e-zani.

Debati ndërkaq global që pasoi prodhimin e një filmi anti-mysliman në Kaliforni erdhi dhe në Ora News ku të ftuar ishin Dr. Tonin Gjura, Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari, Dr. Ilir Kulla dhe opinionisti Mustafa Nano. Megjithatë, habia e këtij emisioni ishte se nuk kishte mirëfilli debat. Të gjithë pjesmarrësit bien dakort se filmi ishte provokativ dhe i keq dhe se reagimet janë të kuptueshme, por nuk justifikojnë dhunën. Nëse të ftuarit bien dakort, atëherë ku është debati. Ironikisht, e vetmja lidhje që u gjet midis ngjarjeve në Libi e Egjipt me Shqipërinë tonë të vogël ishte një deklaratë e Myftiut Sytari, i cili njoftohet të ketë thënë se të tillë filma janë ‘të patolerueshëm.’

Ironia qëndron se teksa Myftiu Sytari deklaron filmin të patolerueshëm, ai gjendet në studion ku emisioni fillon e shoqërohet me klipe nga ky film dhe nëse Myftiu mendon se filmi është i patolerueshëm, atëherë mund të kish vënë si kusht të pjesmarjes së tij mungesën e klipeve të tilla, por ai në fakt është prezent dhe muhabeti vazhdon normalisht midis panelistëve. Megjithatë, edhe ambasadori amerikan dëshmoi për qëndrimet vazhdimisht të moderuara të Myftiut Sytari. Këshilla më e mirë erdhi nga z. Nano, i cili me këtë rast sygjeroi që duhet të ketë vëmendje e kujdes në fjalët që përdoren në artikulimin e qëndrimeve.

E vetmja temë që mund të shtronte debat ishte nëse prodhime të tilla duhet të ndiqen penalisht. Myftiu Sytari e nisi këtë debat, por nuk e ndoqi dhe, duke mos qenë jurist e aq më pak në vokacionin e tij nuk është njeri i medias, atëherë dhe ky debat nuk mund të shkonte shumë larg. Le të kujtojmë këtu se ata që kanë kërkuar që ky film të ndalohej ligjërisht kanë ngritur pretendimin se kjo është shprehje e urrejtjes dhe shprehja e urrejtjes është e dënueshme nga shumë legjislacione perëndimore.

Debati, së fundmi u kthye në një debat gjeo-politik për Lindjen e Mesme, ku u hodhën dikotomi thjeshtëzuese midis Islamit dhe demokracise, Lindjes e Perëndimit. Së paku, edhe në pretendimin e ekskluzivitetit të myslimanëve që pengojnë demokracinë, z. Nano deklaroi se nuk dinte mjaftueshëm.

Por nga të gjithë pjesmarrësit u fol për ‘normalitetitn’ e reagimit dhe i gjithë diskutimi kishte të bënte me mënyrën e dhunës. Në fakt, ne duam të bëjmë thirrje për MOSREAGIM!!! Një tjetër gazetë franceze botoi karikatura kundra profetit, paqja qoftë mbi të. Atëherë a do kalojnë myslimanët ditët e vitit duke reaguar për secilin individ në botë që do të lëshojë fyerje për myslimanët? Pse duhet reaguar ndaj një filmi që nuk bën 5 groshë, që përpara se myslimanët t’i jepnin vëmendje, nuk i kish hedhur sytë askush? Fatkeqsisht, disa pamje protestuesish duken shumë të ngjashëm me klipe nga filmi. Kush po e ushqen karikaturën e fundamentalistit, me mjekër e më shkop në dorë për të thyer dyqane apo c’të dalë përpara? Kush e ka kthyer mjekrën e traditës profetike në simbol të ekstremizmit fetar? Guxoj të them se filmi është aq i dobët e aq qesharak sa nuk më inatos fare dhe ajo që në fakt më ka inatosur është reagimi i myslimanëve kudo në botë. Për ne myslimanët shqiptarë është e rëndësishme të kujtojmë se myslimanët në Libi apo në Egjipt apo kudo në botë as nuk na pyesin e as nuk na marin mend për gjërat që bëjnë. Vërtet ne jemi bashkësi globale besimtarësh e prandaj ne lutemi që Zoti tu japë mbarësi, por ne nuk mund të lejojmë që të jemi vazhdimisht duke dhënë hesap për gjëra që ndodhin larg nesh e për të cilat nuk na mer mendim kush. Ne kemi sfidat tona e duhet të dimë të mbajmë një distancë të shëndoshë nga të tilla ngjarje.

Comments

  • Ka disa shprehje nga dijetaret qe thone se, nese nuk flitet per herezite kur ato jane ende te panjohura per masen, dhe nese nuk u jepet atyre ze, qofte edhe duke i kundershtuar, atehere ato vdesin. E njejta gje mund te ndodhte me librin e Rushdise, karikaturat dhe kete “filmin”. Mirepo mjetet e komunikimit sot dhe lehtesia e shperndarjes se informacionit e ben te pamundur mosperhapjen e provokimeve te tilla.
    Kur keto provokime arrijne ne shoqerite islame, edhe keto te fundit e kane te pamundur te mos reagojne, sepse feja eshte shume e rendesishme ne jeten e tyre, sa te tregohen te pandjeshem ndaj shfaqjeve te tilla qe poshteroje e cenojne shenjterite e tyre. Keshtu qe reagimet e muslimaneve te botes islame jane te pashmangshme; puna eshte qe te jene te studiuara dhe efektive, te jene pune shteti dhe jo individi. Kjo eshte ajo qe kerkon dhe feja: Kush sheh nje te keqe le ta ndryshoje ate me dore (per kete pune eshte shteti ai qe ka tagrin me se shumti, por edhe individi nuk eshte pa pergjegjesi); nese nuk mundet, ta ndryshoje me fjale; e nese nuk mundet serish, ta ndryshoje me zemer, cka perben dhe imanin me te dobet.
    Per muslimanet qe jetojne jashte botes islame, ndryshimi i se keqes (reagimi) mbetet ne kuadrin e fjaleve dhe te zemres, sipas mundesive dhe efektivitetit. Muslimanet e Perendimit mund te reagojne me fjale, sepse atje ekziston liria e fjales dhe mundesia e ndermarrjes se procedurave legale nen aesyetimin se provokime te tilla nxisin urrejtje fetare dhe racizem. E mira ishte qe ketyre provokimeve te mos u jepej ze, ne menyre qe te mos merreshin vesh, por sot eshte e pamundur te ndodhe kjo gje, sepse – sic u tha me lart – lehtesia e komunikimit ben qe provokimi te arrije ne boten islame dhe ajo e ka te pashmangshem reagimin.
    E torra kaq gjate muhabetin per te thene se edhe ne si muslimane, ndonese jemi jashte botes islame, e kemi te pamundur te mos reagojme me fjale, per dy arsye: 1) sepse ngjarjet boterore qe prekin boten islame na prekin edhe ne automatikisht, per shkak te lidhjeve shpirterore (pervec atyre materiale) qe kemi me kete bote; keshtu qe me hir a me pahir opinioni shqiptar na drejtohet per te na kerkuar prononcime, sqarime, informacion etj.; 2) sepse vete qenia jone muslimane na imponon te reagojme ndaj se keqes se paku me fjale (meqe kemi liri mendimi dhe fjale ne shoqeri) dhe ne forma zyrtare, pra nga perfaqesuesit zyrtare te bashkesise se muslimaneve. Puna eshte qe edhe tek ne reagimet te jene te studiuara dhe dinjitoze, pra, pa eksese dhe pa servilizma.
    Prandaj mendoj se mosreagimi ne kushte ku e keqja eshte bere e njohur dhe ku ekziston liria e te shprehurit (sic eshte gjendja ne shoqerine tone, ku nuk kercenohet njeri me jete nese shpreh haptazi ndjenjat e tij fetare) pra, mosreagim ne kushte te tilla tregon pandjeshmeri ndaj fese, cka tregon, se paku nje nivel teper te ulet besimi dhe se shumti, mungese besimi e fetarie.
    A ka midis nesh njerez te afte per te bere reagime dinjitoze dhe te efektshme? Besoj se po, dhe Allahu i forcofte! Allahu e udhezofte edhe KMSH-ne qe te mbaje prane vetes keshilltare te tille te afte, te cilet do ta ndihmonin institucionin tone perfaqesues per te bere gjene e duhur ne çdo situate! Amin!

  • Paqë e bereqet vellezër të E-Zanit. Ka një urtësi që besoj se vlen për të gjitha këto paudhësi: “Po të rrish të mbledhësh gurë për të qëlluar çdo qen që të leh rrugës vështirë se mbërrin atje ku je nisur. Allahu na ndriçoftë!

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *