Dervishizmi si Fe dhe si Paganizëm!!!





e-zani

Gazeta Shekulli botoi këto ditë një etnografi modeste mbi shtimin e tyrbeve në rrethin e Tropojës:

Në Tropojë janë shtuar shumë “tyrbet” ose “vendet e mira”. Për çfarë bëhet fjalë? Këto vende u përkasin atyre që komuniteti i këtyre anëve i quan “njerëz të mirë” dhe besohet masivisht që frekuentimi i tyre shëron sëmundje dhe siguron qetësi shpirtërore. Tyrbet janë godina të ngritura “rreth” një varri, i cili gjendet në qendër të tyre, i rrethuar me dërrasa 80-100 cm dhe mbulohet me copa të bukura mëndafshi apo basme me ngjyra karakteristike. Te koka, ku ngrihet në një lartësi më të madhe, vendoset “kapuçi i shehut”. Rreth varrit lihen korridore të mjaftueshme që vizitorët të qarkullojnë lirshëm. Këto vende vizitohen përgjithësisht të premteve, më shumë në muajin maj dhe shpesh kur është ditëlindja e “njeriut të mirë” apo përvjetori i tij i vdekjes. Për “njerëzit e mirë” këtyre anëve qarkullojnë histori të ndryshme të veprave që kanë bërë kur ishin gjallë. Besimi thel- lohet me legjenda mbi njerëz që janë shëruar për shkak të vizitave në këto vende dhe histori të tjera të cilat qarkullojnë dhe amplifikohen nga një familje në tjetrën…

Nuk është fenomen që ka përfshirë vetëm moshat e vjetra, siç mund të mendohet. Kohët e fundit janë shtuar të rinjtë që besojnë në këto vende. Madje janë hapur edhe faqe në Facebook, me emrat e tyre, ku hidhen foto dhe pjesëmarrësit komunikojnë me njëri-tjetrin. Bisedat apo komentet janë të ndryshme dhe përfundojnë me “Të ruajt tyrbja e dervish…” Njëra nga këto faqe, përshembull, quhet “Tyrbja e Dervish Luzhës” dhe ka 2 573 pëlqime. Në faqe shihen fotografi të “Dervish Luzhës” dhe vendit ku njerëzit i luten. Emri i vërtetë i tij është Rexhep Tarçuk Bala. “Pasha Dervish Luzhën”, “Pasha tyrben e Dervish Luzhës”, – janë shprehje që i dëgjon gjithmonë e më shpesh, madje njerëzit besojnë se ai është gen prej gjakut të Nënë Terezës.

Por nga etnografia deskriptive autorët ndërmarin më pas të sqarojnë kuptimin e të qenit ‘dervish’:

Ka shprehje të tilla si: “Si xhybja (si mjekra) e dervishit” ose “është bërë si dervish”, që do të thotë nuk është rruar e nuk është qethur prej kohësh, i është rritur mjekra shumë. Dervishët janë quajtur fillimisht ish- murgjit e sektit bektashian, që jetonin e kryenin shërbime fetare në një teqe.

Sigurisht, dervishët as në origjinën e tyre në botën perse e as në kalimin në botën arabe e atë otomane e detyrimisht dhe në eksperiencën fetare shqiptare nuk janë të lidhur vetëm me urdhërin mistik të bektashive, por janë të asociuar me një sërë lëvizjesh mistike në historinë e Islamit. Por në këtë artikull ‘dervishizmi’ habitshëm paraqitet si fe!!! Shkruan Gjon Neçaj: “Teqetë janë objekte kulti ku kryhen rite fetare të dervishizmit, kurse tyrbet janë vendet ku varrosen shehlerët (shehu), të cilët kanë shërbyer në teqe.” Ai citon më pas një studiues lokal, Ibrahim Malaj, që paraqet “dershivizmin” si një formë të paganizmit: “Siç thotë studiuesi Ibrahim Malaj, këto kohë po rrezatojnë fort tek njerëzit paganizmin si formë besimi. Ky paganizëm po e shtrin shtratin e tij edhe në kohët moderne. Më saktë e ka “rishtrirë” sepse është rikthyer gjatë dy dekadave të fundit kur besimet pagane po shtohen paralelisht me mungesën e autoriteteve të tjerë ligjorë ose moralë. A thua këto besëtytni do ekzistojnë përjetësisht? Kjo pyetje është deri më tani pa përgjigje. “

Sigurisht që ka shumë myslimanë të cilët konsiderojnë praktikat e dervishëve si heterodokse, pjesë e debateve që gjenden në të gjitha fetë, por priremi të besojmë se gazeta Shekulli gjykon mbi fetë jo mbi bazat e ortodoksisë së një feje, por mbi baza kulturologjike, sociologjike, antropologjike e historike. Karakterizimi i kësaj vale të raportuar të formave të besimit në figura mistike, tyrbe e në praktikat fetare të shoqëruara me to si ‘paganizëm’ është sa shkencërisht i pasaktë, po aq edhe tregues i mungesës së profesionalizmit e  kritereve më minimale studimore kur flitet për fetë në Shqipëri e sigurisht për Islamin.

Mund të gjesh plotë myslimanë që i shohin praktikat e besimit në fuqinë mistike të dervishëve si forma idhujtarie, por asnjë studiues i Islamit si fenomen shoqëror, hitorik e kulturologjik në asnjë universitet të botës e as gazetë që meriton të quhet e tillë nuk do e bënte këtë gjë. Nuk na rezulton se gazeta Shekulli bazohet në gjykimet e ortodoksisë teologjike të Islamit në gjykimet e veta mbi fetë. Karakterizimi i këtyre praktikave si forma të paganizmit do ishte ekuivalent me karakterizimin e besimit tek Shna Ndou e Shën Jozefi apo pelegrinazhi në malin e Rrëshenit si forma paganizmi. Padyshim që besimi në shenjtorë i Krishtërimit, një formë besimi e debatuar edhe brenda Krishtërimit midis Protestanëve e Katolikëve apo dhe brenda Kishës Ortodokse Lindore, konsiderohen nga Ortodoksia Islame si forma idhujtarie, por në studimin nga jashtë të feve, Krishtërimi megjithë kultet e shentorëve konsiderohet fe monoteiste e jo traditë paganiste.

Le të kujtojmë këtu se në zonën e Tropojës besimi në njerezit e mirë, dervishët dhe tyrbet që i shoqërojnë nuk janë një zhvillim i ri, por një ripërtëritje në forma e kontekste të reja të formave fetare që gjenden në shtratin historik të praktikave fetare të kësaj zone të Shqipërisë e cila lidhet historikisht me zhvillimet fetare në zonën e Gjakovës dhe me urdhërat mistikë myslimanë të përhapur në këtë zonë.

Në Shqipëri ashtu si në vende të tjera të Ballkanit, Turqi, Iran e vendet arabe fenomeni i dervishëve si “lypës,” njerëz pa pronësi materiale të cilët jetojnë në varfëri në mënyrë që të mund të afrohen me Zotin, apo dhe si aderues e aspirues në urdhërat mistikë të Islamit nuk është as unik e as i ri. Libri i H.T. Norris Islam in the Balkans mbetet ndoshta ende referenca më e mirë për traditën e dervishëve në Ballkan, përfshi teritoret shqiptare.

 

 

 

 

Comments

  • Kur e ceket se “..asnjë studiues i Islamit si fenomen shoqëror, hitorik e kulturologjik në asnjë universitet të botës e as gazetë që meriton të quhet e tillë nuk do e bënte këtë gjë” shihet qe iu mungon informacioni. Pejgamberi alejhisselam eshte derguar nga Allahu (si gjithe Pejgamberet tjere) qe t’i largojn njerezit nga adhurimi i idhujve ne adhurimin e Zotit te botrave, nga roberimi i njerezve ne roberim ne Allahun fuqiplote.
    Besimi se e mira a shendeti a cka do qofte vjen nga tyrbet a njerezit e vdekur ne te (kushdo qofshin ata) e jo nga Allahu, nese kjo nuk eshte shirk e kufer atehere un nuk ditkam asgje nga Islami.

    Allahu e udhezofte kete popull.

    • Nga Islami ti di aq sa te ka bere te mundur Zoti po cfare ti qartazi nuk di eshte te kuptosh se cfare po thote artikulli qe ti po komenton.

  • Tropojanet e kane vizituar dervishin e Luzhes qe para renies se komunizmit, kjo nuk eshte gje e re. Thuhet se Azem Hajdari e mbante foton e tij ne gji. Kam pare vete shume tropojan qe e mbajne foton e tij ne shtepi

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *