Imam Sabaudin Jashari

A është e mundur të arrihet për një natë ajo që mund të arrihet për më shumë se 83 vjet?! Po ajo që mund të arrihet për disa muaj a është e mundur të arrihet sa hap e mbyll sytë?!

Shumë kush mund të përgjigjet se kjo është e mundur vetëm me begatinë e Zotit, ndihmën dhe ndërhyrjen e Tij.

Në rregull, por a ka ndonjë sukses “normal” që mund të arrihet pa ndihmën e Zotit dhe ndërhyrjen e Tij?!

Më ka tërhequr vëmendjen shumë një nga komentet më të bukura, nga një dijetar aktual Islam, që kam lexuar rreth dialogut të profetit Sulejman (a.s) me këshilltarët dhe ushtarët e tij rreth fronit të Belkizës, mbretëreshës së Sebeut. “O ju këshilltarë, kush më sjell fronin e saj para se të më vijnë të nënshtruar si mysliman. Një Ifrit prej xhinëve tha: Unë ta sjell fronin e saj para se të ngrihesh prej vendit tënd, unë jam i fortë dhe i besueshëm. Ndërsa ai që kishte dije nga libri tha: Unë ta sjell para se të mbyllësh sytë e tu. E kur e pa Sulejmani (a.s), të vendosur para tij tha: Kjo është prej mirësisë së Zotit tim, për të më sprovuar a falenderoj apo mohoj. E ai që falenderon nderon veten e tij ndërsa ai që mohon le ta dijë se Zoti im është i Pasur e Bujar” Neml 38-40.

Nga dialogu i Sulejmanit me këshilltarët e tij vërejmë se ai pranoi alternativën e atij që kishte dije nga libri dhe jo alternativën e Ifritit të xhindëve. Shumë komentues klasikë (për efekt kohe po i shmangem sjelljes së referencave) mendojnë se ky person mund të ketë qenë ndonjë që ka ditur emrin më të madhërishëm të Allahut me të cilin po të lutet përgjigjet dhe po ti kërkohet jep. Por gjithsesi ky interpretim ngelet një hamendësim dhe jo fakt i mbështetur mbi argument. Sakaq me të drejtë dijetarët aktualë, prej tyre Sheh Kardavi, pohojnë se s’përjashtohet mundësia që ky person të ketë arritur grada të larta dijeje që i mundësonte të bënte gjëra të mëdha në distanca kohore të shkurtra. Në një farë mënyre këtë e mbështet edhe fakti që Sulejmani (a.s) i shmanget alternativës së Ifritit dhe pranon alternativën e personit që kishte dije nga libri. Kjo mbështetet edhe nga fakti se lloji i dijes nuk është përcaktuar po ashtu edhe lloji i librit. Pra, mund të ketë qenë njeri që këtë vepër e ka kryer jo me mrekulli por me dije nga një libër i papërcaktuar.

Shqetësimi i sinqertë për të mirën është begatim për kohën

Froni i Belkisës nuk do ishte gjendur para Sulejmanit (a.s) në atë distancë të shkurtër kohore nëse Sulejmani (a.s) nuk do ta kishte shqetësim. Po ashtu edhe nata e Kadrit nuk do ishte begatuar me më shumë se një mijë muaj nëse sahabet e Profetit (a.s) nuk do të ishin të shqetësuar për realizimin e adhurimit të këtyre një mijë muajve.

Shqetësimi i sinqertë dhe shfrytëzimi maksimal i kapaciteteve në kohë është ligj i begatimit të kohës.

Ajo që të tërheq vëmendjen tek nata e kadrit është fakti se arritja e vlerave dhe mirësive të saj nuk realizohet vetëm me mrekulli, por me anë të një angazhimi maksimal të besimtarit për të shprehur vullnetin dhe dëshirën e tij maksimale për faljen e Zotit dhe mëshirën e Tij në këtë natë.

Në lidhje me këtë natë të bekuar mrekullia qëndron tek begatia që Allahu i Mëshirshëm i ka vënë kësaj nate, ndërsa përfitimi i kësaj begatie, sevapi i punës së mirë, që është më i mirë dhe më i madh se një mijë muaj, nuk arrihet me mrekulli, por vetëm nga ata që shprehin gatishmërinë dhe vullnetin maksimal për të përfituar mirësinë e kësaj nate, sevapin e më shumë se një mijë muajve dhe faljen e të gjitha gjynaheve. Profeti (a.s) thotë: “Kush e shfrytëzon natën e Kadrit me adhurim, me besim dhe  vetëm për hatër të Allahut i falen të gjitha mëkatet e mëparshme”

Kurani nuk merret me përcaktimin e kohës së suksesit

Kurani ka ardhur si libër udhëzues i implementimit të mëshirës hyjnore për të gjithë botërat. Në të gjejmë udhëzimin për përpjekjen e pashtershme të njeriut drejt kënaqësisë së Zotit të tij, gjejmë urdhrin për mirë e ndalimin nga e keqja, gjejmë paqen dhe luftën, qëndrimin ndaj mikut dhe ndaj armikut, gjejmë ftesën në rrugë të Allahut siç gjejmë shumë udhëzime humane për individin, shoqëritë dhe popujt, gjejmë pritjen e shpërblimit të plotë, të xhenetit të pafundmë të Allahut. Por askund në Kuran nuk gjejmë përcaktim kohor për implementimin e këtyre vlerave në të gjitha nivelet. Edhe 950 vjetët e ftesës së Nuhut (a.s) nuk na vijnë si model i afatit kohor të implementimit të planit të mëshirës, por na vijnë në kontekstin e përpjekjes së gjatë të Nuhut në rrugë të Allahut për t’i afruar njerëzit tek mëshira e Allahut dhe për t’i shpëtuar ata nga ndëshkimi i dhembshëm. Këtë e mbështet edhe fakti se vitet e implementimit të projektit hyjnor të zbatuar nga vet Profeti Muhamed (a.s) nuk janë të përcaktuara as në Kuran e as në sunetin e tij (a.s).

Fakti i mësipërm nxjerr në pah urtësinë e pashtershme të të Madhit Allah. Islami është feja e ditës së Kiametit. Pra, ka ardhur për ta përcjellë njerëzinë deri në atë ditë. Mirëpo zhvillimi i njerëzisë ndryshon nga një kohë në një tjetër e nga një epokë në tjetrën. Kapacitetet dhe aftësitë ndërvepruese me implementimin e planit hyjnor ndryshojnë nga brezi në brez e nga epoka në epokë. Sakaq afatet kohore të zbatimit të këtij plani ndryshojnë nga një epokë në tjetrën. Kështu që do të ishte padrejtësi kufizimi i një epoke me afatet kohore të një epoke apo brezi tjetër në lidhje me implementimin e planit hyjnor të mëshirës. Edhe në këtë aspekt Islami i bie të jetë universal duke i dhënë çdo brezi apo epoke mundësinë e bashkëveprimit të duhur të kapaciteteve me kohën.

“Ç’do gjë do kohën e vet” është shumë abuzive

Të justifikuarit me sloganin: “çdo gjë do kohën e vet” shpesh bëhet nga abuzimet më të mëdha me projektin hyjnor dhe me kohën për të cilën ka thënë Profeti (a.s): “Mos e shani kohën se koha është vet Allahu”.

Në shumë raste si stereotip paraqitet 950 vjeçari i Nuhut (a.s) për të ilustruar sloganin e më sipërm, veçanërisht në fushën e ftesës islame.

Por ajo që realisht i bashkon, ndër të tjera, të gjithë profetët e Allahut, implementues të projetit të mëshirës hyjnore, nuk është përcaktimi i afatit kohor për çdonjërin prej tyre, por i bashkojnë dy gjëra themelore: shqetësimi maksimal e vazhdimisht i ndezur ndaj projektit të mëshirës dhe shfrytëzimi maksimal i kohës. Ndërsa konteksti në të cilin është përmendur 950 vjetëshi i Nuhut nuk është kontekst përcaktues afati, por kontekst vlerësues i punës së Nuhut (a.s) dhe nxitës dhe inkurajues për të mëvonshmit.

Projekti hyjnor dhe marrëdhënia e Nuhut (a.s) me kohën gjatë implementimit të këtij projekti

Numri 950, si afat kohor, hijezohet karshi mënyrës se si e shfrytëzoi Nuhu (a.s) këtë 950 vjetësh: “O Allah unë e ftova popullin tim natën dhe ditën,…. i ftova haptazi dhe fshehurazi… “ Nuh 5-20. Në këto ajete na paraqitet një bashkëveprim shumë rigoroz i Nuhut (a.s) me kohën, gjatë implementimit të projektit të mëshirës. Gjatë këtij përshkrimi kuranor vërejmë se kemi të bëjmë me një shqetësim dhe dhembshuri shumë të sinqertë të Nuhut ndaj popullit të tij gjë që të bën të kuptosh se ftesa e popullit të tij asnjë çast nuk u kthye në rutinë për Nuhun (a.s). Qe pikërisht ky shqetësim i sinqertë që e bënte të bashkëveprojë kaq sistematikisht dhe intensivisht me kohën, gjatë implementimit të projektit të mëshirës.

Njëzet e tre vitet e Profetit Muhamed (a.s)

Përtacia, keqmenaxhimi i kohës dhe dështimi i rrugëve të implementimit si pasojë e keqplanifikimit, janë tre nga format më të spikatura të abuzimit me slloganin: “Çdo gjë do kohën e vet”. Këto marrin një shkundje të fuqishme nga 23 vjeçarshi i profetit Muhamed (a.s) që iu deshën për të implementuar projektin hyjnor.

Askund, as në Kuran e as në sunetin profetik, nuk përmendet afati kohor që do i duhej Profetit (a.s) për të implementuar projektin hyjnor të mëshirës. Vdekja e Profetit (a.s) ka qenë edhe fundi i misionit të tij në tokë. Ditën e vdekjes së tij Profeti (a.s) nuk e ka ditur, sakaq edhe fundin e afatit kohor të implementimit të projektit të mëshirës nuk e ka ditur.

Megjithatë vënia në balancë e këtij 23 vjeçari me disa fakte që kanë të bëjnë me projektin hyjnor të mëshirës dhe vetë Profetin (a.s) të bëjnë të meditosh thellë. Kemi të bëjmë me një plan shumë të madh: “Mëshirë për të gjithë botërat”. Kemi të bëjmë me një plan që vjen në një aktualitet shumë të vështirë ndërkohë që do përballej me civilizime shumë të hershme dhe të fuqishme. E mbi të gjitha implementimi i këtij plani kërkohet të realizohet nga një njeri, rob i Allahut si gjithë të tjerët që dallonte vetëm nga fakti i shpalljes.

Në shpellën Hira Allahu i kërkon Muhamedit (a.s), njeriut profet, të përcjellë mëshirën hyjnore te e gjithë njerëzia. Imagjino: Pa pasuri apo kapital, pa ushtri, pa shtet, pa organizim. Të gjithë këto elementë, mekanizma të domosdoshëm për implementimin e planit të mëshirës, duhej ti organizonte vetë profeti Muhamed (a.s). Natyrshëm i bie të ketë qenë diçka shumë e rëndë për të. Këtë ia shpalli vetë Allahu: “Ne do të hedhim një fjalë shumë të rëndë” Muzemil.

Bashkëveprimi i saktë me kohën qe urdhëri i parë hyjnor si hapi i parë drejt realizimit të implementimit të saktë e të plotë: “O ti i mbuluar, ngrihu natën (me adhurim) përveç një pjese të paktë të saj, gjysmën e natës apo më pak apo më shumë dhe lexoje Kuranin me përkushtim. Ne do të të hedhim një fjalë me peshë të rëndë. Adhurimi gjatë natës ka ndikim më të fortë dhe thënie më të qartë se gjatë ditës ke përpjekje të gjatë dhe kujtoje Zotin tënd e lutju me përkushtim e përgjërim” Muzemil 1-8.

Allahu i Madhëruar i ka vendosur elementët materialë të implementimit të suksesshëm, të planit të mëshirës, në tokë dhe i ka bërë të mundshme. Sakaq që në fillim nuk i tërheq vëmendjen Profetit (a.s) tek këto elementë materialë, natyrisht të domosdoshëm, por tek ligji i shfrytëzimit efikas të kohës, natën me adhurim, furnizim shpirtëror dhe intelektual, e ditën me punë dhe përpjekje të vazhdueshme që bënte të mundur mobilizimin efikas të elementëve material.

Ideja që mobilizoi materien

Duke u nisur nga sa më sipër profeti Muhamed (a.s) me atë çka i zbriti nga Allahu i gjithësisë ishte ideja që mobilizoi materien. Urdhrat e parë nuk qenë për grumbullim pasurie e as për ndonjë çështje të lidhur ngushtë me mekanizmat material të organizimit të materies por: “Lexo” Ikra. “O i mbuluar ngrihu e mbushe natën me adhurim….. dhe lexoje Kuranin me përkushtim” Muzemil. “O i mbuluar ngrihu dhe lajmëro, rrobat tuaja pastroi, largoje të pistën e për Zotin tënd duro…” Mudethir

Me këto urdhra hyjnor Profeti (a.s) bëhet me dije se është dërguar për të konkurruar njerëzinë në një fushë tjetër. Civilizimet aktuale të asaj kohe të gjitha pa përjashtim kishin një problem të përbashkët: Hierarkia e elementëve të ekzistencës së popujve funksiononte përmbysur. Njerëzit dhe objektet nuk vërtiteshin rreth idesë por kishte ndodhur më e rënda e mundshme, jo vetëm ideja që nuk ishte në qendër të universit të civilizimeve por as njeriu me egot dhe epshet e tij. Në qendër ishin objektet rreth të cilave vërtiteshin njerëzit dhe idetë. Madje idetë ishin në skaj të universit të civilizimeve dhe ishin bërë shërbëtorë të objekteve në shërbim të cilave ishin dhe vetë njerëzit.

Civilizimet e asaj kohe nuk qaheshin për varfëri dhe mungesë të mirave materiale apo mungesë të mirëqenies, përkundrazi bollëku i këtyre aspekteve te këta civilizime i kishte bërë popujt e dobët, siç ishin arabët e para Islamit, tw ndjeheshin shumë inferior përball tyre.

Që në fillim të shpalljes Allahu i Madhëruar i tërheq vëmendjen Profetit (a.s) dhe pasuesve të tij se materia me të gjithë elementët e saj është në tokë dhe nuk ka nevojë të shpiket apo të prodhohet, por ka nevojë të rimobilizohet dhe të marri vendin që i takon në hierarkinë e universit të civilizimeve. Pra duhet që materia të riorganizohet dhe të kthehet nga i shërbyer prej idesë dhe njeriut në shërbëtor të idesë dhe të njeriut.

Allahu e qetëson Profetin (a.s): “Falënderimi i takon Allahut Zotit të gjithë botërave” Fatiha 2. “A nuk e shikojnë devenë se si është krijuar, qiellin se si është ngritur, malet se si janë ngulur, tokën se si është nënshtruar. Kujto se ti nuk ke mision tjetër veç kujtimit.” Gashije 17-21. “A nuk e shikoni se si Allahu jua ka nënshtruar çka në qiell e çka në tokë dhe i ka përsosur mirësitë e Tij ndaj jush ato të dukshmet e të padukshmet. E ka prej njerëzve që polemizojnë rreth Allahut pa dije, pa udhëzim, e pa argument të qartë” Lukman 20

Pra, Allahu i Madhëruar i heq frikën profetit Muhamed (a.s) në lidhje me atë për të cilën vriteshin civilizimet me njëri-tjetrin, mirëqenien dhe salltanetin, duke i bërë të qartë se ajo, jo vetëm që është dhe ekziston por ajo në origjinë është krijuar për njeriun që adhuron Allahun. Kjo materie është e detyruar ti vijë e nënshtruar, por me kushtin që konsiston nw: Shqetësim i sinqertë e vazhdimisht i ndezur për t’ia nënshtruar kwtw botw idesë hyjnore, vizion i qartë që buron nga kuptimi i saktë i idesë hyjnore, dinamizëm e aktivitet i vazhdueshëm në kohë që i pret rrugën çdo lloj abuzimi me kohën.

Kush e përkrah Allahun, Allahu e përkrah atë

Implementimi real i projektit të mëshirës nga ana e Profetit Muhamed (a.s) njeri dhe rob i Zotit, në njëzet e tre vjet, në saj të shqetësimit, vizionit dhe mirëshfrytëzimit të kohës, qe tregues i mjaftueshëm i realizueshmërisë së këtij projekti nga të gjithë brezat pasardhës të Profetit Muhamed a.s. Megjithatë fakti që Muhamedi (a.s) qe profet e bënte jo të lehtë bindjen se kjo nuk mund të jetë realizuar pa mrekulli hyjnore.

S’ka pikë dyshimi se Profeti (a.s) gjatë gjithë 23 vjetëve ka pasur vëmendjen, mbikëqyrjen dhe përkrahjen e të madhit Allah, por gjithashtu nuk ka pikë dyshimi se gjatë gjithë kësaj rruge të mundimshme dhe përpjekjes së tij Profeti (a.s) bashkëvepronte me ligjin hyjnor të triumfit dhe suksesit: “E kush e përkrah Allahun, Allahu e përkrah atë” Kuran.

Mirëpo duhet pasur parasysh se kemi të bëjmë me një ligj hyjnor universal e gjithëpërfshirës. Gjithashtu Profeti (a.s) nuk ishte dërguar për t’i treguar njerëzisë se si realizohen gjërat me mrekulli por duke qenë profeti i fundit e i gjithë njerëzisë kishte ardhur për tu treguar të gjithë njerëzisë se si meritohet përkrahja dhe ndihma e Allahut: shqetësim i sinqertë, vizion, vlerësim maksimal i jetës përmes shfrytëzimit maksimal të kohës.

Tek Umer Ibnu Hatabi venitet krejtësisht abuzimi ndaj kohës me anë të mrekullisë

Umer Ibnu Hatabi (r.a) qe ai i cili thelloi akoma dhe më tepër bindjen, tek të gjithë brezat adhurues të Allahut deri në Ditën e Kiametit se Allahu nuk ia kursen ndihmën e Tij askujt që e meriton. Nëse Profeti (a.s) arriti të implementojë projektin e mëshirës në Medinë dhe krijoi mekanizmat e implementimit të tij në rang global për njëzet e tre vjet, Umer Ibnu Hatabi arriti të fusë në çadrën e Islamit dy civilizimet më të mëdha të asaj kohe, persët dhe Bizantin, në më pak se 15 vjet.

Shqetësimi i Umerit ishte aq i sinqertë dhe i ndezur saqë përfshinte kuajt dhe mushkat e Irakut. Vizioni i tij ishte më se i qartë: Mëshira e Islamit duhet të mbulojë të gjithë popujt edhe persët edhe bizantin. E sa i përket shfrytëzimit të kohës, jo vetëm që nuk transmetohet rreth personalitetit të tij ndonjë sjellje e rëndomtë apo banale me të cilën mund të ketë vrarë kohën e tij por edhe nata ishte për të koha më e mirë për të kontrolluar personalisht nga afër mbarëvajtjen e jetës së masave myslimane.

Krimi më i madh ndaj kohës 

Malik Bin Nebiji në librin e tij: “Orientimi i botës Islame” pohon se një nga keqperceptimet dhe keqtrajtimet më të rrezikshme dhe me pasojat më të rënda të mundshme, është trajtimi i kohës si dimension i jashtëm, d.m.th trajtimi i saj si një prej përbërësve të agjendës së jetës humane, individuale dhe shoqërore.

Kurani dhe suneti i Profetit (a.s), në të kundërt me keqperceptimin e mësipërm, na bën me dije se koha është vet jeta dhe jo diçka që funksionon jashtë njeriut. Allahu i Madhëruar e përshkruan njeriun si një qenie kohore e shtrirë në kohë mes vdekjes dhe jetës: “Është Allahu që ka krijuar vdekjen dhe jetën për t’ju sprovuar se kush është më punëmiri” Tebarek/2. Allahu e përmend njeriun menjëherë pas betimit në kohën: “Betohem në kohën se të gjithë njerëzit janë në humbje përveç atyre që besuan, punuan punë të mira, porositën njëri-tjetrin për të drejtë dhe porositën njëri-tjetrin për durim” Asr. Me këtë, Allahu tërheq vëmendjen se shpëtimi nga humbja përmes besimit, punës, drejtësisë dhe durimit realizohet përmes bashkëveprimit intensiv e tw saktw me kohën.

Profeti Muhamed (a.s) pohon se: “Shpirti i shenjtë, Xhibrili, më ka inspiruar se asnjë nefs nuk do të vdes pa konsumuar dy gjëra: riskun dhe exhelin, afatin kohor në këtë dynja”

Sufjan Theuriji (Allahu e mëshiroftë) na bën të mundur ta përfytyrojmë njeriun të shtrirë në kohë: “O njeri ti je një grup ditësh e sa herë ikën një ditë ka ikur një pjesë e jotja”. Pra nëse do ta kishim të mundur ta shtrijmë njeriun në kohë dhe ta ndajmë në segmente, në varësi të ditëve të jetës së tij, i bie që për çdo ditë të ikur të eliminohet një segment i tij.

Njeriu është ai çka vepron në kohë

Duke u nisur nga sa më sipër, njeriu është aq sa e shfrytëzon ditën e tij, jetën apo kohën e tij. Pra njeriu nuk matet me numër ditësh të konsumuara por me numër ditësh të shfrytëzuara. Thënë ndryshe: të gjithë objektivat e tij, qëllimet, aspiratat, veprimtaria dhe dinamizmi i tij vlerësohen nga niveli i intensitetit të bashkëveprimit efikas dhe të saktë me kohën sepse të gjitha këto veprojnë dhe marrin vlerë në kohë.

Sakaq shumë njerëz që kanë jetuar pak vite në numër por i kanë shfrytëzuar intensivisht dhe saktë ato, kanë arritur të jetojnë më shumë se ata që kanë jetuar shumë në vite por të zhveshur nga dinamizmi i duhur. Profeti (a.s) vlerën e njeriut të mirë e mat me nivelin e intensitetit të bashkëveprimit me ditët e shumta të jetuara prej tij: “Njeriu më i mirë është ai që jeton gjatë duke punuar punë të mira”. Kur është pyetur nëse lejohet të kërkohet vdekja është përgjigjur negativisht pwr të vetmen arsye, sepse një ditë më shumë është një mundësi për t’iu afruar më shumë mëshirës së Allahut dhe për t’iu larguar ndëshkimit të Tij.

Koha dhe civilizimet

Malik Bin Nebiu (Allahu e mëshiroftë), me mendimin e tij risi, pohon se një nga tre komponentët bazë të civilizimeve është koha, bashkë me njeriun dhe dheun, ndërsa feja është ajo që bën të mundur bashkëveprimin e saktë të komponentit njeri dhe tokë, në kohë.

Për të ilustruar këtë pohim ai jep si model dy prej popujve më dinamikë në aspektin e intensivitetit të bashkëveprimit me kohën: Gjermanët dhe japonezët. Me gjermanët është e lehtë të ilustrohet kur sjell ndërmend gjendjen me të cilën dolën nga lufta e parë botërore dhe në më pak se njëzet vjet u bënë superfuqia që mësyu të gjithë botën. Akoma dhe më e rrënuar doli nga lufta e dytë botërore, e gjithë infrastruktura e shkatërruar, e mbytur dhe e prangosur nga dhjetëra embargo e megjithatë në më pak se dy dekada u kthye në krye të popujve të përparuar.

Japonezet ishin populli tjetër i shkatërruar dhe i rrënuar nga lufta e dytë botërore, dy bomba atomike dhe qindra mijëra të vrarë. Megjithatë në vitin 1960 arritën të bëhen vendi i parë në botë për prodhimin e tekstileve, në vitin 1970 vendi i parë në botë për prodhimin e çelikut, në vitin 1980 vendi i parë në botë për prodhimin e makinave, në 1990 vendi i parë në botë për prodhimin e elektronikës, duke mos harruar këtu sfidat e shumta ndër to mungesa e lëndës së parë dhe importimi i saj nga mijëra milje larg si dhe eksportimi i prodhimeve në mijëra milje larg.

Dallimi kryesor i këtyre dy popujve mes shumë popujsh të tjerë të prapambetur, është shfrytëzimi intensiv dhe efikas i kohës duke pasur parasysh se shumë prej popujve të prapambetur nuk kanë pësuar këto humbje që pësuan Gjermania dhe Japonia si dhe në aspektin e lëndëve të para shumë prej popujve të prapambetur janë shumë më të pasur se Gjermania dhe Japonia.

Nata e kadrit dhe ndjesia e kohës

Një i mençur pohon: “O njeri e nesërmja nuk mjafton për detyrat e të nesërmes e si mund t’i shtosh edhe një pjesë të detyrave të të sotmes?!”

Selefët kanë pohuar: “Për çdo ditë që lind thërret një thirrës: o njeri unë për ty jam një ditë e re dhe për punën tënde jam dëshmitar prandaj më shfrytëzo se po ika nuk kthehem deri në ditën e kiametit”

Ndjesia e thellë ndaj kohës ishte një nga veçoritë dalluese të shokëve të Profetit (a.s). Frika nga befasia e të nesërmes e bëri Ebu Bekrin r.a. të zgjojë Bilalin në mesnatë e ta ftojw për tek mëshira e Allahut sepse ishte i bindur me kujtesën profetike: “Kur të gdhihesh mos e prit mbrëmjen e kur të ngrysesh mos e prit agimin”

Nata e Kadrit na kujton të vërtetën e madhe se njeriu në bazë të shqetësimit të sinqertë e të vazhdueshëm, të vizionit të qartë dhe  të bashkëveprimit intensiv dhe të saktë me kohën, me lejen e Allahut dhe begatimin e Tij, mund të arrijë atë që arrihet në më shumë se një mijë muaj.

Comments

Your email address will not be published. Required fields are marked *