E-zani

Komuniteti Musliman i Shqipërisë ka njoftuar këto ditë se do të organizojë faljen e teravisë gjatë Natës së Kadrit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ky aktivitet do të shoqërohet me elementë spektakli, në mënyrë që kremtimit të saj t’i jepet natyrë festive, “plot surpriza”. Për këtë qëllim KMSH ka ftuar në Tiranë një këndues Kurani që e paraqet si ndër më të mirët në botë, Ahmed Naina. Për t’i dhënë sa më shumë pjesëmarrje këtij aktiviteti Kryesia ka vendosur të mbyllë të gjitha xhamitë e kryeqytetit, në mënyrë që njerëzit të jenë të detyruar të falen në bulevard.

Kjo është një risi e padëgjuar deri më tani në asnjë nga vendet muslimane. Ajo, jo vetëm që i imponon të gjithë qytetarëve të falen në rrugë e jo në xhami, ashtu siç e kërkon tradita fetare prej mijëra vjetësh, por gjithashtu del nga natyra dhe qëllimi që vetë kjo natë bart në vetvete. Nata e Kadrit nuk është aspak një natë feste, por është një natë lutjesh dhe adhurimi. Është një natë ku Zoti u përgjigjet lutjeve dhe na e ka caktuar për adhurim e jo për shfaqje televizive me mitingje fetare. Nata e Kadrit bart në natyrën e vet intimitet dhe jo hare e masivitet. Ajo kërkon prej besimtarit të vetmohet me Zotin e tij, duke i kërkuar begati e falje mëkatesh ndaj dhe ky namaz-show është në kundërshtim me frymën e modestisë dhe përunjësisë që kërkon ky muaj, e sidomos kjo natë. Për këtë arsye, e konsiderojmë këtë aktivitet një lajthitje të rradhës së këtij institucioni që përpiqet ta mbushë boshësinë dhe varfrinë e vet me spektakle e fishekzjarre elektorale, të cilat rreken të prodhojnë një imazh fals që nuk e ka në përditshmërinë e vet.

Nga ana tjetër, mbyllja e xhamive është një akt i pashembullt në kurriz të besimtarëve të thjeshtë që duan përunjësi dhe jo pompozitet, dhe që mendojnë se takimi me Zotin është më dinjitoz në shtëpitë e Tij sesa në trotuare bulevardesh. Ky është rasti i parë në 20 vjet pas ndalimit të fesë, që xhamitë e kryeqytetit mbyllen për faljen e një namazi, gjë që e bën atë të paprecedent.

Gjejmë rastin ti kërkojmë krerëve të KMSH-së të reflektojnë për të hequr dorë nga ky profil që po përpiqen të krijojnë, por t’i shtrohen punës për të kryer detyrën e tyre në shërbim të fesë dhe besimtarëve, të cilën, në realitetin e vërtetë jashtë kamerave dhe reklamave, nuk po e bëjnë. Gjejmë rastin t’u kërkojmë zyrtarëve të këtij institucioni që t’i japin legjitimitet vetvetes me mjete më dinjitoze, të punojnë për të vendosur drejtësi dhe harmoni në bashkësinë që drejtojnë, t’i shërbejnë asaj me modesti dhe sinqeritet, e t’i lenë mënjëanë demonstrime të tilla pompoze pa vlerë e bereqet. Ky profil, në të vërtetë vetëm sa na tregon nevojën për t’u dukur që zakonisht e kanë njerëz që puna nuk u ka të duk’.