Cinizmi i Vargjeve Satanike në shqip





 

 

E-zani

Zhurma, debatet dhe konfliktualiteti që solli filmi «Pafajsia e myslimanëve», ku nuk munguan as jetë njerëzish të sakrifikuara në emër të urrejtjes së krijuar nga paaftësia për t’u marrë vesh, duket se nuk i kanë shërbyer aspak botueses Arlinda Dudaj, për të reflektuar mbi efektet që prodhon një vepër artistike e pakujdesshme për ndjeshmëritë shpirtërore të publikut. Në një prononcim për gazetën MAPO, ajo rikonfirmoi me këmbëngulje vullnetin e saj të palëkundur për të publikuar Vargjet Satanike të Salman Rushdie-së. Ajo u shpreh se pavarësisht dhunës që ka shpërthyer këto ditë ndaj filmit, nuk ka asnjë dilemë se do të botojë veprën në gjuhën Shqipe.

Pa dashur të komentojmë mbi paqartësinë e botueses mbi vlerat për të cilat kjo vepër bëhet kaq e nevojshme për publikun shqiptar (temë kjo e trajtuar herë të tjera në këtë blog, duke përfshirë madje edhe qendrimet e institucioneve muslimane në këtë debat), arsyetimet e znj. Dudaj tërheqin vëmendjen tonë për të hedhur sadopak dritë mbi këtë mentalitet që mbron lirinë e fjalës, si liri për të fyer të tjerët, duke pretenduar madje edhe lirinë për të përcaktuar edhe se kur ata kanë të drejtë të ndjehen të fyer.

Znj. Dudaj u shpreh gjatë intervistës:

Kjo valë dhune që ka ndodhur dhe po ndodh, gjithsesi mua nuk më pengon që ta botoj librin ‘Vargje satanike’ edhe në shqip, sepse mendoj se në Shqipëri jo vetëm nuk është, por as nuk mund të krijohet kurrë një situatë e tillë dhune. Unë e kam bindje se ne jemi vendi i fjalës së lirë dhe i tolerancës fetare. Nuk besoj se mund të ketë reagime të tilla, aq sa të më detyrojnë mua si botuese që të tërhiqem nga botimi në shqip të ‘Vargje satanike’

Domethënë, arsyeja përse nuk duhet të hezitojmë për të botuar këtë vepër është sepse njerëzit këtu në Shqipëri nuk të vrasin për një vepër artistike. Për aq kohë sa pjesa e fyer e shoqërisë nuk është e dhunshme ajo nuk ka përse ta bëjë qefin qeder për t’i shkuar deri në fund vendimit të saj. Kjo do të thotë se ne marrim vesh vetëm me dajak, përndryshe, nuk ka gjë që na tërheq nga e jona. Ajo u thotë në subkoshienë muslimaneve:  Bëhuni të dhunshëm që unë tëheq dorë. Nuk është etika dhe arsyeja që e bëjnë botuesen të frenohet, por presioni. E meqë presioni mungon në Shqipëri, “liria e fjalës“ mund të vrasë shpirtërisht këdo pa e çarë kokën.

Po kaq pa kuptim duket edhe konceptimi që znj. Dudaj ka për tolerancën fetare. Sipas saj, tolerancë fetare do të thotë liri për të cënuar fetë, ose ndryshe, do të thotë një nivel indiference ku fetarët nuk e çajnë kokën se u fyhen gjërat e tyre më të shenjta. Toleranca e shqiptarëve në këtë rast, është te pranosh fyerjet blasfemike pa u ndjerë i fyer.

Akoma më problematike është përpjekja që Salman Rushdie, e për pasojë edhe Dudaj, bëjnë për ta paraqitur botimin e një vepre të tillë, si «betejë për fjalën e lirë», gjë që sipas saj përbën edhe «një arsye më shumë për ta sjellë veprën në shqip». Beteja për të mbrojtur te drejtën për të fyer, shndërrohet këtu në një betejë për lirinë e fjales.

Eshtë e vështirë të kërkosh përgjegjshmëri prej intelektuali, nga dikush që e fsheh përgjegjësinë pas lirisë. Në fakt, këto janë gjëra që nuk konfliktohen, por rrjedhin nga njëra-tjetra. Ne jemi të lirë, sepse jemi të përgjegjshëm dhe ne mund të jemi përgjegjës kur jemi të lirë. Znj. Dudaj e konsideron lirinë si një mundësi për të mos dhënë hesap dhe që këtu fillon problemi i një mentaliteti shumë të dëmshëm për çdo shoqëri. Mbi të gjitha, kauza e lirisë duket shumë më e tepërt dhe pa kuptim, në kushtet kur asgjë nuk do të ndodhë nga përdorimi apo shpërdorimi i kësaj lirie.

Më tej Dudaj citon vetë Rushdie-në për të shprehur vendosmërinë e saj përballë mundësive minimale për presion publik:

Nëse dikush të kërcënon dhe ti përulesh, ai më shumë do të të shtypë.

Kjo do të thotë se në konceptimin e saj, kur tjetri preket nga provokimi yt, ti duhet të kembëngulësh edhe më fort në provokimet e tua, se përndryshe fiton tjetri. Ky mentalitet nuk gjen asnjë arsye për të reflektuar mbi mundësitë që ne vetë kemi për të gabuar. Përkundrazi, çdo reflektim i tillë konceptohet si një dobësi, që shton shancet e kundërshtarit për të fituar. Paqja duhet të vijë vetëm duke u tërhequr tjetri, e jo duke kërkuar një gjuhë të përbashkët për t’u marrë vesh. Ky mentalitet vetëm i fryn polarizimeve që prodhojnë urrejtje, të cilat sot i shohim të përshkallëzohen rrezikshëm nëpër sheshet, gazetat dhe diskurset politike kudo në botë.

Kultivimi i lirisë këtu konceptohet si një punë laboratorike e një eksperimenti social, ku efekti prodhohet nëpërmjet kushtëzimit veprues që synon t’u asgjësojë njerëzve ndjenjën e indinjatës që përftohet nga fyerja. Sipas kësaj, ne do të mund të arrijmë lirinë e plotë të fjalës, vetëm duke u mësuar me fyerjen.  Kështu, ne duhet të të fyhemi pafundësisht, deri sa të mos kemi më ndjeshmëri. Vetëm atëherë do të mund të arrijmë të kemi paqe sociale në komunikimin publik.

Ne besojmë se eksperimente të tillë nuk i shërbejnë harmonisë shoqërore dhe paqes sociale. Nëse duam që debati publik të jetë i shëndetshëm dhe nëse duam që shoqëria të ruajë drejtpeshimin në zhvillimet e saj, duhet të marrim seriozisht në konsideratë respektimin e vlerave të tjetrit. Përndryshe do të vijojmë t’i fryjmë zjarrit të një klime urrejtjeje që, në një plan afatgjatë, mund të bëhet i rrezikshëm për çdo shoqëri.

Comments

  • Problemi eshte shume i thjeshte dhe i qarte:sa eshte mundesia e nje proteste ne shoqerine tone, ku realisht vetem 7% e saj jane praktikante myslimane dhe leximi i letersise artistike eshte ne nje % akoma me te ulet.Eshte ironik fakti qe trumbetohet toleranca fetare ne nje vend ku mbizoteron injoranca fetare.Kete gje besoj se edhe Dudaj e di shume mire. Une botueses Dudaj do t’i servirja nje fakt historik:ne Suedi nje shkrimtar shume i mirenjohur kur u ngrit ne mengjez e gjeti veten te bllokuar ne apartamentin e vet pasi nga dera e dhomes deri tek hyrja qendrore ishte stivosur libri i tij dale ne qarkullim para 24 oresh,i shitur 100%,ne permbajtjen e te cilit shprehej simpatia per fashizmin.Botuesja Dudaj e di bukur mire domethenien e shprehjes:’Ishin qingja romaket pa ish ujk Jul Qezari’ Pjesa me e madhe e vendimeve dhe veprimeve’te guximshme’ndermerren me shpesh nga injoranca,sesa nga dituria .Edhe z.Dudaj po e deshmon kete me se miri.

  • Une mendoj se zonja Dudaj e ka te qarte se libri nuk po ngjall ate zhurme e kureshti qe ka ngjallur ne vende te tjera dhe ne kete menyre po kerkohet te pompohet me zor nje lloj mediatizimi per t’i hapur me shume rruge shitjes se librit. Botimi i ketij libri nuk perben ndonje katastrofe, pasi kurioziteti mbi te eshte shuar tash sa vjet. Por kerkimi i ndalimit te botimit te librit do te ishte si te rrahesh uje ne havan dhe do t’i shtonte me shume kredencialet fallso zonjes ne fjale. Sigurisht nuk jam qe te mos kundershtohet permbajtja e tij e te mos shprehet fyerja, por do ishte mire te behej ne te njejten menyre, duke evidentuar faktin se subjekti i librit i shkon pershtat vetem politikes se dites dhe pavaresisht reklamimit te zonjes nuk ka kaluar kufijte e nje letersie te rendomte, qe sot pas 20 e ca vjetesh nga botimi per here te pare, e vetmja gje qe i ka mbetur s’ka asnje lidhje me vlerat artistike, por vetem me debatet qe shkakto, tashme te lodhura dhe ato. Zonjes Dudaj edhe pak dhe do t’i duket vetja heroine duke cituar vend e pa vend shprehjet bajate te Rushdie-s per lirine e fjales. Ne kete pike eshte bere tejet qesharake keshtu qe le te vazhdoje me delirin e saj.

  • Pikellim të quhet Rashdia vepër artistike. Sa më tepër tí bien asaj llamarine për të tërhequr kureshtarë të hutuar që ky vakt i ka me shumicë aq më tepër i bëhet dëm miletit. Ngushëllime zonjës që i duhet ta nxjerrë bukën e gojës me këtë lloj malli e marifetesh. Zoti i dhëntë dritë në shpirt hireve që nuk ia ka kursyer.

  • Protesta per librin qe do te botoje kjo shkaravina??? Mos e thashte Zoti.
    Une se kuptoj perse duhet shkruar per kete pacavure edhe ketu tek ezani!!!
    Mu duken krejt medioker ato rrogtaret e KMSH qe kishin vajtur tek OPINION lidhur me kete liber. Kjo zonja qe seshte aspak e tille, shprehte sa frike aq edhe vendosmeri per botimin e librit. Gjithcka ishte nje shashke per te bere tym, e libri te shitet sa me shume. Goxha reklame. Brave dhe ju te ezanit qe na e sillni ne mendje qe po u botoka nje palo liber.

      • E drejte. E mendova kete vetem pasi e kisha postuar shkrimin. Perdorimi i fjaleve te tilla fyese si shkarravine, jane te papranueshme gjithsesi. Fundja ketu po reagojme pikerisht sepse libri eshte fyes dhe nuk duhet te bejme te njejten gje.
        Ju lutem komentuesve te jene te permbajtur. Ato qe vlejne jane gjykimet dhe idete dhe jo zbrazja e inatit. Kjo e fundit nuk i vlen askujt.

  • Një qëllim ka kjo zonja që toleranca fetare që ekziston të mos ekzistoj më, kjo shihet që është një islamofobe dhe dihet se cfarë mund ti sjellin popullit këta islamofobë si kjo e anton kqira… Feja islame atakohet anembanë prandaj edhe shqiptarët duhet ta bëjnë këtë por harrojnë se 80 % e shqiptarve anembane trojeve tona i përkasin besimit islam…

  • Po a e ka lexuar autorija e shkrimit, ose ndonje nga ju qe komentoni, ate liber? A s’do te ishte me mire ta lexonit e te na sqaronit se ku qendron problemi me te, para se te viheni e te jepni mendime?

    • (jo pergjegjesi, se ky eshte nje tjeter)

      Sikur te ishte letrar eventi i botimit te ketij libri, nuk kishte per te pasur kaq diskutime sa ka edhe nder ne. Per t’u informuar mbi gjenezen e dukurise “Vargjet Satanike”, mund te lexosh qe nga analiza e Kadarese per te, 20 vjet me pare, e deri tek vete pershtypja e autorit Rushdie, kur pranon se libri u instrumenatlizua qe para se te dilte ne shtyp dhe u paraqit nga caracat e gazetarise si gjithcka pervec letersise – sulm kunder tabuve, sfide, akt epokal rezistence etj. Mu per keto lindi dhe reagimi, dhe jo per nje hiperrrefenje skematike postmoderne ne nje volum te trashe sa pjesa e pare e ‘Das Kapital”-it, te cilin me siguri qe ti nuk e ke lexuar, po ama nje qendrim per te e ke qe ke

    • ti pyet a e keni lexuar? pergjigja eshte po. Por diskutimi nuk ka lidhje me librin por me debatin mbi lirine per te fyer. Problemi qe kane myslimanet me ate liber eshte bere i qarte ne shume publikime dhe eshte muhabet i vjeter tashme. Artifici i librit eshte i mbeshtetur mbi falsifikimin e statusit profetik te figures qendrore te Islamit dhe akuzash te tjera qe nuk jane ne etiken e nje faqeje myslimanesh qe ti perfshije ketu. Por perseri, debati nuk eshte mbi ngjarjet ne liber, por mbi nje debat mbi etiken, komunikimin dhe lirine ne shoqeri komplekse si tonat.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *