Diskursi politik për qokë Bajrami





 

 

E-zani

Historikisht, ndër vlerat “e mëdha” që i atribuohen në mënyrë të ripërsëritur, deri në mërzi, Islamit shqiptar, është toleranca fetare. Ky është një avaz që e dëgjojmë vazhdimisht në çdo festë, seminar, diskutim publik në Shqipëri, kryesisht nga politikanët, por edhe intelektualë të shumtë që ndjekin me besnikëri koniukturën ideologjike aktuale. I njëjti avaz u përsërit edhe gjatë këtij Bajrami, duke nisur që nga maja e pushtetit e poshte. Duke vlerësuar gjestin e shumë prej tyre për të ndarë me qytetarët e tij gëzimin e kësaj dite, nuk mund të mos rrudhim fytyrën nga shija bajatur e llokumit protokollar që na serviret mërzitshëm për vite me rradhë. Nuk duam të vëmë në dyshim sinqeritetin e askujt, veç nuk mund të mos pohojmë se kjo temë e prekur në mesazhet e tyre është tepër e konsumuar, duke mos i mbetur më shije. Mbi të gjitha, mesazhi bëhet pa vend kur u rezervohet vetëm muslimanëve dhe kurrë komuniteteve të tjera, ndonëse ka jopak intolerancë të dëshmuar prej tyre, sidomos në shtyp.

Kjo kërkesë për të ruajtur tolerancën, të ngjan më shumë me strategjitë edukative prindërore, të cilët, për të stimuluar sjelljen e fëmijëve të tyre, u thonë të pranishmëve se sa të mirë të urtë janë ata, në mënyrë që, duke i vënë fëmijët në pozitë, të shkaktojnë pikërisht ato sjellje për të cilat thonë se ata i kanë. Ajo që shpesh nuk kuptohet mirë në rastin tonë është nëse politika synon vërtetë ti kultivojë këto vlera tek muslimanët, apo synon të tregojë të kundërtën përballë publikut, duke e dëshmuar nëpërmjet nëntekstit se muslimanët nuk janë tolerantë, për sa kohë këshillohen vazhdimisht të jenë të tillë. E para ka brenda fyerje, ndërsa e dyta e ligësi.

Në fakt, ndoshta mund të ketë kuptim që politika të synojë të kultivojë tolerancën tek muslimanët. Kjo është e kuptueshme kur sheh se ata janë sot komuniteti më i diskriminuar, më i shpërfillur, më i fyer, përqeshur e margjinalizuar në këtë vend. Patjetër që këtij komuniteti i duhet predikuar tolerancë që të arrijë t’i durojë të gjitha këto. T’i kërkosh tolerancë një komuniteti që nuk bën asgjë, ka kuptim vetëm nëse je intolerant ndaj tij dhe kërkon që të mos reagojë ndaj padrejtësive që i bëhen. Në një kohë kur mediat dhe politika janë jo pak agresive kundra muslimanëve e në një kohë kur shoqëria shqiptare është tmerrësisht e ngarkuar me dhunë e konfliktualitet, toleranca i kërkohet vetëm muslimanëve dhe për më tepër, kjo bëhet pikërisht prej grupeve më konfliktuale të shoqërisë, siç janë elitat e medias dhe politikës.

Nuk po akuzojmë këtu askënd në veçanti, por vetëm po paraqesim një frymë të përgjithshme, e cila krijon një koniukturë të pafrytshme. Shpesh kjo retorikë përdoret pa të keq, duke u shndërruar në adet, por duke u bërë e tillë, kjo temë e pengon diskutimin mbi vlerat e vërteta të Islamit dhe problemet reale që ndjekësit e tij kanë në shoqërinë e sotme shqiptare. Ligjërimi politik mbi Islamin në Shqipëri, e ka bërë tashmë tolerancën fetare një temë qendrore të diskursit të vet, duke e shndërruar në një klishe që pengon ndërtimin e një diskursi efektiv, të aftë për të ngritur qasje më reale në dobi të muslimanëve shqiptarë dhe shoqërisë në tërësi. Festat nuk janë për të fortifikuar mendësitë tona, por për të reflektuar dhe për t’i ridefinuar ato.

Comments

  • Interesante sivjet ishte deklarata e Spahiut te AK tek Namazgjaja duke treguar me gisht gurin e themelit te xhamise se re vene aty qe ne 1995 dhe duke e quajtur “epitaf te mashtrimit”. Ne kemi vite qe e tregojme me gisht ate gur e ankohemi ndaj qeverise e bashkise, por me duket domethenese qe me ne fund kete kauze po e merr nen mbrojtje dhe nje force politike si AK. Sigurisht per perthithje votash, por gjithsesi i mirepritur si interesim mendoj une.

  • Plus keto urimet me “oh sa tolerante fetare qe jemi” nuk i kane vetem per ne. Pak a shume keshtu i urojne dhe komunitetet e tjera fetare. Psh lexoni urimin e Topit per Pashket ne Prill:

    “Nëpërmjet kësaj simbolike të mrekullueshme fetare të ringjalljes së jetës, në këtë vit shumë të rëndësishëm për Shqipërinë e për gjithë shqiptarët të festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë, përfitoj nga rasti të uroj më shumë fat dhe begati për popullin shqiptar! Le të shërbejë kjo ditë për të reflektuar e përmirësuar vetveten, por dhe për të evidentuar më shumë vlerat e mëdha të bashkëjetesës fetare e shpirtërore të shqiptarëve!”- shkruhet në mesazhin e Topit.
    http://www.panorama.com.al/2012/04/07/pashket-presidenti-uron-besimtaret-katolike/

  • Une mendoj se asgje interesante nuk kishte ne deklaraten e Spahiut te AK, eshte as me pak e as me shume se demagogjia elektorale e rradhes.
    Mua me duket se corba zien te njejtet perberes, ndaj nuk pritet ndonje ndryshim kushedi se cfare i shijes.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *