Rreth protestave në Lindjen e Mesme që pasuan prodhimin e një film të prodhuar në ShBA dhe debatit të shtruar rreth sensiteteve fetare dhe lirisë së shprehjes, Dom Gjergj Meta shkruan në gazetën Mapo se:

Por nga ana tjetër mua më duket se në thelb shtrohet një çështje shumë serioze: deri ku shkon liria e shprehjes dhe deri ku ajo cenon të tjerët? Me një logjikë të ftohtë e larg nga pasionet përkatëse duhet të shikohet edhe “liria” e atyre që me religjionin tallen, ironizojnë madje deri në blasfemi. Nëse dikush do të merrte një njeri me ngjyrë të zezë dhe do ta ngjyroste me të bardhë, në USA dhe në shumë vende të tjera do të quhej me të drejtë një akt i pastër racizmi e si i tillë i dënueshëm dhe jo një vepër arti. Ose shembulli i një predikuesi të krishterë në një shtet nordik që, kur guxoi të lexonte në Kishë nga Shën Pali një varg ku dënohej homoseksualitetit, u akuzua për homofob. Ndërsa kur dikush ironizon deri në blasfemi me religjionin, i cili është një përmasë shpirtërore dhe thelbësore e njeriut, quhet liri e shprehjes. Jo zotëri! Kjo nuk është liri. Kjo është fyerje me ndjenjat më të thella të njerëzve.

Sigurisht që ka dhe një kontekst botëror në të cilin duhet kuptuar sulmet e vazhdueshme ndaj figurës së Profetit Muhamed, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të. Por, së pari, do donim të sugjerojmë se struktura e propozuar në ngajrje të tilla ku vendoset vendosmëria e perëndimorëve për të mbrojtur lirinë e fjalës përballë sensitiviteteve të tepruara të myslimanëve mund të mos jetë korniza e duhur sipas të cilës mund të kuptojmë këto ngjarje. Omid Safi sygjeron në një artikull këto ditë se filmi në fjalë duhet kuptuar si “shprehje e urrejtjes,” një formë shprehjeje që as në ShBA dhe në vende të tjera perëndimore nuk mbrohet nga ligjet që garantojnë lirinë e shprehjes. Duhet shtuar, gjithashtu, se duhet dalluar midis protestave, kundërshtinë ndaj të cilave si reagim në të tilla raste ne e kemi shprehur më parë në këtë blog, dhe sulmit që vrau të ndjerin, ambasadorin amerikan. Sipas të dhënave të gjer tanishme, sulmi ishte një akt terrorist i al-Kaidës.

Vazhdon Meta:

Para do kohësh një revistë në tregun shqiptar, nga ato revistat e një niveli shumë të ulët në formë dhe në përmbajtje, kishte paraqitur një vajzë të zhveshur në kryq, e mbështjellë me një perizomë që ishte flamuri LGBT dhe në gjunjë në shenjë lutjeje një murgeshë. Përveç padomethënies dhe profilit të ulët artistik dhe përmbajtësor, fotoja ishte edhe fyese ndaj simbolit më të rëndësishëm në botën e krishterë: kryqit! Sigurisht ne nuk reaguam për shumë arsye, por ama mënyra e përdorimit të simboleve fetare për qëllime komerciale apo ideologjike në një mënyrë blasfemuese lëndon dhe fyen ata që religjionin e kanë një përmasë të rëndësishme. Po ashtu të gjithëve na kujtohet reklama e Benetton-it, ku paraqitej Papa Benedikti XVI duke u puthur me presidentin e Afganistanit në nëntor 2011, kur Vatikani reagoi me një notë proteste që rrjedhimisht e detyroi Benetton-in të tërhiqte menjëherë reklamën.

Nuk jam nga ata që do të ngrihesha në protesta të dhunshme, sikurse edhe myslimanët shqiptarë e të tjerë që në shumë raste kanë treguar qytetarinë e tyre, por ama jam i sigurt se një reflektim i botës perëndimore mbi kufijtë e lirisë është shumë i rëndësishëm. Është thënë se liria ime mbaron ku fillon ajo e tjetrit. Jo, liria ime nuk ka një kufi, ajo është e pakufi kur bën të mirën. Ajo kthehet në një bashkëliri me tjetrin, madje plotësohet kur është në shërbim të lirisë së të tjerëve. Kurse një liri që bën të keqen, fyen, poshtëron, ironizon e përbuz nuk është më liri, por shpërfytyrimi i saj. Neve na duhet një liri në shërbim të bashkekzistencës dhe harmonisë në një botë që ka nevojë për paqe.

Nuk kemi se si mos pajtohemi me fjalët e Dom Gjergjit. Gjithsesi, kur vjen tek reagimet ne kemi shprehur qëndrimin në disa raste si në këtë artikull, ashtu si dhe këtu dhe këtu.

Këto ditë, duke përcjellë lajmet, më bëri përshtypje pozitivisht sesi në Liban Papa Benedikti ishte pritur nga myslimanë e katolikë dhe kjo vizitë qe e suksesshme. Nëpër rrugët që çonin në Bejrut kishte plot postera të shkruar në arabisht e frëngjisht: “Mirë se erdhe në Liban Papa Benedikti XVI”. Ky lajm më ngrohu dhe më dha shpresë se ka mundësi, me anë të virtytit të mikpritjes së tjetrit me gjithçka ai tjetri është, edhe i ndryshëm nga unë, bota do të jetë më e mirë.

Sigurisht që ka shpresë dhe kjo vërtetohet nga një histori e gjatë – edhe pse jo pa gërvishtjet e veta – ku myslimanë e të krishterë në shumë vende të botës, ashtu si në vendin tonë, kanë jetuar dhe kanë krijuar historinë sëbashku.

 

Comments

  • “Nuk jam nga ata që do të ngrihesha në protesta të dhunshme, sikurse edhe myslimanët shqiptarë e të tjerë që në shumë raste kanë treguar qytetarinë e tyre, por ama jam i sigurt se një reflektim i botës perëndimore mbi kufijtë e lirisë është shumë i rëndësishëm. Është thënë se liria ime mbaron ku fillon ajo e tjetrit. Jo, liria ime nuk ka një kufi, ajo është e pakufi kur bën të mirën. Ajo kthehet në një bashkëliri me tjetrin, madje plotësohet kur është në shërbim të lirisë së të tjerëve. Kurse një liri që bën të keqen, fyen, poshtëron, ironizon e përbuz nuk është më liri, por shpërfytyrimi i saj. Neve na duhet një liri në shërbim të bashkekzistencës dhe harmonisë në një botë që ka nevojë për paqe” – mendoj se keto fjale jane plotesisht te verteta dhe gjejne vend ne shpirtin e cdo shqiptari

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *