Karrieristët





Chris Hedges[1]

 

Krimet më të mëdha në historinë njerëzore janë kryer nga qeniet më të pangjyrshme. Ata janë karrieristët. Burokratët. Cinikët. Ata bëjnë punët e vogla të përditshme që i shndërrojnë sistemet gjigante dhe të ndërlikuara të shfrytëzimit dhe vdekjes në realitet. Ata koleksionojnë dhe lexojnë të dhënat personale të miliona prej nesh të mbledhura nga shërbimet shtetërore të vëzhgimit dhe sigurisë. Ata mbajnë llogaritë e ExxonMobil, BP dhe Goldman Sachs. Ata ndërtojnë dhe pilotojnë avionë të telekomanduar. Ata punojnë në fushën e reklamimit dhe të marrëdhënieve me publikun nëpër korporata. Ata hartojnë formularët. Ata përpilojnë dokumentet. Ata i mohojnë vulat e ushqimit disave dhe përfitimet e papunësisë ose shërbimit mjekësor disa të tjerëve. Ata zbatojnë ligjet dhe rregulloret. Dhe ata nuk bëjnë pyetje.

 

E mirë. E keqe. Këto fjalë nuk kanë asnjë kuptim për ta. Ata qëndrojnë përtej moralit. Ata janë aty për të mundësuar funksionimin e sistemit korporativ. Nëse kompanitë e sigurimit braktisin miliona njerëz, në vuajtje drejt vdekjes, atëherë kështu qoftë. Nëse bankat dhe departamenti i sherifëve përzënë familjet nga shtëpitë e tyre, kështu qoftë. Nëse kompanitë financiare grabisin të ardhurat e qytetarëve, kështu qoftë. Nëse qeveria mbyll shkolla dhe librari, kështu qoftë. Nëse ushtria vret fëmijë në Pakistan dhe Afganistan, kështu qoftë. Nëse spekuluesit e mallrave ngrenë kostot e orizit, grurit dhe misrit duke i bërë të papërballueshme për qindra miliona njerëz në të gjithë planetin, kështu qoftë. Nëse Kongresi dhe gjykatat zhveshin qytetarët nga liritë thelbësore civile, atëherë kështu qoftë. Nëse industria e karburanteve fosile e shndërron tokën në një skarë të gazrave serrë që shkaktojnë vdekje, kështu qoftë. Ata i shërbejnë sistemit. Zotit të përfitimit dhe shfrytëzimit. Forca më e rrezikshme në botën e industrializuar nuk janë ata që i përmbahen besimeve radikale, qoftë ky radikalizëm islamik apo i krishterë, por legjionet e burokratëve pa fytyrë që kapen me thonj për t’u ngjitur sa më lart në makinerinë qeveritare apo korporative. Ata i shërbejnë çdo sistemi që plotëson sasinë patetike të nevojave të tyre.

 

Këta menaxherë sistemesh nuk besojnë në asgjë. Ata nuk kanë besnikëri. Ata janë pa themele. Ata nuk arrijnë të mendojnë përtej rolit të tyre imcak dhe të pavlerë. Ata janë të verbër dhe të shurdhët. Ata janë, të paktën për sa i përket ideve të modeleve gjigante të civilizimit njerëzor dhe historisë, kryekëput analfabetë.  Ne i prodhojmë ata në universitetet tona. Juristë. Teknokratë. Ekspertë biznesi. Menaxherë financiarë. Specialistë IT-je. Këshilltarë. Inxhinierë nafte. “Psikologë pozitivë”. Ekspertë komunikimi. Kadetë. Përfaqësues shitjesh. Programues kompjuterësh. Burra dhe gra që nuk njohin historinë, që nuk njohin asnjë ide. Ata jetojnë dhe mendojnë në një vakum intelektual, në një botë imtësirash trullosëse. Ata janë ‘njerëzit e boshatisur’, ‘njerëzit mekanizma’ të T.S Eliotit. ‘Trajtë pa formë, hije pa ngjyrë’, shkruan poeti. ‘Forcë e paralizuar, gjest pa lëvizje.’

 

Ishin karrieristët ata që bënë të mundur gjenocidet, nga zhdukja e amerikanëve autoktonë deri tek holokausti nazist dhe likuidimet e Stalinit. Ata ishin personat që mundësonin lëvizjen e vazhdueshme të trenave. Ata plotësonin formularët dhe kryesonin konfiskimin e pronave. Ata racionalizonin ushqimin ndërsa fëmijët vdisnin urie. Ata prodhonin armët. Ata drejtojnë burgjet. Ata ndaluan të drejtën e lëvizjes, sekuestruan pasaportat, konfiskuan llogaritë bankare dhe izoluan njerëzit. Ata zbatuan ligjin. Kryen detyrën e tyre.

 

Karrieristët politikë dhe ushtarakë, të mbështetur nga përfituesit e luftës, na kanë shtyrë drejt luftërave të paarsyeshme përfshi Luftën e Parë Botërore, Vietnamin, Irakun dhe Afganistanin. Miliona njerëz i kanë ndjekur ata. Detyra. Nderi. Atdheu. Karnavale vdekjeje. Ata na sakrifikojnë të gjithëve. Në betejat e kota të Verdunit dhe Somes gjatë Luftës së Parë Botërore, 1.8 milionë persona në të dyja kampet u vranë, u plagosën ose nuk u gjetën kurrë. Në korrik të vitit 1917 marshalli britanik i terrenit Daglas Haig, pavarësisht lumenjve të të vdekurve, paralajmëroi vdekje të tjera në baltën e Paskendales. Në nëntor, kur u bë më se e qartë se premtimi i tij për triumf në Paskendale kishte dështuar, ai menjëherë hodhi në kosh qëllimin fillestar, ashtu sikurse bëmë në Irak kur rezultoi se nuk kishte armë të shkatërrimit në masë dhe në Afganistan kur Al-Kaeda u largua nga vendi duke zgjedhur luftën guerilase me goditje të herëpashershme. Haig  do të fitonte nëse do të vdisnin më shumë trupa gjermane se aleate. Vdekja ishte thjesht llogari. Paskendale mori edhe 600.000 jetë të tjera në të dyja kampet përpara se lufta të përfundonte. Nuk është histori e re. Gjeneralët pothuajse gjithmonë janë bufonë. Ushtarët ndoqën Xhonin e Verbër, që kishte humbur shikimin përpara një dekade, në humbjen e famshme të betejës së Kresisë të ndodhur në vitin 1337 gjatë Luftës Njëqind Vjeçare. Zbulojmë që liderët janë mediokër kur është shumë vonë.

 

Dejvid Lloid Xhorxh, kryeministri britanik gjatë fushatës së Peskandales shkroi në kujtimet e tij: “[Përpara betejës së Paskendales] trupat tankiste përgatitën hartat për të treguar sesi bombardimet që do të prishnin drenazhimin do të shkaktonin pashmangshmërisht një seri pellgjesh dhe përcaktuan vendin e saktë ku ujërat do të mblidheshin. Përgjigjja e vetme ishte një urdhër i prerë që nuk duhet të ‘dërgonin më harta të tilla qesharake.’ Hartat duhet t’i përshtaten planeve dhe jo planet hartave. Faktet që interferonin tek planet ishin të papranueshme.”

 

Ky është një shpjegim i qartë pse elitat sunduese nuk bëjnë asgjë për ndryshimet klimaterike, pse refuzojnë të veprojnë racionalisht ndaj krizës ekonomike dhe janë të paafta të përballen me kolapsin e globalizmit. Këto janë rrethana që interferojnë në realizueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit. Dhe burokratët dinë vetëm t’i shërbejnë sistemit. Ata njohin vetëm aftësitë menaxheriale që kanë gëlltitur në West Point ose Harvard Bussines School. Ata nuk mund të mendojnë vetë. Ata nuk mund të sfidojnë supozimet ose strukturat ekzistuese. Ata nuk janë në gjendje, emocionalisht ose intelektualisht të kuptojnë se sistemi mund të shpërthejë. Në këtë mënyrë ata bëjnë atë që Napoleoni paralajmëroi si gabimin më të rëndë që një gjeneral mund të bëjë – të pikturojë një pikturë imagjinare dhe ta pranojë si të vërtetë. Por edhe ne, së bashku me to e injorojmë plotësisht realitetin. Mania për një fund të lumtur na verbon. Nuk duam ta besojmë atë që shikojmë. Është shumë stresuese. Për këtë arsye të gjithë zmbrapsemi në një situatë vetëmashtrimi kolektiv.

 

Në dokumentarin monumental të Claude Lanzman mbi holokaustin të titulluar “Shoah”, ai interviston Filip Mullerin, një hebre çek që i shpëtoi vrasjes në Aushvic si pjestar i ‘detajit special’. Mulleri rrëfen këtë histori:

 

“Një ditë në vitin 1943 unë gjendesha në krematoriumin 5, kur mbërriti një tren nga Bialstoku. Një i burgosur në ‘detajin special’ pa një grua në ‘dhomën e zhveshjes’ që ishte bashkëshortja e një mikut të tij. Ai doli jashtë dhe i tha asaj: “Do të asgjësoheni. Pas tre orësh do të jeni pluhur.” Gruaja i besoi sepse e njihte. Ajo vrapoi për të paralajmëruar të gjitha gratë e tjera. “Do të vdesim. Do të na mbysim me gaz”. Nënat që mbanin në dorë fëmijët e tyre nuk donin ta dëgjonin. Ato e konsideruan gruan të çmendur. Madje edhe e përzunë. Pastaj ajo shkoi tek burrat. Sërish e njëjta situatë. Jo se ata nuk e besonin. Ata kishin dëgjuar zëra të ngjashëm në geton e Bialstokut, në Grodno dhe vende të tjera. Por kush dëshironte të dëgjonte? Kur u bind se askush nuk donte ta dëgjonte ajo gërvishti me thonj fytyrën e saj. Ishte e dëshpëruar dhe e tronditur. Filloi të ulërinte.”

 

Bleis Paskal shkroi tek “Meditimet” : “ Në vrapojmë shkujdesur drejt greminës pasi vendosim diçka përpara nesh që na pengon ta shikojmë atë.”

 

Hana Arendt, në veprën “Eishmeni në Jeruzalem”, shkroi se Adolf Eishmeni ishte kryesisht i motivuar nga ‘një zell i jashtëzakonshëm për sukses personal’. Ai iu bashkua partisë naziste sepse kjo ishte një lëvizje e mirë për karrierën e tij. “Problemi me Eishmenin” , shkruan ajo, “ishte pikërisht fakti se edhe shumë të tjerë ishin si ai, dhe këto shumë nuk ishin as perversë dhe as sadistë. Ata ishin  dhe vazhdojnë të jenë tmerrësisht dhe jashtëzakonisht normalë. Sa më gjatë që dikush e dëgjonte, aq më e qartë i bëhej se paaftësia e tij për të folur ishte ngushtësisht e lidhur me paaftësinë e tij për të menduar, domethënë për të menduar nga pozicioni i dikujt tjetër,” shkruan Arendt. “Me të ishte e pamundur të komunikohej, jo sepse gënjente, por sepse ai ishte rrethuar me muret më të fortifikuar kundër fjalëve dhe pranisë së të tjerëve, dhe si rrjedhim edhe ndaj vetë realitetit.”

 

Gita Sereni ofron të njëjtin argument në librin e saj “Brenda Asaj Errësire”, rreth Franz Stranglit, komandantit të Treblinkës. Emërimi në SS ishte ngritje në detyrë për policin austriak. Strangli nuk ishte sadist. Ai fliste me butësi dhe ishte i sjellshëm. I donte fëmijët dhe gruan e tij. Ndryshe nga oficerët e tjerë të kampit nazist ai nuk i përdorte femrat hebreje si konkubina. Ai ishte i dobishëm dhe tejet i organizuar. Krenohej me faktin që ishte vlerësuar si “komandanti më i mirë i kampeve në Poloni’.

Të burgosurit ishin thjesht objekte. Mallra. “Ai ishte profesioni im”, tha ai. “Më pëlqente. Ndihesha i realizuar. Po, isha ambicioz, nuk mund ta mohoj.” Kur Sereni e pyeti si mund të vriste fëmijë duke qenë vetë baba ai u përgjigj se ‘rrallëherë i shikonte si individë. Ishte gjithmonë një grup i madh…Ata ishin të zhveshur, të ngjeshur, duke vrapuar për t’i shpëtuar goditjeve me kamxhik…” Ai më pas i tha Serenit se kur kishte lexuar për minjtë i ishte kujtuar Treblinka.

 

Koleksioni me ese i Kristofer Brouningut, i titulluar “Rruga drejt Gjenocidit”, vëren se ishin burokratët ‘normalë’ dhe të ‘moderuar’, jo të zellshmit që kryen holokaustin.

German Trillion evidenton se “ lehtësia tragjike [gjatë holokaustit] përmes të cilës njerëzit e ‘zakonshëm’ u shndërruan në ekzekutuesit më të tmerrshëm, ndodhi pa u krijuar mundësinë këtyre njerëzve të kuptonin çfarë po ngjante me to.” Novelisti rus Vasili Grosman, në librin e tij “Përgjithmonë i Rrjedhshëm” vëren se “ shteti i ri nuk kishte nevojë për apostuj të shenjtë, fanatikë, ndërtues të frymëzuar ose dishepuj besimplotë dhe të përkushtuar. Shteti i ri nuk kishte nevojë as për shërbëtorë – thjesht nëpunës.”

 

“Kategoria më e shpifur e SS-ve për mua ishin cinikët që nuk besonin më sinqerisht në kauzën e tyre, por vazhdonin të derdhin gjak për hir të gjakut,” shkroi dr. Ela Lingens-Reiner në “Të Burgosurit e Frikës,” kujtimet e saj të gjalla mbi Aushvicin.

“Këto cinikë nuk ishin gjithmonë brutalë me të burgosurit, sjellja e tyre ndryshonte me gjendjen emocionale. Ata nuk trajtonin asgjë me seriozitet, as veten dhe kauzën e tyre, as neve apo situatën në të cilën ndodheshim. Një nga më të këqijtë mes tyre ishte dr. Mengele, mjeku i kampit të cilin e kam përmendur më parë. Kur një  tufë hebrenjsh të sapo mbërritur klasifikoheshin në ata që ishin të përshtatshëm për punë dhe ata që do të vdisnin, ai fishkëllente një melodi duke lëvizur ritmikisht gishtin e tij të madh mbi shpatullën e majtë ose të djathtë çka nënkuptonte ‘gaz’ ose ‘punë’. Ai mendonte se kushtet në kamp ishin të neveritshme dhe bëri disa ndërhyrje për t’i përmirësuar, por në të njëjtën kohë kryente vrasje në mënyrë të pashpirt, pa asnjë vrarje ndërgjegjeje.”

 

Kjo ushtri burokratësh i shërben një sistemi korporativ që do të na vrasë. Ata janë po aq të ftohtë dhe të shkëputur nga realiteti sa Mengele. Ata i kryejnë detyrat në çast. Ata janë të dëgjuar. Bashkëpunues. Ata binden. Ata ndihen të vlerësuar në prestigjin dhe fuqinë e korporatës, në statusin e pozicionit të tyre dhe në ngjitjen në karrierë. Ata e sigurojnë vetën për mirësinë e tyre përmes sjelljes private si bashkëshortë, bashkëshorte, baballarë dhe nëna. Ata ulen në bordet e shkollave. Japin për bamirësi dhe kryejnë punë vullnetare. Shkojnë të dielave në kishë. Është skizofreni morale. Ata ngrenë mure për të krijuar një ndërgjegje të izoluar. Ata mundësojnë përmbushjen e qëllimeve të ExxonMobil, Goldman Sachs dhe Raytheon.

Ata shkatërrojnë ekosistemin, ekonominë dhe politikën duke i shndërruar punëtorët dhe punëtoret në skllevër të varfëruar. Ata nuk ndjejnë asgjë. Naiviteti metafizik gjithmonë përfundon në vrasje. Ai fragmentarizon botën. Akte të vogla bujarie dhe mirësie maskojnë të keqen monstruoze që ata nxisin. Dhe sistemi lëviz përpara. Kupola e akujve polarë vazhdon të shkrijë. Thatësira shkatërron tokën e punueshme. Avionët e telekomanduar shpërndajnë vdekjen nga qielli. Shteti lëviz pangishëm drejt vendosjes së prangave në duart tona. Të sëmurët vdesin. Të varfrit i dorëzohen urisë. Burgjet ngjishen. Dhe karrieristi, qetësisht kryen punën e tij ose saj.

 

 

Përktheu: Fatjon Nanaj



[1] Autori është aktivist i të drejtave dhe lirive civile. Për disa vite ai ka shërbyer si korrenspodent i The New York Times për Lindjen e Mesme. Gjatë karrierës së tij si gazetar ka fituar disa çmime Pulitzer.

Comments

  • SELAM ALEJKUM!
    “Ne hitorine e njerzimit verejme se kemi vetem dy lloj interesash te cilat burojne nga vete entet perberese te njeriut. Nuk ka mes tyre nje mundesi teoritike per te mbeshtetur nje tjeter mundesi per aplikim interesash. Keto jane: interesat qiellore dhe ato toksore. Ka sigurisht kombinime te siperfaqshme te te dyjave, por jane lehte te dallueshme si spekullim ne favor te njeres apo tjetres, gje qe e bene perjashtuar njeren prej tyre si perparesi dhe qellim. Te dy keto interesa qe udhehiqen nga marrdhenie te pangjashme dhe te kunderta ne thelb, promovojne elita dhe perparesi te ndryshme dhe rrjedhimisht edhe kuptime te ndryshme. Nuk mund te jete fajtore administrata nese idete udheheqese jane promovuar nga keto te ashtuquajtura elita dhe jane pranuar masivish si kuptime te cilat praktikohen si “morale” ne nje bashkesi. Tema e mesiperme sigurisht qe kerkon thellim te metejshem, sigurisht qe na fal nje panorame te zhdervjellet, por duhet te themi se gishti drejtohet diku pertej, pra secilin prej nesh e ben te ndjehet ngrohte ne nje mocal perplot me te pafajshem. Para shume kohesh kam pare nje film ku per cdo krim dhe imoralitet faji i hidhej “henes se plote”, fajesim i cili per fat te keq u shkon per shtat shumices se krimineleve dhe imoraleve qofte ne statusin teoritik, apo qofte edhe ne praktike.
    Gjithashtu para ca kohesh kam lexuar nje liber per grupet e gjakut (nje lloj i ri “nacionalizmi’), i cili pothuaj ne te njejten vale na ben fajtor apo te pafajshem ne kuader te grupit te gjakut.”, – thote Vella Baçi!

  • “Në qoftë se madhështia e qëllimit, thjeshtësia e mjeteve dhe rezultatet befasuese janë tre kriteret e gjeniut njerëzor, kush do të mund të guxonte të krahasonte çdo njeri të madh në historinë njerëzore me Muhammedin? Njerëzit më të famshëm krijuan vetëm armët, ligjet dhe perandoritë. Ata themeluan, nëse asgjë më tepër, jo më shumë se materiale të fuqishme të cilat shpesh u thërrmuan përpara syve të tyre. Ky njeri zhvendosi (lëvizi) jo vetëm armët, legjislacionet perandorake, popujt dhe dinastitë, por edhe miliona njerëz me 1/3 e atyre në botën a pabanuar dhe më tepër se kjo ai ndryshoi altarët, perënditë, fetë, idetë, besimet dhe shpirtrat… durimi i tij në fitoren, ambicia e tij e cila ishte plotësisht e devotshme për një ide dhe në njëfarë mënyre orvatje për një perandori, lutjet e tij të pafundme, bisedimet e tij mistike me Zotin, vdekja e tij dhe triumfi i tij pas vdekjes, të gjitha këto vërtetojnë jo për një mashtrim por për një bindje të fortë, e cila i dha atij fuqinë për të rivendosur një besim. Ky besim ishte dypalësh, uniteti i Zotit dhe jomaterializmi i Zotit; treguesi i mëparshëm tregon se çfarë është Zoti, treguesi i mëvonshëm se çfarë Zoti nuk është: përmbysës i perëndive false me shpatë, vendosës ideje me fjalë.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *