E-zani

Gjejmë rastin të ndajmë një moment gëzimi me lexuesit e blogut tonë, duke uruar që ky Bajram të na gjejë të gjithëve më mirë e më pranë Zotit. Kjo është dita kur besimtarët, gëzojnë së bashku frytin e sakrificës së tyre përgjatë një muaji lutjesh, adhurimesh e privimesh. Kjo është dita kur kemi më shumë të drejtë të shpresojmë për begatitë dhe shpërblimet e të Gjithmëshirshmit, duke e ndjerë veten më të çliruar se kurrë nga barra e mëkatit. Por kjo ditë shoqërohet gjithashtu nga nje ndjenjë keqardhje si ditë e ndarjes nga muaji i begatë i Ramazanit. Gjithashtu, ky gëzim shoqërohet me nje ndjenjë faji për mangësitë e adhurimeve tona dhe pamundësitë tona njerëzore, për t’i dhënë hakun këtij muaji në madhështinë që ka.

Mes të tjerash, nuk mund të mos reflektojmë këtë ditë për realitetin tonë, problemet dhe vështirësitë që na rrethojnë. Në lutjet tona sot zë vend patjetër nevoja për ndryshimin e gjendjes sonë dhe në këtë ditë të begatë përzjejmë lutjet me shpresat për përmirësimin dhe rregullimin e bashkësisë sonë, në mënyrë që të mund të gjejmë dinjitetin që na takon në këtë vend.

Nuk duhet të harrojmë gjithashtu se jetojmë në kohë të vështira për të qenë besimtarë, kohë kur problemet sociale, ekonomike e politike therin çdo ditë nga pak zemrat tona dhe trondisin jetën tonë. Jetojmë në një kohë kur e drejta dhunohet e shtrembërohet, e vërteta mohohet, e pastra ndotet, e hijshmja shëmtohet, ndërsa e shenjta përdhoset. Jetojmë në një kohë kur ligji, morali, liria bëhen, gjithnjë e më shumë, mjete në duar të padrejtësisë, imoralitetit dhe pushtetit.

Për këtë arsye, gjithkush prej nesh nuk mund të mos lutet sot për gjithçka që rëndon në jetën tonë, si dhe për pafuqinë tonë për ta ndryshuar këtë realitet. Lutjet tona, janë sot në çdo shtëpi e çdo vatër ku gjejnë strehë hallet dhe shqetësimet, e pa të tilla, zor se gjen shtepi sot në këtë vend. Megjithatë, solidariteti ynë këtë ditë, shton shpresën për ditë më të mira, ku njerëzit do të mund të jetojnë me më shumë dinjitet.

Zoti na pranoftë lutjet dhe sakrificat!

Comments

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *