Del Numri i Ri i Revistës Përpjekja





Ne një shkrim në të përditshmen Panorama, drejtori i Revistës Përpjekja, Fatos Lubonja, njofton daljen e numërit të kësaj reviste dedikuar debatit që pasoi botimin e librit të historianit Oliver Jens Schmitt për Skënderbeun. Shkruan Lubonja:

Ideja e botimit të këtij numri të Përpjekjes me titull “Skënderbeu i kërkimit shkencor” na lindi pas reagimeve që pasuan në Shqipëri daljen e monografisë “Skënderbeu” të Oliver Jens Schmitt, përkthyer nga Ardian Klosi dhe botuar në Tiranë më 2008-n nga shtëpia botuese “K&B”.

Lubonja komenton mbi reagimet ndaj këtij botimi duke përmendur emrat më të njohur në këtë debat si historiani Kristo Frashëri, shkrimtai Ismail Kadare e ish-Presidenti Topi, pa lënë pa përmendur valën euforike të reagimeve që përfshin edhe kërcënime për jetën e historianit. Shkruan Lubonja:

Në analizën tonë janë të shumtë faktorët që shpjegojnë shtrimin e këtij terreni nacionalist. Një aspekt të veçantë meriton kriza e fortë identitare që përjetoi shoqëria shqiptare pas rënies së komunizmit. Gjatë kësaj krize nacionalizmi – ashtu si edhe në vendet e ish-Jugosllavisë – mbeti dega “e shëndoshë” e ideologjisë nacional–komuniste (“socializmi patriotik” e quanin në ish-Jugosllavi), që kishte manipuluar masat për thuajse gjysmë shekulli, që prej mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në këto vende. Kjo degë njohu një lulëzim agresiv, ushqyer edhe me synimin e mbarimit të procesit të ndërtimit të shtetit etnik, i konsideruar i ndërprerë gjatë periudhës komuniste. Ky fenomen duhet parë i lidhur ngushtë edhe me faktin se legjitimiteti i elitës shkencore e politike që ka drejtuar e drejton ende vendin vinte prej jetës dhe veprës në të shkuarën, çka e bënte atë dy herë agresive në mbrojtje të pushtetit të saj politik dhe kulturor. Do të veçonim, po ashtu, si faktor të këtyre reagimeve anakronike nacionaliste, edhe rënien e madhe të nivelit të arsimimit në Shqipërinë e pas viteve ‘90 në kushtet e një eksodi masiv të shqiptarëve, të një rrjedhjeje dramatike të trurit dhe të një kulture konsumizmi që rëndon tejet mbi nivelin e shkollave e të universiteteve brenda vendit. Edhe kjo ka ndikuar jo pak që shoqëria shqiptare, e izoluar dhe manipuluar për gjysmë shekulli nga propaganda dhe kultura nacional–komuniste, të ndihej e paaftë, prandaj dhe e frustruar, përballë shock-ut kulturor të takimit me vlerat dhe metodologjinë shkencore që u zhvillua në Perëndim, veçanërisht pas Luftës së Dytë botërore – çka e tregon edhe ballafaqimi me librin e Schmitt-it.
Polemikat e specialistëve të fushës ndaj Skënderbeut të Schmitt-it, ashtu sikurse edhe ato të ndërhyrësve të shumtë në faqet e ndryshme të internetit, treguan se historiografia, dhe në tërësi shkenca e quajtur “albanologjike”, trajtohen ende nga pjesa dërrmuese e studiuesve shqiptarë, e thuajse nga të gjithë ata që punojnë në institucionet shtetërore, të tilla si Akademia apo institute të ndryshme, si instrumente në shërbim të ndërtimit të kombit dhe të krenarisë kombëtare, dhe jo si instrumente të kërkimit të mirëfilltë shkencor. Ato treguan gjithashtu për një izolim dhe vetizolim të studiuesve shqiptarë nga arritjet dhe metodologjitë e reja shkencore të shkencës së historisë.

Më pas Lubonja prezanton disa nga artikujt dhe autorët që kanë kontribuar në këtë numër të revistës Përpjekja:

Në pjesën e parë të këtij numri jemi marrë me debatin e provokuar nga botimi i librit të Oliver Jens Schmitt. Shkrimi i parë, ai i historianit gjerman Michael Schmidt Neke, na jep një pasqyrë përmbledhëse të temave kryesore që inspiruan polemikat e ashpra ndaj Schmitt-it. Shkrimet e Artan Putos dhe Fatos Lubonjës shprehin qëndrimin e Përpjekjes në debatin në fjalë. Kjo pjesë mbyllet me një intervistë ekskluzive për Përpjekjen të Oliver Jens Schmitt-it, në të cilën autori i monografisë së Skënderbeut, veç të tjerave, shtjellon argumente edhe rreth temave më të nxehta që ka provokuar libri i tij.
Në pjesën e dytë të numrit kemi përfshirë një numër esesh dhe studimesh kritike të autorëve shqiptarë e të huaj rreth aspekteve të ndryshme të mitit të Skënderbeut në jetën dhe veprën e shqiptarëve. Enis Sulstarova merret me “mashkulloritetin” apo “burrërinë” si tipar i nacionalizmit shqiptar, i brumosur ky veçanërisht nëpërmjet figurës së Skënderbeut, çka ai e vë në dukje duke marrë në analizë poemën e Naim Frashërit “Istori e Skënderbeut”. Ervin Hatibi tregon, duke ironizuar, luftën ideologjike të shqiptarëve për sheshin “Skënderbe”, ku ndodhet shtatorja e heroit kombëtar. Nicole Nixon, që, duke cituar Jane Sugerman, e quan këtë shtatore një “formë të pacipë të maçizmit nacionalist”, merret me ripërpunimin ideologjik të mitit të Skënderbeut në kohën e sotme në funksion të afirmimit europian të shqiptarëve. Ajo argumenton se shfrytëzimi i mitit të Skënderbeut për t’i paraqitur shqiptarët si “alëays already European” (ngaherë e tashmë europianë), nuk është “kredenciali” i duhur për anëtarësimin në BE, pasi, duke qenë larg frymës së kohës së sotme, ka gjasa që kjo qasje të kontribuojë, ironikisht, në ekzoticizimin e vendit. Doan Dani i bën një analizë kritike librit të Aurel Plasarit Skënderbeu: një histori politike (botuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve, 2011). Ai shtjellon argumentet e tij se pse ky nuk është një libër historik i çliruar nga darët e ideologjizimit të vjetër dhe të ri, duke ngritur pikëpyetje serioze për atë se sa janë të afta elitat shqiptare për një konceptim mirëfilli shkencor të historiografisë.
Në pjesën e tretë kemi sjellë specialistë të fushës, historianë që janë marrë me epokën dhe figurën e Skënderbeut. Jemi interesuar veçanërisht të sjellim zërin e historianëve modernë turq. Halil Inalcyìk, specialist i njohur i historisë osmane, që njihet si historiani me serioz turk që është marrë me Skënderbeun, na sjell në shkrimin e tij, nëpërmjet dokumentesh, kohën kur lindi kryengritja. Feridun M. Emecan, gjithë duke mbajtur qëndrim kritik ndaj manipulimit ideologjik nacionalist të historisë së Skënderbeut, si nga historiografia shqiptare, ashtu dhe ajo turke, na kthen përpara kësaj kohe, në fillimet e kontakteve të shqiptarëve me osmanët/turqit. Oliver Jens Schmitt, me stilin e tij tashmë të njohur për lexuesin shqiptar, ku historia e kërkimit shkencor, e faktuar me referenca të panumërta, ruan edhe dramaticitetin e një rrëfimi thuajse letrar, të pasur me detaje që sjellin atmosferën e kohës, na sjell një Krujë të kohës së Skënderbeut dhe të pas vdekjes së heroit, deri në rënien e qytetit përfundimisht në duart e osmanëve, të ndryshme nga ajo që është rrënjosur në imagjinatën e shqiptarëve nga historiografia dhe letërsia nacional – komuniste.
Gjithashtu, në këtë kapitull vijnë në shqip materiale që kanë të bëjnë me mënyrën se si e ka parë historiografia dhe letërsia turke, greke, sllave Skënderbeun. Ata na tërheqin vëmendjen, veç të tjerash, për atë se historia jonë nuk mund të shihet e izoluar nga konteksti më i gjerë ballkanik në të cilin është zhvilluar, sikurse jemi mësuar ta shohim deri më sot për shkak të izolimit të gjatë kulturor, që fatkeqësisht vazhdon. Historiani Bülent Bilmez jep një pasqyrë të literaturës turke mbi Skënderbeun, duke arritur në përfundimin se, përsa i përket kërkimin serioz shkencor, me përjashtime të pakta – ku hyjnë dy autorët e sipërpërmendur Inalcyìk dhe Emecan – ajo vlen pako gjë. Ndërkaq, shkrimi i Titos P. JochalasTitos P. Jochalas na jep një pasqyrë të bibliografisë së Skënderbeut në historiografinë dhe letërsinë greke, duke nxjerrë në pah se si figura e tij si hero antiosman është përdorur, edhe përpara se të përdorej nga nacionalizmi shqiptar, nga lëvizja nacionaliste greke për të çliruar Epirin, që ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane në shek. XIX, madje, në më të shpeshtën, edhe duke i veshur atij origjinë greke. Pandeli Pani na jep një pasqyrë të Skënderbeut në letërsinë e sllavëve të Jugut, tek e cila na tërheq vëmendjen, veç të tjerash, fakti se si në një periudhë të parë lëvizjet nacionaliste të shekullit XIX në popujt e Ballkanit kanë qenë shumë më afër njëra-tjetrës për shkak të synimit të përbashkët dhe se si Skënderbeu në këtë kontekst shihej si hero edhe i sllavëve të Jugut, edhe i shqiptarëve.
Numri mbyllet me një studim kritik të Elio Miracco-s, i cili ka ballafaquar botimin e parë të romanit “Kështjella” të shkrimtarit Ismail Kadare më 1972-shin, që ka për subjekt rezistencën e Skënderbeut, me botimin e pas viteve ’90, duke vënë në dukje se si autori është përpjekur të fshijë, deri nëpërmjet ndryshimeve leksikore, metaforën e Shqipërisë “kështjellë ndaj imperializmit dhe social-imperializmit” të botimit të parë në funksion të një metafore të re që gjejmë tek i dyti.

