Kur është Bajram?





 

Imam Neki Kaloshi*

 

Me emrin e Zotit, të Gjithmëshirshmit, Mëshiruesit të Ditës së Gjykimit

Duke qenë se po afron dita e Bajramit, zëra të ndryshëm besimtarësh kanë shprehur paqartësi në lidhje me përcaktimin e kësaj dite. Ka një mospërputhje midis datës së shpallur nga Arabia Saudite, si vendi që organizon edhe ritualin e haxhit, me të cilin lidhet edhe festa e Kurban Bajramit, dhe ditën e shpallur nga vende të ndryshme të cilët ndjekin me përpikmëri kalendarin hënor, të përcaktuar sipas përllogaritjeve të sakta astronomike. Po përpiqemi të japim shpjegimet fetare në lidhje me këtë debat, në mënyrë që të ofrojmë sadopak qartësi ndaj kësaj çështjeje.

Së pari, përcaktimi i datës së Kurban Bajramit është i lidhur ngushtë me përcaktimin e shikimit të hënës së re të muajit Dhul-Hixhe, gjë që kërkon sqarimin e dy parakushteve: Atë që ka të bëjë me ligjshmërinë sheriatike të përllogaritjeve astronomike, si dhe atë që ka të bëjë me një diskutimin nëse shikimi i hënës në një vend të caktuar, vlen apo jo për të gjitha vendet në botë.

2. Në lidhje me ligjshmërinë fetare të mbështetjes në përllogaritje astronomike, në përcaktimin e Bajramit apo hyrjes së Ramazanit, dijetarët ndahen në dy grupe:

Grupi i parë e konsideron këtë metodë si argument të ligjshëm sheriatik.

Al Kushaijrij prej hanefive thotë: ”nëse përllogaritja (astronomike) tregon se hëna e re ka dalë në horizont, në atë formë që mund të shikohet, kur nuk ka pengesa, si psh. retë, kjo tregon obligueshmëri, për shkak të gjetjes së shkakut sheriatik….” Gjithashtu, Mutraf iben Abdullah, i cituar nga Iben Rushdi ka thënë: hëna e re merret për bazë sipas yjeve dhe pozicioneve të hënës dhe sipas mënyrës së përllogaritjeve (astronomike). Ndërsa Ibnu Surejxhi e konsideron thënien e Profetit a.s., “…perllogariteni ate…” si udhëzim për t’u mbështetur në të dhënat astronomike: “ky urdhër i drejtohet asaj kategorie njerëzish që Allahu i ka përzgjedhur dhe iu ka dhënë njohuri mbi përllogaritjet (astronomike).

Grupi i dytë nuk i konsideron të vlefshme sheriatikisht të dhënat astronomike.

Imam Maliku e ka ndaluar mbështetjen në të dhëna të tilla në përcaktimin e hënës, ndonëse, sic na njofton Imam Karafi, tek dijetaret malikij ekziston edhe nje mendim tjeter, se kjo gjë është e lejuar. Imam Neveviu transmeton nga dijetarët shafij se fillimi ramazanit vërtetohet me shikimin e hënës ose me plotësimin e tridhjetë ditëve të muajt të mëparshëm. Këtë mendim, imami e mbështet në hadithet profetike duke ofruar një përkufizim të qartë të mënyrave që vërtetojnë përcaktimin e hënës së re që duke përjashtuar mbështetjen në dijet astronomike. Ndërkohë, nga dijetarët Shafi, Kaljubi thotë se: “Nëse me anë të përllogaritjes (astronomike) vërtetohet qartazi se hëna e re nuk mund të shikohet, atëherë refuzohet dëshmia e dëshmitarëve që pretendojnë se e kanë parë, edhe nëse ato janë njerëz të besueshëm”. Me pas Kaljubi vazhdon duke thene se: “Kjo (çështje) është shumë e qartë, dhe në këtë rast nuk lejohet agjërimi. Kundershtimi i kësaj është tregues i arrogancës dhe mendjemadhësisë”. Prej kësaj, mund të themi se dijetarët shafij, edhe kur kërkojnë doemos shikimin e hënës së re, e marrin në konsideratë mënyrën astronomike të përcaktimit të saj, si mbështetje për të vërtetuar dëshmitë. Ndërkohë dijetaret hanbelij përkundrazi nuk e marrin per bazë këtë metodë.

2. Në lidhje me vlefshmërinë e shikimit të hënës së re për të gjithë globin, kur ajo është parë në një vend të caktuar, kemi përsëri dy mendimi. Shumica e dijetarëve muslimanë janë të mendimit se lindja e hënës së re duhet të jetë unike për të gjitha vendet, por disa prej tyre thonë se kjo nuk është e domosdoshme. Sipas këtyre, nuk është problem, nëse diku Ramazani fillon një ditë më parë e diku një ditë më pas.

Hanefitë,  malikitë dhe hanbelitë mbështesin mendimin e parë. Ata thonë se shikimi i hënës në një vend, obligon të gjitha vendet e tjera ta ndjekin atë në fillimin e muajit të ri. Ata e bazojnë këtë mendim në thënien e Profetit: «Agjëroni kur ta shikoni atë (hënën e re) dhe çeleni (iftarin) kur ta shikoni përsëri». Sipas tyre, ky hadith u drejtohet mbarë besimtarëve, kudo që ata ndodhen. Nëse dikush prej tyre dëshmon daljen e hënës së re atëherë mbarë besimtarët obligohen të marrin në konsideratë këtë fakt. Ata e interpretojnë gjykimin e Ibn Abasit në kohën e Muavisë, i cili pohon të kundërtën në rastin e një personi që kish ardhur nga një vend ku agjërimi kish hyrë në një ditë tjetër, si mendim personal të tij, duke mos u mbështetur në të.

Megjithatë dijetarë të tjerë thonë se duhet marrë në konsideratë edhe mundësia e ndryshueshmërisë nga një vend në një tjetër, sidomos kur largësia mes tyre është e konsiderueshme. Shafitë janë të mendimit se banorët e çdo vendi apo shteti duhet ta vërtetojnë më vete shikimin e hënës së re dhe fakti që ajo mund të jetë parë në një vend nuk është detyrues për një vend tjetër, në distancë të largët prej tij. Mendimin e tyre ata e arsyetojne nëpëmrjet mendimit të Ibn Abasit.

Së dyti, përcaktimi i datës së Kurban Bajramit lidhet me autoritetet fetare. Profeti as. ka thënë: “Agjëroni kur agjërojnë njerëzit dhe çeleni (iftarin) kur ta çelin ata. Nga kjo kuptojmë se përcaktimi i kësaj dite është diçka kolektive dhe jo individuale. Si e tillë ajo i përket atyre që kanë tagrin drejtues të bashkësisë.

Së treti, në rastet kur drejtuesit fetarë të një vendi, bazohen në një prej autoriteteve fetare botërore të mirënjohura, siç janë ata të përmendur më sipër, vendimi është në rregull fetarisht. Në rastin konkret, ne e kemi për detyrë të ndjekim vendimin e autoritetit tonë fetar, edhe nëse mendojmë se pala tjetër (ajo që nuk bazohet në përllogaritje astronomike) ka të drejtë. Kjo bëhet në zbatim të hadithit të Profetit as. “agjëroni kur agjërojnë njerëzit dhe çeleni kur ta çelin ata”. Sipas kësaj, kur vendimi merret nga autoriteti përfaqësues i besimtarëve në një vend, duhet të zbatohet nga të gjithë banorët e atij vendi.

Së katërti, kemi edhe një rast të veçantë kur përcaktimi i shikimit të hënës se re lidhet jo vetëm me kohën, por edhe vendin ku kryhet adhurimi që kërkohet. I tillë është rasti i ditës së Arafatit, e cila, përveç kohës (që është dita e nëntë e muajit Dhul Hixhe), lidhet edhe me vendin e kryerjes së adhurimit, që është kodra e Arafatit ku mblidhen haxhilerët. Në rastin konkret kemi autoritetin fetar të Arabisë Saudite që përgjigjet për organizimin e kryerjes së haxhit, i cili ka shpallur datën 25 tetor si ditën e Arafatit, ndërkohë që nga ana tjetër, autoritetet fetare në Turqi, bazuar në kalendarin hënor, kanë përcaktuar datën 24 tetor. Autoriteti fetar në Shqipëri, është mbështetur në vendimin e autoriteteve turke në përcaktimin e kësaj dite, duke ndjekur kalendarin, megjithëse haxhilerët do të jenë në Arafat një ditë më vonë.

Bazuar nga gjithë sa thamë, në këtë rast, ajo që duhet të bëjnë besimtarët në Shqipëri, nëse nuk arrijnë të bindin drejtuesit e fesë për të kundërtën, është bindja ndaj këtij vendimi, ndonëse mund të mendojnë se ai është i gabuar. Adhurime të tilla si kremtimi i Kurban Bajramit, janë adhurime kolektive dhe nuk mund të bëhen në mënyrë individuale. Festa është diçka shoqërore. Ajo synon bashkimin dhe vëllazërimin e njerëzve dhe jo ndarjen e distancimin e tyre nga njëri-tjetri. Për këtë arsye, natyra e kësaj feste, por edhe rregullat e qarta e të sakta të fesë, nuk tolerojnë asnjë veçim individual, i cili deformon qëllimin e adhurimeve të tilla.

Uroj që ky Bajram të na gjejë të vëllazëruar, të gëzuar, të pastruar e begatuar me të mirat e Zotit të Gjithësisë dhe uroj që ky bajram të zbusë zemrat tona, për të përzënë prej andej të ligën e ti hapë ato ndaj pendimit e përunjësisë. Mirësia e kësaj dite i mbuloftë gjithë njerëzit me begatinë e vet!

 

___________________________________

* Imami i Xhamisë së Laprakës

Një sqarim më të hollësishëm të kësaj teme mund ta ndiqni këtu: http://www.e-zani.com/2012/10/25/argumentet-per-percaktimin-astronomik-te-henes-se-re1/

Comments

  • “Hanefitë, malikitë dhe hanbelitë mbështesin mendimin e parë. Ata thonë se shikimi i hënës në një vend, obligon të gjitha vendet e tjera ta ndjekin atë në fillimin e muajit të ri. Ata e bazojnë këtë mendim në thënien e Profetit: «Agjëroni kur ta shikoni atë (hënën e re) dhe çeleni (iftarin) kur ta shikoni përsëri». Sipas tyre, ky hadith u drejtohet mbarë besimtarëve, kudo që ata ndodhen. Nëse dikush prej tyre dëshmon daljen e hënës së re atëherë mbarë besimtarët obligohen të marrin në konsideratë këtë fakt.”…
    Ja pra cdo gje eshte e qarte.pastaj me duket se nuk jemi shume larg njeri tjetrit me mjetet e komunikimt ne ditet e sotme. Sa per ate qe besimtaret te bindin drejtuesit e fese me duket nonsens. si mundet une nje “murator” te bind dike qe ka mbaruar nje “gomar” me libra shkolle per ate pune.

  • Muratoreve u takon te binden e jo te bindin te tjeret. Keshilla ndaj, u takon hoxhallareve. Hadithi me lart nuk i drejtohet besimtareve si kope, kush e sheh henen te agjeroje e kush nuk e sheh te beje hesap ditet e shevalit. Hadithi i drejtohet gjithe ummetit dhe fjala kalon tek populli fillimisht prej te mencurve, dijetareve, institucioneve fetare…
    Po te ishte kshu, do i binte qe cdo vite te falshim nga dy bajrame, se nji pjese e sheh e nji pjese nuk e sheh henen. Une per vete nuk e kam pa asnjehere, e ma merr mendja edhe ti, me te pytme ke hec.

    Pataj, sic ka thene kete Profeti s.a.v.s. ka thene edhe kete tjetren e thote hoxha ne shkrim: “Agjëroni kur agjërojnë njerëzit dhe çeleni (iftarin) kur ta çelin ata.”. A thu ka rone ne kontradikte Profeti? Afermendsh qe jo. Atehere i bi qe qartesia jote te jete i lomsh para porte.

  • Na hidhi i sy ketij robit se ndoshta te vijne dritat!

    http://www.uais.ch/new1/index.php/artikuj/fikh/150-llogaritja-astronomike-dhe-caktimi-i-fillimit-dhe-mbarimit-te-agjerimit#_edn25

    Po pertove me lexu gjate, se zavalli, duke dash me i ra shkurt po na shko kaq gjate rruga, hidhi i sy kesaj tjetres.

    Caktimi i fillimit të muajit në bazë të shikimit me sy të hënës së re

    Jusuf Kardavi

    Marre ne menyre te permbledhur, esenciale nga libri “Te kuptuarit e sunnetit”.

    “Agjëroni kur ta shikoni (hënën e re) dhe prisheni kur ta shikoni sërish. E nëse është vrenjtur, atëherë llogaritni 30 ditë të Shabanit”.

    Vetë qëllimi i hadithit është evident dhe i qartë. Përkufizon agjërimin e gjithë Ramazanit në mënyrë që të mos ikë asnjë ditë e të mos agjërohet ndonjë ditë e një muaji tjetër, Shabanit apo Sheualit. Kjo arrihej duke caktuar fillimin dhe fundin e muajit me metodë të qartë dhe të arritshme për shumë njerëz dhe e cila nuk do të paraqiste vështirësi e as barrë në fe.

    Atë kohë të shikuarit fizik të hënës së re ishte metodë e thjeshtë. Në të kundërtën, sikur të detyrohej që fillimi dhe mbarimi i Ramazanit të caktohej me ndonjë mënyrë tjetër, siç janë llogaritjet astronomike, do t’u shkaktonte vështirësi, pasi atë kohë umeti nuk dinte as shkrim e as llogaritje. Ndërsa Allahu për njerëzit e Tij dëshiron lehtësim e jo vështirësim.

    Prandaj nëse gjendet një mjet tjetër, që është më i saktë për arritjen e qëllimit të hadithit, i cili gabon më pak, nuk mashtron dhe gënjen dhe nëse ky mjet nuk është i paarritshëm por mund të arrihet lehtë, nëse nuk është më jashtë mundësive të umetit i cili sot ka shkencëtarë dhe ekspertë me famë botërore në astronomi, gjeologji dhe fizikë, dhe nëse dituria njerëzore ka shkuar aq larg sa njeriut i mundëson që të shkojë në po atë hënë, të ecë në sipërfaqen e saj dhe që të sjellë në Tokë mostrat e pluhurit dhe shkëmbinjve të saj, përse atëherë insistimi në mjetin i cili nuk është qëllim në vetvete, ndërsa e lëmë anash qëllimin që mëton hadithi?

    A mund të refuzohet metoda me të cilën mund të bashkohet umeti dhe me të cilën mund të vihet pikë në dallimet e shumta dhe të vazhdueshme të fillimit të agjërimit, prishjes dhe caktimit të Bajramit, i cili nganjëherë mund të jetë edhe me tre ditë dallim në vende fqinjë? Kjo është e pakuptueshme dhe e papranueshme nga pikëpamja e shkencës dhe fesë. Është e sigurt se vetëm disa kanë të drejtë, kurse të gjithë të tjerët e kanë gabim pa fije dyshimi.

    Ne jemi të thirrur të përpiqemi për zgjidhjen e problemeve të kohës sonë, siç i kanë zgjidhur të parët tanë problemet e kohës së tyre, që zgjidhjet për realitetin tonë t’i gjejmë në mendjen tonë dhe jo në të tyren dhe që gjatë kësaj të mos kufizohemi me asgjë tjetër përveçse me dispozita të qarta të Sheriatit, me tekste eksplicite dhe me qëllimet e përgjithshme. Këtë Ramazan (1409 h.) kam lexuar një artikull të gjatë të një shejhu të shquar, i cili pohon se hadithi i saktë i Profetit (a.s): “Ne jemi një popull që as lexon as llogarit”, përmban ndalesën e llogaritjes dhe mbështetjes së umetit në të. Sikur kjo të ishte e vërtetë, atëherë do të ishte e vërtetë edhe ndalesa e shkrimit dhe e përdorimit të tij, pasi hadithi përmend dy gjëra me të cilat dëshmohet analfabetizmi i umetit, shkrimi dhe llogaritja.

    Disa deklarojnë se Profeti (a.s) nuk na ka caktuar të merremi me llogaritje dhe astronomi e as na ka urdhëruar të mbështetemi në të, por na ka urdhëruar që të mbështetemi në “shikim”. Kjo vërejtje është e gabuar apo qëllimisht e gabuar, për dy arsye:

    1- Nuk është logjike, që Profeti (a.s) të urdhërojë mbështetjen në astronomi në kohën kur umeti ishte analfabet. Për këtë ai kishte caktuar metodën që i përgjigjej vendit dhe kohës. Por nëse zbulohet një mjet tjetër që është më i saktë, më preciz, më i sigurt dhe që gabon më pak, atëherë në Sunnet nuk ka pengesë që ai të mos përdoret.

    2- Vetë Sunneti na udhëzon të mbështetemi në astronomi në rast se moti është i vrenjtur. Fjala është për hadithin: “Mos agjëroni derisa nuk e shikoni hënën e re dhe mos festoni Bajramin derisa nuk e shikoni. E nëse është vrenjtur, atëherë vlerësoni/llogaritni”.

    Tanimë prej shumë viteve ftoj të bazohemi në llogaritjet precize astronomike madje në kuptimin e mohimit të mundësisë së paraqitjes së hënës së re në ditë të caktuara. Qëllimi im është të zvogëlohen dallimet e mëdha mes nesh, që paraqiten çdo vit me rastin e fillimit të agjërimit dhe festimit të Bajrameve. Nëse astronomia thotë se është e pamundur që në një natë të shikohet hëna e re, pasi atë natë hëna e re nuk paraqitet në asnjë pjesë të botës islame, atëherë konsideroj se është obligim pa menduar shumë, të mohohet mendimi i gjoja dëshmitarëve se e kanë parë hënën e re. Aq më tepër në net të tilla nga njerëzit as që duhet kërkuar të presin hënën e re dhe as që duhen hapur dyert e gjyqeve të Sheriatit dhe institucioneve fetare për ata që dëshirojnë të dëshmojnë se e kanë parë hënën e re. Ky është mendimi im që e kam mbrojtur në fetva, ligjërata dhe programe të shumta. Pastaj Allahu deshi që në të njëjtin mendim, por të sqaruar në detaje të ishte një prej juristëve të shquar të shkollës shafiite, imam Tekijedin es-Subkiu, për të cilin është deklaruar se ka arritur gradën e muxhtehidit.

    Es-Subkiu deklaron se është obligim i kadiut të refuzojë si të pabazë pohimet e njerëzve që pohojnë se e kanë parë hënën e re gjatë netëve që astronomët deklarojnë se nuk mund të shihet. Ai thotë: “Llogaritjet astronomike na ofrojnë njohuri krejtësisht të saktë, përderisa dëshmitë dhe lajmet (nga një person apo grup) janë të pasigurta. Ajo që nuk është e sigurt nuk mund të kundërshtojë atë që është e sigurt, e lë më pastaj t’i jepet përparësi”.

  • I nderuari Imam Nekiu. Mos ke bere ndonje gabim kur thua se hanefite lejojne perllogaritjen e henes si baze per fillimin ose mbarimin e Ramazanit? Ne percaktimin e fillimit te Ramazanit dhe festave te Bajramit, Hanfite jane ne konsensus qe vetem shikimi i henes meret per baze jo llogaritja. Ne kete grup jane pothuajse te gjithe medhebet, biles dhe Shiat. Them pothuajse pasi disa ulema e bejne mustahab shikimin e henes kurse pjesa dermuese e konsiderojne si obligim shoqeror. Llogaritja e kalendarit henor normal qe ka dobishmerite e veta, pasi lejon per planifikimin afatgjate te jetes se myslymaneve, por nuk eshte kurresesi percaktuese. Mund te ballafaqosh kalendarin, dhe shikimin e henes, per te qene i sigurt apo per te vertetuar nje qe deshmon ta kete pare henen e re, por megjithate, shikimi nuk le hapsire per gabim, O e sheh henen e re ose nuk e sheh, kurse llogaritja varet shume nga menyra si eshte llogaritur. Psh gjate ketij muaji te Ramazanit shumica e besimtareve ne Evrope kane hapur Iftarin disa minuta me shpejt se c’duhej, sepse u mvaren ne kalendaret e Arabise Saudite. Disa nga keto faqe online publikuan orare per Ramazan si te “sakta” por ne fakt ne llogaritjen e tyre nuk mernin perbaze lartesine mbi det te nje vendi, dhe ne kete menyre llogarisnin kohen si te ishte toka e sheshte per gjithe boten. Arabia Saudite llogarit henen na baze te kalenderit te tyre Um-al-Kura. Ky kalendar shpesh eshte gabim psh ne 2007en gjate muajit te Dhul Hijjes, kishte dy dite me daten 19, kjo sepse Dhul Hijja ju dilte me 31 dite llogaritseve te Um-al-Kures, kurse kalendari henor islamik ka 29 dite ose 30, keshtu qe Sauditet kompensuan duke bere te Premten dhe te Shtunen 28, dhe 29, si nje dite te vetme pra 19 te Dhul Hijjes. Nuk eshte as hera e pare dhe as e fundit qe ndodh dicka e tille per shkak te llogaritjes se tyre gabim. Tjetra qe me shqeteson me shume, eshte se shume myslyman kryesisht ata “Salafi”, ndjekin arabine saudite si te ishte Vatikan i botes islame, meqe aty ndodhet Kaba. Kur Profeti a.s. emigroji ne Medine, nuk ndoqi orarin e Mekes se aty eshte Kaba por pane henen ne Medine, megjithse ishte e njejta me ate te Mekes pasi distanca eshte minimale, por te njejten gje bene dha ashabet r.a.a. ne Baghdad, Damask, Al Kuds, e kudo qe ndodheshin shikonin henen dhe percaktohej dita, asnje nuk i eshte drejtuar Mekes te percaktonte se kur ishte Ramazani, e jo me te lejohej percaktimi pa shikuar henen vete. E tille risi apo bidat behet kryesisht nga Salafite dhe patronet e tyre Saudit, ne emer te “Bashkimit” te ummetit kur ne fakt gjithe me shume e ndajne ummetin, sic vertetohet shume qarte dhe ne kete Bajram te Bekuar qe vjen ku Prishtina dhe Tirana festojne Bajramin ne dy dite te ndryshme ( me cfare degjova nga te familjes ne Tirane ). Sic shkruan nje vella dhe mik imi ne Angli ne blogun e vete per kete ceshtje ( nga ku kam kopjuar pa turp ) Gezuar Kurban Bajramin Kur do qe te jete.

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *