Besnik Sinani*

Përkatesitë fetare të popullsisë në Shqipërinë post-komuniste, përqindjet e popullsisë që identifikohen me një bashkësi fetare apo një tjetër prej vitesh janë politizuar në ndërlidhjen e këtyre identiteteve me orientimin gjeo-politik dhe kulturor të vendit. Si të tilla, deklarimet e përqindjeve të përkatësive fetare kanë zgjuar vëmendjen e publikut dhe analistëve mediatikë. Besueshmëria e regjistrimit të popullsisë në Censusin e fundit, ku përfshiheshin pyetje rreth etnisë dhe fesë, u vu në dyshim qysh në fazën fillestare dhe vështirë të na japë rezultate të besueshme edhe kur qeveria të vendosë të shpallë rezultatet. Këto ditë, Pew Research, një nga entet më të njohura në botë në studimin e religjionit realizoi një sondazh mbi Islamin në botë ku u përfshi dhe një sondazh mbi Shqipërinë.

Në Shqipëri janë pyetur 1032 persona dhe nga këta 788 janë deklaruar besimtarë myslimanë. Vetëm 15 përqind e shqiptarëve kanë deklaruar se feja ka shumë rëndësi në jetën e tyre, duke qenë kështu vendi me përqindjen më të ulët, në dallim edhe nga Kosova ku 44 përqind thonë se feja ka shumë rëndësi në jetën e tyre. Në Shqipëri vetëm 10 përqind thonë se janë myslimanë suni, kurse 65 përqind thonë se janë thjesht myslimanë. Askush nuk thotë se është shia. Në Shqipëri, sipas sondazhit, është edhe numri më i ulët i atyre që falen, vetëm katër përqind. Po ashtu, vetëm dy përqind thonë se shkojnë në xhami, duke shënuar sërish përqindjen më të ulët në vendet myslimane; 44 përqind thonë se mbajnë ramazan, kurse në Kosovë kjo shifër shkon në 76 përqind. Shqiptarët mbajnë rekordin edhe për numrin më të pakët të atyre që lexojnë Kuranin, ndërsa 43 përqind e shqiptarëve thonë se japin zekat – një lloj bamirësie e detyrueshme për besimtarin mysliman – ndërkohë që në Kosovë 69 përqind e të anketuarve japin zekat.

Interesante janë edhe rezultatet që na informojnë rreth disa formave të religjiozitetit si përhapja e hajmalive, besimi në shtriga dhe syri i keq, ku përqindjet janë më të larta se sa në besime të rëndësishme teologjike të Islamit si rikthimi i Jezusit (Isait), indikacion i prezencës së besimeve që kanë mbetur të lidhura me forma të religjionit popullor, por mungesa e dijes mbi qëndrime skolastike të Islamit.

Këto të dhëna janë të ngjashme në raporte me vende të tjera me popullsi myslimane ku numri i atyre që agjërojnë në muajin e Ramazanit është më i lartë se i atyre që falen rregullisht dhe besime në hajmali janë më të përhapura si forma të besimit popullor se sa bindje dogmatike si fjala vjen rikthimi i Jezusit (Isait). Shifrat e tjera duket të konfirmojnë pritshmëri që kemi rreth fesë në Shqipëri, të lidhura me përqindje të ulta në frekuentimin e rregullt të xhamive dhe i atyre që falen – reflektues të një shoqërie që kaloi në një formë unike të luftës së shtetit ndaj fesë në penalizmin sistematik të praktikave dhe besimeve fetare.

Por sociologët e fesë na tërheqin vëmendjen dhe na kërkojnë të jemi skeptikë ndaj sondazheve që na informojnë rreth trendeve fetare. Jose Casanova, një nga sociologët më të njohur sot në studimin e sociologjisë së religjionit, shkruan në një artikull studimor (në Rethinking Secularism, Oxford University Press, 2011) se “ne dimë në mënyrë faktike se amerikanët ashtu si evropianët u gënjejnë mbledhësve të sondazheve [për fenë ]. Amerikanët egzagjerojnë religjiozitetin e tyre, duke pretenduar se shkojnë në kishë e falen më shpesh nga sa ndodh faktikisht… dhe se nuk duhet besuar religjioziteti i tyre i vetë-deklaruar.” Arsyeja e këtij egzagjerimi, sipas Casanova, shpjegohet nga besimi i të pyeturve se të jesh amerikan modern përfshin, gjithashtu, të jesh fetar.

Evropianët e bëjnë këtë në drejtim të kundërt, duke u përpjekur të minimizojnë religjiozitetin e tyre. Kjo mospërputhje shpjegohet, sipas Casanova, me idenë se të qenit religjioz nuk shihet si një atribut pozitiv në një kulturë predominante sekulare, meqënëse në Evropë, në dallim nga ShBA, meret i mirëqënë identifikimi i të qenit modern dhe të qenit i sekularizuar dhe ku të qenit i sekularizuar kuptohet si të kesh lënë pas krahëve fenë.

Teksa artikulli adreson zhvillimet aktuale të idesë së sekulares, mund të na shtyjë të mendojmë rreth çfarë pritshmërie kemi nga vetëdeklarimi i fesë dhe çfarë përfytyrimi është ngritur mbi të qenit një shqiptar modern dhe evropian, se çfarë përfytyrimi mbi të qenit modern dhe evropian u është predikuar shqiptarëve nga elitat politike dhe kulturore, ekskluzivisht në lidhje me fenë.

Maria Todorova, në librin e saj Imagining the Balkans (Oxford University Press, 2009), citon ish-kryeministrin Gramoz Pashko të deklarojë se: “”[E vetmja shpresë për Shqipërinë është gjenerata e re], që e ka dashur civilizimin evropian dhe vlerat e krishtera.” Ky apel i sinqertë ndaj vlerave të krishtera nga një vend që përpara se të bëhej ateist ishte 70% mysliman,” shkruan Todorova, “indikon naivitetin dhe mungesën e llustrës së ligjërimit të ri politik shqiptar, që nuk ka zotëruar ende fasadën e nderuar të fjalorit pluralist. Është, gjithashtu, tregues i instiktit të drejtë politik të elitës së re politike, që nuk është mashtruar nga pretensa mbireligjioze, joracore dhe joetnike e universalizmit dhe pluralizmit të ligjërimit të Evropës apo Perëndimit.”

Ismail Kadare, i sugjeroi kreut të fundit komunist, Ramiz Alisë, që kur Shqipëria po merte hapin e lejimit të fesë, të lejonte hapjen e kishave, por jo të xhamive, duke lidhur identitetin fetar me qënësinë evropiane. Në 2005, ish presidenti Moisiu deklaroi në Angli se shqiptarët janë në esencën e tyre të krishterë, duke përshkruar islamin si një fe të mbi-vendosur në shtratin natyral, por gjithsesi sipërfaqsor dhe i huaj. Në prag të Censusit, shumë figura publike deklaruan se Censusi ishte një rast për të fshirë ‘klishenë’ e një shumice myslimane në Shqipëri.

Sociologët më të njohur sot në botë parashikojnë ndryshime të përfytyrimeve mbi sekularen dhe të qenit modern e këto do reflektohen edhe në publikun shqiptar. Si do ndryshojnë pritshmëritë rreth qënësisë moderne shqiptare në lidhje me fenë, po qëndrimet e elitave politike dhe kulturore; si do përkthehen këto qëndrime në përfytyrimet e praktikantëve fetarë? Ky sondazh i Pew Research ka vlerë në nivelin krahasues me vendet e tjera, por në përgjigje të këtyre pyetjeve do nevojiten studime të mirëfillta antropologjike e sociologjike, të cilat janë ende të munguara.

 Botuar tek Shekulli, 14 Gusht, 2012.