 

Comments

  • Por siç Renani ka thënë “të harruarit, apo gabimi historik është një faktor i rëndësishëm në krijimin e kombit”, (Becoming National, Oxford University Press, 1996) edhe debati mbi Skënderbeun ne si shqiptarë na mëson këtë gjë. Pra ndërtimi i historisë së kombit mbi harresën apo rrëfime të gabuara është pjesë e nacionalizmit. Dhe në fakt mbrojtësit e Skënderbeut, duke dashur që të ruajnë mitin e tij, kërkojnë në fakt që historia të lexohet gabim.

  • Eshte e vertete qe harresa dhe kujtesa kolektive jane procese qe ndikojne ne formimin e kombit. Por, duhet te dallojme kombin, ose procesin e formimit te tij, nga nacionalizmi, si nje ideologji qe angazhohet ne kete proces. Gjithashtu, duhet te dallojme nacionalizmin si filozofi apo ideologji, nga realiteti nacionalist, apo historia e nacionalizmit si levizje.
    Nacionalizmi si parim, nuk kerkon shtremberimin e te vertetes per te realizuar ate qe ai kerkon. Perkundrazi, nacionalizmi si parim ndertohet mbi besimin se kombi eshte nje realitet i natyrshem per marredheniet shoqerore njerezore dhe ai duhet formohet ne perputhje me kete natyre njerezore. Shumica e nacionalisteve dogmatike, shtremberojne historine, jo thjesht per oportunizem, por sepse jane te prirur te mendojne shtrembert, ashtu si te gjithe njerezit, perkrahes te cdo lloj mendimi, besimi apo ideologjie. Por studiuesit apo ideologet e nacionalizmit, nuk eshte e thene te formulojne shtremberime historike.
    Ne thelb, nacionalizmi kerkon kujtesen dhe te verteten. Nacionalisti i vertete eshte ai qe kerkon nga realiteti dhe historia per kombin e vet, aq sa i takon jo me shume apo me pak. Nacionalisti duhet ti shohe gjerat ne realitetin e vertete, dhe nuk ka nevoje te shtremberoje per te mbajtur ne kembe konstruksionin kombetar. Kete zakonisht e bejne shovinistet, apo dogmatiket, qe mendojne se kombi mbahet doemeos nepermjet megalomanise.
    Mbrojtesit e Skenderbeut ne Shqiperi (ne fakt ketu behet fjale per mbrojtesit e konstrukteve te Skenderbeut, jo te Skenderbeut vete, si nje objekt dhe personazh historik), ne pergjithesi nuk jane nacionaliste. Ata jane, ose ishkomuniste, qe mbrojne klishete e betonuara per 70 vite nga ata vete dhe baballaret e tyre, ose jane katolikocentrike qe mbrojne megalomanine e tyre, duke promovuar modelin e nje Shqiperie ku katolicizmi eshte fe dominuese dhe elitare, ose jane antimyslimane, qe kerkojne t’i kundervene kombin, idene e kombit, nje feje te ketij kombi, duke dashur ta perjashtojne ate nga jeta shoqerore e politike.
    Ne te treja rastet, Skenderbeu konstruktohet ne menyra te ndyrshme. Ne rastin e pare, Skenderbeu del si perfaqesues i gjirit te popullit, qe orienton fatin e tij drejt linjes se duhur qe duhet te ndjeke historia, ne te dytin, Skenderbeu eshte kryqtar, qe sakrifikon e sakrifikohet per krishterimin dhe nje Europe te krishtere, ne te tretin, Skenderbeu eshte misherim i perplasjes se qyteterimeve, duke urryer e luftuar deri ne vdekje orientalet, e duke mbajtur me sforco vendin e tij ne perendim. Pellumb Xhufi, Paskal Milo, etj., perfshihen tek kategoria e pare, Aurel Plasari, tek e dyta ndersa Kadareja eshte kryesisht perfaqesues i kesaj te tretes. Ka dhe nje kategori tjeter shqiptaresh qe gjejne tek Skenderbeu, instrumentin per te mposhtur kompleksin e inferioritetit perballe botes se qyteteruar. Ketyre u duhet patjeter nje objekt krenarie, per t’u thene te tjereve se, edhe ne kemi figura te medha. Kete argument, pergjithesisht e shfrytezojne te tre grupet e tjera, por me shume si instrument legjitimimi per konstruktin e tyre.
    Por, ne thelb, asnje prej tyre nuk ka primar kombin ne diskursin e vet. Te paret kane ideologjine marksiste dhe klasen politiko-historike ku bejne pjese, te dytet, kane fene e tyre, te tretet interesat kulturore e politike apo edhe manite raciste. Te tre diskurset jane perjashtues dhe si te tille nuk mund te jene kurre nacionaliste.

  • Ne fakt, ndjekesit e vetem te rruges se Skenderbeut historik dhe nacionalist sot jane minoriteti i muslimaneve krenare shqiptare.

    Nese Skenderbeun nje shekull rresht ia paketuan popullit si hero rezistence ndaj superfuqise se huaj qe vjen te te shpronesoje e te te ndryshoje menyren e jeteses, me force a me joshje, sot idhujtaret e paraqesin Skenderbeun si embleme te konformizmit ndaj Amerikes, NATO-s e BE-se, pra per te kunderten ekzakte te vlerave me te cilat e njohem nje shekull rresht per hero.

    E vetmja menyre qe Skenderbeu te mbese ne piedestal, eshte patjeter morali i rezistences, qofte edhe mitologjik, jo kontrabandimi kishtar dhe kolaboracionist qe i ben sot atij aleanca LGBT shterpe e kryqetareve me ish-komunistet.

    Po t’i referohemi minimalisht historise pastaj, do te shohim qarte sesa bosh eshte miti i mbrojtjes se Europes (Mehmet Fatihu e sulmoi nga Vlora Otranton, dhe Vlora asokohe ka qene osmane, asnjehere toke e Skenderbeut) dhe i mbrojtjes se krishterimit (zona e rezistences skenderbejane eshte sot zone gati totalisht islamike, ne dallim nga jugu ku nuk pati rezistence fare – per te mos permendur tokat greke e serbe, ku rezistenca thuajse kishte pushuar krejt ne kohen kur e filloi Skenderbeu).

    Aktivitetin me te suksesshem Skenderbeu e zhvilloi kryesisht pas vdekjes se tij, si mit, po edhe kete mit e kane cmitizuar te paret ata qe ulerijne me fort per Skenderbeun sot, sepse ata e kane cmitizuar Heroin Kombetar per ta bere kryqetar, zv/minister te Intergimit (nen urdherat e zj. Majlinda) apo kapter te NATO-s ne Afganistan.

  • Eshte tamam keshtu. Nacionalizmi mitologjik qe sot po pompohet nga njerezit me jonacionaliste qe ka ky vend, eshte kryekeput antinacionalist. Eshte antinacionalist sepse ai prodhon qendrime krejtesisht ne kundershtim me ate cfare do te kerkonte nacionalizmi shqiptar i natyrshem. Kjo retorike pseudonacionaliste eshte percarese per kombin duke i quajtur joshqiptare apo antishqiptare ata qe nuk jane anti-myslimane, se dyti eshte perjashtues, duke e zvogeluar kombin ne nje grusht njerezish histerike qe e mbajne kombin me parrulla (dmth, me luge bosh), se treti masakrojne historine dhe kulturen reale te kombit, duke importu kulturen globale, per hir te integrimit ne Evrope, gje qe, sic e kuptojne ata eshte asimilim kulturor, se katerti, na armiqesojne me miqte tane me te nevojshem ne Ballkan (sic jane turqit) si dhe nje mori problemesh te tjera qe rrjedhim prej ketej. Diskursi i tyre antiislamik qe ben fjale per perjashtimin e muslimaneve nga e drejta e kombesise, qytetarise, madje edhe e ekzistences ne kete vend, eshte genocid ndaj shqiptareve, ndaj shumices se popullit shqiptar apo qofte edhe nje pjese te tij, e cila eshte njesi kombformuese historike ne Shqiperi. Per kete arsye, e kam theksuar edhe ne vende te tjera se kjo retorike eshte retorika me antikombetare qe artikulohet sot ne Shqiperi.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *