Teorema e ngatërruar e Henri Çilit





 

Anton Cara

Henri Çili në gazetën MAPO mbron dukurinë e reklamimit të librave nëpërmjet mediave, duke iu referuar ngjarjeve më të debatueshme në këtë drejtim, librave të Ben Blushit, Blendi Fevziut dhe Spartak Ngjelës. Duke u kompleksuar nga fakti i të qenit një prej aktorëve më të rëndësishëm në marketizimin e këtyre produkteve që, në termat e Çilit, janë më shumë konsumatore sesa letrare, ai përpiqet të thotë se libri, ashtu si çdo produkt tjetër tregu, ka nevojë të reklamohet, për t’iu ofruar lexuesit, dhe se reklama nuk do të thotë se libri është i dobët. Ai e argumenton këtë pikërisht me suksesin e tre autorëve të mësipërm, duke u shprehur se, reklama është diçka me vlerë, që i mundëson veprës të shkojnë tek publiku. “Librat e mirë sidomos kanë nevojë për marketing”, – thotë Çili, duke gjykuar se kjo nuk është aspak kundër kulturës.

Pa dyshim që, ky argument është shumë i cekët e kontradiktor. Çështja shtrohet nga ajo premisë që ekuacioni të japë përfundimin që dëshiron autori, i frustruar fort nga fakti që ka ngritur në qiell autorë të dobët apo të paktën, të debatuar. Arsyetimi nuk plotëson as kushtet më elementare të një logjike formale. Fillimisht, shtrimi i logjikës është i tillë që, meqë ti nuk ma mbush dot mendjen, atëherë mendimi im është i vërtetë. Autori nxjerr thikën nga xhepi, çan topin dhe thotë se tani nuk mund t’i bësh dot gol, kështu që ndeshjen e fiton ai. Në fakt, ndeshja kështu nuk luhet fare dhe fakti që kundërshtari nuk ka mundësi të fitojë nuk do të thotë se ke fituar ti.

1+1=1

Në këtë logjikë përfundimi argumentohet me vetveten në një rreth vicioz shumë të ngushtë.

Pohimet: 1. Blushi, Ngjela, Fevziu janë autorë të suksesshëm në saj të reklamës, 2. Kritikët nuk na vërtetojnë dot se këta autorë janë të dobët 3. Kritikët gjithashtu nuk na vërtetojnë dot se reklama është tregues i faktit që vepra nuk ka vlera.

Konkluzioni: 1. Për rrjedhojë Blushi, Ngjela, Fevziu janë autorë të mirë 2. Reklama është e mirë, sepse i krijon mundësinë autorëve të mirë të shkojnë më shumë tek lexuesi.

Me një fjalë, arsyetimi vërteton a-në me b-në dhe prej këtej, në të njëjtën mënyrë vërtetojmë b-në me a-në. Blushi është autor i mirë sepse është i suksesshëm, reklama bën të mundur që autori i mirë të ketë sukses. Përfundimi: reklama është e mirë, sepse i jep sukses të suksesshmit.

Strategjia naive është e tillë. Për tu dukur sa më i vërtetë, duhet që kundërshtari të jetë sa më i gabuar. Dhe autori shpik një kundërshtar anonim krejt idiot, në mënyrë që gjithkujt t’i duket se agjithçka që Çili na thotë, është e drejtë.

Cila është teza e debatit: Një mall apo vepër letrare që reklamohet nuk do të thotë domosdoshmërisht se është e keqe. Uau! Kush e thotë të kundërtën?!

Dhe autori kështu shmang debatin e vërtetë në këtë diskutim: A mund ta dëmtojë tregun reklama, duke ekspozuar mall jocilësor? A nuk dëmtohet letërsia, mendimi, nga reklamimi i veprave letrare të dobta?!

Mc-Literature

Në fakt, problemi qendron pikërisht tek këmbimi që media i bën kritikës me marketingun. Veprat e artit, kudo në botë, nuk marketohen si të ishin patatina. Kjo vjen sepse arti, kultura duhet të kalojnë doemos në një filtër profesional kritike dhe vlera e saj nuk mund të përcaktohet nga sasia e investimit që rezervohet për marketing. Nëse do të pranojmë këtë, do të duhet të heqim dorë nga pohimi apo mohimi i vlerës, për sa kohë nuk është më kritika e specializuar, por reklama ajo që përcakton suksesin dhe vlerën e një vepre. Çdokush përveç Çilit sot e ka të qartë që, pikërisht reklama e ka shkatërruar artin dhe marrëdhënien e publikut me të. Çdokush e ka të qartë se arti komercial ka një shtrirje dhe përhapje të jashtëzakonshme, krejt të kundërt me artin profesional, që mbetet elitar. Çili e thotë në shkrim se ka edhe vlera që nuk marrin përmasa të mëdha publike, por nuk pranon që përhapja e komercit ka lënë në hije sot pjesën më të mirë të veprave me vlerë, të cilat shijohen vërtetë nga shumë pak njerëz, e mbi të gjitha, janë vështirësisht të aksesueshme për një publik më të gjerë. Pikërisht ekspozimi i produkteve fast food, industria e prishamendjes njerëzore, ka bërë që vlerat e vërteta të mbesin në hije.

Këtu, Çili nuk mund të kuptojë se suksesi i Blushit, Ngjelës dhe Fevziut, vjen pikërisht për shkak të prishjes së këtij rendi, jo për shkak të reklamës. Reklama, në këtë rast funksionoi sepse ajo nuk para ekziston në këtë fushë. Duke qenë se librat, përgjithësisht nuk reklamohen, reklama bën namin, sepse të reklamuarit janë pak. Nëse të gjitha botimet do të shpenzonin shumë për marketing, vëmendja ndaj tyre nuk do ishte kaq e madhe. Zhurma merr vlerë në saj të heshtjes ku ndodh. Kështu që, në fund të fundit, nëse kjo prishje e rregullit do të bëhej rregull, atëherë «të suksesshmit» nuk do të ishin kaq të suksesshëm dhe në fund, pasojat do ti hante vetëm «konsumatori», që si gjithmonë, do t’i duhej të gëlltisë mall skarco, mall toksik, madje edhe duke e shijuar fort.

1-1=1

Një tjetër kontradiktë shfaqet edhe kur autori kërkon të sulmojë kritikët. Ai nuk ngurron të shprehet se këta zëra reagojnë për shkak se kanë nevojë të justifikojnë vetveten, duke qenë se librat e tyre kanë tirazhe fare minimale. Madje ky konkluzion absolutizohet duke u shprehur se vetëm kjo kategori autorësh është kritike ndaj këtij fenomeni:

“Këtë mendim e ushqejnë vetëm autorët, kritikët të cilët dhe pse tepër të respektuar në veprën dhe punën e tyre, gjejnë tek ngecja e librit në treg ose tirazhet minimale një shpjegim për të qetësuar veten dhe egon e tyre, por që në të vërtetë nuk shpjegon e nuk thotë asgjë”.

Por edhe këtu Çili bëhet kontradiktor për shkak të konfliktit të interesit (i cili e bën të mbrojë reklamuesit, pjesë e të cilëve është) dhe karakterit krejtësisht konformist të tij, i cili e bën të shprehet me respekt për ata që kërkon të thumbojë, për shkak të kompleksimit nga të qenit kaq i zbuluar përballë ndonjë përgjigjeje të hidhët të mundshme prej ndonjërit prej autorëve të tillë pa tirazh. Domethënë këta autorë janë krejtësisht të palexuar, ndonëse qenkan tepër të respektuar në veprën dhe punën e tyre. Pra, dilka se, cilësia nuk sillka domosdoshmërisht tirazh, ashtu siç pretendon Çili, duke e shprehur gjithkund se tirazhi është fakt kokëfortë, i pakundërshtueshëm, që tregon vlerën e veprës.

Ideja e Çilit është se, një vepër që gjen treg, ka doemos vlera. Këtë gjë ai e ka pohuar edhe në një debat tek Arjan Çani për «Ishullin» e Blushit, teksa për dreq, në studio u ndodh edhe Sinan Hoxha, që deklaroi se kish shitur të paktën pesëfishin e Blushit. Çilit ju desh atëherë të pranonte «faktet» për të mos kundërshtuar vetveten, duke pohuar se kjo tregon se muzika e Sinanit ka vlera. Por kjo nuk e shpëton prej kontradiksionit me veten teksa vite më parë, në një konferencë në Kosovë për integrimin në Evropë, i është referuar pikërisht Sinan Hoxhës, si shembull i dëshmisë së mbeturinave orientale pa vlera kulturore e artistike, të cilat, sipas tij,  janë duke u zhdukur gradualisht në Shqipëri. Duket se një fat i keq e ndjek autorin dhe ngado që të rrotullohet, i duhet të shkelë mbi kallot e veta, në një procesion mazokizmi auto-reverse. Mesa duket konformizmi e paska koston të rëndë. Jo më kot anglezët thonë: Nuk jam aq i pasur sa të blej mall të lirë.

Comments

  • Me vjen mire qe lexoj shkrime te tille cipecjerres. Cilerit duhet te kuptojne se nuk shkon gjate reklama. se pas saj vjen cgenjimi i cili ka vite qe po na bren. fjalet e medha per vepra te dobeta, te joshin perderisa libri ende nuk eshte cfletuar, pastaj vjen neveria e cgenjimi. Ndersa kemi romane e vepra te shumta dinjitoze qe Cilit as i shkon mendja ti reklamoje, sepse autoret nuk ja u varin ketyre lloj bojaxhijve.

    • Nuk jeni vetem. Ka shume zera qe mendojne keshtu. Vetem se altoparlantet e pushteteve jane te rezervuar vetem per Cilet. Kjo eshte edhe arsyeja perse ato fillojne e konsumohen derisa vjen nje moment qe flasin me vete. Mua me duket se Cili sot flet kot, se askush nuk e mbeshtet dhe gjithkush e di se cfare dhe pse mendon. Kjo eshte edhe arsyeja perse zeri i njerezve idealiste, pavaresisht se nuk zoteron ndonje altoparlant, degjohet me shume.

  • Naim (Henri) Cili, eshte tipikisht nje cope fshatar i shkolluar qe ndjek linjen e berishizmit si fenomen i zbritur ne metropol, i ngerthyer nga kompleksi i valixhes se drunjte. Kjo tipologji njerezish te merr ne qafe, ngase nuk kane as njelloj skrupulli, ne funksion te arritjes se qellimeve, per t`u hakmarrre ndaj origjines se tyre; dhe atyre qe nuk u perkasin ne origjine.

    • A nuk mund te evitohej kjo “nje cope fshatar”? Se eshte vetem racizem. Sa cope fshatar duhet te jete njeriu -se nje cope ekuptuam qe eshte keq – per te merituar te mos fyhet per origjinen?

  • Si shkrimtar e gazetar qe eshte do kisha menduar qe Cili do ishte krenar me emrin e Naim Frasherit, kush nuk
    Krenohet me Naim Frasherin njehere? A do mundej nje shkrimtar pas 50 viteve te hiqte emrin Ismail e te vazhdonte t krenohej me Kadarene?

    • Kjo e emrit nuk eshte pune per ne, zoteri. Kush nderron emrin, fene, vijen e flokeve – nga ne mes, anash (majtas apo djathtas) – e ka per veten e vet. Per ne te tjeret rendesi duhet te kene idete e punet publike. A nuk eshte me mire te perqendrohemi tek ato? Se ndryshe do behet edhe kjo faqe berberhane si kusuri i faqeve te tjera online, gjithe shkume e te prera brisku, nese me kupton ku e kam.

        • Armir nuk shoh te perbeje detyrimisht ndonje problem ‘the pen name’ qe njerezit perdorin ne postime. Pjesa tjeter ka te beje muhabet virtual i cili ne kete rast nuk mu duk se pati shkelje kembe e pickime…

        • Armir, nuk fyeva njeri, thjesht thashe se po nuk u morem me idete, po me emrat (apo edhe me nofkat), me duket se kontribuojme jo per ate qe na mbledh ketu. Mund ta kem edhe gabim, po ti nuk po ma hedh po shte idene time, po vazhdon te merresh me emrat. Kerkoj falje nese nderhyrja ime qe pa takt, po mendo pak veten ne vend te Henri Cilit duke lexuar dike te komentoje per vendimet e tua mbi jeten tende personale. Nuk besoj se do te te vinte mire. Mund ta kem gabim, po kaq di e kaq them

  • Nuk jam dakort me tezen e autori, megjithese jo detyrimisht mendoj se Cili eshte shprehur mire (ne fakt nuk e kam lexuar shkrimin te cilit i referohet autori). Vertet qe kritika ka vlere e ndoshta shpesh ka nje funksion jetesor ne zbulimin e mbrojtjen e talenteve, por te mos harrojme se edhe kritika punon per publikun. Te pakten une mendoj se ky duhet te ishte funksini primar i kritikes: informimi dhe edukimi i publikut. Ne kete sens, nuk mendoj se arti i mire eshte “vetem” elitar, ashtu sic nuk mendoj se cdo lloj arti masiv eshte i mire. Edhe reklama luan nje lloj roli pozitiv: ate te informimit te masave, pa te cilat, te mos harrojme, arti nuk do mbizoteronte (ka ikur koha e mecenateve). Tani, me duket sikur autori mendon se masat jane gjithmone e pa perjashtim idiote e lehtesisht te manipulueshme (megjithese kjo nuk thuhet). Vetem kjo do e justikonte konkluzionin se artit te dobet, po t’i behet reklame, i blihet suksesi. Une mendoj se jo gjithmone kjo eshte e vertete. Mendoj se ka nje fare “hapesire” ku arti popullor duhet te vertitet per t’u bere masivisht i suksesshem. Mendoj edhe se kjo hapesire ka qene e eshte vazhdimisht ne zgjerim e siper. Dhe roli i kritikes dhe artisteve te vertete eshte edhe ky: ta afrojne artin e mire me masat, t’i edukojne ato. Nderkohe, reklama gdhend pjesen me te pagdhendur e perhap nje art i cili ndoshta nuk eshte me i miri, por prape art eshte. Per te perdorur shembujt e permendur, ndoshta librat e Blushit e Fevziut nuk jane me te miret ne treg, por une jam e gezuar qe mihera shqiptare kane gjetur kohen e vullnetin t’i blejne e ndoshta t’i lexojne, pasi kurre me pare s’eshte pare nje sukses i tille ne libra. Per kete i jam mirenjohese Cilit pasi ka kryer nje funksion publik, packa se ai e ka bere per interesin e tij vetjak. Mendoj qe eshte nje argument shume kompleks per t’i gjetur nje zgjidhje ne pak rreshta: ky argument mund te shtrihet pothuajse ne cdo fushe aktiviteti njerezor dhe ka fusha ku teza e Cilit vlen pa dyshim (p.sh. Tregu i automjeteve) e ka fusha ku kjo vlere eshte pak me e dyshimte, por jo mosekzistuese. Me falni qe u zgjata kaq shume.

  • vetura bens nuk ka nevoje per reklama.Po ashtu dhe keta tre autore te tranzicionit koha do ti vertetoje sa te suksesshem jane dhe a do ti mbijetojne kohes librat e tyre.Nuk besoj mbasi leximi i tyre pas 10 vjetesh do te jete shume i veshtire

  • Your email address will not be published. Required fields are marked *