Edukimi i të rinjve të krishterë dhe myslimanë për drejtësinë dhe paqen

Bajram 1433 hixhri/2012 (e.s.)

 

Të dashur miq myslimanë

Kremtimi i Bajramit që përmbyll muajin e Ramazanit, na akordon ne “Këshilli papnor për dialogun ndërfetar” gëzimin e paraqitjes së përshëndetjeve të ngrohta ndaj jush. Ne gëzohemi me ju për këtë kohë të privilegjuar, e cila ju jep mundësinë për të thelluar bindjen ndaj Zotit duke agjëruar dhe [kryer] praktika të tjera të devotshme, vlera këto që janë barazisht të dashura edhe për ne.

Kjo është arsyeja përse këtë vit na duket e përshtatshme që ta përqendrojmë reflektimin tonë të përbashkët mbi edukimin e të rinjve të krishterë dhe myslimanë për drejtësi dhe paqe, të cilat janë të pandashme nga e vërteta dhe liria.

Siç e dini, detyra e edukimit i është mirëbesuar të gjithë shoqërisë. Ajo është pikë së pari më e rëndësishme dhe në mënyrë të veçantë punë e prindërve dhe, me ta, e familjes, shkollave dhe universiteteve, duke mos harruar ato që janë përgjegjës për jetën fetare, kulturore, sociale dhe ekonomike dhe të botës së komunikimit. Edukimi është një sipërmarrje njëherazi e bukur dhe e vështirë: për të ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë që të zbulojnë dhe të zhvillojnë burimet me të cilat Krijuesi i ka pajisur ata dhe për të ndërtuar marrëdhënie të përgjegjshme njerëzore. Duke iu referuar detyrës së edukatorëve, Shenjtëria e tij Papa Benedikti i XV ka pohuar së fundmi: “Për këtë arsye, sot më shumë se asnjëherë tjetër ne kemi nevojë për dëshmitarë të vërtetë dhe jo thjesht njerëz që ndajnë në pjesë normat dhe faktet…Një dëshmitar është dikush i cili më së pari jeton jetën që i propozon të tjerëve” (Mesazh për ditën botërore të paqes” 2012). Veç kësaj, le të kujtojmë se vetë të rinjtë janë përgjegjës, po ashtu, për edukimin e tyre dhe për formimin e tyre për drejtësinë dhe paqen.

Drejtësia përcaktohet pikësëpari nga identiteti i personit njerëzor, i marrë në konsideratë në tërësinë e tij ose të saj; ajo nuk mund të reduktohet në dimensionin e saj të shkëmbyeshmërisë dhe shpërndarjes së drejtë. Ne nuk duhet të harrojmë se e mira e përgjithshme nuk mund të arrihet pa solidaritetin dhe dashurinë vëllazërore! Për besimtarët, drejtësia e mirëfilltë, e jetuar në miqësi me Zotin, i thellon të gjitha marrëdhëniet e tjera: me veten, me të tjerët dhe me të gjithë krijimin. Për më tepër, ata deklarojnë se drejtësia e ka origjinën në faktin se të gjithë njerëzit janë të krijuar nga Zoti dhe janë të thirrur të bëhen një familje e vetme. Një vizon i tillë i gjërave, me respekt të plotë për arsyen dhe hapjen ndaj transcendencës, i stimulon të gjithë burrat dhe gratë me vullnet të mirë duke i ftuar ata që të harmonizojnë të drejtat dhe detyrat.

Në botën e vuajtur të ditëve tonë, edukimi i të rinjve për paqe është bërë gjithnjë e më shumë urgjent. Natyra e vërtetë e paqes duhet kuptuar si angazhimi i veteve tona në një mënyrë të duhur: e cila nuk është kufizuar thjesht tek mungesa e luftës ose tek një balancë ndërmjet forcave kundërshtare, por është njëkohësisht një dhuratë nga Zoti dhe një orvatje njerëzore që duhet ushtruar pa ndërprerje. Ajo është një fryt i drejtësisë dhe një efekt i dashurisë. Është e rëndësishme që besimtarët të jenë gjithnjë aktivë në bashkësitë që ata i përkasin: duke praktikuar dhembshurinë, bashkëpunimin dhe vëllazërinë, ata mund të kontribuojnë në mënyrë efektive drejt adresimit të sfidave të mëdha të ditëve të sotme: rritjes harmonike, zhvillimit integral, parandalimit dhe zgjidhjes së konflikteve, sa për të përmendur disa prej tyre.

Për ta përmbyllur, ne dëshirojmë t’i inkurajojmë lexuesit e rinj, myslimanë dhe të krishterë, të këtij mesazhi që të kultivojnë të vërtetën dhe lirinë, në mënyrë që të jenë lajmëtarë të mirëfilltë të drejtësisë dhe paqes dhe ndërtues të një kulture e cila respekton dinjitetin dhe të drejtat e çdo qytetari. Ne i ftojmë ata që të kenë durim dhe këmbëngulje, të cilat janë të nevojshme për realizimin e idealeve, të mos mbështeten asnjëherë në kompromise të dyshimta, rrugë të shkurtra hileqare apo në mjete që tregojnë pak respekt për personin njerëzor. Vetëm burrat dhe gratë të bindur në mënyrë të sinqertë për këto nevoja do të jenë të aftë të ndërtojnë shoqëri kur drejtësia dhe paqja do të bëhen realitete.

Zoti i mbushtë me paqe dhe shpresë zemrat, familjet dhe bashkësitë e atyre që ushqejnë dëshirën për të qenë “instrumente paqeje”!

 

Gëzuar festën ju të gjithëve!

 

Nga Vatikani, 3 Gusht 2012

Presidenti

Kardinali Jean-Louis Tauran

Sekretari

Kryepeshkopi: Pier Luigi Celata

 

Comments

  • Duhet shpresuar qe nga kjo faqe keto mesazhe t’i lexojne fundamentalistet katolike shqiptare ligjerimi i te cileve kundra myslimaneve shqiptare ka vite qe eshte bere toksik

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *