepër me kuriozitet për të dëgjuar sesa për të folur vetë. Bisedën e drejtonte një grua e bardhë Amerikane e quajtur Megan, me një theks të dallueshëm nga jugu i Amerikës, e konvertuar në Islam para 7 vjetësh. Ajo i ftoi besimtarët e ulur në formë rrethi të diskutonin lirisht për gjëra të ndryshme që kishin në mendje, por e filloi bisedën me pyetjen e lehtë: cila është memorja juaj e parë e Ramazanit?

Një vajzë afrikano-amerikane që kishte një vit në Islam kujtoi vitin e kaluar kur kishte vajtur për herë të parë për të falur teravitë në xhaminë Park51, xhamia që bëri bujë në media për shkak të opozitës që shkaktoi tek një pjesë e publikut amerikan duke qenë se po ndërtohej disa blloqe larg Ground Zeros, vendit ku ranë kullat binjake më 11 Shtator 2001. Ajo tregoi se si askush nuk i kishte thënë që teravitë janë 20 rekate dhe ndërsa qëndronte në këmbë rekat pas rekati, kishte filluar të hutohej pas këndimit të bukur të Kuranit në arabisht, nga i cili nuk kuptonte akoma asnjë fjalë, dhe kish filluar të krijonte haluçinacione. “Filloja të shihja lloj lloj ngjyrash që ndryshonin vazhdimisht sipas këndimit të Kuranit” tha ajo, “në një lloj eksperience marramendëse që s’e kisha provuar ndonjëherë, sikur të isha e droguar. Dikur nuk po duroja dot më dhe u ula në gjunjë e atëherë u qetësova. Por kur u ngrita sërish të falesha me të tjerët, me filloi e njëjta ndjesi e çuditshme por shumë e bukur. Ka qenë hera e parë dhe e vetme që kam provuar diçka të tillë” tha ajo.

Një tjetër i konvertuar,  djalë i ri i bardhë amerikan me një mjekër si të kuqe filloi të tregonte për ditën e parë kur kishtë provuar të agjëronte pa qenë akoma mysliman, tregoi se si i kishte treguar një shoku i tij mysliman se nëse harron dhe ha diçka pa dashje nuk ka problem, agjërimi nuk të prishet. Ai në një moment në mëngjes kishte harruar që ishte me agjërim dhe kishte mbushur gojën me disa snacks (swedish fish) dhe ndërsa po i përtypte, ishte kujtuar që po agjëronte. Kishte marrë shokun e tij mysliman në celular dhe i kishte treguar çfarë kishte ndodhur dhe e kish pyetur nëse ishte e lejuar ti gëlltiste ato që kishte në gojë apo duhej t’i nxirrte jashtë. Shoku i tij i kishte thënë t’i nxirrte nga goja sepse tashmë ishte në dijeni e s’mund t’i kapërdinte. Ai e kish bërë këtë gjë, mirëpo ngaqë snacks kishin qenë tepër të kripur kish filluar ta merrte etja keqas. Kishte duruar deri nga ora 1 e drekës dhe e kish prishur agjërimin duke iu turrur një bidoni uji si i çmendur. “Shyqyr që atëherë nuk isha akoma mysliman” tha ai, “sepse do më vinte turp të tregoja që e prisha agjërimin duke qenë besimtar.”

Një tjetër djalë me origjinë nga India, i konvertuar nga hindu, tregoi se si kish shkuar në xhami çdo iftar gjatë Ramazanit të tij të parë për të ngrënë duke qenë se në atë kohë s’kishte pasur vend ku të rrinte. Tregoi se ishte falënderues që kish pasur mundësi të bënte iftar çdo natë, por gjithashtu i kish mbetur në mendje se si askush në xhami nuk i afrohej ta pyeste për ndonjë gjë, por secili shihte punët e veta ose rrinin në grupe të vogla që njiheshin. Një ndjenjë të ngjashme ndau dhe një grua e re nga Ukrahina që tregoi se ishte konvertuar në Qershor dhe ky ishte Ramazani i saj i parë duke qenë fare e re në fe. Ajo tha se shkonte në një xhami pranë shtëpisë së saj në Nju Xhersi për të falur teravitë çdo natë. Xhemati atje ishte kryesisht nga Lindja e Mesme dhe ajo shprehu me dëshpërim se askush nga gratë nuk i afrohej t’i fliste, por të gjitha flisnin arabisht me njëra tjetrën. Me siguri që shumë prej tyre dinin dhe anglisht, tha ajo, dhe ishte e lehtë ta shihje që ajo kishte nevojë për të folur me dikë. Disa nga të konvertuarit e tjerë i thanë se kjo mund të ishte diçka kulturore dhe nuk është e pazakontë që njerëzit në xhami të rrinë gati gjthë kohës me ata që njohin, duke qenë se shpesh takohen vetëm për Ramazan. Ata i sugjeruan që të fliste me dikë nga drejtuesit e xhamisë e të prezantohej me ta në mënyrë që ata ta njihnin me ndonjë femër të përshtatshme, që fliste anglisht dhe që ishte në moshën e saj.

Ndërkohë që biseda rreth memorjeve të para të Ramazanit vazhdonte dhe të konvertuarit në Islam tregonin se si ata kërkonin pak më shumë vëmendje nga myslimanët e lindur, të cilët ishin rritur me traditën e agjërimit dhe shumë gjëra i konsideronin si të lehta e çështje fakti, mua më vinte në mend memorja ime e parë me agjërimin dhe sa ndryshe ishte ajo eksperiencë nga ajo tipikja e myslimanëve të lindur të cilët zgjoheshin nga prindërit e tyre për syfyr, nganjëherë edhe me zor, dhe memorjet e Ramazanit i kishin tejet familjare, me iftare të shpeshta, me miq të ftuar, me festa e me hare kolektive.  Memorja ime e parë ishte në tetëvjeçare, ndoshta në fillore fare, një ditë kur i gjithë rrethi i i afërt familjar i dajave e kushërinjve që jetonin me shtëpiat ngjitur në Yzberish, ishin ngritur për të bërë syfyr me rastin e Natës së Kadrit. Përveç gjyshit dhe brezit të tij, askush nuk e agjëronte Ramazanin e plotë, por për Natë Kadri dukej sikur ishin ngritur të gjithë për syfyr. Mbaj mend si na nxisnin ne fëmijëve të hanim mirë e të pinim ujë me bollëk se do na merrte etja pastaj. Gjatë ditës së agjërimit, mbaj mend që ish vapë, kohë pranvere më duket. Dhe në fakt etja na kish marrë, se si fëmijë që ishim vetëm lart e poshtë bridhnim edhe pse me agjërim. Në një moment, kur në oborr ishin mbledhur disa nga të rriturit dhe ne fëmijët, dikush po ngacmonte njërin nga kushërinjtë e mij të vegjël duke i thënë se e kishte parë duke pirë ujë fshehurazi dhe se agjërimi i ish prishur. Ai ngulte këmbë me të madhe se nuk kishte pirë ujë dhe s’e kish prishur. “Aha,” i thosh ky i rrituri, “lëri ato së të pamë ne. Iku agjërimi, mos e vazhdo kot tani. Shko ha bukë. Hajde.” Dhe të gjithë qeshnin me kushëririn tim i cili gati sa s’qante nga inati pse po ja prishnin agjërimin me zor dhe pse nuk e besonin kur u thoshte që nuk e kish prishur. Pas asaj dite të gëzuar kolektive, memorjet e mia të agjërimit janë kryesisht me syfyre të vetmuara e me agjërime me sforco, kundër dëshirës së nënës sime, e cila, sidomos në kohë dimri, kishte frikë se sëmuresha. E në fakt nuk kish Ramazan që nuk sëmuresha e nuk detyrohesha ta ndërprisja agjërimin. Në ato momente mu duk vetja më i afërt me të konvertuarit në Islam se me të lindurit në fe.

Biseda vazhdoi me tema të tjera deri para ezanit të Akshamit. Një nga pyetjet e të konvertuarve drejtuar në “të lindurve” kishte të bënte me “dating” mes gjinive, duke qenë se të konvertuarit vinin nga një ambient liberal ku ata shoqëroheshin lirisht me anëtarë të gjinisë tjetër, ndërsa sapo hynin në Islam u thuhej që çdo lloj kontakti mes gjinive ishte haram, duke i lënë ata tepër konfuz. U duk sikur konsensusi rreth kësaj teme ishte se myslimanët në përgjithësi nuk e kishin marrë vesh akoma si ishte mënyra më e mirë për të adresuar marrëdhëniet mes gjinive në kontekstin bashkëkohor. Si përfundim biseda ishte një eksperiencë interesante, çlodhëse, dhe mendje-hapëse. Më bëri të mendoj sa me fat jemi që jemi pjesë e një komuniteti kaq divers, me kaq shumë pikëpamje e eksperienca të ndryshme nga të cilat mund të mësojmë të gjithë e si rrjedhojë të rritemi si njerëz.

Comments

  • Faleminderit Ezani per postimin.

    Kam krijuar kete faqe “Islami im shqiptar” ku ndaj disa nga historite e mia me pervojen e te qenit mysliman shqiptar. Historite jane personale dhe nuk pretendojne te japin mesime feje apo te krijojne letersi te mirefillte, por besoj se vlera e tyre qendron tek ndarja me njeri tjetrin e eksperiencave tona dhe krijimi i narratives se islamit shqiptar nga vete ne, pa ua lene ne dore jo-myslimaneve te na percaktojne se si apo kush jemi ne. Jeni te ftuar te kontribuoni me historite tuaja personale. Mund te me kontaktoni mua direkt nese doni te postoni dicka ne blog, ose nepermjet blogut ose tek armirhf22@yahoo.com

    http://islamiim.wordpress.com/

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *